` . Një jetë shtet – TV-SHENJA

Një jetë shtet

“I nderuar ambasador! Çfarë prisni akoma? Shqipëria po ikën para syve. Mos vallë do t’ia lini këtë vend serbëve, italianëve apo grekëve?

(Ferid Pashë Vlora drejtuar ambasadorit austro-hungarez)

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Nxjerrja në dritë e librave që flasin për burrështetas të së kaluarës ka një rëndësi të veçantë, ngase ato e pasurojnë historiografinë. Rëndësia e veprave të tyre rritet edhe më tepër kur në të flitet për personalitete që shërbyen në perandori që kanë lënë gjurmë në historinë botërore, siç ishte edhe Perandoria Osmane! I tillë është libri që flet mbi jetën dhe veprën e Ferid Pashë Vlorës, personalitetit i cili preku fatet e Perandorisë Osmane në vitet e fundit të sundimit të sulltan Abdylhamidit II, të shkruar nga historiani turk Abdulhamit Kërmëzë (Abdulhamit Kırmızı), botuar nga SHB Logos-A.

Vërtet është madhështore edhe sepse të gjurmohen arkivat perandorakë, të cilët i ka mbuluar pluhuri i historisë, të shkruhet vepra dhe më pas t’i përcillet lexuesit, kjo është një punë e çmuar si për autorin, po aq edhe për botuesin!

Autori që në fillim të veprës vë në dukje se Ferid Pasha u lind në një familje aristokratësh vlonjatë, e cila me vite i kishte shërbyer pallatit perandorak në Portën e Lartë. Kur jemi tek prejardhja e Ferid Pashës, duhet përmendur që familjet e bejlerëve në Shqipërinë osmane lidhnin krushqi me familje fisnike. E ëma e Ferid Pashës, Naile Hanëm, ishte nga dera e Arsllanpashalinjve (Libohova) nga Janina, kurse Arsllanpashalinjtë ishin një familje guvernatorësh, që e kishin drejtuar Janinën që nga shekulli XVII. Për këtë arsye Ferit Pasha ishte farefis me dyert e rëndësishme shqiptare. Sipas autorit, dyert e Vlorajve dhe të Tepelenajve kanë vazhduar ekzistencën e tyre për shekuj me radhë për të nxjerrë nga gjiri i tyre edhe këtë njeri.

Në fakt, shqiptarët e kaluar në Islam gjetën mundësinë për të hyrë në burokracinë e Perandorisë shumëkombëshe os­mane, duke u bërë një burim i rëndësishëm ushtarak e administrativ për Peran­do­rinë. Në administratën perandorake shqiptarët u ngjitën deri në postin e kryemi­nistrit dhe u bënë një damar zyrtarësh që vazhdoi deri në periudhën e Republikës. (fq. 20). Pjesë e kësaj rrëfenje historike të diadës shqiptarët vs Perandoria Osmane pa dyshim se është edhe fati i Vezirit të Madh, pra kryeministrit Ferid Pashë Vlora.

Qyteti i Vlorës, falë pozicionit gjeografik si një port në ngushticën e Otrantos, kishte peshë të jashtëzakonshme për osmanët. Ky qytet është një nga qytetet e para shqiptare që u bënë pjesë e administratës osmane. Duke u nisur nga ky fakt, autori që në fillim të rrëfimit mbi Ferid Pashën pohon se “..hapësirat e përcaktojnë se kush është e kush do të jetë personi…”, ndërsa “…Identiteti i një hapësire u jep mundësinë për të njohur dhe përkufizuar veten..”

Vepra e autorit Kërmëzë në mënyrë të detajuar dhe të thuktë paraqet jetën e Ferid Pashës, si dhe veprimtarinë e tij politike si një zyrtar i lartë osman. Lexuesi, në këtë vepër kapitale, do të shoh se si Ferid Pasha, si rrjedhojë e shërbimit në rajone të ndryshime të Perandorisë, arriti ta njihte mentalitetin e çdo qyteti, vilajeti e krahine ku ndodhej.

Ferid Pasha, si një zyrtar osman, kishte shërbyer në Bosnjë e Hercegovinë, Kretë, Bullgari Dijarbekir, Halep, Konja e Stamboll. Biografitë e burokratëve të Perandorisë Osmane, përfshirë këtu edhe atë të Ferid Pashë Vlorës, e tregojnë më së miri se si një jetë bashkon hapësira të ndryshme gjeografike!

Interesante është fakti që Ferid Pasha, edhe pas shfronësimit të Sulltan Abdylhamidit, kishte bartur poste të rëndësishme gjatë periudhës së pas 1908-tës! Andaj me të drejtë autori pyet se si ka mundësi që një guvernator dhe kryeministër i një monarku si Abdylhamidi të ketë qenë edhe senator, guvernator, ministër e kryetar Kuvendi në periudhën xhonturke?

Mirëpo, për Kërmëzën – falë fleksibilitetit që është pjesë e natyrës njerëzore – një burrë shteti, i cili kishte shërbyer në detyra të rëndësishme në periudhën e Abdylhamidit, mund të merrte përsipër role edhe në postet e larta të periudhës së Konstitucionalizmit.

Abdulhamit Kërmëzë, në këtë libër, nuk lë pa prekur edhe çështjet identitare, përkatësisht identitetin e Ferid Pashë Vlorës si shqiptar dhe osman. Autori do të konstatojë se identitetet nuk janë aq të qëndrueshme sa ç’kujtohen, se formulohen sërish nga e para.

Libri në fjalë përmend edhe kontributin dhe rolin e Ferid Pashës në pavarësinë e Shqipërisë, si dhe refuzimin për të ardhur në krye të qeverisë së shtetit shqiptar, për të cilën ishte habitur edhe vet sulltan Abdylhamidi kur ndodhej në syrgjyn!

Duke e lexuar këtë libër, i cili përbën një thesar në vetvete, lexuesi do të arrijë ta kuptojë se Ferid Pasha ishte një personalitet, siç e quan autori me gjuhën e Jean-Paul Sartr-it, Universal-Singular, ose individ i universalizuar. Përmes jetës dhe veprimtarisë së Ferid Pashës, gjë që më së miri na e ofron ky libër, do t’i kuptojmë edhe zhvillimet e tjera politike, por edhe lëvizjet diplomatike në Ballkan.

Kjo vepër madhështore pa mëdyshje që i kontribuon historiografisë sonë kombëtare, duke pasur parasysh se figura e Ferid Pashë Vlorës gjatë sundimit të diktaturës komuniste u la tërësisht në harresë, kurse fatin e zhdukjes dhe mospërfilljes së trashëgimisë islamo-osmane në Shqipëri do ta përjetojë edhe varri i tij.

Në këtë libër studiuesit do të gjejnë një material të bollshëm nga lëmi i historisë së diplomacisë, diplomacisë ballkanike të kohës, relacioneve të Perandorisë Osmane me vendet evropiane dhe çështjen shqiptare gjatë fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX.