` . Një reflektim mbi faktorin shkencë - TV-SHENJA

Një reflektim mbi faktorin shkencë

Thelbi i konceptit shkencor, bazohet në premisën se origjina e njeriut dhe e universit ka për bazë faktorin ‘rastësi’, por një hyrje më e thellë në fushën shkencore, ekspozon, diçka tjetër – shumë konfuzione, boshllëqe, paradokse dhe hipoteza të mundshme. Pyetja e parë që nxit kureshtjen në këtë drejtim është: A ka Darvini prova të ofrojë për pretendimet e tij apo ai bazohet në hipoteza të mundshme?

Shkruan: Arben J. SALIHU, Prishtinë     

Ne, si qenie njerëzore, duket se shpesh jemi “të destinuar”, me, ose, pa vetëdije, të besojmë në risitë dhe zhvillimet akademike, që si bazë kanë shkencën. Sot është vështirë të mohohet interesimi eksponencial në zhvillimet shkencore. Shkenca, si e tillë, duket se e ka prekur gati çdo sferë të jetës. Nuk është e pazakontë të dëgjojmë se “shkenca e ka zbuluar këtë…” ose se “shkencëtarët kanë ardhur në përfundim se…”. Si rrjedhojë e bisedave të tilla, ne, njerëzit e rëndomtë, shpesh ekspozojmë tendencë fascinimi me të ashtuquajturat “zbulime”. Është interesant në këtë kontekst fakti se ne shumë rrallë dëgjojmë reagime kureshtare, me përmbajtje racionale dhe konstruktive që lidhen me zbulime të tilla.

Siç duket, shumë prej nesh, me ose pa dashje,e injorojmë përmbajtjen thelbësore të risive shkencore. Ndoshta, për shkak të jokompetencës sonë në fushën e shkencore ose ndoshta edhe ndjehemi “komod” me një lloj fobie të “vet-instaluar” në sub-konshiencën tonë, se reagimi ndaj risive shkencore perceptohet disi si “zonë e ndaluar”. Shpesh duket se bisedat tona, me të dëgjuar përmendjen e nocionit “shkencë” ose “zbulim shkencor”, përcillen me një heshtje spontane dhe reflektuese. Se a është pragmatike një qasje e tillë, le të mbetet në domenin subjektiv.

Logjika konvencionale e shekullit tonë është shtytëse dhe promotore e debateve dhe reagimeve produktive. Në fakt, debatet dhe reagimet në rrethana të tilla jo vetëm që janë të shëndosha (edhe për vetë shkencën), por ato duhet të konsiderohen fundametalisht të nevojshme për ne si individë dhe për shoqërinë në përgjithësi. Pranimi “fait accompli” i zbulimeve shkencore, pa “guxim’ të vendosur për ekspozim të mendimeve, qëndrimeve ose edhe pyetjeve rreth kredibilitetit të vetë rezultatit shkencor, duket paksa ofendim për inteligjencën tonë.

Në këtë kontekst, një pyetje gati e pashmangshme, që mund të derivojë është se a kemi dhe sa kemi nevojë për emancipim në të kuptuarit e funksionit dhe funksionimit të shkencës?

Shkenca, si e tillë, operon nën bazën e arsyeshmërisë induktive dhe deduktive. Sipas konkluzionit induktiv shkencëtarët fokusohen në diçka specifike për të ardhur tek konkluzioni i përgjithshëm. Me fjalë tjera, bëhen shumë vëzhgime, me ç’rast nëse dallohet një risi ose një model, bëhet konkluzion i përgjithësim dhe një shpjegim inferior ose edhe një teori. Në anën tjetër, konkluzioni deduktiv bazohet në logjiken e vërtetësisë e së paku dy premisave (gjendje në të cilën bazohet një argument logjik), që të arrijnë në një përfundim racional. Është me rëndësi të ceket se që të dyja konceptet e arsyeshmërisë, si induktive ashtu edhe deduktive, të mbështetura në premisa (që mund të jenë gjithashtu si tradicionale ashtu edhe kontraverse) ose gjeneralizime, mund të rezultojnë të jenë larg realitetit ose të vërtetës. Pra, ndryshe nga logjika konvencionale, shkenca, në vend që të gjejë përgjigje ndaj shqetësimeve njerëzore dhe të sjellë risi dhe të kuptuar, shpesh ka pasur gjithashtu edhe efektin e kundërt. Është shumë vështirë të gjesh shkencëtar kredibil (nga çfarëdo fushe shkencore) që publikisht deklaron se shkenca ofron përgjigje konkrete dhe nuk lë hapësirë për boshllëqe në sqarim të dukurive.

