` . Një dokument monumental që kërkon vend në historinë e shkruar kombëtare - TV-SHENJA

Një dokument monumental që kërkon vend në historinë e shkruar kombëtare

Të gjithë ata lexues që do ta kenë në dorë “Raportin mbi punën e Ulema Mexhlisit të Shkupit për periudhën 01.07.1938 – 01.01.1940”, do ta kuptojnë se bëhet fjalë për një literaturë bazë, pa citimin e të cilës historia kombëtare e kësaj periudhe do të ishte shumë e mangët, e shtrembëruar dhe joobjektive, sidomos për sa i përket raportit të klerit mysliman shqiptar ndaj çështjes kombëtare.

Shkruan: Avni HALIMI, Shkup

Me dekret të Guvernatorit Mbretëror të datës 30 maj të vitit 1938, me numër 54803, duke u mbështetur në zgjedhjet bazuar në nenin 3 të Ligjit për Bashkësinë Fetare Islame (BFI-në) në Mbretërinë e Jugosllavisë, për anëtarë të Ulema Mexhlisit të Shkupit janë emëruar: Hfz. Sherif ef. Osmani, Ataullah ef. Kurtishi, Bedri ef. Hamidi dhe Idriz ef. Hajrullau. Ata më datë 9 qershor të vitit 1938 kanë dhënë betimin para Lartmadhnisë së Tij, z. Reisul Ulemasë në Sarajevë. Mbledhja e parë konstituive është mbajtur më 21 qershor 1938, në të cilën hfz. Sherif ef. Osmani u zgjodh kryetar. Disa javë më vonë personalitete kombëtare nga kjo përbërje do të nisin një inspektim në mbarë territorin e këtij Ulema Mexhisi, aktivitet ky që do të rezultojë me një raport voluminoz mbi punën e Mexhlisit. Raporti do t’i dorëzohet Lartmadhnisë së Tij, z. Reisul Ulemasë të BFI-së së Mbretërisë së Jugosllavisë në Sarajevë.

Konteksti historik

Pas marrjes fund të Perandorisë Osmane, pas luftërave ballkanike, sidomos gjatë periudhës në mes të dy luftërave botërore, shqiptarët do të përjetojnë një nga barbaritë më çnjerëzore të shënuara në analet e njerëzimit. Një pjesë e konsiderueshme e trojeve shqiptare, Kosova, pjesa perëndimore e Maqedonisë së Veriut dhe pjesa veriore e Shqipërisë deri në Kelmend do të pushtohet nga Mbretëria Serbe, Shkodra dhe një pjesë e Shqipërisë së Veriut do të pushtohet nga perandoria Austro-Hungareze, jugu i Shqipërisë do të pushtohet nga italianët dhe pjesa perëndimore, Korça gati deri pranë Pogradecit, do të jetë nën administrimin e francezëve. Pushtimi më i egër dhe më barbar ishte ai i okupatorit serb, sepse ai synonte daljen në det, në Portin e Shëngjinit, andaj edhe hapësira deri në këtë pikë strategjike duhej të ishte e pastër dhe e pastruar nga shqiptarët, çetat e të cilëve herë pas here e tundnin Mbretërinë Serbe. Pra, politikat e mëhershme të asimilimit fetar, me ç’rast qindra e mijëra shqiptarë ortodoksë, nën terror dhe gjenocid, u detyruan të serbizohen, do të zgjerohen edhe me strategjinë e spastrimit etnik, përmes akteve genocidale, plaçkitjeve, përdhunimeve, djegies së vendbanimeve, konfiskimit të pronave e pasurisë, e deri në serbizimin institucional të tyre. Shpëtimi nga këto mynxyra gjendej vetëm te ikja nga vatrat shekullore shqiptare. Kjo ide genocidale do të kulmojë më vitin 1938 me të ashtuquajturën “Konventën Jugosllavo-Turke” për spastrimin e viseve shqiptare dhe për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll përgjatë viteve 1939-1944. Fatmirësisht, hovin e këtij projekti e ndali Lufta e Dytë Botërore, ndonëse si ide u zhvillua dhe u realizua deri në përfundim të periudhës rankoviqiane.

Pra, shpërngulja e shqiptarëve dhe, përgjithësisht, e myslimanëve të Kosovës dhe viseve etnike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, ishte hyrje në strategjinë gjeopolitike të Mbretërisë Serbe (më vonë Mbretërisë SKS) të paraparë në projektin nacional serb të kolonizimit të Kosovës dhe viseve etnike shqiptare përgjatë kufirit administrativ me Shqipërinë. Ky projekt do të marrë gjithë peshën e politikës zyrtare serbe më vitin 1929, ndërsa do të zhvillohet në dy etapa: nga viti 1922 e deri më 1929 do të ushtrohet duke u bazuar në Rregulloren e popullimit të viseve jugore, të miratuar nga Mbretëria Serbe më 20 nëntor të vitit 1920, ndërsa faza e dytë e këtij projekti do ta përfshijë periudhën e vitit 1933-1938, duke u bazuar tashmë në Ligjin për popullim të viseve jugore, të miratuar më 11 qershor 1931.

Bazuar në këtë ligj si dhe në Ligjin për Reforma Agrare, serbët ia dolën që të zbrazin dhe shkatërrojnë vendbanime të tëra shqiptare, të plaçkitin, të vrasin e t’i dëbojnë shqiptarët e myslimanët nga vendbanimet që kryesisht shtriheshin përgjatë kufirit me Shqipërinë. Intensiteti i zbatimit të këtij plani ndryshonte nga viti në vit, varësisht nga organizimi i çetave shqiptare për t’i rezistuar këtij projekti famëkeq. Pati shpërngulje të dhimbshme. Për shembull, më vitin 1919 u shpërngulën 23.500 shqiptarë, pastaj 24.532 shqiptarë u shpërngulën më vitin 1921, më 1930 u dëbuan 13.215 shqiptarë, ndërsa shpërngulje masovike u shënuan më 1931 kur u detyruan dhunshëm 29.807 shqiptarë të largohen nga vatrat e tyre. Pas këtij viti, si rrjedhojë e organizimit luftarak të shqiptarëve, por edhe të rrethanave të reja shoqërore politike në Shqipëri, avazi i dëbimeve të shqiptarëve nga vatrat e tyre do të pësojë rënie. Megjithatë, nga viti 1919 e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, nga Kosova dhe nga trevat shqiptare në Maqedoninë e sotme Veriore, si pasojë e okupimit dhe kolonizimit serb, u shpërngulën gjithsej 205.862 shqiptarë, 12.582 boshnjakë dhe 27.884 turq.

