` . Një miqësi e krijuar nga NATO - TV-SHENJA

Një miqësi e krijuar nga NATO

 Shtypi britanik e mbrojti fushatën e bombardimeve, gjë që shkoi në favor të qeverisë, gjegjësisht kryeministrit Blair. Ndërkohë disa personalitete britanike botuan punime shkencore dhe publicistike që e sqaronin situatën e Kosovës dhe bombardimi i NATO-s u pa si veprim i domosdoshëm pasi që e parandaloi një gjenocid në Evropë

 Shkruan: Daut DAUTI, Gjilan

 Gjatë prillit të vitit 1999 NATO përjetonte një krizë, e cila nxori në shesh probleme me të cilat kjo aleancë e fuqishme ushtarake nuk ishte ballafaquar më herët. Bombardimet e caqeve strategjike ushtarake serbe po zgjatnin më shumë seç ishte menduar në fillim. Regjimi i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, nuk po dorëzohej. Në opinionin britanik u lajmëruan kundërshtime sporadike ndaj bombardimeve. Një pjesë e shtypit, me disa intelektualë që vepronin nën uniformën e pacifistëve, shprehte hamendje e, më vonë, edhe kundërshtime ndaj veprimit politik e ushtarak që kishte ndërmarrë qeveria britanike. Dy politikanë të njohur, Tony Benn, dhe udhëheqësi i tanishëm i laburistëve, Jeremy Corbin, iu bashkuan një grupi të protestuesve serbë dhe me ta vigjëluan para derës së qeverisë britanike, aq sa zgjatën bombardimet (78 ditë e net).

Ky fakt, që impononte presion të brendshëm negativ, u reflektua në samitin e NATO-s, që u mbajt në Uashington me 23 dhe 24 prill 1999. Por, udhëheqësit e fuqive kryesore të kësaj aleance ia dolën t’i bindnin të gjithë përfaqësuesit që krizën e Kosovës në këtë samit ta cilësonin si sfidë fondamentale ndaj vlerave që i përfaqësonte NATO e të cilat ishin: demokracia, të drejtat e njeriut, rendi dhe ligji. Prandaj, sulmi ndaj caqeve serbe u kualifikua si reagim i domosdoshëm kundër politikës agresive ushtarake serbe, që kishte për qëllim spastrimin etnik të dhunshëm të Kosovës që orkestrohej nga qendra e politikës në Beograd. Në komunikatën që e lëshoi NATO për publik gjatë këtij samiti, thuhej: “Ne nuk do të lejojmë që kjo fushatë [serbe] e terrorit të ketë sukses. NATO është e vendosur për ndalimin e saj”. Me këtë u vërtetua vazhdimi i bombardimeve, por edhe i unitetit të anëtarëve të kësaj organizate ushtarake.

Në Uashington doli edhe një risi e cila fillimisht nuk u pranua me kënaqësi nga administrata amerikane. Kryeministri britanik, Tony Blair, insistonte në marrjen e vendimit për angazhimin e trupave tokësore në Kosovë, për çka Bill Clinton-i shprehte hezitim. Por, Blair-i ishte ngjitur në kulmin e popullaritetit dhe fitoi simpati të madhe edhe në opinionin amerikan.

Kur filloi bombardimi, Tony Blair ende nuk i kishte mbushur dy vite që kishte ardhur në pushtet. Por, ndryshimet që ai i bëri në politikën e jashtme tanimë po shiheshin qartazi, pasi që po jepnin rezultat. Roli i kryeministrit britanik u manifestua sidomos gjatë bombardimeve, që po vërtetonin se politika e jashtme tradicionale britanike ndaj Ballkanit kishte ndryshuar. Jugosllavia, gjegjësisht Serbia, nuk ishin më të ledhatuarat e Londrës, siç kishte ndodhur për një periudhë më të gjatë se një shekull. Shqiptarët, dikur të anatemuar, tashti po e merrnin vëmendjen britanike. Ndryshimi i strategjisë britanike po krijonte një balancë strategjike të re në Ballkan.

Megjithatë, ndryshimet e politikës së jashtme britanike jashtë qeverisë nuk u përcollën gjithkund me të njëjtën tempo dhe efekt. Në Royal Institute of International Affairs (Instituti Mbretëror i Punëve të Jashtme), i njohur si Chatham House, ku merrja pjesë herë pas here që të flisja për Kosovën, sidomos gjatë luftës, dukej se qëndrimet ndryshonin konform politikës zyrtare. Por, kjo nuk ndodhte në RUSI – Royal United Services Institute (Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara), i cili është ‘think-tank’ i pavarur për analiza të mbrojtjes dhe sigurisë dhe më i vjetri në botë. RUSI-n atëherë e udhëhiqte Jonathan Eyal, i cili, së bashku me institutin, kanë qenë shumë të popullarizuar në hapësirën e ish Jugosllavisë. Këto kanë qenë dy institute që kanë pasur ndikim në politikën zyrtare, botën akademike, opinionin britanik, por edhe në atë botëror.