Ka tema të shumta, që do të mund të trajtoheshin në këtë kontekst, por ky artikull është i kufizuar vetëm në shtjellimin e disa temave kruciale, siç janë evolucioni, fizika kuantike dhe dukuritë e natyrës së përafërt.

Koncepti i evulucionit darvinist nën llupën e shkencës

Studimi i Charles Darwin-it, në publikimin e tij “On the Origin of Species” (Mbi origjinën e specieve) dhe idetë e tij përkatëse kanë pasur një ndikim të madh në biologji. Praktikisht, shumica e shteteve të botës e kanë përqafuar atë si diçka të mahnitshme dhe e inkorporuan në plan-programin e tyre arsimor, edhe pse shumë mund të kenë pasur dyshime për këtë. Mbi të gjitha, koncepti darvinist, vetëm disa dekada më parë, u konsiderua gjerësisht si një fakt i pakontestueshëm, praktikisht për popullatën me të madhe të botes, e që lidhet me themelet e fillimit të jetës në planetin tokë. Me rritjen eksponenciale të diturisë dhe me avancimet shkencore, testimi i konceptit të evolucionit njerëzor (sipas Darvinit) është lehtësuar masivisht.

Sipas Darvinit, koncepti, për më tepër, supozon se zhvillimi i jetës rrjedh nga faktori jo-jetë (nga diçka pa jetë) dhe nënvizon zhvillimin e pasardhësve plotësisht në mënyrë natyrale me mutacion (me ndryshim në sekuencë gjenetike). Mbi të gjitha, koncepti përpiqet të nxjerrë në pah evolucionin natyral të krijesave komplekse, gjatë një periudhe kohore, nga ndryshimet dhe shkaqet e ndryshueshmërisë, trashëgimisë, përzgjedhjes natyrore, e deri te afinitetet e përbashkëta të qenieve organike. (Darwin, 1861)

Thelbi i konceptit të Darvinit është se modifikimet gjenetike të rastësishme zhvillohen në brendësi të kodit gjenetik të një organizmi, ndërsa modifikimet produktive janë ruajtur pasi ato janë të favorshme për mbijetesë ose ekzistencë, një proces i njohur zakonisht si “përzgjedhje natyrore”.

Pyetja e parë që nxit kureshtjen në këtë drejtim është: A ka Darvini prova të ofrojë për pretendimet e tij apo ai bazohet në hipoteza të mundshme? Sipas biologëve evolucionistë (biologët qe merren me evolucionin e biologjisë), nocioni i Darvinit bazohet në hipoteza të mundshme, pasi teoria e tij nuk përqendrohet në një faktor kyç për origjinën e jetës. Publicisti nga “New York Times” , Carl Zimmer, i specializuar në fushën e evolucionit, ofron analiza të hollësishme në fushën përkatëse dhe vëren se “biologët evolucionistë e kanë pranuar prej kohësh se përzgjedhja natyrore është çështje e probabilitetit dhe jo e fatit[rastësisë]. Vetëm për shkak se një gjen i ndryshuar në sekuencë gjenetike ngre shanset që një individ do të riprodhojë nuk është një garanci se do të përhapet në një popullsi”.