Në një dokument të Arkivit Shtetëror shqiptar thuhet se Hysen Vrioni, ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në maj të vitit 1926 mori një letër nga legata shqiptare në Greqi, ku theksohet se më 23.04.1926 ministri i Greqisë ka pasur një takim me ministrin e Jashtëm turk, Tefik Ruzhdi, në të cilin ky i fundit i ka thënë ministrit grek se do t’i sjellin 300.000 deri 400.000 myslimanë nga Serbia për t’i turqizuar. Letra në vijim apelon që të bëhet propagandë në Kosovë në mënyrë që shqiptarët e atjeshëm të mos emigrojnë për në Turqi dhe të humbasin karakterin e tyre etnik.” (AQSH, F. 251, V.1926, D. 101, fl.22).

Përveç kolonizimit të Kosovës, do të vijojnë edhe politika të mëhershme të serbizimit të popullatës joserbe. Serbizimi bëhej kryesisht për asimilimin kulturor dhe nacional të popullatës joserbe, e cila arrihej përmes përvetësimit të simboleve serbe, siç janë gjuha, emri ose mbiemri dhe feja ortodokse. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e shqiptarëve myslimanë të Sanxhakut do të serbizohen përmes gjuhës, kurse pjesa e shqiptarëve të Kosovës do t’i nënshtrohen “paqësisht” serbizimit, duke “u fisnikëruar” me prapashtesën serbe “viq” në mbiemrat shqiptar (politikë kjo e cila më vonë do të aplikohet edhe nga maqedonasit tek mbiemrat shqiptarë, duke ua ngjitur prapashtesën maqedonase “ovski”!)

Shtypi i kohës (Gazeta “Kosova” e Konstancës, 17 korrik 1932) do të botojë artikullin me titull “Pakicat shqiptare në Jugosllavi”, në të cilën veç të tjerash theksohet se: “Në disa qarqe shovinizmi i xhandarmërisë serbe shkon aq larg, saqë shqiptarët nuk guxojnë të flasin midis tyre në gjuhën e nënës”. Më tutje, në shkrimin në fjalë thuhet se Serbia i mbylli të gjitha shkollat duke i dëbuar edhe mësuesit shqiptarë. Në kohën e okupacionit ushtarak austriak në të gjitha katundet shqiptare të këtyre qarqeve u hapën shkolla me mësim vetëm shqip. Por, në momentin kur Mbretëria e Jugosllavisë i zaptoi ato vise, shkollat në fjalë u mbyllën. Edhe mësimi fetar u degradua. Mësimi i fesë myslimane jepej vetëm në gjuhën arabe prej hoxhallarëve boshnjak, kurse mësimin e fesë katolike e jepnin priftërinjtë sllavë, që nuk dinin fare shqip. Administrata mbretërore jugosllave, përmes formave dhe metodave më të paskrupullta e ndalonte sistematikisht çdo lëvizje të zhvillimit intelektual dhe e detyronte rininë shqiptare të mbetej në errësirë të plotë.

Konteksti politiko-shoqëror

Vitet e Mbretërisë së Ahmet Zogut në Shqipëri do të sjellin një kthesë historike, jo vetëm për shtetin shqiptar, por edhe për shqiptarët e ngelur jashtë shtetit amë. Në njërën anë, si rrjedhojë e politikave për fqinjësi të mirë, e cila do të sjellë një paqe më të konsoliduar në Shqipëri dhe një mundësi për ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore, si në sektorin e financave, ushtrisë, policisë, arsimit, kulturës, shëndetësisë etj., në anën tjetër “indiferenca mbretërore shqiptare” karshi shqiptarëve të Kosovës, të okupuar e nën presione të vazhdueshme genocidale, do të shkaktojë irritim e pezm tek shqiptarët dhe urrejtje kundër Mbretit të Shqiptarëve dhe përpjekje të shumta për vetë-organizim, madje deri në qërim hesapesh edhe me vetë Mbretin Zog. Ky konfrontim i interesonte më së shumti Serbisë, e cila po përpiqej që të gjente forma për ta rrëzuar Ahmet Zogun nga froni mbretëror, me të cilin i kishin prishur raportet qëkur Zogu kishte këmbëngulur që të quhet Mbreti i Shqiptarëve përkundër kërkesave dhe presioneve serbe që të quhej “Mbreti i Shqipërisë”!

Më vonë, nga historianë të ndryshëm do të vërtetohet se anashkalimi i shqiptarëve të Kosovës nga ana e Mbretit Zog kishte qenë vetëm shkathtësi politike e tij që ta mbajë sa më larg problemin kombëtar derisa të formohet e të ngrihet në shtylla të sigurta Shteti Kombëtar Shqiptar. Një kohë të gjatë shqiptarët më tepër u morën me rrënimin e mbretërisë sesa me organizimin për çlirimin e plotë nga kolonializmi serb. Vetëm pasi Mbreti Shqiptar lidhi miqësi të ngushtë me italianët, të cilëve do t’ua besojë aftësimin e xhandarmërisë shqiptare dhe të institucioneve të tjera relevante dhe jo Serbisë, tek patriotët shqiptarë do të rikthehet besimi se Mbretëria Shqiptare nuk ka ndonjë plan bashkëpunimi ose ndonjë pazarllëk politik me Mbretërinë Serbe dhe se synimet kolonialiste serbe nuk do të kenë gjasë të shtrihen edhe në territorin e shtetit shqiptar.

Vetëm një gjest dhe një vendim i Mbretit të Shqiptarëve bëri që fushata antiislamiste serbe të bie poshtë, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në vend! Mbreti vendosi që betimin ta bëjë me dorë mbi Kuran dhe Bibël, kurse tashmë kishte marrë vendim që, për hir të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare tek shqiptarët, të martohet me një të krishtere! Përndryshe, mësimet fetare islame e obligojnë çdo mysliman që, krahas zbatimit të normave fetare, të jetë besnik ndaj pushtetit, i cili, nga ana tjetër, obligohet që, për hir të lojalitetit, të garantojë të drejta dhe liri fetare.

Mary Edith Durham thoshte: “Shqiptari është gjithnjë shqiptar. Serbi musliman dhe bullgari musliman e kanë të fshirë sensin e nacionalitetit si pasojë e pushtetit të Islamit. Me shqiptarin është ndryshe. Ai para së gjithash është shqiptar. Feja e tij vjen më pas… Përballë armikut të përbashkët, i krishteri dhe muslimani bëhen një. Disa kombe janë shumë të dhënë pas fesë. Shqiptarët si racë janë nga të paktët që janë të lirë prej saj. Muhamedanizmi dhe kristianizmi i tyre nuk kanë shumë peshë tek ata…”

Ndërkaq Miranda Vickers në veprën e vet “Islami tek Shqiptarët”, veç të tjerave, thekson se “Historikisht, shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan vetëdija nacionale e të cilëve nuk ka qenë e formësuar apo e identifikuar prej përkatësisë së tyre fetare. Në vend të kësaj, shqiptarët e kanë përcaktuar identitetin nacional të tyre përmes gjuhës.”

Megjithatë, do të dalin patriotë, pasues të Rilindjes Kombëtare, të cilët gjithnjë e më fuqishëm do të theksojnë se pa atdhe nuk ka fe, gjegjësisht se Islamit nuk i ka hije të zhvillohet në mes të injorantëve, sepse shtrembërimi i tij është i garantuar.

Meqë pushteti kolonialist serb ishte i bindur se fushata e tyre gati tridekadëshe kundër shqiptarëve dhe, përgjithësisht, kundër myslimanëve, e kishte arritur efektin e vet, sidomos në planin fetar dhe arsimor, duke i dëbuar të gjithë mësuesit dhe hoxhallarët e shkolluar, vendosi që ta lë të lirë organizimin e jetës fetare islame, duke i tërhequr masat e dhunshme që i kishin vënë në BFI, respektivisht në Ulema Mexhlisin e Shkupit. Bashkësia Fetare Islame e Mbretërisë së Jugosllavisë përbëhej nga dy Ulema Mexhlisë: nga ai i Shkupit dhe nga ai i Sarajevës, ku gjendej edhe selia e Lartmadhnisë së Tij, z. Reisul Ulemasë. Ulema Mexhlisi i Shkupit ishte më i madh dhe e organizonte jetën fetare islame në 44 qarqe, përmes drejtorive të Vakëfi Mearifit të: Beranës, Bjello Poles, Manastirit, Vallandovës, Vushtrrisë, Gjakovës, Kërçovës, Shkupit, Kumanovës, Kavadarit, Mitrovicës së Kosovës, Koçanit, Novi Pazarit, Nishit, Rahovecit, Plevljes, Podgoricës, Beogradit, Pribojit, Prizrenit, Kaçanikut, Ferizajit, Priepoljes, Sjenicës, Shtipit, Radovishit, Strugës, Ohrit, Preshevës, Velesit, Resnjës, Pejës, Plavës, Dibrës, Prilepit, Besianës, Tetovës, Gjilanit, Tivarit të Vjetër, Ulqinit, Skënderajit, Sjenicës, Prishtinës dhe Gostivarit. Sipas të dhënave statistikore të kohës, pak para Luftës së Dytë Botërre, në këtë territor të Ulema Mexhlisit të Shkupit jetonin mbi 900,000 myslimanë, të cilët dalin si elementë më luajal ndaj shtetit pikërisht për faktin se ata dashurinë dhe sakrificën për atdhe e barazojnë me dashurinë ndaj fesë dhe jetës, duke e ngritur në detyrë të rëndësishme fetare. Lojaliteti i tyre ndaj ligjeve dhe pushtetit, përmbushja e të gjitha obligimeve ndaj shtetit dhe bashkësisë, tregon se sa shtetëformues janë myslimanët si në botëkuptime ashtu edhe në veprat e tyre. Kjo ndjenjë e lartë patriotike e myslimanëve nuk është dobësuar as para doktrinave të reja që u shfaqën pas Luftës së Parë Botërore në tërë Europën. Për më tepër, para Luftës së Dytë Botërore, kur komunizmi nisi të nxjerrë kokë në shumë shtete perëndimore, tek myslimanët e këtyre anëve jo vetëm që nuk gjeti përkrahje por u luftua dhe u asgjësua nga rezistenca e fuqishme shpirtërore e myslimanëve nëpër të gjitha viset ku ata ishin në shumicë. Këtë realitet e dëshmon edhe fakti se, në të gjitha proceset e ngritura kundër aktorëve ilegalë në bankën e akuzës nuk u ul asnjë mysliman. Përkundrazi, myslimanët u dalluan në të gjitha aksionet mbrojtëse, aty ku u desh të mbrohet feja dhe, përmes këtij angazhimi primar, u mbrojt edhe mbretëria e atëhershme jugosllave.

Megjithatë, ky konservatorizëm i cili në jetën familjare dhe fetare të myslimanëve pati një rezultat të frytshëm, në jetën e tyre arsimore dhe ekonomike solli pasoja të rënda. Tërheqja e thellë në vetvete, ruajtja e traditave të hershme, zakoneve dhe shprehive, shmangia nga çdo gjë e re, i solli myslimanët në një pozitë izoluese në raport me bashkësitë e tjera, me të cilët bashkëjetonin dhe bashkëvepronin. Kjo ndikoi që myslimanët, sidomos pas periudhës së Luftës, të ngelin shumë mbrapa në përpjekjet ekonomike, por edhe në sferën e arsimit dhe të kulturës dhe, kësisoj, të tjerët, duke e shfrytëzuar këtë pasivitet të tyre të palogjikshëm, ecën përpara, madje me pretendime që t`i mbajnë sa më gjatë në pozita mjeruese.

