` . Një riparim i përsëritur keq – TV-SHENJA

Një riparim i përsëritur keq

Pas dëshirës për ta shkatërruar objektin e urryer\përndjekës (kur ai është i keq dhe nuk i plotëson nevojat), lind ndjenja e fajit (pasi nëna nuk është vetëm e keqe, ajo është edhe e mirë). Dhe, nga kjo ndjenjë faji më vonë vjen shtysa për ta riparuar objektin e dëmtuar (në fantazi dhe dëshira).

Shkruan: Klodjana GJIKA, Tiranë

Tiranës, po të lëvizësh rrugëve me transport publik a ndryshe, shpesh kaplohesh nga përshtypja se e ardhmja është e shkuara, por me terma të tjerë. E tashmja është veçse një pozicionim kufitar, tranzitor dhe i paqartë. Një pozicion që më ngjan sa i hershëm, aq dhe përsëritës. I hershëm në kuptimin e shtysave të hershme të qenies njerëzore, qysh në fillimin e jetës, dhe përsëritës në kuptimin e përsëritjes së një traume. E ardhmja, në këtë pikë, nuk shikohet diku gjetkë, përveçse lidhur ngushtë me të dyja periudhat e tjera.

Në gjysmën e vitit të parë të jetës, shpjegon Melanie Klein, ne ndodhemi në një gjendje psikike emëruar si pozicioni depresiv. Veçori e këtij pozicioni është lindja e fantazive dhe ndjenjave urryese ndaj objektit të dashur (objekti që kënaq nevojat dhe dëshirat tona), përkatësisht figurës së nënës. Qenia e sapolindur vendoset ndaj këtij objekti duke e ndarë atë në dy pjesë, si ideal\të dashur dhe përndjekës\të urryer. Këtu, shqetësimi është në mbijetesën e vetes, por edhe lidhja e tij me objektin. Në këtë moment, pra, mbijetesa është meraku kryesor i të miturit dhe kjo mbijetesë është e lidhur ngushtë me të rriturin kujdestar.

Pas dëshirës për ta shkatërruar objektin e urryer\përndjekës (kur ai është i keq dhe nuk i plotëson nevojat), lind ndjenja e fajit (pasi nëna nuk është vetëm e keqe, ajo është edhe e mirë). Dhe, nga kjo ndjenjë faji më vonë vjen shtysa për ta riparuar objektin e dëmtuar (në fantazi dhe dëshira). Pas riparimit, egoja forcohet dhe zgjerohet, bota tashmë është me e pasur dhe perceptohet në terma të realitetit. Kështu formohen dy cilësi kryesore në jetën e njeriut, maturimi dhe njohja e tjetrit si dikush i ndarë nga vetja. Pra, kjo e fundit, në njëfarë mënyre, ndodh nëpërmjet përjetimit të humbjes dhe të zisë. Ne humbim tjetrin domethënës për ne (nënën), të cilin deri tani e kemi parë si pjesë e jona dhe na duhet të vazhdojmë jetën të ndarë nga ajo. Por, duhet ta përjetojmë më parë zinë dhe të vajtojmë për humbjen në mënyrë që të eliminojmë mbartjen e traumës.

Kjo gjendje përsëritet vazhdimisht dhe rafinohet më vonë gjatë jetës, në lidhje me të njëjtën figurë, por dhe me objektet e tjera të jetës. Mund të ndodhë në marrëdhëniet tona të afërta e intime dhe me çdo objekt a ide të rëndësishme për ne. Mund të përfytyrojmë këtu marrëdhënien me vendin dhe shoqërinë ku jetojmë e pse jo marrëdhënien më veten e tashme, ashtu si dhe me ardhmërinë tonë. Rrugëve të Tiranë, pra, të kujtohet pozicioni depresiv i këtij lloji.

Në këtë qytet, sa ka dashuri, po aq ka dhe shkatërrime të vazhdueshme. Por, sa aktivë jemi në riparimet dhe ndjenjat e fajit? Sa maturohemi në fund? Sa vetëdijesohemi se tjetri është qenie më vete dhe jo pjesë e fantazive dhe tekave tona. Gjej me vend të bëj pyetjen, që në pamje të parë mund të duket pa vend këtu: çfarë kemi humbur ne si shoqëri dhe a e kemi vajtuar humbjen ashtu siç i takon të vajtohet? Kjo është pyetje e koklavitur për të marrë një përgjigje të tanipërtanishme, por që të shpie të reflektosh rreth përsëritjeve të vazhdueshme që na tregojnë për trauma të thella. Çdo ditë njerëzit në rrugë, institucione, kafene, por dhe më ngushtë brenda mureve të shtëpive të tyre, rrëfehen përsëri e përsëri në një rreth vicioz shqetësimi, merakosjeje dhe pashpresshmërie, që i kthen vazhdimisht në pikën e fillimit. Kur këto rrethe vicioze formohen, ato në shumicën e rasteve janë patologjike dhe, po ashtu, riparimi. Në qoftë se vendoset në këtë lloj vorbulle të pafundme, ndalon së qeni pozitiv.