Philip S. Skell, një shkencëtar i shquar amerikan, ofron njohuri mbi evolucionin e Darvinit në pikëpamjen e modelit atomik, kur ai thotë: “Evolucioni darvinian – çfarëdo virtyte të tjera të ketë – nuk siguron një qasje të frytshme orientuese në biologjinë eksperimentale. Kjo bëhet veçanërisht e qartë kur e krahasojmë atë me një kornizë eksploruese, siç është modeli atomik, i cili hap kiminë strukturore dhe e zhvillon në sintezën e një mori molekulash të reja të përfitimit praktik.

Përveç kësaj, dy biologë të shquar, Marc W. Kirschner (nje akademik nga Harvard) dhe John C. Gerhart (nga Universiteti i Kalifornisë), në librin e tyre të famshëm “The Plausibility of Life”, (Besueshmëria e jetës) e sfidojnë evolucionin e Darvinit, duke ngritur pyetje inteligjente kur ata thonë: “Truri, syri dhe dora janë të gjitha format anatomike që i shërbejnë shkëlqyeshëm funksionit të vet. Ato duket se reflektojnë dizajn. Si mund të kenë lindur ato? Larmia e madhe e organizmave nga bakteret… bimët dhe kafshët, të gjitha janë të një dizajni të ndryshëm. Si e kanë origjinën ato? Asgjë në botën e organizmave të pajetë nuk u përngjajnë atyre. Të gjitha janë risi. E, megjithatë, fakti se risia nënkupton krijimin e diçkaje nga asgjëja – kjo prapë nuk e ndihmon sqarimin.”

Për David Stove, nje filozof australian, arsyetimi i Darvinit është më tepër një përrallë, sepse “nëse teoria e evolucionit të Darvinit është e vërtetë, atëherë asnjë lloj specie nuk mund të shpëtojë kurrë nga procesi i përzgjedhjes natyrore”. Profesori Kirschner vë në dukje se biologjia në një masë të madhe është zhvilluar në mënyrë autonome nga teoria e Darvinit, kur thotë: “Në fakt, gjatë 100 viteve të fundit, pothuajse e gjithë biologjia ka vazhduar e pavarur nga evolucioni… Biologjia molekulare [studimi i aktiviteteve biologjike në nivel molekular], biokimia [studimi i proceseve kimike brenda dhe në lidhje me organizmat e gjallë], fiziologjia [studimi i funksionit normal brenda krijesave të gjalla] nuk e ka marrë fare parasysh evolucionin [Darvinist]”.

Debatet dhe mosmarrëveshjet rreth evolucionit njerëzor nuk ndalen këtu. Sot, për më tepër, gjithnjë e më shumë shkencëtarë kanë drejtuar në mënyrë masive fokusin për të provuar nëse bakteret janë çelësi i evolucionit të jetës. Fokusi, tani, përfshin përmbajtjen e baktereve, formën dhe aftësinë tyre për të lëvizur. Kirschner-i dhe Gerhart-i gjithashtu e pranojnë se “ kompleksiteti i qelizave të gjalla është përtej kuptimit. Megjithatë sot, të kuptuarit [së paku] të natyrës së kompleksitetit është një studim sfidues në shkencë.”

Këndvështrimi i Darvinit, gjithsesi, duket të jetë rezultat i imagjinatës së tij, dhe jo në prova të pamohueshme. Në të vërtetë, kjo është konfirmuar edhe nga vetë Darvini, i cili “… shkoi në shtratin e tij të vdekjes duke protestuar se ai ishte keqinterpretuar: nuk kishte asnjë arsye, tha ai, të supozohej se përzgjedhja natyrore ishte i vetmi mekanizëm i imagjinueshëm i evolucionit.”