Për pozitën e përgjithshme mjeruese të myslimanëve të territoreve që i ka mbuluar Ulema Mexhlisi i Shkupit flet “RAPORTI MBI PUNËN E ULEM MEXHLISIT PËR PERIUDHËN 01.07.1938 – 01.01.1940”.

Ky dokument u zbulua vite më parë në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut nga ana e historianit Qerim Lita dhe së shpejti do të publikohet në gjuhën shqipe. Të gjithë ata që do ta lexojnë Dokumentin “Raport mbi punën e Ulem Mexhlisit të Shkupit për periudhën 01.07.1938 – 01.01.1940” do të vërejnë se bëhet fjalë për një literaturë bazë, pa citimin e së cilës historia kombëtare e kësaj periudhe do të ishte shumë e mangët, e shtrembëruar dhe joobjektive, sidomos për sa i përket raportit të klerit mysliman shqiptar ndaj çështjes kombëtare.

Pas pezullimit të gjendjes së jashtëzakonshme të vënë më 25 mars të vitit 1936, do të vazhdojë gjendja normale, por me një organizim të ri, të drejtuar nga një kryesi e re, e përbërë nga personalitete të dëshmuar në aspektin kombëtar e fetar.

Nënteksti kombëtar i një raporti fetar

Ndonëse i shkruar këtu e tetëdhjetë vite më parë, në kushte e rrethana politike shumë të egra për shqiptarët dhe, në përgjithësi, për myslimanët, në kushte kur analfabetizmi ishte pothuajse në nivel njëqind për qind, dalin burrat e kombit dhe ndërmarrin një duzinë aksionesh të raportuara në Dokument, i cili, për nga vlera historike dhe përmbajtjesore, si dhe për nga përçimi i informacioneve burimore dhe mesazheve me vlerë fetare e kombëtare, mbetet një dokument unikal, i papërsëritshëm dhe i pakonceptueshëm sot, madje nga institucionet akademike që gëlojnë nga talente e intelektualë kombëtarë.

Paria e re e Ulema Mexhlisit ishte me një bagazh të pamohueshëm kombëtar, njerëz seriozë, me synime të qarta dhe me detyra konkrete, rezultatet e të cilave në perspektivë do të perceptoheshin si burime historike origjinale. Në kontekstin e asaj që përshkruan Raporti, në fakt, kemi të bëjmë me iniciativë kombëtare që del përtej kornizave të normave fetare. Aty elaborohen vetëm ato norma e detyra fetare, të cilat në esencë e ndihmojnë çështjen kombëtare.

Udhëheqësia e re e Ulema Mexhlisit, kombëtarisht e ngritur, nuk hutohet nga postet që me i garantonte me ligj Mbretëria e Jugosllavisë, por brenda pak javësh organizohen për ta vizituar terrenin, që të kryejnë inspektimin e të gjitha organeve dhe institucioneve lokale dhe ta analizojnë punën, aftësinë dhe përshtatshmërinë e të gjithë nëpunësve fetarë, sidomos të imamëve të xhamive e të xhemateve. Përveç kësaj detyre speciale, ky inspektim ishte edhe më i rëndësishëm, sepse po analizonte me përpikëri dhe po e konstatonte gjendjen reale e faktike të myslimanëve.

Pra, kjo vizitë pune pati karakterin e inspektimit të situatës së myslimanëve, gjendjes, pozitës së tyre, nevojave fetare, arsimore, problemeve politike, diskriminimit fetar që ushtrohet diku-diku masivisht, madje para syve të pushtetit mbretëror. Pas këtij inspektimi të kryer nga ana e hfz. Sherif ef. Osmanit, kryetar; hfz. Bedri ef. Hamidit, anëtar dhe Selman ef. Ibriçeviqit, sekretar i Ulema Mexhlisit, pason raporti intern, identifikohen problemet, përcaktohen detyrat dhe numërohen problemet të cilat detyrimisht që duhet të zgjidhen një orë e më parë. Aty përcaktohen qartë edhe objektivat dhe nis puna e palodhshme, vetëmohuese e shumë sfiduese, por me një peshë shumë të rëndësishme kombëtare. Pas kësaj do të ndërmerren një sërë aksionesh, rezultatet e të cilëve do të kenë një peshë shumë të rëndësishme, sa fetare, aq edhe kombëtare. Këto aksione do të zhvillohen jo vetëm në 44 qarqet e Ulema Mexhlisit, por në të gjitha vendbanimet që përfshihen nëpër këto qarqe, madje edhe ato më të thella, të humbura në thellësitë e maleve kilometra e kilometra larg jetës urbane të asaj kohe. Do të shkohet derë më derë, do të grumbullohen të dhëna të ndryshme statistikore, do të dilet me propozime konkrete dhe me urdhra të prera për tejkalimin e sfidave të ndryshme, që do të identifikohen si probleme me pasoja katastrofale për fenë dhe për çështjen kombëtare.

Përveç organizimit institucional të organeve dhe të jetës fetare, nga ky Raport i detajuar vërehet se projekti madhor dhe parësor i kryesisë së re të Ulema Mexhlisit të Shkupit ka qenë pengimi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, zhdukja e analfabetizmit tek shqiptarët, shkollimi masovik i tyre dhe zhdukja e traditave të pakuptimta që me pa të drejtë u përshkruhen shqiptarëve dhe fesë islame, si: mosinteresimi dhe mospranimi për shkollim si dhe produktet e kësaj dukurie: prapambetja, gjakmarrja, shitblerja e vajzave dhe mbyllja e tyre etj.

