` . Një përditësim softueri ka në dorë fatin e njerëzve dhe avionit Boeing 737 Max - TV-SHENJA

Një përditësim softueri ka në dorë fatin e njerëzve dhe avionit Boeing 737 Max

Wall Street Journal raportoi ditën e Diele se Autoritetet e Aviacionit Federal Amerikan kanë aprovuar një përditësim softueri që do të aplikohet në flotën e Boeing 737 Max për tu dhënë pilotëve më shumë kontroll mbi një sistem të automatizuar që mendohet se është shkaku i të paktën dy aksidenteve ajrore vdekjeprurëse në 6 muajt e fundit.

WSJ tha se përditësimet do të ridizajnojnë Maneuvering Characteristics Augmentation System (MCAS) në mënyrë që të mos zhbëjë komandat e pilotëve si rezultat i keqfunksionimit të sensorëve.

Përditësimi është aprovuar por duhet të kalojë nëpër simulime dhe testime përpara se të implementohet.

Rrëzimi i javës së kaluar kishte ngjashmëri të mëdha me atë të Indonezisë në Tetor dhe hetuesit besojnë se të dy përplasjet vinë nga i njëjti problem: sistemi i automatizuar i dizajnuar për të parandaluar humbjen e kontrollit të avionit në rastin e ngjitjes së shpejtë.

Boeing nxori avionin në shitje në 2017 si një konkurrent me konsum të ulët karburanti të Airbus A320. Avioni i ri kishte disa ndryshime dizajnit ku motorët u shtynë më para dhe u ngjitën pak më lart në trupin e tij.

Kjo bënte që avioni të kishte për tendencë të drejtonte hundën lart dhe Boeing dizajnoi MCAS si kundërmasë automatike që do të ulte hundën poshtë bazuar në informacionin që merrte nga sensorët.

Mendohet se keqfunksionimi i sensorëve bëri të sistemi nga jetë-shpëtues të kthehej në vdekjeprurës për dy modele 737 Max në Etiopi dhe Indonezi. /PCWorld Albanian