` . Një dekadë pavarësi – më shumë tregti sesa ekonomi – TV-SHENJA

Një dekadë pavarësi – më shumë tregti sesa ekonomi

Marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni, me theks të veçantë në aspekt të trendit dhe cilësisë së shkëmbimit tregtar, po ashtu vlejnë për t’u analizuar. Konvertimi statistikor i kësaj marrëdhënie (në Maqedoni-Kosovë) bëhet më shumë për efekte të statistikave (më konsistente), edhe atë në tre aspekte: në tregtinë e jashtme, investimet e huaja dhe shërbimet “e padukshme”.

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Kosova sapo e festoi dekadën e parë të pavarësisë me përplot zhvillime dhe sfida në gjitha aspektet. Përvjetorët jubilarë zakonisht janë rast i mirë për vlerësim (bilancim) të (mos)arritjeve dhe (mos)përmbushjeve. Optimistët, gjithnjë duke pasur parasysh rrethanat, do të ishin të kënaqur me përmbushjet. Lista e arritjeve edhe nuk duhet nënçmuar. Pesimistët, për të mos thënë nihilistët, do bënin një listë edhe më të gjatë se të parët me dështimet ose lëshimet. Mbase të dy palët kanë të drejtë. Por, për të mbetur realist racional, gjithnjë në rrethanat e caktuara, si të brendshme ashtu edhe të jashtme, duhet thënë se asnjë përmbushje dhe arritje nuk është e përkryer që të mos mundej më shumë dhe më mirë. Me rëndësi është të shfrytëzohet performanca e kaluar për ta përmirësuar dhe dinamizuar zhvillimin e mëtejmë në të gjitha aspektet, si ato politiko-demokratike, ashtu edhe ato ekonomike, sociale, kulturore, sportive,…etj., me një fjalë të zhvillimit njerëzor.

Për një vlerësim më përmbledhës zakonisht shfrytëzohet Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI-Human Development Index), të cilin para çerekshekulli e dizajnuan ekonomistët e mirënjohur – ai pakistanez Mahbub ul-Haq dhe ai hindus Armantia Sen. Sipas këtij indikatori sintetik, për pesimistët e habitur, Kosova – sipas llogaritjeve të PNUD-it (UNDP Human Development Report 2016) – qëndron pothuaj po aq mirë sa edhe Shqipëria, Maqedonia ose Bosnje e Hercegovina e Serbia. Në vlerësimet e fundit të publikuara të këtij indeksi në vitin 2016 (për 2015) nga Kombet e Bashkuara raportohet për Serbinë 0,776, Shqipërinë 0,764, Bosnjë e Hercegovinën 0,750, Maqedoninë 0,748 dhe Kosovën 0,740! Kosovën e “ngre lart” indeksi i kohëgjatësisë mesatare ose i shëndetësisë (0,785) dhe arsimi (0,751), ndërkohë që e “mbanë ulët” indeksi i bazës materiale ose i të ardhurave për frymë (GDP për capita) prej 0,6925. Pa e komentuar më thellë këtë strukturë, konsideroj se është rezultat i strukturës së papërshtatshme ekonomike vendore dhe të ardhurave nga remitancat që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetësi dhe arsim.

Nuk është hera e parë që e trajtojmë këtë aspekt në këtë trekëndësh, bile po në këtë revistë, posaçërisht në kontekst të bashkimit ekonomik shqiptar (BESH) dhe shfrytëzimit të komplementaritetit e sinergjisë së resurseve në këtë regjion etnik. Potenciali, nevoja dhe interesi për t’i motivuar këto marrëdhënie do të mbeten në prioritetin e lartë të trajtimit, sado që mund të përsëritemi me disa konstatime të kohëpaskohshme. Qeveritë e të dyja vendeve promovojnë shumë më shumë vullnet politik dhe deklarativ sesa që realisht dinamizohet procesi. Bile vetë bizneset, të motivuar nga interesat shumë parciale dhe koniunkturale, shpeshherë i “korruptojnë” elitat politike për monopole shtetërore, kjo në dëm të konsumatorëve, tregjeve dhe, në instancë të fundit, edhe të interesave kombëtare. Fatkeqësisht akoma ka shumë tregime “të suksesshme” në pengesat artificiale dhe burokratike të proteksionizmit irracional të tregjeve regjionale në kontekst mikrostruktural të tyre!