Të nisur nga motoja racionale se një popull i paarsimuar nuk është në gjendje ta kuptojë drejt as fenë ose se feja te një popull i paarsimuar është e pavlerë ose Islami nuk mund të bashkëjetojë me një popull analfabet, udhëheqësia kombëtare e Ulema Mexlisit të Shkupit paralajmëron se do të fillojë një aksion të pakompromistë dhe të pathyeshëm të arsimimit të përgjithshëm të popullatës shqiptare, respektivisht të popullatës myslimane në territoret që janë nën administrimin e këtij institucioni fetar. Kjo politikë arsimore dhe kulturore e këtij organi kolektiv vërehet, për shembull, edhe në këtë citat të Raportit: “Arsimimi i myslimanëve, ndonëse detyrim islam, ngelë problem më vete. Edhe pse shkollimi fillor është i obligueshëm me ligj për të gjithë fëmijët, një numër goxha i madh i fëmijëve myslimanë, sidomos i femrave, nuk e vijojnë mësimin fillor. Për këtë nuk duhet kërkuar faj vetëm te prindërit e as te organet dhe nëpunësit fetarë, por faji duhet kërkuar edhe në shkolla dhe në autoritetet drejtuese, të cilat shpesh e anashkalojnë këtë problematikë, madje edhe e paragjykojnë. Rrallëherë ndodhë që t`i detyrojnë fëmijët të shkojnë në shkollë. Megjithatë, siç u bindëm edhe vetë, kohëve të fundit po vërehen shenja përparimi, sidomos pas urdhrit të Ulema Mexhlisit, që ua drejtoi imamëve që të ndikojnë te prindërit e sa më shumë t`i dërgojnë fëmijët në shkollë. Vlen të theksojmë se nëpër vendbanimet myslimane shumë rrallë hapen shkolla ose klasa të reja. Prandaj konstatojmë se duhet dorëzuar ankesa edhe deri te autoritetet përkatëse që t`i kushtojnë vëmendje më të theksuar edhe shkollimit dhe ngritjes arsimore të banorëve myslimanë përmes ngritjes së shkollave nëpër vendbanime ku jetojnë ata. Politikat e sotshme arsimore nuk janë dhe aq të mira, ndaj, për pasojë, sot kemi një numër shumë të madh të fëmijëve myslimanë që janë analfabetë dhe pa arsimim bazë. Një shkak tjetër që ka ndikuar në këtë gjendje të pavolitshme të popullatës myslimane është edhe mungesa e arsimtarëve myslimanë nëpër shkollat popullore. Gjatë vizitave që i bëmë në këto vendbanime u bindëm edhe vetë se sa i domosdoshëm është ky kuadër, i cili edhe për një kohë të gjatë do të mungojë. Nga ana tjetër, edhe mësuesit jomyslimanë nuk shprehin majftueshëm dashuri dhe përkujdesje për popullatën myslimane, si dhe për nevojat e tyre, prandaj theksojmë se është imediate nevoja e krijimit të kuadrit mysliman, për ç`gjë më poshtë do të sjellim edhe propozime konkrete. Këto janë disa arsyet kryesore që po ndikojnë në përkeqësimin e situatës së myslimanëve të këtyre viseve. Pa dyshim se arsyet janë të shumta dhe gjithsesi që me to do të merremi në kapitullin e veçantë. E tërë kjo sjell deri te një analfabetizëm i përgjithshëm dhe janë shumë të rrallë ata që dinë shkrim dhe lexim. Prandaj, është i domosdoshëm një aksion sistematik dhe i menjëhershëm që, së bashku me autoritetet fetare dhe me autoritetin tjetër kompetent, të planifikohen hapje të shkollave, të përhapet shkrim-leximi, sepse kjo është rruga e vetme e progresit të shoqërisë sonë.”

Tërë Raporti është sa vetëkritik, po aq edhe kritik kundër autoriteteve të Mbretërisë së Jugosllavisë, përkatësisht, autoriteteve vendore të banovinava. Pesha historike e këtij raporti qëndron me përligjjen e konstatimeve tendencioze dhe ofenduese që dëgjohen edhe sot e kësaj dite se “hoxhallarët e lanë të prapambetur popullatën”. Në këtë Raport vërehen të gjitha përpjekjet e klerit mysliman shqiptar për t’i vënë në tapet të kritikës, pa kurrfarë hezitimi, të gjithë ata hoxhallarë që kanë neglizhuar detyrimin e çdo myslimani për t’u shkolluar, si dhe dalin në pah të gjitha përpjekjet vetëmohuese, të gjitha angazhimet dhe përkushtimi për ngritjen e vetëdijes arsimore, kulturore e fetare të shqiptarëve dhe, përgjithësisht, të myslimanëve. Në këtë aksion të arsimimit gjithëpërfshirës të myslimanëve udhëheqësia e Ulema Mexhlisit sheh edhe lidhshmërinë e popullatës për shkollim e me këtë edhe ndërprerjen e shpërnguljes së tyre. Kritikat që ia adresojnë Mbretërisë së Jugosllavisë për shumë probleme me të cilat ndeshen myslimanët e këtyre qarqeve, në fakt janë një lloj garancie se tash e tutje është një trupë kombëtare e fetare e cila do të përkujdeset  institucionalisht për fatin, pozitën dhe gjendjen e tyre.

Numri arkivor i vendimeve të miratuara nga Ulema Mexhlisi flet për një punë voluminoze, të përditshme e profesionale, për një punë institucionale transparente, për një punë që do të lë gjurmë të aktiviteteve sa transparente aq edhe të ndershme në raport me të gjitha organet e BFI-së, por edhe me myslimanët në përgjithësi. Brenda vitit janë sjellë mijëra vendime: vendime për arsyetimin e mungesave në punë, për miratimin e ditëve të pushimit vjetor e mjekësor, për miratimin e ditëve të kaluara nëpër terren, për emërtime e shkarkime, për ngritje rrogash e dhënie honoraresh, për dhënie dietash e paradhënie! Asgjë nuk ka ndodhur pa një vendim të miratuar e të arkivuar nga Ulema Mexhlisi.

