` . Nikollovski: Zaev premtoi se Volkswagen do të hap fabrikë në Maqedoni, ata po e hapin në Turqi - TV-SHENJA

Nikollovski: Zaev premtoi se Volkswagen do të hap fabrikë në Maqedoni, ata po e hapin në Turqi

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski sot ka akuzuar Qeverinë se ka gënjyer sa i përket investimeve të huaja. Nikollovski ka shkruar se kryeministri Zaev, transmeton SHENJA, në fillim të vitit kishte paralajmëruar investim të kompanisë Volkswagen në Maqedoni, por ja që ajo ka vendosur të investojë në Turqi.
“Këtyre ditëve zyrtarisht Volkswagen njoftoi për investimin e saj e cila për fat të keq nuk është në Maqedoni por në Turqi. Vlera e investimit është një miliard e katërqind mijë dollarë, një numër fantastik, rreth një të tretën e tërë buxhetit të Maqedonisë sa për krahasim. Hap 5000 vende të reja të punës dhe 10 mijë vende pune në mënyrë indirekte. Sipas asaj që e ka publikuar Volkswagen, Maqedonia për fat të keq nuk ka hyrë as në fazën finale të përzgjedhjes, gjegjësisht në fazën finale kanë qenë Serbia, Bullgaria, Romania dhe Afrika e Veriut, por jo edhe Maqedonia”, ka shkruar Nikollovski, duke shtuar se opinioni edhe një herë po e vërteton se me çfarë njeriu kemi të bëjmë, ndërsa ka kërkuar që sa më shpejtë të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. /SHENJA/