Kundërshtimet e shkencëtarëve bashkëkohorë ndaj evolucionit darvinist rrjedhin si pasojë e avancimit të njohurive shkencore në nivel eksponencial. Zhvillimet e tilla, përveçse kanë gjeneruar risi, kanë krijuar edhe boshllëqe të mëdha me konceptin ekzistues të evolucionit. Këto risi studimore nuk u shpërfillën. Në fakt, këto konsideroheshin kritike, duke nxitur që disa vende të reflektonin, madje edhe të mendonin seriozisht nëse është e arsyeshme që në shkollat ​​e tyre përkatëse të mësohet akoma evolucioni darvinist. Si rezultat, disa vende, si Turqia dhe Rumania, kanë lëvizur drejt heqjes së këtij koncepti të evolucionit nga kurrikula e tyre përkatëse shkollore, ndërsa në Indi dhe Korenë Jugore ka pasur debate për ta hequr atë gjithashtu. Edhe popullata e botës perëndimore duket se është prekur në këtë drejtim. Një studim, në dekadën e parë të këtij shekulli (Owen, 2006), rreth besimit të këndvështrimit darvinist të evolucionit, rezultoi se procesi i evolucionit është më pak i pranueshëm në SHBA sesa në vendet e tjera perëndimore.

Shikuar në tërësi, edhe njohuritë bashkëkohore eksponenciale shkencore, prapë, po dëshmojnë se janë të pamjaftueshme për shkencëtarët që të vijnë me teori të besueshme dhe plotësisht të vërtetuara mbi origjinën e jetës dhe procesin përkatës të evolucionit.

Këndvështrimet e shkencëtarëve rreth teorive të origjinës se universit

Universi është fushë me plot kureshtje, që historikisht ka tërhequr vëmendjen njerëzore, jo vetëm në funksionimin e tij, por edhe në strukturën, formën, kiminë dhe fizikën brenda hapësirës qiellore. Midis pionierëve kryesorë, Isak Njutni, që studioi fizikën e natyrës në një përpjekje për të kuptuar ligjet e lëvizjes, përfundoi në mënyrë të befasishme se graviteti ndikon në funksionimin e universit. Kishte edhe fizikanë të tjerë, që lanë gjurmë në botën e shkencës, por ndër më të njohurit është Albert Ajnshtajni me teorinë e tij të relativitetit. Kjo teori, në përgjithësi, i integron grimcat (protonet dhe elektronet si njësitë themelore të atomeve), ndërveprimet e tyre përkatëse dhe ligjin e gravitacionit. Teoria luajti rol kritik në transformimin e të kuptuarit të fizikës dhe astronomisë gjatë shekullit të kaluar.

Fizika kuantike (nganjëherë quhet mekanikë kuantike ose teori kuantike), nga ana tjetër, është teoria themelore në fizikë, e cila e shpjegon fenomenin fizik të natyrës, mbi të gjitha dinamikën dhe aktivitetin e grimcave në përpjekje për t’i sqaruar sfidat dhe paradokset e hasura. Teoria kuantike bën studime thellë në detaje shumë të vogla, duke përshkruar fenomenet në grimcat më të vogla. Teoria e relativitetit dhe fizika kuantike konsiderohen, në përgjithësi, teoritë themelore që i përshkruajnë fenomenet e ndryshme të universit. Ato merren me çështje të ndjeshme dhe më sensitive në universin kolosal, me qëllim që të gjenerojnë përgjigje të rëndësishme. Megjithatë, ashtu si evolucioni darvinist, ato bazohen në hipoteza të mundshme dhe, përveç kësaj, shkencëtarët shpesh hasin probleme dhe dilema kritike kur përpiqen të shpjegojnë fenomene të caktuara. Publicisti dhe historiani i shkencës nga gazeta “New York Times”, James Gleick, pranon se ka pasiguri të pamohueshme dhe të dukshme kur bëhet fjalë për teorinë kuantike. Ai thekson se “shumica e mekanikës kuantike merret me probabilitetet dhe jo me dëshmi të sigurta… Kur shkencëtarët kërkojnë kuptim në fizikën kuantike, ata mund të jenë duke humbur në një tokë – të askujt – mu në mes të filozofisë dhe religjionit. Por, ata nuk mund ta ndihmojnë vetveten. Ata janë vetëm njerëz.”