Dokumenti “Raport mbi punën e Ulem Mexhlisit për periudhën 01.07.1938 – 01.01.1940” fillimisht flet për organet e këtij Institucioni, duke i shpalosur obligimet, detyrat dhe punët konkrete për secilin veç e veç. Ai flet për institucionet fetare, arsimore dhe fetaro-arsimore; për imamët si hallkë kyçe në realizimin e të gjitha aksioneve fetare e kombëtare të inicuara e të mbikëqyrura nga Ulema Mexhlisi; flet për nëpunësit e xhamive, për imamët ushtarakë e për gjykatësit e sheriatit nëpër qarqe. Një përkujdes i veçantë theksohet për mejepet dhe mualimët, medresetë dhe myderrizët, për politikat arsimore të Ulema Mexhlisit dhe për politikat zyrtare të shkollave shtetërore.

Po ashtu, një kapitull i veçantë i kushtohet edhe Organit të Fetvasë, nga i cili në këtë Raport sillen edhe fetvatë dhe mendimet rreth problematikave të ndryshme, si: fetfa mbi konkubinët – mbi thyerjen e traditës së shitblerjes së vajzave; punësimi i klerikut mysliman si dhe e kuzhinierëve myslimanë nëpër ente dhe institucione të ndryshme shtetërore; festimi i Shën Savës nëpër shkollat shtetërore; mbrojtja e shkollarëve të rinj myslimanë, eliminimi i teksteve të papërshtatshme nga librat shkollorë, mbrojtja e familjeve islame, bashkëshortësisë dhe fëmijëve; mbrojtja nga sulmet mbi myslimanët, objektet e shenjta dhe institucionet myslimane; mbrojtja e myslimanëve nga pjesëtarët e feve të tjera; uzurpimi dhe përdhunimi i xhamive; mbrojtja nga propaganda antifetare prozelistike; ndalimi i kalimit në Islam për shkaqe spekulative etj.

Aktivitetet kombëtare në emër të fesë

Një prej brengave më të mëdha të Ulema Mexhlisit ka qenë ngritja arsimore e popullatës myslimane jo vetëm si obligim fetar, por edhe si nevojë imediate kombëtare, për të ardhur sa më shpejt te kuadri i nevojshëm për shtrirjen e aksionit për shkollim mbarëkombëtar. Për këtë qëllim jo vetëm që kërkohet angazhimi i të gjithë imamëve për të ndikuar te prindërit që t’i lejojnë fëmijët në shkollë, jo vetëm që urdhërohet që të gjithë imamët t’i hapin dhe të aktivizojnë sa më shumë mejtepe për përgatitjen e fëmijëve për në shkolla fillore shtetërore, por meqë nevoja për zhdukjen e analfabetizmit është urgjente, Ulema Mexhlisi, bazuar në dispozitat pozitive si dhe në ligjet shtetërore, insiston që sa më shpejt të hapen kurse për trajnim dhe aftësim të kuadrit të parë që do të jetë në gjendje për ta zhvilluar procesin mësimor sipas metodologjive të reja dhe rregullave pedagogjike të përcaktuara nga autoriteti përkatës arsimor. Gjithsesi, kuadri i arsimuar nga radhët e myslimanëve nevojitej edhe për angazhimin e tyre në ushtri, në marinë, në kuzhina të institucioneve shtetërore dhe, në veçanti, në administratën shtetërore.

Në këtë kohë, në administratën shtetërore ishin të angazhuar edhe imamë të ndryshëm. Ata e kishin për detyrim që ta mbanin paralelisht regjistrin e shtetësisë, si dhe librin amëz, ku regjistrohej çdo i lindur e i vdekur, çdo i martuar e i kurorëzuar, çdo i ardhur e i shpërngulur. Pas inspektimit të punëve dhe aktiviteteve të organeve dhe të nëpunësve fetarë, komisioni i Ulema Mexhlisit konstaton jo vetëm neglizhim, por edhe mospërfillje totale të kësaj veprimtarie të rëndësishme kombëtare. Duke folur për paaftësinë e hoxhallarëve për t’u marrë me punë administrative, në fakt komisioni i kritikon autoritetet shtetërore që për punë aq të ndjeshme angazhojnë kuadro analfabetë! Për pasojë kanë hasur në regjistra të paregullt, me faqe të shkarravitura, me kolona të paplotësuara, me të dhëna gjysmake, jo të sakta dhe gati qind për qind me mbiemra me prapashtesën “viq”, që dëshmon vazhdimësinë e politikave të serbizimit të shqiptarëve myslimanë. Meqë hoxhallarët nuk kanë ditur si t’i mbajnë regjistrat e shtetësisë dhe librat amë, atëherë kanë kërkuar ndihmë nga nëpunësit administrativë serbë, të cilët jo vetëm që janë tallur, por edhe kanë vazhduar me përpjekjet e tyre nacionale për serbizimin e shqiptarëve dhe, përgjithësisht, të myslimanëve.

Pesha e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm qëndron dhe në faktin se ai flet për përpjekjet e para kombëtare në identifikimin dhe hartëzimin e shumë problemeve, gjithë kjo përmes urdhrave për evidentime konkrete, si dhe përmes formularëve të përgatitur tejet profesionalisht, me kolona që faktojnë situata dhe gjendje momentale të popullatës së përgjithshme myslimane në tërë territorin e Ulema Mexhlisit. Statistikat që ngërthehen nëpër ilustrime grafike të ndryshme, të përfshira në këtë Raport, flasin për një punë të denjë për organet statistikore me mbështetje të fuqishme shtetërore. E, megjithatë, Ulema Mexhlisi ka arritur që, përmes elementit teologjik, t’i realizojë idetë kombëtare që sot kanë një vlerë të pamohueshme. Evidentimi i objekteve ekzistuese fetare në çdo vendbanim, i xhamive, teqeve, varrezave, mejtepeve, shkollave, si dhe evidentimi i fëmijëve të moshës shtatëvjeçare që duhet të nisin shkollimin fillor, i talebeve etj., janë punë që nuk mund të kryhej pa një logjistikë të gjithanshme e pa përkrahje konkrete shtetërore. Megjithatë, Ulema Mexhlisi ia ka dalë, sidomos në grumbullimin dhe sistemimin e informacioneve aq të rëndësishme për shkencën e historisë sot.

