` . Nga vendi më i varfër në Europë në vendin më të varfër në Europë – TV-SHENJA

Nga vendi më i varfër në Europë në vendin më të varfër në Europë

Shkruan: Vehap KOLA, Tiranë

Në çdo raport të qeverisë shqiptare progresi i ekonomisë së vendit nis të përshkruhet përmes një kontrasti dramatik, që thekson arritjet, duke i ballafaquar me pikën zero prej nga nisi puna. Fraza “nga vendi më i varfër në Europë” paralajmëron se, sado modeste, rezultatet e korrura përfaqësojnë një transformim epokal të vendit dhe rritje drastike të mirëqenies së individëve dhe familjeve. Në skajin tjetër të këtij spektri mjerimi qëndrojnë raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare që vazhdojnë ta vendosin Shqipërinë si “vendin më të varfër në Europë, nëse në këtë klasifikim nuk përfshihen vende hibride, si Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ukraina ose Moldavia. Rruga e ekonomisë shqiptare, që nga viti 1997 mund të përshkruhet përmes sentencës tragjike “nga vendi më i varfër në Europë në vendin më të varfër në Europë”.

Në vitin 2002, pasi kishte kapërcyer dukshëm kolapsin financiar të vitit 1997, Shqipëria renditej nga FMN-ja në vendin e 104-t në botë për nivelin e të ardhurave për frymë. Pas 15 vitesh i njëjti raport na rendit neve një vend më poshtë, pikërisht në pozitën e 105-të, duke u zvarritur pas Bosnjës dhe Hercegovinës dhe shumë më poshtë se fqinjët e saj: Mali i Zi, Maqedonia ose Serbia. Kjo do të thotë se ritmet e rritjes ekonomike të vendit nuk kanë qenë aq të shpejta sa ç’kanë qenë në 104 vende të tjera nga 189 vende të vlerësuara në këtë raport. Nga 3.000 dollarë, që shqiptari realizonte mesatarisht gjatë vitit 2002, ai arrin të fitojë 4.250 dollarë, një rritje mesatare vjetore më e ulët se 3%, përkatësisht 2.5%. Me këto ritme ekonomisë shqiptare i duhen të paktën 60 vite që ta arrijë mesataren e Bashkimit Europian, ndërkohë që niveli i sotëm krahasohet me vetëm 30% të nivelit europian.

Derisa ekonomia lëngon dhe varfëria është ashpërsuar, EUROSTAT-i e rendit Shqipërinë në vendin e tretë në Europë për shpejtësinë e rritjes së çmimeve. Inflacioni në muajin tetor 2016 kërceu në 3.2% sipas kësaj metodologjie, ku rritjen më të madhe e kanë grupi ushqimore me 7%. Raporti i Bankës Botërore i tetorit 2017 jep alarmin se rreth 44% e popullsisë jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, ndërsa numri i shqiptarëve që jetojnë në varfëri ekstreme me 1.9 dollarë në ditë nuk ka ndryshuar krahasuar me vitet 2015 dhe 2014. Në statistika absolute 1 milion shqiptarë jetojnë me 5 dollarë në ditë, 181 mijë të tjerë jetojnë me 3 dollarë, ndërsa numri i shqiptarëve që jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë është më i lartë se 20 mijë. Po sipas këtij raporti Shqipëria mbetet vendi më i kërcënuar nga skamja, sepse përqindja e popullsisë që jeton në varfëri dhe asaj që rrezikon të bjerë në varfëri ekstreme nuk ka ndryshuar. Me këto ritme Shqipërisë do t’i nevojiten dhjetë vite për të dalë nga varfëria e madhe vlerëson Banka.

