` . Nikolla Dimitrov: Ballkani nuk është në listën e prioriteteve të Uashingtonit – TV-SHENJA

Nikolla Dimitrov: Ballkani nuk është në listën e prioriteteve të Uashingtonit

“Gatishmëria e Presidentit Trump për të mbështetur marrëdhënie më të të afërta me Rusinë mbase është sfida më e madhe për baraspeshën gjeopolitike në plan afatshkurtër. Nëse Trump-i, duke e definuar interesin e SHBA-ve më ngushtë nga pararendësit e tij, e hap derën për veprim të lirë të Rusisë në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, kjo do të ketë implikime shumë serioze për aleatët amerikanë dhe marrëdhëniet transatlantike”, thotë Dimitrov.

Intervistoi: Ismail SINANI

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Uashington, Nikolla Dimitrov, në intervistën ekskluzive për revistën SHENJA, flet mbi ndikimin e zgjedhjes së Presidentit Donald Trump në zhvillimet në rajon, por edhe më gjerë në glob. Sipas tij, qasja e Presidentit të ri do t’i ripozicionojë Shtetet e Bashkuara në arenën ndërkombëtare. Dimitrovi i paralajmëron edhe krerët e vendeve të Ballkanit, duke ndezur alarmin se kjo pjesë e kontinentit nuk gjendet në majat e listës së prioriteteve të Uashingtonit zyrtar, aq më tepër kur dihet se në shumë vende të tjera të botës ka vatra të krizës.

SHENJA: Ishit ambasador i Maqedonisë në SHBA, pastaj negociator kryesor në kontestin për emrin. Si njohës i shkëlqyer i diplomacisë, si dhe i rrethanave në SHBA, cilat janë pritjet tuaja nga presidentimi i Donald Trump-it?

DIMITROV: Siç përmenda para disa ditësh në një panel në Hagë në këtë temë me dy politikanë holandezë, fjala inaugurim është me rrënjë nga fjala latine “augur”, e cila në Romën e vjetër ka paraqitur ndonjërin që e ka parashikuar të ardhmen mbi bazë të fluturimit dhe të formës së tufës së zogjve. Sot jo vetëm që e kemi harruar një çikë këtë shkathtësi, së paku ne që merremi me politikë të jashtme, por nuk kemi as edhe informacione të mjaftueshme për të bërë projeksionet relevante. Mendoj që edhe ekspertë më të mirë se unë për SHBA-në dhe politikën e tyre të jashtme do të ballafaqohen me pikëpyetje të mëdha në pyetjen tuaj kyçe në këtë moment, vetëm disa ditë pas inaugurimit të Presidentit Donald Trump. Madje, edhe nënkryetari i mëparshëm Bajden kohë më parë tha se nuk ka kurrfarë ideje se çka do të bëjë Presidenti Trump. Duke u nisur nga përmbajtja dhe toni i deklaratave të tij dhe i porosive të shkurtra në rrjetet sociale, sipas shumë analistëve, parashikueshmëria e vetme që pikaset është paparashikueshmëria e politikave të ardhshme të SHBA-ve. Nëse kjo është e saktë, vetvetiu është problem serioz për arkitekturën dhe funksionimin e rendit botëror, ku shtylla më e madhe është pikërisht Amerika. Nga ana tjetër, është i njohur edhe konteksti global me të cilin do të ballafaqohet administrata e Trump-it. Ai trashëgoi një varg sfidash në kohën kur disponimi midis amerikanëve për angazhim ndërkombëtar shënon rënie: konfliktet në Lindjen e Mesme, terrorizmi, revizionizmi i Rusisë, marrëdhëniet me Kinën, populizmi dhe nacionalizmi në rritje në Evropë, e cila ballafaqohet me një seri krizash të brendshme e të jashtme.

