` . Një pamflet i Serbisë i shpërndarë me helikopter nëpër fshatra të Drenicës më 1998 - TV-SHENJA

Një pamflet i Serbisë i shpërndarë me helikopter nëpër fshatra të Drenicës më 1998

Serbia nuk ka kursyer asnjëherë mjetet propaganduese për të mashtruar shqiptarët, por edhe opinionin e huaj në lidhje me Kosovën, në paqe e në luftë. Janë të shumtë shembujt e tillë në të kaluarën, por edhe sot.

Pamflete ajo shpërndante në Kosovë gjatë gjithë kohës që i prinë luftës së armatosur, kur rreth një milion kosovarë Serbia i dëboi nga shtëpitë e tyre, ndërsa propagandonte se “shqiptarët po ikin nga UÇK-ja”, ose edhe për vrasjet që i bënte vetë mbi civilët dhe personalitetet ua atribuonte UÇK-së. Shembulli më tipik është ai me vrasjen e Fehmi Aganit, për të cilin thanë se e kishte likuiduar UÇK-ja.

Më 1998 në fshatra të ndryshme të Drenicës si: Shalë, Baicë, Krojmir, Resinovc etj, ushtria serbe nëpërmjet helikopterëve dërgonte ftesa për shqiptarët me qëllim që t’i dorëzojnë armët, duke u arsyetuar se garantojnë siguri për të gjithë.

Në një nga këto letra, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, midis të tjerash thuhet se armët të cilat shqiptarët i pranuan me dhunë, shumica prej tyre tashmë i kanë dorëzuar. “Ata të cilët i dorëzuan armët tani janë të lirë dhe u janë përkushtuar familjeve të tyre me punë nëpër ara dhe ndërmarrje. Banorët e shumë fshatrave i dorëzuan armët. Ruajeni vetveten, familjet e juaja dhe mos lejoni që t’ju inkuadrojnë në dhunën e mëtejshme. Armët mund t’i dorëzoni individualisht apo në mënyrë të organizuar”, thuhet midis të tjerash në këtë letër, r të cilën aso kohe kishte marrë për sipër ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.