` . Nimic propozon 5 alternativa për emrin e Maqedonisë – TV-SHENJA

Nimic propozon 5 alternativa për emrin e Maqedonisë

Greqia dhe Maqedonia mund të jenë afër fundit të mosmarrëveshjes së tyre prej një çerek shekulli lidhur me emrin zyrtar të Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency.

I dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Metju Nimic, thuhet se u ka propozuar pesë alternativa për emrin delegacioneve të të dy vendeve gjatë bisedimeve që zhvillohen në New York.

Të gjithë propozimet të paraprira nga termi “Republika e”, janë: Maqedonia e Re, Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia (Shkupi).

Edhe pse Nimic ka thënë se procesi është duke shkuar në drejtimin e duhur, negociuesi i Maqedonisë, Vasko Naumovski, i ka cilësuar propozimet e paraqitura nga ndërmjetësi i OKB-së si alternativa “larg një zgjidhjeje dinjitoze”.

Athina nuk dëshiron që fqinji i saj të ketë emrin Maqedoni për shkak të ekzistencës së një rajoni në Greqi me të njëjtin emër.

Ndërkohë, në Greqi është duke mbizotëruar një krizë qeveritare teksa bisedimet vazhdojnë.

Partia ultra-konservatore Grekët e Pavarur, e cila është pjesë e qeverisë së koalicionit kryesisht majtist, ka thënë se ajo kundërshton çdo emër që përfshin termin “Maqedoni”. Partia kryesore e opozitës Demokracia e Re ende nuk ka shprehur qëndrimin e saj zyrtar për këtë çështje.

“Unë përpiqem të gjej mundësitë që kanë njëfarë realizmi. Unë vetë nuk mendoj se është realiste të presësh që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë të mos e ketë termin Maqedoni në një formë në emrin e saj”, ka theksuar Nimetz.