SHENJA: Ndryshimi i politikave të jashtme të SHBA-ve mund të ketë implikime në politikat globale dhe në balancën e aktorëve globalë në politikën botërore. A prisni se do të ketë ndryshim të këtyre politikave, në çfarë mase prisni që ato mund të ndryshojnë dhe çfarë implikimesh mund të kenë ato për rrethanat globale?

DIMITROV: Ka faktorë objektivë, brenda dhe jashtë SHBA-ve, siç është Kongresi, ose hapat e shteteve të tjera, që do të ndikojnë në mënyrë restriktive ndaj politikave të administratës së re amerikane. Krahas toneve të deklaratave bombastike të Presidentit Trump në fushatë, duhen pasur parasysh edhe dëshmimet e funksionarëve të lartë në Senat dhe qëndrimet e tyre. Megjithatë, e ndershme është të thuhet se ndoshta çështja më e madhe që hapi zgjedhja e Trump-it, siç theksuan kohë më parë ekspertët e Çatam Haus (Chatham House), është statusi i Perëndimit si lider global. Po qe se bota nuk shikon më tek Amerika shembullin e ndritshëm të shoqërisë së hapur dhe tolerante të vlerave, shembull ky që do të duhet të ndiqet, atëherë mundësitë e saj për të udhëhequr janë dobësuar edhe përkundër fuqisë ekonomike dhe të mbrojtjes. Njëkohësisht, nëse realizohen paralajmërimet se SHBA nuk do të kenë shumë apetit për ta bartur barrën e interesit të përbashkët ndërkombëtar, se interesi amerikan do të definohet më ngushtë, se interesi ekonomik i Uashingtonit do të jetë më i rëndësishëm se interesi i stabilitetit gjeopolitik afatgjatë, atëherë Amerika do të shënojë ulje në ndikimin global dhe në angazhimin ndërkombëtar. Nga ana tjetër, inkurajon dëshmimi i kandidatit për Sekretar Shteti, Tilerson, i cili e potenconte nevojën për kompas moral në politikën e jashtme: “Niveli i vullnetit të mirë të Amerikës ndaj botës është unikal dhe ne patjetër të vazhdojmë të manifestojmë përkushtimin ndaj lirive personale, dinjitetit njerëzor dhe hapave parimorë në politikën tonë të jashtme.”

SHENJA: Për herë të parë një president i SHBA-ve në fushatën zgjedhore paralajmëronte marrëdhënie tjetërfare të SHBA-ve me Rusinë. A mendoni se kjo mund të ndodhë dhe në ç’drejtim mendoni se do të zhvillohen ato raporte?

DIMITROV: Gatishmëria e Presidentit Trump për të mbështetur marrëdhënie më të të afërta me Rusinë mbase është sfida më e madhe për baraspeshën gjeopolitike në plan afatshkurtër. Nëse Trump-i, duke e definuar interesin e SHBA-ve më ngushtë nga pararendësit e tij, e hap derën për veprim të lirë të Rusisë në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, kjo do të ketë implikime shumë serioze për aleatët amerikanë dhe marrëdhëniet transatlantike. Kjo do të thoshte heqje dorë nga motoja që e definonte qasjen drejt Evropës të një serie administratash nga të dyja anët – “Evropa, e plotë dhe e lirë”. Më tej, garancia e sigurisë e SHBA-ve për Evropën është baza e projektit evropian. Presidenti Trump deklaroi se NATO është “e vjetruar”, theksoi se Ukraina është “problem evropian” dhe në një intervistë kohë më parë e ktheu Bashkimin Evropian në “vegël të Gjermanisë”. Të rikujtoj që për SHBA-të, BE-ja ishte një aleat jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ai gjithashtu shprehu admirim për liderizmin e Presidentit Putin, i cili, ndërkaq, e ktheu me kompliment për Trump-in. Edhe pse këto tendenca do të hasin në pengesa të gjera politike dhe institucionale në Uashington, nëse Presidenti ngul këmbë, atëherë Rusia do ta fitojë sferën e dëshiruar të interesit në Evropë.