Hartëzimi i xhemateve mbi parimin “300 shtëpi një xhemat”, si dhe evidentimi i numrit të fëmijëve shtatëvjeçar të çdo familje, ndihmon në një regjistrim privat të popullatës shqiptare dhe, përgjithësisht, myslimane në tërë territorin e administruar fetarisht nga Ulema Mexlisi i Shkupit. Të dhënat statistikore të grumbulluara nga këto dy formularë flasin për një punë kolosale dhe me vlera historike shumë të mëdha. Po ashtu, të dhënat statistikore flasin edhe për politikat genocidale dhe akulturore të politikave serbe në raport me shqiptarët. Nëse analizohet grafiku që mban shënime mbi varrezat e myslimanëve në 44 qarqet e Ulema Mexhlisit, do të vërehet një angazhim perfid e në mënyrë kontinuitive i kolonialistëve dhe kolonëve serbë nëpër trojet shqiptare dhe në ato myslimane. Faktet flasin se pas tërheqjes së pushtetit osman dhe pas depërtimit të Mbretërisë Serbe nëpër tokat shqiptare, kemi një gjenocid të paparë mbi popullin shqiptar, me mijëra e mijëra të vrarë e të djegur me gjithë shtëpitë e tyre. Ndërkaq, të dhënat statistikore mbi varret nëpër këto vendbanime janë rrëqethëse. Kjo flet për angazhimin e hordhive serbe në dy drejtime: në zhdukjen masive të shqiptarëve dhe në zhdukjen e gjurmëve të tyre. Gjurmë vendbanimi dhe lashtësia e një vendbanimi natyrisht që dëshmohet edhe përmes varrezave. Zhdukja e varrezave myslimane ka vazhduar edhe në “kohë paqe”! Rrugët kryesore, hekurudhat, fabrikat, institucionet me vlerë shoqërore, çuditërisht. janë shtrirë mbi varrezat e myslimanëve! Nga ana tjetër, edhe tradita e shqiptarëve që t’i varrosin të afërmit e tyre nëpër varrezat e të parëve të tyre, kryesisht nëpër katunde, por edhe moskujdesi ndaj varrezave të vjetra, mungesa e gardheve në to dhe lënia si djerrina për kullosje të kafshëve, ka ndikuar në një pasqyrë të trishtë të varrezave. Pra, në një territor ku kanë jetuar rreth 900,000 myslimanë e kemi këtë pasqyrë statistikore të varrezave: 117 varreza në qytete, 3.314 varreza nëpër katunde ose gjithsej 3.431 varreza myslimane!

Një e dhënë jashtëzakonisht e rëndësishme, që del nga këto statistika, është edhe ajo që nënvizohet në pasqyrën e vendeve në territorin e Ulema Mexhlisit të Shkupit, ku duhet të hapen shkollat fillore ose shkollat ambulante. Në këtë pasqyrë, veç tjerash, është edhe kolona ku shënohet numri i nxënësve myslimanë të obligueshëm për vijimin e shkollimit fillor. Në vitin shkollor 1939 në Rugjincë të Kumanovës numri i fëmijëve myslimanë të obligueshëm për në shkollë ka qenë 146. Pra, këtu bëhet fjalë vetëm për ata fëmijë të moshës që obligohet të nisin shkollimin dhe jo ata nën moshën shtatëvjeçare ose edhe sipër kësaj moshe. Pra, gjithsej kanë qenë 146 fëmijë shtatëvjeçarë! Kurse sot, sipas të dhënave statistikore nga regjistrimi i popullsisë më vitin 2002, në këtë fshat të komunës së Staro Nagoriçanit jetojnë 113 banorë, që të gjithë me përkatësi etnike maqedonase.

Provokimet antiislame dirigjoheshin nga administrata mbretërore serbe

Raporti evidenton edhe një sërë përpjekje e aksione të serbëve në përdhosjen e objekteve islame, si dhe në provokimin e tyre me qëllim të shkaktimit të konflikteve ndërfetare. Në fakt, Raporti synon ta evidentojë vazhdimësinë institucionale të okupatorëve serbë në përpjekjet e tyre, përmes metodave të ndryshme, për spastrim etnik, duke provokuar pasiguritë dhe shpërnguljen si të vetmin shans jetese.

Raporti flet për një sërë provokimesh të serbëve, sidomos në bazën fetare. Në Sllatinën e Epërme (Gjilan) mësuesi serb i shkollës së këtij fshati i lëshon derrat e vet në oborrin e shkollës dhe në varrezat myslimane. Po i njëjti rast shënohet edhe në katundin Bansko të Strumicës, ku mësuesi Stojan Lamoviq i kullot derrat në oborrin e xhamisë, madje i fut edhe brenda saj, kurse pas lutjeve të bashkëfshatarëve që t’i ndërpresë provokimet e tilla, ai edhe më tej, madje edhe më ashpër, vazhdon të provokojë. Mexhlisi i xhematit të Singeliqit të Shkupit raporton se koloni Zhivojin Jociq ka filluar ndërtimin e objektit ngjitur me murin e xhamisë së fshatit, të cilin do ta bëjë kafene. Ngjarje të dhimbshme janë zhvilluar edhe në katundin Gllogovc të Prishtinës. Edhe më herët në xhaminë e këtij fshati ka pasur ndërhyrje të dhunshme e shkatërrime, por kjo e fundit i tejkalon të gjitha kufijtë e përdhosjes së Shtëpisë së Zotit. Në bazë të rrëfimit të mexhlisit të xhematit dhe raportimit të Drejtorisë së Vakëfit të Prishtinës, në mesnatën e 8 dhe 9 janarit të vitit 1939, një bandë e panjohur e shumë të rinjve, duke i këputur shufrat e hekurta të dritareve, është futur brenda dhe e ka shkatërruar tërësisht xhaminë. Veç kësaj, i kanë vjedhur 8 qilima të xhamisë, ndërsa në mihrab e kanë vënë turirin e derrit të sapotherrur.