Kah mesi i majit (1999) u shfaqën plasaritjet në qëndrimin e Millosheviqit, të cilat, fillimisht, pasuan me hapjen e rrugës për kompromis, por më vonë në kapitullim të ushtrisë dhe politikës serbe. Marti Ahtisari u dërgua që t’i udhëhiqte bisedimet, të cilat do të përfundonin me marrëveshje me 3 qershor. Marrëveshja Teknike Ushtarake, që u nënshkrua në Kumanovë më 9 qershor, faktikisht ishte kapitullim i ushtrisë së Republikës së atëhershme Federale të Jugosllavisë para forcave të NATO-s.

Kur në fillim të qershorit u mor vesh se si do të përfundonte lufta, në RUSI u organizua një takim i mbyllur me ekspertë të sigurisë, siç ishin disa analistë të njohur, oficerë ushtarakë dhe zyrtarë nga ministria e luftës britanike. Ata ishin të interesuar të dëgjonin se cili ishte qëndrimi i UÇK-së, i politikanëve dhe popullit në lidhje me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Rusia dhe disa faktorë të tjerë, që ende shpresonin në miqësinë me Serbinë, kërkonin sektor të veçantë rus. Kur unë theksova se kjo ide ‘apriori’ ishte e refuzueshme, Jonathan Eyal reagoi në mënyrë jodiplomatike, duke e ngritur zërin ndaj meje e duke theksuar me një vendosmëri të çuditshme: ‘Sektor rus do të ketë dhe pikë’. Unë theksova se sektori rus do të ndikonte në zgjatjen e luftës, pasi që shqiptarët nuk do ta pranonin këtë ndarje të sektorëve, e cila do të merrej si vazhdim i prezencës ushtarake serbe nëpërmjet palës së tretë – Rusisë. Në planin e fuqive perëndimore, kërkesa për sektor rus e komplikonte situatën dhe kjo nuk ishte diçka që e dëshironte NATO dhe oficerët ushtarakë, që ishin prezent, e që nuk e folën asnjë fjalë. Ata ishin të zënë duke marrë shënime në fletoret e tyre. Ekspertët dhe analistët nuk janë gjithmonë të dijshëm, siç e portretizojnë veten ose siç njihen nga një pjesë e publikut. Sidomos kur ishte fjala për çështjen shqiptare, këta ekspertë kishin njohuri të limituara dhe tashti kishte ardhur koha që të turpëroheshin për këtë gjë.

Në realitet as unë e as Jonathan Eyal-i nuk e dinim se kjo punë ishte kryer, por NATO nuk do ta bënte me dije qëndrimin refuzues ndaj sektorit rus edhe për disa ditë. Për këtë arsye, gjatë javës që pasoi, në arenën ndërkombëtare, me sa vërehej nga faktet që dilnin në opinion, mbretëroi një pasiguri dhe nervozë e konsiderueshme. Por, ajo që duhet theksuar në këtë rast është qëndrimi i Eyal-it, i cili konsiderohej si “top expert” në këtë fushë. Megjithatë, tashti qëndrimi ose mendimi i Eyal-it nuk ishte i rëndësishëm. Me rëndësi ishte se çka mendonin shqiptarët për NATO-n, pasi që ushtarët e kësaj organizate do të dërgoheshin së shpejti në Kosovë, ku do të fillonte një e pokë e re ushtarake dhe politike.

Vendimi u pa më vonë, pas disa ditësh – Rusia nuk ishte në gjendje të impononte sektor të vetin. Kosova do të ndahej vetëm brenda anëtarëve të NATO-s. Jonathan Eyal-i kishte mbetur simbol i një strategjie britanike, që i kishte skaduar afati. Ai nuk po e hetonte këtë ose e kishte vështirë ta pranonte publikisht se gjërat kishin ndryshuar. Këta ekspertë, disa politikanë dhe personalitete publike, tërë jetën e kishin kaluar duke botuar libra e duke bërë ekspertiza brenda kornizës zyrtare britanike, e cila çështjen shqiptare në Jugosllavi e shihte me injorim. Ose, siç thotë një shprehje angleze për këta personalitete, çështja shqiptare qëndronte e fshehur nën tepihun e bukur dhe “të pastër” jugosllav. Sa herë që shqiptarët paraqisnin kërkesa për zgjidhjen e problemit të tyre, këta zyrtarë, sikur edhe personalitetet e tjera, përgjigjeshin shkurt dhe me një fjalë: autonomi. Por, ja që qeveria laburiste e Tony Blair-it, por edhe lufta e UÇK-së, e kishte ndryshuar këtë shteg të rrahur me shekuj dhe Londra po ndërtonte një politikë tjetër të jashtme, ku Ballkani dhe shqiptarët do të gjenin vend më të merituar.