Nga ana tjetër, Sekretari i ri i Mbrojtjes, Xhejms Matis, deklaroi se “po të mos e kishim NATO-n sot, do të duhej ta krijonim”. Gjatë ditës së parë të tij si Sekretar i Mbrojtjes, ai kishte bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, duke e theksuar rëndësinë që për të ka Aleanca.

Vetë mospasja e porosisë së qartë dhe të parashikueshme ndaj aleatëve në lidhje me politikën amerikane ndaj Rusisë, do të ketë njëfarë ndikimi, për shkak se do të krijojë pasiguri. Sipas disa analizave, një pjesë e vendeve në Evropën Lindore do të duhet ta vlerësojnë se në ç’masë do të mund ta ruajnë orientimin properëndimor, pa SHBA-të si mbështetje në lidhje me ndikimin rus.

SHENJA: A mendoni se Presidenti i ri i SHBA-ve, kur paralajmëron ndryshimin e politikës së jashtme, mendon edhe për politikat ndaj shteteve të Evropës Juglindore? Në çfarë drejtimi do të kishin mundur të ndryshoheshin këto politika dhe me çfarë dinamike?

DIMITROV: Së pari, Presidenti Trump deri tani nuk ka deklaratë të drejtpërdrejtë në lidhje me politikën amerikane ndaj EJL-së. Së dyti, Ballkani tashmë qe një kohë të gjatë nuk është lart në listën e prioriteteve të Uashingtonit. Timoni është në duart e Evropës, ndërsa SHBA-të janë këtu si mbështetje e përpjekjeve për stabilizim, demokratizim dhe integrim të mëtejshëm të vendeve të rajonit në BE dhe në NATO. Me përjashtimin, kur ka rrezik të lartë, vëmendja e Uashingtonit rritet. Së këndejmi, pritjet për politikën e administratës së Trump-it përgjatë rajonit kryesisht mbështeten pjesërisht tek dëshirat dhe frikërat, e pjesërisht janë nxjerrë nga çështjet për të cilat folëm më parë – marrëdhëniet e SHBA-ve me Rusinë, qëndrimet dhe mbështetja amerikane ndaj aleancës së NATO-s, parimësia e politikës së jashtme, theksi i stabilitetit dhe apetitit për angazhim ndërkombëtar. Patjetër të presim dhe të shohim se a do të realizohen dhe në ç’masë mund të realizohen paralajmërimet për ndryshime më të mëdha në politikën amerikane në lidhje me këto çështje, para se të nxjerrim përfundime për reflektimet ndaj rajonit tonë. Me këtë rast, duke mbajtur llogari për nivelin e angazhimit të gjertanishëm të Uashingtonit në rajon – me bazë zëvendës-ndihmësin e Sekretari të Shtetit – si dhe dëshmimin e kandidatit për Sekretar të Shtetit Tilerson, mendoj që edhe administrata e re do të vazhdojë me mbështetjen e stabilitetit, demokratizimit dhe sundimit të drejtësisë si postulate bazë të veprimit të tyre në Ballkan.

SHENJA: SHBA-të këtu perceptohen si aleat i madh dhe si partner strategjik i shqiptarëve në rajon. A mendoni se Donald Trump-i do ta ndjekë të njëjtën praktikë apo mos prisni ndryshim edhe në kursin e kësaj politike dhe të raportit ndaj shqiptarëve në rajon?