Po ashtu, Raporti evidenton edhe këtë rast: “Një sulm vandalist i tillë është vërejtur në mesnatën e datës 11-12 dhjetor 1938 në xhamitë e Dubravës së Epërme dhe të Poshtme (Prishtinë). Sipas informacioneve që na kanë arritur nga mexhlisi i xhematit të Sllatinës së Epërme, atë natë rreth 30 persona nga Dubrava e Epërme, të gjithë të besimit ortodoks, të armatosur me sëpata ia mësyjnë xhamisë së Dubravës së Epërme. Me veprime barbare i thyejnë të gjitha xhamat e xhamisë, bravën, derën e hyrjes, shkallët e minberit, ndërsa me kazmë gërryejnë kryqe nëpër muret e xhamisë. Veç kësaj e shkatërrojnë edhe rrethojën e xhamisë, turben, si dhe, nga jashtë, gërryejnë përreth themeleve, duke shpresuar se një ditë xhamia do të rrënohet vetvetiu.”

Në të gjitha këto raste dhe në raste të tjera ka reaguar Ulema Mexhli, duke kërkuar që të zbulohen aktet vandale dhe ndaj tyre të merren masat përkatëse. Megjithatë, autorët pothuajse asnjëherë nuk janë zbuluar, ndërsa kjo flet për përzierjen e thellë të kolonialistëve serbë në të gjitha ato akte. Madje, Raporti shënon edhe akte në të cilat marrin pjesë drejtpërdrejt vetë nëpunësit e administratës shtetërore.

Një rast mjaft i shëmtuar, i cili madje përsëritet edhe sot e kësaj dite, është edhe ai i Xhamisë së Husamedin Pashës në Shtip. Raporti sjell këtë ngjarje: “Qysh para disa viteve në mesin e popullatës ortodokse në Shtip u ngjall një legjendë se kinse nën vendin e Xhamisë së Husamedin Pashës dikur paska qenë kisha e Shën Ilisë, e cila, sipas legjendës, dhunshëm na qenka shndërruar në xhami! Bartës të kësaj legjende që prish tolerancën ndërfetare kanë qenë disa priftërinj dhe intelektualë. Në bazë të rrëfimit të tyre, gazeta beogradase “Politika” e datës 3 gusht 1938 shkruan se si xhamia u kthye në kishë “pas robërimit pesëshekullor”. Shkrimi tregon se si, më në fund, me rastin e ditës së Shën Ilisë, 2 gusht 1938, një grup i acaruar të krishterësh, të prirë nga një dhjak dhe një avokat, dhunshëm kanë hyrë në xhami dhe e kanë kryer brenda shëlbimin e kthimit të xhamisë në kishë. Të theksojmë se gjatë këtij akti brendia e kësaj xhamie u përdhos tejmase, sidomos në ato pjesë që këtij objekti ia jepnin karakterin e xhamisë së mirëfilltë (si mihrabi etj.). Pas reagimit të Ulema Mexhlisit të Shkupit, Gjyqi i Qarkut në Shtip, me vendim gjyqësor numër 6/37 të datës 1 tetor 1938, ia pranoi pronësinë mbi këtë xhami Bashkësisë Fetare Islame, kurse Kishën Ortodokse e detyroi që t’i paguajë të gjitha shpenzimet gjyqësore….”. Sot, pas përsëritjes së sulmit të kryer kohë më parë, kjo xhami llogaritet e humbur dhe trajtohet si kishë dhe si pronë e Kishës Ortodokse Maqedonase!

Në vend të përfundimit

Shumë lexues, të cilët do të kenë fatin që ta kenë në duar botimin “Raport mbi punën e Ulema Mexhlisit për periudhën 01.07.1938 – 01.01.1940” do të mbesin gojëhapur nga ky dokument unikat në llojin e vet, i paarritshëm për nga koncepti dhe i paimagjinueshëm për nga trajtimi i problemeve kombëtare dhe fetare të kohës. Një model i patejkalueshëm për institucionet e sotshme, madje qofshin ato edhe akademike, në përgatitjen e raporteve mbi aktivitetet vjetore. Një grup personalitetesh fetare me taban të fuqishëm kombëtar brenda një viti e gjysmë kanë inicuar e kryer aktivitete specifike, të denja për Ministrinë e Arsimit, të Kulturës, të Administratës, të digastereve statistikore, të trashëgimisë kulturore etj. Një raport kaq gjithëpërfshirës, kaq voluminoz, me aq shumë informata të përgjithshme e statistikore, me aq shumë vizion e propozime për një perspektivë më të ndritshme – këtë materie kombëtare vështirë se e gjen sot në platformat dhe programet kombëtare të partive tona, të cilat as për së afërmi nuk e reflektojnë vizionin e këtyre personaliteteve të Ulema Mexhlisit të vitit 1938. Tash e tutje, pa u cituar ky Dokument në shkrimet historike mbi shqiptarët e viseve etnike në mes të dy luftërave, do t’i bëjë ato që të jenë të mangëta nga ana shkencore.

“Raport mbi punën e Ulem Mexhlisit për periudhën 01.07.1938 – 01.01.1940” është një monument historik e shpirtëror, i cili do të flasë përjetë me zë të fuqishëm për realitetin historik të shqiptarëve të viseve etnike dhe, përgjithësisht, për myslimanët në trojet e veta në prag të marrjes fund të të gjitha planeve e projekteve genocidale serbe për spastrimin etnik të këtyre trojeve, si dhe për serbizimin e shqiptarëve ortodoksë, shqiptarëve të getoizuar dhe të mbarë popullit maqedonas.