Lufta e Kosovës i ndihmoi edhe më shumë qëndrimit të Tony Blair-it. Shtypi britanik e mbrojti fushatën e bombardimeve, gjë që shkoi në favor të qeverisë, gjegjësisht kryeministrit Blair. Ndërkohë disa personalitete britanike botuan punime shkencore dhe publicistike që e sqaronin situatën e Kosovës dhe bombardimi i NATO-s u pa si veprim i domosdoshëm pasi që e parandaloi një gjenocid në Evropë. Një gjë e tillë edhe figurativisht po paraqitej gjithnjë e më shumë në shtypin britanik. Në ditën kur trupat e NATO-s po hynin në Kosovë, shumica e gazetave britanike botuan një fotografi të një ushtari britanik, i cili qëndronte gjysme i shtrirë në një livadh në kufi dhe priste urdhrin për të hyrë në Kosovë. Ndërkohë, ushtari po e lexonte një libër. Fotoreporteri e kishte kapur edhe titullin e librit: Noel Malcolm – Kosovo, a short history.

Ushtarakët, si edhe publiku i gjerë britanik, nuk do të lexonin më vetëm material ledhatues me rreshta dashurie për Jugosllavinë ose Serbinë. Tashti ishte zbuluar ana tjetër, që do të luante rol të rëndësishëm në Ballkan. Ushtria britanike do të luante rol vendimtar në kuadër të NATO-s për vendosjen dhe ruajtjen e paqes në Kosovë dhe, rrjedhimisht, në rajon. Me sjelljet korrekte në sektorin e saj, në pjesën qendrore të Kosovës, duke përfshirë kryeqytetin – Prishtinën, ushtria britanike do të mbahet mend nga vendasit për sjelljet korrekte dhe punën efikase.

Në anën tjetër, në fushën politike, Britania e Madhe luajti rol të rëndësishëm duke e zbatuar detyrimin e saj, por edhe ndikimin, nëpërmjet përfaqësisë diplomatike në Prishtinë. Nga themelimi i qeverisë së parë vendore e deri në pavarësinë e Kosovës, britanikët, së bashku me amerikanët, por edhe fuqitë tjera evropiane, luajtën rol primar në qeverisjen e vendit dhe në themelimin e organeve vendase të qeverisjes. Edhe pse britanikët ua dorëzuan kompetencat vendasve, megjithatë ata kanë vazhduar edhe më tej t’i ofrojnë ndihmë qeverisë dhe organizatave të tjera të Kosovës. Roli britanik ishte primar edhe në përgatitjen e procesit të pavarësisë. Britania jo vetëm që ishte ndër të parat që e njohu pavarësinë e shtetit të Kosovës, por ndikoi që kjo të bëhej edhe nga shtetet e tjera, ndaj të cilave Londra kishte ndikim. Në anën tjetër, për shkak të Kosovës, Londra i zgjeroi dhe thelloi edhe më tej marrëdhëniet e mira me Republikën e Shqipërisë dhe tregoi interesim të madh edhe për shqiptarët në Maqedoni. 

Përkrahja britanike për Kosovën është shprehur edhe nëpërmes Unionit Evropian. Tashti kur në Britani të Madhe është duke u zhvilluar procesi rreth daljes së këtij shteti nga Bashkimi Evropian (Brexit), shqiptarët kanë të drejtë të shqetësohen. Largimi i Britanisë nga Evropa, për shqiptarët në Ballkan, e ka domethënien e humbjes së një miku të fuqishëm brenda kësaj organizate, ku merren vendime të rëndësishme për të ardhmen. Megjithatë, në aspektin ushtarak, gjërat nuk do të ndryshojnë, pasi që Britania e Madhe do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në NATO.

Fakti që ka rëndësi, jo vetëm në relacionin Kosovë – Britani e Madhe, është miqësia shqiptaro-britanike, që nisi të themelohej nga viti 1999. Marrëdhëniet e mira, sidomos ato ndërmjet Kosovës dhe Britanisë, ende nuk kanë hyrë në dekadën e tretë të ekzistencës së tyre. Kjo miqësi është krijuar nëpërmjet NATO-s. Është e re, por duhet të çmohet shumë.