` . NJË KOHË ISHIM YJE – TV-SHENJA

NJË KOHË ISHIM YJE

(lidheshte më shumë me Kohën se sa me mua)

Kur punoja gazetare aty, Televizioni Maqedonas ishte mediumi i vetëm nacional me program shqip. Kanalet televizive të Kosovës dhe Shqipërisë ndiqeshin me antenë satelitore, kurse antena të tilla kishin ose pasanikët ose të pasionuarit.

Gjithnjë them se fama e vogël ka efekt të madh dëmtues, kurse në Maqedoni as që ka famë të madhe: shtet miniaturë nga i cili viteve të fundit shumë të mençur janë shpërngulur dhe konkurrenca është dobësuar.

POR AMA

Në kohën kur punoja emisionet e kulturës 1997-2003, sytë e opinionit ishin kthyer kah TVM, teknologjitë e reja akoma nuk ishin zbuluar dhe gazetarët televizivë ishin në fokus të vëmendjes. Në këto rrethana, unë si e re nisa të ndjehesha ngapak si yll. Sot më qeshet kuptohet, por atëherë ishte kohë tjetër me kute tjera për shumëçka.

P.sh

Pres në stacionin busin Tetovë-Shkup ose anasjelltas, dhe jorrallë më afrohen udhëtarë në peron, dikush don të njoftohet, dikush vetëm të shprehet.

Më ndalnin kalimtarë rasti, ndonjëherë skuqeshin duke komplimentuar…njëherë kaloj zebrën, një shofer e nxjerr kokën nga dritarja “Super je”, thotë.

Sportelisti i hotelit Liridona në periferi të Kërçovës refuzon t’i pranojë të hollat “gazetares që i ban ato emisione”, as emisionet as autoren nuk na dinte me emër, por insistimin e kishte të madh që pansioni im të jetë në hesap të tyre. Me ekipin arritëm aty natën vonë, pas manifestimit Flaka e janarit në Pallatin e ftohtë të kulturës në Kërçovë. Qendrat sidomos shqiptare të kulturës, si atëherë si tash, kishin probleme me nxemjen. Emisioni iu kushtua problemeve kulturore nga nxemja e deri te jointeresimi tradicional për kulturë i partive shqiptare. Partitë tona, si për kulturën e gjallë ashtu edhe për trashëgiminë kulturore ishin dhe mbetën cool, në kuptimin e keq të fjalës. Prandaj projekti ynë më i shtrenjtë në demokraci është sheshi 10 milionësh Skenderbeu i cili s’kap dy lidhje me Çarshinë e vjetër dhe shkurt thënë (se kjo lyp tekst të veçantë) ofendon estetikën elementare, nocionin bazë arkitektonik të ndërlidhjes (qoftë dhe si kontrapunkt) të objektit me rrethinën, si edhe moralin publik në sensin se si janë harxhuar paratë tona për rezilin tonë.

…Në hotelin e vogël në qendër të Dibrës së madhe kamarierët që nuk pranonin të pagonim asnjë pije dhe na shërbenin me delikatesë maksimale, duke na trajtuar si mysafirë të rrallë. Shkuam për të bërë emision për drejtoreshën e aftë të Pallatit të kulturës e cila kishte kapur punën me seriozitet prandaj rezultatet shiheshin gjithandej, nga parku i institucionit deri tek programet kulturore.

…Një kohë “shpika” atë që sot quhet stand up. Jo që e kisha parë dikund (rrallë shikoja tv), por ishte një zë prej brenda. Tema kishte sa të duash, unë përtesë hiç se deri në moshën 30 vjeçare dominon shenja, kurse bricjapi është i organizuar dhe ambiciozJ Kritikat për politikën kulturore ose raportimet nga ngjarjet me peshë i kisha qejf të jenë “kallxime para kamerës”, shpesh në mungesë kohe rrugës e mësoja tekstin dhe e recitoja para kamerës (si Fatime Fetai haha), respektivisht siç më kishte mësuar dikur Tahiri Kangën skandaloze, Vajet, Gjuhën shqipe të Fishtës. S’e bëja vetëm për efekt, thjesht e doja kamerën dhe komunikimin me të. Atëherë e kuptova fjalën që e përdornim me humor në redaksi “koncentrim i hatashëm” – nëse provoja pas inçizimit ta përsërisja tekstin, kujtesa më tradhëtonte dhe bëja mjaft gabime, por kryesorja jo gjatë prezantimit. Kënaqesha duke punuar ngjarjet dhe personalitetet e kulturës, por edhe duke u marrë me fenomenin e politikës kulturore shqiptare që më shumë ishte nocion se sa realitet. Si atëherë, si tash.

Ishte politikë pa kriter dhe pa kompas, incidentale dhe provinciale. E tillë dhe mbeti, me paak përjashtime.

Tamam kur disi hyra në binarë, lindi B.

Atëherë, siç i ndodh çdo nëne, shumëçka ndryshoi në sytë e mi.

Përfshirë dhe profesionin.

Na ndiqni nesër.

Shkruan: Lindita Kadriu