Për t’i vlerësuar pak më thellë marrëdhëniet ekonomike në “trekëndëshin shqiptar” duhet analizuar makrostatistikat ekonomike të sektorit të jashtëm, në këtë rast Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Maqedoni. Marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike Shqipëri-Kosovë, gjithnjë duke iu referuar potencialit, akoma janë shumë larg mundësive dhe rrethanave. Shqipëria realizon shkëmbim tregtar vjetor (sipas shënimeve të fundit për vitin 2017) rreth 6,7 miliardë euro në vit (2 miliardë eksporte dhe 4,7 miliardë importe) dhe Kosova, duke pasur parasysh potencialin dhe rrethanat, akoma rangohet ulët në këtë listë. Shkëmbimi tregtar (eksport-importe) nuk e tejkalon vlerën prej 220 milionë euro në vit me eksport rreth 160 milionë euro dhe import prej rreth 70 milionë eurosh. Kështu akoma prijnë vendet, si: Italia, Greqia, Turqia, Gjermania, Franca, Spanja dhe Kina. Ana pozitive për t’u shënuar në këtë marrëdhënie qëndron në trendin rritës, meqë gjatë vitit 2017 Shqipëria shënoi rritje të eksporteve në Kosovë prej rreth 35%, që ishte rritja më e lartë pas Spanjës (me një rritje “sezonale” prej rreth 87%).

Marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni, me theks të veçantë në aspekt të trendit dhe cilësisë së shkëmbimit tregtar, po ashtu vlejnë për t’u analizuar. Konvertimi statistikor i kësaj marrëdhënie (në Maqedoni-Kosovë) bëhet më shumë për efekte të statistikave (më konsistente), edhe atë në tre aspekte: në tregtinë e jashtme, investimet e huaja dhe shërbimet “e padukshme”.

Relacioni i parë, ai tregtar, akoma dëshmon për një marrëdhënie ekstremisht të çekuilibruar midis Maqedonisë dhe Kosovës, edhe pse në trend rënës. Ky trend shumë kohë më parë është paralajmëruar se do të ndodhë edhe për shkak të tendencave të substituimit të importeve maqedonase me ato serbe edhe për efekte të çmimeve dhe të cilësisë. Për sa kohë vazhdon “përmirësimi” i marrëdhënieve politike midis Kosovës dhe Serbisë, ky trend do të vazhdojë, gjithnjë në dëm të eksporteve të Maqedonisë. Politikat preferenciale të eksportuesve maqedonas për tregjet kosovare janë të njëanshme. Aty akoma dominojnë preferencat për të eksportuar, për të mos thënë eksploatuar tregjet e njëanshme. Ashtu si para 10 viteve (2009) edhe sot e aktualisht eksportet maqedonase i tejkalojnë importet me mbi 80%! Një çekuilibrim i tillë pothuaj nuk ekziston në asnjë vend të Evropës, ndërsa në regjion jo se jo! Ja çfarë tregojnë shënimet zyrtare të sektorit të jashtëm (në miliona euro):

 

Viti Eksporti Importi Eksporti Importi Suficiti tregtar
  RM – gjithsej  Kosovë RM – gjithsej  Kosovë  
2008 —- —- —- —- Maqedonia s’ka shënime statistikore
2009 1.900 219 3.600 7 222
2010 2.500 332 4.200 17 315
2011 3.200 396 5.100 26 370
2012 3.100 305 5.000 22 283
2013 3.200 209 5.100 22 187
2014 3.700 175 5.500 27 148
2015 4.100 177 5.800 23 154
2016 4.300 188 6.100 30 158
2017 4.900 196 5.900 35 161
Burimi: www.bprm.org statistikat e sektorit të jashtëm.

 

Vetëm vëllimi dhe tendenca e shkëmbimit financiar së paku rezulton me tre konstatime të qëndrueshme. E para, Kosova për Maqedoninë ka qenë dhe mbetet vendi i dytë me suficit të lartë tregtar, menjëherë pas Gjermanisë, me të cilën ka suficit prej mbi 1,2 miliardë euro, kjo sipas shënimeve për vitin 2016. Ndërkohë që me këtë suficit është vendi i parë në regjion. E dyta, Kosova për Maqedoninë është e treta në listë për vëllim eksportesh në vit, pas Gjermanisë (me 2,033 miliardë euro) dhe Bullgarisë me 281 milionë euro. Bile, Kosova ia kalon edhe Serbisë, e cila rangohet menjëherë pas Kosovës, pavarësisht përmasave, potencialit dhe marrëdhënieve ekonomike tradicionale. E treta, struktura cilësore e mallrave dhe kostot e eksporteve nga Maqedonia në Kosovë mbeten më të ulëta dhe më përfituese, kjo krahasuar me të gjitha vendet e tjera. Madje, këtu Kosova është e para në listë.