Adam Phillips, psikoterapist dhe eseist, teksa flet për rrethet vicioze të dukshme në sjelljen e njeriut, shpjegon se riparimi i përsëritur në këto raste shpesh ndodh dhe tregon veç një mosgatishmëri për të toleruar pasojat e panjohura të veprimtarive tona. Sipas tij, kjo është një lloj greve ndaj të ardhmes. Është e ngjashme më këmbënguljen e neurotikut për ta mbajtur simptomën. Sepse, në fund të fundit, çfarë do të mbesë pasi simptoma të mos jetë më? Thënë ndryshe, mënyra se si ne zgjedhim të ndryshojmë dhe të lëvizim përpara na lë në vend në momentin që ajo është mospërfillëse ndaj shkaqeve dhe pasojave të veprimeve tona. Të përballesh me pasojat s’është e lehtë, pasi kërkon që të përballesh me të vërtetat e vështira që ato përfaqësojnë, por dhe me përgjegjësinë dhe rikrijimin e diçkaje të re. Pasi zhduken simptomat psikologjike, ne jemi të “detyruar” që hapësirën e krijuar ta mbushim me diçka.

Sot, këtu, në Tiranë, njerëzit janë të shqetësuar dhe të merakosur. Për shtetin, edukimin, burokracitë e institucioneve, korrupsionin, papunësinë, meritën e padukshme dhe të pavlerësuar, transportin, pagat, njerëzit rrugëve dhe humorin e tyre, që bashkëjeton me papastërtitë, betonin, prerjen e pemëve, “pimë një kafe”-n etj. Ky merak i vazhdueshëm ka një lidhje të drejtpërdrejtë me kohën. Të vjen të pyesësh: Prej sa kohësh ndodh kështu? Dhe sa do të vazhdojë? Phillips-i po ashtu e cilëson merakosjen si një fenomen që i bën bashkë të tria kohët:

“…merakosja, duke na lidhur me të tashmen dhe me të ardhmen e shfuqizon të shkuarën. Ajo e shënjon kohën duke enkapsuluar një sekuence. Kur merakosemi, ne shohim përpara, por nuk tundohemi që të shohim pas në kohë. Meraku nënkupton një të ardhme, një mënyrë të të parit vazhdimin e gjërave. Është një bindje e vetëdijshme që një e ardhme ekziston, një ku diçka e tmerrshme mund të ndodhë, që në fund të fundit mund te jetë e vërtetë. Kështu merakosja është një formë ironike shprese.” Dhe, më ironike është të mendosh për natyrshmërinë e kësaj gjendje, duke parë zhvillimet socio-politike që vazhdojnë ta ripërsërisin veten me ngulm në mundësitë dhe pamundësitë e tyre. Sipas Sartrit, realiteti i njeriut është i paplotë, i drejtpeshuar në mënyrë të pasigurt ndërmjet mbylljes së të shkuarës dhe hapjes drejt së ardhmes.

“…çdo njeri përcaktohet negativisht nga shuma totale e mundësive që janë të pamundura për të, domethënë një e ardhme pak a shumë e bllokuar”. Shumë flitet dhe ëndërrohet për të ardhmen. Dikush është dyshues për mundësitë në vendin e tij e dikush e sheh shpresën në një vend tjetër, por puna e sotme që mund të lihet për nesër, nesër do të mbetet e njëjtë, ashtu siç do të mbetet dhe ditën pas të nesërmes, e kështu në pafundësi. Mundet, pra, që përgjigja për të ardhmen të gjendet tek e shkuara. Siç thotë dhe Marcuse: “…orientimi në të kaluarën synon drejt një orientimi në të ardhmen. Recherchedu temps perdu bëhet mjeti i çlirimit të ardhshëm”.

Përpjekja për të kuptuar të vërteta psikologjike, e për më tepër shtjellimi i lëndës psikanalitike, shpesh mund të të lë një ndjesi padepërtueshmërie prej vetë natyrës së saj dhe për territoret e palëvruara më parë. E vazhdon të jetë e vështirë për t’ju përgjigjur pyetjeve të ngritura më lart. Sepse, në fund të fundit, janë pyetje që kanë lidhje me trauma kolektive dhe individuale, trauma që përsëriten, por nuk kujtohet. Kujtesa e tyre do të na lidhte me të vërtetat që na përfaqësojnë e, për rrjedhojë, do të na shpinte në ardhmërinë e shumëkërkuar. Nuk mund të ketë maturim, mirëqenie dhe ardhmëri pa kujtesë, pa vajtim dhe proces zie, pa punë, guxim dhe vullnet.