Yakir Aharonov dhe Daniel Rohrlich, dy fizikanë te pasionuar, gjithashtu argumentojnë se teoria kuantike është e mbushur me paradokse, nga të cilat rrjedhin, ndër të tjera, gabime, boshllëqe, kontradikta ose, madje, edhe pasiguri në lidhje të analizave të fenomeneve. Përveç kësaj, Joe McEvoy, një fizikan i dëshmuar me kërkime shkencore në vende të ndryshme të botës perëndimore, vë re gjithashtu dyshimet e tij mbi teorinë kuantike kur thotë: “Teoria kuantike nuk mund të shpjegohet. Fizikanët dhe matematikanët nga Niels Bohr të Roger Penrose kanë pranuar se nuk ka kuptim. Çfarë mund të bëni është të zbuloni se si zhvillohen idetë dhe si zbatohet teoria”.

Edward Frenkel, një akademik i fushës përkatëse, gjithashtu ekspozon pretendime të ngjashme se teoria kuantike përbëhet nga kontradikta dhe mistere. Çuditërisht, ka mospërputhje, madje edhe midis dy teorive të shprehura – teorisë së relativitetit dhe mekanikës kuantike. Në të vërtetë, mospërputhja është serioze, pasi ato duken të jenë fundamentalisht në papajtueshmëri. Corey S. Pauell, një akademik tjetër i shkencës, sqaron se: “nuk është vetëm një çështje e terminologjisë shkencore; kjo është një përplasje vërtetë e papajtueshme e përshkrimit të realitetit… Relativiteti jep përgjigje të pakuptimta kur përpiqeni ta orientoni atë në madhësinë kuantike, duke zbritur përfundimisht në vlerat e pafundme në përshkrimin e tij të gravitetit. Po kështu, mekanika kuantike shkon në telashe të rënda kur e hidhni deri në përmasat kozmike”.

Ndërkohë që avancimi i njohurive shkencore duket se është duke rezultuar me risi fascinuese rreth universit, të pakonceptueshme kohë më parë, prapë shkenca është duke çaluar në rezultate të qarta ose përfundimtare. Tash edhe pse kemi hyrë në dekadën e tretë të shekullit njëzetenjë, njohuria e shkencëtarëve mbi astronomi mbetet ende në sferën e konfuzioneve, boshllëqeve, paradokseve dhe hipotezave të mundshme.

Shkencëtarët, megjithatë, pranojnë se universi është i mbushur me mrekulli dhe se nuk ka përgjigje shkencore për to. Në të vërtetë, është e çuditshme se si një univers kaq i sofistikuar funksionon në mënyrë kaq të përkryer, edhe në hollësitë më të vogla, sepse, siç shpjegon Philip Goff, një publicist shkencor nga gazeta e famshme britaneze “The Guardian”: “Nëse graviteti do të kishte qenë pak më i dobët, yjet nuk do të shpërthenin në supernova [fenomeni i shpërthimit të yjeve], një burim thelbësor i shumë elementëve më të rënda të përfshirë në jetë. Në anën tjetër, nëse graviteti do të kishte qenë pak më i fortë, yjet do të kishin jetuar për mijëra e jo miliarda vjet, duke mos lënë kohë të mjaftueshme për t’u zhvilluar evolucioni biologjik. Ky është vetëm një shembull – ka shumë të tjerë – të ‘rregullimit të detajuar’ të ligjeve të fizikës për jetën.”

Universi është jashtëzakonisht kompleks. Për më tepër, përbëhet nga një numër i dimensioneve, numri i saktë i të cilave ende mbetet i panjohur nga vetë shkencëtarët. Ajnshtajni, megjithatë, ishte i bindur për katër dimensione, ndërsa sot shkencëtarët besojnë se universi i ka dhjetë dimensione ose më shumë. Çdo gjë përtej dimensioneve të verifikuara mund të konsiderohet jashtë zonës së mbulimit të shkencës. Kjo tregon edhe më shumë për limitet e shkencës.

