` . Një hartë e kulturës morale – TV-SHENJA

Një hartë e kulturës morale

Hubert Grenier, Doktrinat e mëdha morale, Logos-A, Shkup, 2018, 146 fq.

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Nëse filozofia është “një dialog i shpirtit me veten” (Platoni), atëherë morali nënkupton dialog të ndërgjegjes me njeriun, matje-prerje-evaluim-shpërblim-ndëshkim spiritual të veprave që i bëjmë në përditshmërinë tonë, por edhe në shiritin e një epoke ose të historisë. Morali është kulturë e maksimizimit të virtytit, pa të cilin s’ka jetë normale, s’ka frymëmarrje të natyrshme në habitatin social. Njerëzit pa virtyt, pa burime të brendshme e pa forcë të karakterit janë vazhdimisht të troshitur nga ngjarjet. Rruga e këtyre jetëve të paqëndrueshme përbëhet veçse nga zigzage. “Të skicosh strukturën morale njerëzore të një epoke, do të thotë të përcaktosh edhe atë çka kjo epokë është ose nuk është e aftë të bëjë, dhe kuptimin që do të marrë aty termi ‘njerëzim’. Nëse doktrinat morale mund të quhen ‘të mëdha’, kjo është për shkak se njeriu është tërësisht i përfshirë në to.” (O. Pourriol)

Vizioni i botimeve të shtëpisë Logos-A në vete e përfshin edhe afirmimin e vlerave të mirëfillta, përkujdesjen për kulturën morale, atë që Hubert Grenier e quan “cilësi e shpirtit” dhe“rend etik”, që njeriun e ngarkon me detyra që janë aq të shumta, saqë e gjithë koha nuk do t’i jetë e mjaftueshme për t’i çuar deri në fund. Libri Doktrinat e mëdha morale paraqet një studim filozofik me peshë që niset nga maksima se “morali do të ketë gjithmonë diçka për të thënë”, në veçanti në kohëra të imoralizmit ose të një moraliteti fiktiv, të inteligjencës së pashpirt, kur njerëzit i skllavërohen vetëm trupit (f. 21), kur e kemi racionalen, por jemi kah e humbim njerëzoren. Sipas autorit, arsyeja është më se e mjaftueshme për të na lidhur me socialen, por është zemra ajo që na lidh me humanitetin, me të vërtetat morale që synojnë përsosmërinë, sado që ajo mund të jetë kimerike. Në këtë drejtim, theksi vihet tek karakteri, gjykimet, vlerat, liria, ndërgjegjja, koncepti kantian i detyrës, morali natyror, ai civil, tek praxis-i, e mira supreme, universale, etj.

Ky tekst jep një retrospektivë historike të moraleve nga antikiteti, Krishterimi, filozofia morale e shekullit XVIII, zhvillimet (anti)moraliste në shekullin XIX, e deri te pikëpamja psikanalitike. Në të interpretohen elaborimet etike të figurave kyç si Platoni, Aristoteli, Shën Tomasi, Descartes-i, Spinoza, Rousseau, Kant-i, Kierkegard–i, Marx-i, Nietzsche-i, gjithnjë me një qëmtim kritik. Përkthimi shqip i kësaj vepre vjen i pasuruar me poshtëshënime e shpjegime të termave bazikë, që e bëjnë më te kapshëm për lexuesin këtë letër që sillet mes shqetësimit dhe misionarizmit etik. Literatura deficitare shqiptare rreth moralit, gjë që e kemi shijuar në lëkurën tonë në fillim të viteve 2000, kur na u besua ligjërimi i lëndës “Etika Publike” në një katedër universitare, krahas A. Lalande (2014) dhe J.J. Wunenburger (2019) po fiton një vepër tjetër të rëndësishme të perspektivës frankofone në këtë fushë. Jemi të bindur se Grenier-i do t’i bëjë për vete të gjithë të interesuarit për dimensionin aksiologjik dhe teleologjik të jetës, ata që merren me filozofi e shkenca humanitare, se vepra e tij do të bëhet pjesë e plan-programeve shkollore dhe syllabuseve universitare, kuptohet edhe me impakt të gjerë social, duke afirmuar frymën dhe sjelljen morale te të gjitha shtresat dhe grupimet shoqërore.