Qeveria, e kapur në panik nga të dhënat tronditëse dhe aspak të përmirësuara të varfërisë dhe nga ecuria e dobët ekonomike, është përgjigjur me një projekt propagandistik, përmes të cilit ajo premton të sigurojë rreth 1 miliard euro për investime publike sipas skemës PPP (Partneritet Publik Privat). Por, me ekonominë e zezë të kanabisit në bumin e saj, projekti ka ngjallur dyshimet e vendeve dhe organizatave partnere, pasi mund të shërbejë si skemë për pastrimin e fondeve kriminale. FMN-ja dhe Banka Botërore e kanë kritikuar ashpër idenë duke hedhur dyshime të forta për fizibilitetin e projektit, shkallën e përfitimit për publikun, nivelin e transparencës, presionet ndaj nivelit të borxhit dhe mjaftueshmërinë e kapaciteteve të administratës publike kontroll. Buxheti i sapomiratuar për vitin 2018 angazhohet të realizojë rreth 3.7 miliardë euro shpenzime publike, nga të cilat 1 miliard euro do të alokohen për mbrojtjen sociale, 365 milionë euro për sektorin e shëndetësisë dhe 307 milionë euro për arsimin. Por, ndërsa fondet për shëndetësinë dhe arsimin nuk kanë qenë të pakta edhe vitet e shkuara, ato janë gllabëruar nga skemat koncesionare (PPP), që janë kritikuar ashpër si skema të shpëtimit të bizneseve të mëdha të afërta me njerëz të pushtetshëm.

Niveli i investimeve të huaja direkte është reduktuar ndjeshëm pas rritjes drastike të taksimit dhe kostove të punësimit në vitin 2014, 2015 dhe 2016. Një dysheme investimesh të huaja që ndihmojnë performancën e ekonomisë kombëtare sot janë disa projekte të mëdha ndërkombëtare dhe energjetike të nisura para disa vitesh, si TAP, hidrocentrali i Kalivaçit etj. Qeveria, me nervozizëm, e konsideroi të paaftë trupën diplomatike shqiptare në botë për të sjellë investime në vend, duke sinjalizuar se edhe PR i sofistikuar i saj është vënë në vështirësi ta mbrojë një situatë të pakëndshme në këtë drejtim. Një tjetër presion të madh mbi stabilitetin makro-ekonomik të vendit e ushtron borxhi publik, që arriti në 72.3% në fund të vitit 2016 dhe kosto e të cilit prek aftësinë e financave publike për të rikuperuar deficitin dhe për të realizuar investime publike. I vlerësuar për kokë banori, një shqiptar ka sot një borxh prej 3.500 dollarë në vit si detyrim i buxhetit të shtetit për financimet e siguruara nga kreditorët. Barra e borxhit për buxhetin e shqiptarit mesatar me një të ardhur vjetore mesatare për frymë prej 4.250 dollarësh përfaqëson një kërcënim serioz. Edhe njëherë shfaqet, kësisoj, niveli i thellë i varfërisë së qytetarit dhe pamjaftueshmëria e shpejtësisë së rritjes për të ndryshuar gjendjen ekonomike të publikut.

Politika fiskale e qeverisë, me taksën progresive dhe taksimin e lartë të fitimit korporativ, dividentit dhe formalizimin e beftë dhe të ashpër të aktivitetit të mikro-sipërmarrjeve, rezultoi e dëmshme për performancën e ekonomisë dhe për sfidat e zbutjes dhe reduktimit të varfërisë. Por, si efektiviteti i masave represive për formalizimin e ekonomisë, si performanca e taksës progresive, shpejt u vunë në pikëpyetje nga FMN-ja, e cila u detyrua të pranojë se bumi i të ardhurave buxhetore përpara vitit 2012 i dedikohet taksës së sheshtë dhe jo faktorëve ciklikë, siç ndodhi p.sh. në Kroaci ose Mal të Zi. Aplikimi i taksës progresive nuk i dha rezultatet e pritura, andaj qeveria duhet ta rikthejë taksën e sheshtë, gjë që fatkeqësisht nuk ndodhi as me buxhetin e ri. Të majtët në pushtet vazhdojnë t’i besojnë ndëshkimit si politikë e edukimit fiskal, ndërsa rezultatet provojnë inefektivitetin e këtij instrumenti. Ekonomia duket se i ka ezauruar potencialet e saj për të performuar në këto kushte, ndërsa rritja duket se do të ngecë në vend për të paktën disa vite, nëse politikat shtetërore nuk liberalizohen mjaftueshëm.