Deshifrimi i origjinës së jetës dhe universit nga shkencëtarët (dhe thjesht përmes shkencës), është vërtetuar tani më se është vërtet “një arrë e fortë për t’u thyer” dhe pretendimet për faktorin “rastësi” po bëhen shumë më vështirë të pranohen tani. Në këtë kontekst, Michio Kaku, një fizikan tjetër i njohur amerikano-japonez e sqaroi pikëpamjen e tij kur tha: “Unë kam ardhur në përfundim se ne jemi në një botë të krijuar me rregulla të dizajnuara me inteligjencë… Më besoni, gjithçka që ne sot e quajmë rastësi nuk do të ketë kuptim më. Për mua është e qartë se ekzistojmë në një plan që rregullohet nga rregullat që u krijuan, të formuara nga një inteligjencë universale dhe jo rastësisht.”

Çka mendojnë shkencëtarët për vetë shkencën

Shkenca dhe shkencëtarët, siç u shtjellua më lart, ballafaqohen me sfida të natyrave të ndryshme gjatë rutinës ditore. Do të ishte interesante “inkuadrimi” brenda kampit shkencor, në mënyrë që të ekspozohet mendimi i vet shkencëtarëve për shkencën. Kureshtja është e madhe mu për atë, pasi ka një predispozitë të madhe, në mesin e jo-shkencëtarëve, për të besuar se shkenca e pranon motivin, empirizmin dhe faktet dhe, si rezultat, gjeneron të vërtetën absolute. Megjithatë, siç u elaborua më lart, shkenca, sipas traditës, ka demonstruar se nuk është ekskluzivisht vetëm për të vërtetën absolute, sepse ligjet ose zbulimet e tyre nuk janë të pathyeshme. Në fakt shkencëtarët, në të kaluarën, kanë ndryshuar pikëpamjet e tyre mbi ligjet në bazë të “fakteve të reja”, duke e modifikuar decidivisht kështu “të vërtetat” ekzistuese. Për më tepër, shkencëtarët kanë prirje të mos i përgjithësojnë ligjet pa përfshirë edhe përjashtimet. Ata kërkojnë arsye, eksperimente dhe fakte. Megjithatë, nëse nuk arrijnë rezultate të kënaqshme, ata dalin me rezultate që mbështetën nga probabiliteti, gjasa (mundësia) ose rastësia. Kjo, kryesisht, ngjan shumë me profecinë e vetëpërmbushjes, e cila nuk është produktive, jo vetëm për mendjet e pasionuara për botën e shkencës, por as për publikun e gjerë.

Prandaj, është e çuditshme, por edhe me shumë rëndësi, të ceket se mungesa e besimit të punës së vetë shkencëtarëve është dekurajuese. Richard Feynman, një fizikan i njohur i shekullit të kaluar dhe fituesi i çmimit Nobël për fizikë (në vitin 1965), thotë: “Shkenca është besimi në injorancën e ekspertëve.” Rrjedhimisht, kjo po reflekton edhe në kohezionin akademik përkatës, që mund të jetë i zakonshëm edhe gjatë diskutimeve profesionale shkencore. Jim Holt, një publicist amerikan me pasion në fushën shkencore, ndryshe nga ajo që ne, njerëzit e rëndomtë, mund të mendojmë, ofron një pasqyrë tjetër brenda kampit shkencor, duke thënë se “Shkencëtarët janë të vështirë të punojnë [së bashku] në një komision.”

Marrë në përgjithësi, prapë duhet të pranojmë se besueshmëria në botën e shkencës është e madhe, deri në atë masë sa disa, madje, mund ta konsiderojnë shkencën si një “religjion”. Kjo është disi frustruese, pasi shumë prej nesh mund të shprehin tendencë për të besuar verbërisht në shkencën dhe shkencëtarët, edhe nëse nuk kanë pasur dëshmi të prekshme të fenomeneve specifike ose rezultateve përkatëse. Për shembull, ndoshta shumica prej nesh nuk kemi parë kurrë një atom, molekulë ose elektron, por shumë prej nesh shfaqim prirje për të besuar se ato ekzistojnë. Njëjtë, njerëzit gjithashtu, shprehin tendencë të besojnë në ligjet e ndryshme shkencore ose teoritë që rezultojnë nga domeni shkencor. Thjesht, duket se një besim i tillë në autoritetin e shkencës ose shkencëtarëve është përtej logjikës racionale. Ajshtajni ka sqaruar se “besimi i verbër në autoritet është armiku më i madh i së vërtetës”. Pra, besimi në shkencë dhe në zbulime shkencore gjithashtu duhet të jetë i kujdesshëm.