Nëse do vazhdojë sjellja nënçmuese e Maqedonisë ndaj Kosovës – importe dhe investime infrastrukturore, me siguri që ky treg do vazhdojë të humbet dhe tendencat rënëse do jenë edhe më të dukshme. Pas disa viteve, sapo të rritet intensiteti i shkëmbimit tregtar i Kosovës me Shqipërinë, që është e pritshme për shumë arsye, dhe sapo të konsolidohen marrëdhëniet politike me Serbinë, importi tregtari i Kosovës nga Maqedonia do shkojë në ulje permanente.

Aspekti i dytë i marrëdhënieve ekonomike midis “trekëndëshit” të lartpërmendur, i analizuar përmes investimeve të huaja (direkte dhe indirekte), tregon nivel shumë të ulët të bashkëpunimit regjional. Shënimet për tre vitet statistikore (të fundit, që janë të disponueshme) e tregojnë këtë gjendje:

 

Në miliona euro 2014 2015 2016
Investimet nga Kosova në Maqedoni 5,9 8,2 4,2
Investimet nga Maqedonia në Kosovë 4,8 4,3 7,1
Investimet nga Shqipëria në Maqedoni 35,3 32,6 39,6
Investimet nga Maqedonia në Shqipëri 3,1 6,9 1,1
Burimi: www.nbrm.org statistikat e sektorit të jashtëm.

 

Edhe këto shënime dëshmojnë se Maqedonia “e do Kosovën” për treg, por jo edhe Shqipërinë, ashtu siç ajo e do Maqedoninë! Zaten, kjo reflekton, së paku sipas perceptimeve, edhe në përditshmërinë e relacioneve ndërshtetërore!

Aspekti i tretë, ndoshta më interesanti, qëndron ne relacionet e shkëmbimit, pothuaj të “njëanshëm” të shërbimeve, që statistikisht akoma nuk “materializohen” si duhet e që mund t’i cilësojmë si “të padukshme”! Këtu para së gjithash i kam parasysh shërbimet spitalore, tregtare, turistike dhe rekreative të kosovarëve, që i konsumojnë në Maqedoni. Suficiti i këtij shkëmbimi në favor të Maqedonisë, karshi Kosovës, është shumë evident. Qendrat klinike, spitalore (Acibadem-Sistina, Remedika… etj.), tregtare (posaçërisht City Mall), gastronomike dhe ato turistike (Kodra e Diellit, Mavrova) e krijojnë këtë suficit. Kjo preferencë mbetet shumë e çuditshme, posaçërisht kohët e fundit, kur vet Kosova ofron shërbime shumë cilësore tregtare, por edhe shëndetësore. Bile, edhe takimet midis vete afaristëve kosovarë më shpesh realizohen në Shkup. Mbase kjo duhet studiuar pak më detajisht, por mendoj se nga sjellja konsumatore më shumë rezulton te jetë faktor psikologjik sesa tregtar.

Në këtë relacion marrëdhënia e Shqipërisë me Maqedoninë mund të jetë më e ekuilibruar. Përderisa shqiptarët (për shkaqe segmentimi si konsumator më elitar) e preferojnë më shumë Ohrin dhe Mavrovën, maqedonasit (në kuptim etnik të fjalës) më shumë e preferojnë bregdetin shqiptar, kjo për shkaqe të çmimeve akoma shumë më të ulëta, madje më lirë edhe se turizmi i tyre liqenor!

Analizat e marrëdhënieve të lartpërmendura, posaçërisht për disa aspekte, nuk kanë shpjegime racionale e aq më pak shkencore. Sistemi ekonomik i këtyre marrëdhënieve, posaçërisht në aspektin doganor e tarifor, dhe të alikuotave individuale, duhet të rishikohet gjithnjë në interes të rritjes së bashkëpunimit ekonomik, por të balancuar. Nëse këtu nuk ndërhyhet me masa stimuluese, rregullimi automatik do të ndodhë me fuqinë e ligjeve të tregut, por pastaj rikthimi i tregjeve do jetë shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur.

Marrëdhëniet shumë të mira politike regjionale të qeverisjes aktuale të Maqedonisë, në aspektin e vullnetit politik, kanë afat të caktuar në përmirësimin e eko-sistemit afarist regjional. Si Shqipëria, e posaçërisht Kosova, kanë investuar shumë në ngritjen dhe përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore në këtë trekëndësh ekonomik, por këto akoma aspak nuk ndiqen nga Maqedonia. Nëse vullneti deklarativ politik nuk materializohet në projekte konkrete, do të vazhdojnë tendencat përkeqësuese në disfavor të vet Maqedonisë. Pastaj do jetë shumë vonë!