` . Nikollovska: Bisedat e përgjuara të pranohen si prova - TV-SHENJA

Nikollovska: Bisedat e përgjuara të pranohen si prova

Margarita Caca Nikollovska vlerëson se “bombat” e opozitës nuk guxon të përjashtohen nga lista e provave të prokurorisë pasi që Prokuroria Speciale është formuar për këtë qëllim dhe ato prova janë burimi i vetëm ose më i sigurt prej ku janë zhvilluar hetimet për krim dhe korrupsion. Caca Nikollovska thotë se edhe vetë praktika e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut parasheh përdorimin e materialeve nga të cilët buron informacioni për krim dhe korrupsion.

“Provat me të cilat punon Prokuroria Speciale, sidomos në pjesën e bisedave të përgjuara, është diçka që trajtohet në rastet e Strasburgut dhe pranohen si prova, në rast se plotësohen disa kushte tjera. Këto janë kushtet për trajtim korrekt. Kjo nënkupton që pala tjetër të ketë të drejtën e mbrojtjes, të mund të kundërshtojë me argumentet e saja kundër provave që parashtrohen nga prokuroria”, ka thënë Margarita Caca Nikollovska, gjykatëse.

Nikollovska thekson se me rëndësi është që përgjimet të mos jenë prova e vetme që merret si bazë për ndonjë vendim gjyqësor. Sipas saj, Parimet evropiane thonë se vetëm provat që merren si pasojë e torturave, janë prova që nuk merren si bazë për të vërtetuar një situatë konkrete. Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes së Gjykatësve, Gjemali Saiti, thotë se akoma është e paqartë se kur do të vazhdojë seanca e radhës e Gjykatës Supreme ku duhej të diskutohet për përdorimin e mundshëm të përgjimeve si prova.

“Me të vërtetë nuk mund t’u them se a është caktuar seancë pasi nuk kemi informatë zyrtare se kur është do të mbahet vazhdimi. Nëse ka informatë zyrtare, me siguri do të informoheni edhe nga shërbimet e Gjykatës Supreme”, ka deklaruar Xhemali Saiti, kryetar i Lidhjes së Gjykatësve.

Lidhur me takimin që dje u mbajt mes përfaqësuesve të Prokurorisë Speciale dhe kompanisë Telekom, gjykatësja Margarita Caca Nikollovska tha se ky është një hap i mirë, duke theksuar se në këtë rast, ka munguar transparenca nga ana e gjykatave të cila nuk kanë sqaruar se për çfarë arsye nuk kanë dhënë urdhëresë gjyqësore për kontroll.

Abdulla Berisha /SHENJA/

Nikollovska: Bisedat e përgjuara të pranohen si… by tvshenjaofficial

 

 

Postime të Ngjajshme