` . Një ‘akademi’ alternative – TV-SHENJA

Një ‘akademi’ alternative

Të merresh me botën e botimit, të lançosh një publikim të profilit të lartë, një revistë të veçantë, siç është ajo për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia” është vetëbesim, guxim intelektual, është idealizëm. Këtyre ditëve doli në opinion dhe ra në duart e lexuesve numri i dytë i kësaj përmbledhjeje, që siç thuhet në parathënie, synon të jetë “derë e hapur për mendje të hapura, për njerëz të ditur e për krijues me vokacion”, ta avancojë nivelin e vlerave (f. 7).

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Një ligjëratë e shtunës së kaluar në një OJQ shkupjane dhe ra fjala te inteligjenca artificiale dhe roboti i parë me nënshtetësi: Sophia dhe Arabia Saudite. S’na kujtohej emri i robot-njeriut, “mbinjeriut” dhe menjëherë në google e gjetëm dhe ua demonstruam ndjekësve të kursit fjalimin dhe debatin e Sophias me njerëzit. Koha dhe fryma ose shpirti i kohës. Të dhënat empirike: jetojmë në kohën e ndryshimeve globale, kur libri, revista, publikimet janë out, ndërsa teknologjitë informatike janë in, kur edhe ne intelektualët jemi në dilema të blejmë ose jo libra klasikë, në letër, ose të mjaftohemi me botimet në pdf ose elektronike, të cilat janë të aksesueshme kryesisht në “gjuhën e shenjtë” të kohës, anglisht. Është, pra, periudha e humbjes së komoditetit edhe si ligjërues. Kujdes se mund të rrëshqasësh, sepse studenti para syve mund të të shpalosë fakte nga oqeani i datave të periudhës së netizen-it (qytetarit të rrjetit). Për sa i përket popullatës juvenilie, është koha e gjeneratës i (i-gen) dhe alpha (Alpha gen), të rinjve që kohën e kalojnë në lojëra virtuale, që më pak lexojnë libra, gazeta thuajse hiç (ne dikur ditën e fillonim duke lexuar disa syresh, kur s’kishim para, në bibliotekë), që me smartfonët e iPadët në dorë bien të flenë në dy të natës, duke surfuar nëpër mediat sociale, që janë gjendje t’i transferojnë të dhënat dhe njohuritë në sekonda…

Dhe, në këto rrethana të merresh me botën e botimit, të lançosh një publikim të profilit të lartë, një revistë të veçantë, siç është ajo për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia” është vetëbesim, guxim intelektual, është idealizëm. Këtyre ditëve doli në opinion dhe ra në duart e lexuesve numri i dytë i kësaj përmbledhjeje, që siç thuhet në parathënie, synon të jetë “derë e hapur për mendje të hapura, për njerëz të ditur e për krijues me vokacion”, ta avancojë nivelin e vlerave (f. 7). Kjo përmbledhje, që duhet lexuar gjatë gjithë vitit, sipas gjendjes mendore dhe preferencave, botuar nga shtëpia botuese nga Prishtina “Armagedoni”, i ka gjithsej 582 faqe dhe ngërthen nja larmi temash, ku secili mund ta gjejë vetveten, nga diada politika dhe përkthimi, doktrinat e mëdha morale, stereotipat ballkanike, sociologjia e moralit, ajo e kohës së lirë, shqipja standarde dhe odat krahinore dialektologjike, doksa, përvetësimi i shkathtësive gjuhësore, revolucioni i UÇK-së dhe media, lëvizja studentore e 1997-tës e të ngjashme. Përveç këtyre spektrumeve (ese, kritikë, gjuhë, media), aty do të gjeni edhe prozë e poezi, dramë. Do të njiheni dhe do të komunikoni me figura të mëdha universale, si Kazuo Ishiguro, Charles Bukowski, Dino Buzzati, Ephrahim Kishon, Luigi Pirandello, Ahmed Saadawi, Izet Sarajlić, Bob Dylan, Berthold Brecht, Frederico Garcia Lorca, por edhe me autorë vendas, shqiptarë, si Milazim Krasniqi, Nikollë Berishaj, Shefkije Islamaj, Lulzim Tafa, Rakela Yzeiri (Zoga), Isuf Sherifi etj. Revista ka frymë mondiale. Në këtë numër frekuentojnë me penat e tyre figura nga katër anët e botës: Hong-Kongu, Franca, Iraku, Bosnja, Japonia, SHBA-të…

“Akademia” afirmon edhe frymën e përkthimeve cilësore nga gjuhë të huaja të teksteve me peshë dhe me vlera autentike, subjekt ky që trajtohet në një nga artikujt ku përkthyesit tipologjizohen në konservatorë (niveli i fjalë dhe fjalisë) dhe shpirtërorë (teksti në funksion të kulturës). Ndër artikujt që bien në sy me zbërthimin dhe mesazhin është ai i Jiangut, që e trajton veprën Lotët e kripur të Pietro Martolos, mjekut italian, që jeton zotimet humanitare, i përballur me çështjen e identitetit europian dhe refugjatët nga dherat arabe, që ka zgjedhur t’u ndihmojë familjeve të ndara, grave shtatzëna nga përdhunimet… Aty jepen edhe sekuenca interesante si pasioni i diktatorit Castro për letërsi: libri i vockël i mbështjellë me lëkurë të kuqe, “Është mjeshtri im Hemingway”. Diskursi i këtij publikimi na shpie edhe te izmat dhe centrizmat (në 2015 Merriam-Webster ka shpallur prapashtesën ism si fjalën më të kërkuar në webin e vet), Donald Trump-i (i ndërlidhur me pandehmat për fashizmin), te ballkanizimi, orientalizimi dhe oksidentalizimi (f. 27), moda, tradita dhe feja, arti (“Çdo vepër arti është një monument!” – Deleuzes & Guattari), rrëfimi personal dhe dokumentar (f. 72), nacionalizmi, joshja dhe fundi i komunizmit (f. 132), Prizreni në luftë, problemet studentore (f. 289), mitologjia, vëllavrasja (f. 317-8). Aty do gjeni edhe futurizëm poetik (“Në vitin 2020”), religjiozitet poetik (simbolika e “trokitjes në derën e parajsës”, f. 375), poezi psikologjike (“Jashtabrenda vetes”, f. 411), tendencat pro-kosovarishtase (f. 476), kumtin e protestës si alternativë (f. 572), rrëfime nga dhuna seksuale (f. 580) e kështu me radhë. Në përgjithësi, pasqyra e lëndës është e një niveli të lartë, paletë e pasur temash, me një vizualitet tërheqës.

Botuesi ndoshta do duhej të bënte edhe disa makijazhe të vogla, si abstrakte të shkurtra në anglisht për tekstet shkencore, por të bëhet edhe zgjerimi i redaksisë, në mënyrë që botimet me poshtëshënime dhe me metodogji shkencore aty ta kenë peshën e vet shkollare edhe në rrafshin akademik të mirëfilltë. Sidoqoftë, “Armagedoni” meriton çdo lëvdatë për këtë nismë fisnike, që iluminon demosin në kohën e kontaminit masiv dhe të antivlerave me bollëk.