Konkluzioni

Përkundër konfuzioneve, boshllëqeve, paradokse dhe hipotezave të mundshme, që rezultuan nga darvinizmi dhe teoritë e universit, ka edhe shumë benefite nga to. Në fakt, siç u shtjellua më lart, edhe pse darvinizmi nuk gjen përdorim produktiv në segmentet sensitive përkatëse, përfitimet nga Darvini pranohen në një numër fushash, ndër të tjera, për të kuptuar shëndetin e njeriut, mjekësinë dhe bujqësinë. Mbi të gjitha, ndër përfitimet më të zakonshme janë në mjekësi – që u ndihmojnë mjekëve ta përshkruajnë terapinë korrekte të antibiotikut (doza dhe përdorimi) – dhe gjithashtu t’i ndihmojnë ata që t’i mbajnë zhvillimet e baktereve nën kontroll. Njëjtë, përderisa fizika kuantike u tregua e paaftë për të siguruar përgjigje të vërteta për origjinën dhe evolucionin e universit, megjithatë ajo e revolucionoi teknologjinë në shumë fusha. Në të vërtetë, fizika kuantike është përgjegjëse për zhvillimin e transistorëve, laserëve, kompjuterëve të fuqishëm dhe mikroskopëve të avancuar, që, ndër të tjera, ndikojnë në jetën e përditshme të shumicës së njerëzve, në një mënyrë ose tjetër.

Pra, përgjatë këtij shkrimi, është konfirmuar se, pavarësisht njohurive eksponenciale shkencore, konkluzionet mbi çështjet e origjinës së jetës dhe krijimin e universit nuk janë të besueshme dhe se procesi i përgjithshëm mbetet ende në hapat fillestarë. Përveç kësaj, studimi ofron gjithashtu pikëpamje të shumta nga vetë shkencëtarët, për temat në fjalë, duke kundërshtuar në mënyrë thelbësore gjetjet e kaluara shkencore. Për më tepër, shkencëtarët ende i konsiderojnë këto shqetësime si çështje të hapura kërkimore, por, për momentin, ata prapë ofrojnë, si përgjigje, vetëm probabilitet, gjasa (mundësi), spontanitet ose rastësi.

Në fund të fundit, pasi faktori ‘rastësi’ nuk duket më bindës, dhe meqenëse kapaciteti njerëzor intelektual, po dëshmohet i pamjaftueshëm për të deshifruar origjinën, rrugën, metodën dhe fuqinë e krijimit të universit, atëherë qasja e mohimit të krijuesit të universit, tani më, duket jo pragmatike. Shkenca, nuk është e pagabueshme, por promovimi i saj duket se është i gabuar. Konfuzionet, boshllëqet dhe paradokset e demonstruara brenda shkencës, të konfirmuara edhe nga vet shkencëtarët, nuk mund të konsiderohen përjashtime, sepse, prezenca dhe konsistenca jo e rrallë e tyre, mbeten enigmë dhe vështirë për tu shpjeguar. 

Shikuar në përgjithësi, emanicipimi në faktorin shkencë, tani më, është nevojë e kohës. Shumë risi nga fusha shkencore, kanë treguar tendencë, se shpejtë mund të promovohen ndërkombëtarisht, por mundësia që realisht të vërtetohen, mu ato risi (si rasti me evolucionin Darvinist, i shtjelluar lartë), apo edhe të harmonizohen brenda domenit shkencor (si p.sh. teoria e relativitetit me teorinë kuantike), duket se ende lë shumë për të dëshiruar.