DIMITROV: SHBA-të, në thelb, janë aleatë dhe partnerë të stabilitetit në rajon, mbështetur në parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut, qeverisjes së përgjegjshme dhe integrimin e shteteve në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në këtë perspektivë Uashingtoni aktivisht e mbështeti dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, edhe pse Evropa është në plan të parë. Përmes asaj perspektive SHBA-të e nënshkruan edhe Kartën e Adriatikut, si mbështetje e përpjekjeve të Shqipërisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Siç përmenda tashmë, edhe pse kuptohet – befasitë asnjëherë nuk përjashtohen, nuk pres ndryshime më të mëdha në drejtim tjetër. Bile, edhe parashikimet për do relacione të reja ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë po të realizohen në tërësi, Ballkani rrethohet me vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s dhe, objektivisht, nuk gjendet në situatën e zgjedhjes ndërmjet alternativave strategjike, as është, ndërkaq, në sferën e drejtpërdrejtë gjeopolitike të interesit të Rusisë.

SHENJA: Maqedonia, përveç krizës së thellë me të cilën ballafaqohet, ende problem më të madh e ka, megjithatë, kontestin me emrin, i cili tashmë disa vjet u bë parakusht kryesor për integrim të mëtejshëm në NATO dhe në BE. A mendoni se administrata e re e Donald Trump-it do të ketë qasje tjetërfare ndaj këtij problemi të Maqedonisë?

DIMITROV: Ka shumë të panjohura për çfarëdo qoftë, përveç spekulimit se administrata e re a do të ketë qasje tjetërfare në raport me çështjen e kontestit me Greqinë. Meqenëse fjala është për një çështje thelbësore për Republikën e Maqedonisë, nuk do të kisha dashur të ftuem në improvizime. Jam i bindur se pozicioni i Maqedonisë rreth emrit do të kishte qenë shumë më i fortë, ndërsa bllokada nën presion, po qe se në tërësi u përkushtohemi prioriteteve reformuese urgjente, ndërsa mosdënueshmërinë e zëvendësojmë me përgjegjësi dhe me ligj për të gjithë. Ta kthejmë vendin në rrugën evropiane, t’i departizojmë institucionet, ta ngremë ligjin mbi politikanët, t’i çlirojmë mediat dhe do të shohim se si konteksti ndërkombëtar dhe perspektivat gjithashtu do të ndryshojnë. Në të njëjtën kohë, duhet të krijojmë miq në Athinë mbi bazë të pozitave parimore, në vend se t’u japim argumente forcave të ngurta politike në raport me Republikën e Maqedonisë.

SHENJA: Gjatë protestave të fundit të aktivistëve të VMRO-DPMNE-së para KSHZ-së kishte disa mbishkrime me emrin e Donald Trump-it. A konsideroni se disponimi antiamerikan i VMRO-DPMNE-së tani do të ketë qasje tjetër ndaj Presidentit të ri të SHBA-ve? Përse mendoni se VMRO-DPMNE-ja është e admiruar me presidentin e ri të SHBA-ve?
DIMITROV: SHBA-të në Maqedoni janë në anën e demokracisë dhe të qeverisjes së përgjegjshme, e cila në instancë të fundit dhe, ndër të tjera, çon drejt stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Roli i tyre në krizën të cilën unë e quaj krizë të shtetit të robëruar dhe mosdënueshmërisë nuk ka lidhje me çështjen se kush është në pushtet në Maqedoni, ndonjë ambasadori ose ndonjë funksionari në Stejt Departament a i pëlqen Gruevski apo Zaevi. Roli i tyre dhe diagnoza, përkatësisht insistimi për përgjegjësi, si ilaç për sëmundjen e mosdënueshmërisë, është në relacion direkt me interesin për stabilitet. E dini që, edhe pse disa parti në vend presin që t’u besojnë komunikatave dhe shpalljeve partiake më shumë sesa veshëve tanë, e tërë bota mori për turpin tonë dhe për dyshimet sa një mal për kriminalitet dhe korrupsion. Në kombinim me institucionet që janë të robëruara, të cilat nuk kanë kapacitet që t’ia dalin në këtë mal, kjo është një formulë me rrezik të lartë që çon drejt destabilizimit.

