` . Nisi edicioni 58-të i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë (VIDEO) - TV-SHENJA

Nisi edicioni 58-të i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë (VIDEO)

Mbrëmë çeli siparin festivali më I madh poetik Mbrëmjet strugane të poezisë. Në hapjen solemne të e Edicionit të 58-të të festivalit mori pjesë edhe ministri I kulturës Hysni Ismaili. “Të flasësh për poezinë është një detyrë sa e vështirë, po aq e çuditshme – duhet ta përdorësh fjalën për ta madhëruar dhe himnizuar përsëri fjalën”, tha ministri i Kulturës, Ismaili.  Në fjalimin e tij, duke falënderuar për praninë, ai e citoi thënien e famshme të Pasternakut se “Njeriu i keq nuk mund të bëhet poet i madh”.

Në drejtim që të ngrihet komunikimi gjuhësor i festivalit si pjesë e përpjekjeve për të avancuar cilësinë e manifestimit, reputacionin dhe rëndësinë e tij ndërkombëtare, prej këtij viti një pjesë të përmbajtjeve, si dhe leximeve kryesore të festivalit përfshijnë përdorimin e gjuhëve të shumta, përkatësisht përveç gjuhës maqedonase dhe angleze, do të përdoren edhe gjuha shqipe dhe frënge. Në kuadër të programit në edicionin e sivjetëm të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, janë paraparë lexime të shumta poetike në vende të ndryshme, në të cilat do të prezantohen 32 poetë të huaj dhe 30 poetë vendorë të brezave të ndryshëm.

Fituese e sivjetme e “Kurorës së Artë” është poetja rumune, Ana Blandiana, ndërsa fituese e çmimit “Urat e Strugës” është Monika Herceg. Sa i përket fituesit të sivjetëm të çmimit “Vëllezërit Milladinov”, juria e komisionit nga titujt e pranuar e bëri përzgjedhjen prej pesë librave dhe autorëve që do të prezantohen në Festival dhe prej të cilëve do të shpallet fituesi i çmimit “Vëllezërit Milladinov” në konferencën për shtyp në kuadër të Programit të Festivalit. Festivali që nisi mbrëmë do të përfundojë më 26 gusht. /SHENJA/