Shpresa për kthesë dhe politikë të re ndaj Maqedonisë, për të cilën flisni, mbase bazohet pjesërisht në mospasjen e mirëkuptimit për motivet prapa rolit të Uashingtonit për krizën, e pjesërisht edhe në pritjet se nën liderizmin e Presidentit Trump. SHBA-të do t’u kushtojnë më pak ndikim këtyre parimeve, përkatësisht do të kenë madje edhe mirëkuptim për tendencat autokratike dhe sundimin me “dorë të fortë”. Kjo shpresë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me postulatet e politikës së jashtme të ardhshme amerikane, të cilat i paraqiti kandidati për Sekretar Shteti Tilerson. Po të kishin qenë anëtarët partiakë me mbishkrime të tilla në të drejtë, do të duhej të mërziteshim jo vetëm për të ardhmen e Maqedonisë. Do të duhej të ishim thellë të mërzitur për të ardhmen e botës.

SHENJA: Si e shihni Maqedoninë në periudhën e ardhshme nëse i marrim parasysh rezultatet nga zgjedhjet e 11 dhjetorit? Kur mund të presim, sipas jush, që edhe ne në Maqedoni të mund të jetojmë në kushte normale?

DIMITROV: Edhe krahas presionit me shtrirje të gjerë ndaj nëpunësve shtetërorë, frikësimit dhe blerjes së votave që kishte regjistruar OSBE-ja, shumica e qytetarëve votuan për drejtësi dhe përgjegjësi, për ligj mbi pushtetin, përkundër pushtetit mbi ligjin, duke e shpëtuar nderin dhe fytyrën e kombit. Në 11 dhjetor e shpërthyem edhe barrierën etnike. Bëmë kapital politik të përbashkësisë, të cilën duhet ta kultivojmë dhe ta forcojmë, duke e instaluar atë në themelet e Maqedonisë qytetare.

Në fushatë strategji kryesore Gruevski kishte përhapjen e frikës nga “fantazma” – bashkëqytetarët tanë shqiptarë. Ai arriti ta fitonte numrin më të madh të deputetëve për shkak të mosunitetit të opozitës dhe për shkak të modelit zgjedhor, por e humbi legjitimitetin. Për të sunduar, do t’i duhet koalicioni me BDI-në e Ali Ahmetit – përfaqësues i një pjese të bashkëqytetarëve tanë të njëjtë shqiptarë. Për Ahmetin dhe BDI-në qëllimi themelor janë integrimet euroatlantike. Atje, ndërkaq – që përgjithësisht të na bëjnë hesap për diçka – na duhet gjyqësia e pavarur dhe përgjegjësia në tentimet për të ndriçuar krimet. Meqenëse të dyshuarit asnjëherë nuk do të punojnë mbi përgjegjësinë e tyre – që t’i heqin duart nga gjyqësia “e drejtë”, Maqedonia me Gruevskin nuk ka kurrfarë të ardhme euroatlantike. Këtë e di edhe Ahmeti, i cili e mban çelësin. Këtë e dinë edhe votuesit e tij.

Maqedonisë nuk i duhet bashkimi i maqedonasve kundrejt shqiptarëve ose bashkimi i shqiptarëve kundrejt maqedonasve, për shkak se në një kontekst të këtillë nuk e kemi Maqedoninë të këtillë siç është. Dhe, humbim të gjithë. Maqedonisë i duhet bashkimi rreth etjes për drejtësi dhe shtet normal. Vetëm kjo rrugë na çon përpara, kah shoqëria e drejtë dhe e suksesshme, kah Evropa dhe kah NATO. Të jemi të mençur, t’i dëgjojmë votuesit dhe t’i bëjmë hapat e vërtetë. T’i përvjelim mëngët dhe të punojmë në dy themelet e së ardhmes sonë – agjendën e përgjegjësisë dhe të institucioneve të pavarura dhe agjendën e ndërtimit të shtetit të përbashkët të të gjithëve dhe për të gjithë.