` . Nga ideja e një gjuhe, kombi dhe shteti shqiptar deri te multikulturalizmi joparimor - TV-SHENJA

Nga ideja e një gjuhe, kombi dhe shteti shqiptar deri te multikulturalizmi joparimor

Shkruan: Arbër Çeliku

1 Kush e tradhtoi platformën mbarëkombëtare të ngjizur në Lidhjen e Prizrenit?!

Lidhja e Prizrenit ka qenë platforma e parë dhe e fundit mbarëkombëtare për një komb, një gjuhë, një flamur dhe një shtet shqiptar. Megjithatë, kush i njeh rrjedhat historike, rezulton se ne shqiptarët e Maqedonisë, duke qenë të prirë për një fleksibilitet jo të natyrshëm të puthim dorën e çdo pushtuesi dhe, pa një pa dy, ta pranojmë edhe kulturën e tij, e kemi penguar në vazhdimësi zbatimin e kësaj platforme për bashkimin e popullit shqiptar. Që të jemi më konkretë, e kanë penguar surrogatët mercenarë, të veshur me petkun e intelektualit sipas arshinëve të armikut dhe të lëshuar në terren me një arsenal mbështetjeje logjistike dhe propagande të paparë, sa në masë të madhe ia kanë dalë që ta relativizojnë çdo lëvizje të patriotëve tanë në të mirë të kombit nëpër rrjedhat e historisë.

Në çdo periudhë të historisë tonë të dhimbshme dhe të përgjakshme, kjo sortë e prishur shqiptare, i është vërsulur çështjes tonë kombëtare si kërmëngrënësi dhe ia ka brejtur nga brenda të gjitha organet vitale. Kështu ka ndodhur në kohën e Perandorisë Osmane, në kohën e Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene, kurse kulmi ka qenë në komunizëm, kur na i mohuan emrat, shkollat, këngët, poezitë, dasmat me flamur dhe rrinim strukur si struci në ferra, duke mos guxuar as të mendonim për qenien tonë.

2 Shpërfytyrimi politik në pluralizëm

Nga rënia e komunizmit përfituan gjithë të tjerët, përpos nesh shqiptarëve dhe boshnjakëve. Megjithatë, rasti ynë është sui generis. Numerikisht ne kemi qenë popullata e tretë për nga madhësia në ish-Jugosllavi, por pa status vetëvendosjeje, shkaku i politikave përjashtuese të sistemit jugosllav. Madje, edhe Kosovës që ka rreth 97% shqiptarë autoktonë, edhe sot e kësaj dite po i mohohet pavarësia. Maqedonasit, të cilët ishin të fundit për nga numri në ish-Jugosllavi (de facto pakicë), e fituan të drejtën e vetëvendosjes, edhe atë në krahë tonin. Në vitin 1991, agjentët e specializuar shqiptarë të sistemit, të gjithë me diploma të Shkollës së Kumrovcit, të përbashkuar në masë të madhe në PPD-në e atëhershme, e nxorën popullin në zgjedhjet e para demokratike, duke e sjellë edhe nga mërgata me aeroplanë, trena dhe autobusë, me një diskurs të rafinuar politiko-patriotik karshi një mase të përvuajtur skajshmërisht, por që në vete ata fshihnin djallin e përgatitur për katrahurën kombëtare dhe i dëshmuan botës se Maqedonia nuk i shkel të drejtat e pakicave (sidomos asaj shqiptare) dhe duke na lënë neve edhe për një dekadë njësoj si në ish-Jugosllavi, por kësaj radhe si një minoritet i mjerë, ndonëse në Maqedoni jemi rreth 40% dhe me çdo normë ndërkombëtare, sidomos në përputhje me Kartën Evropiane të Gjuhëve Rajonale dhe të Pakicave, të cilën Maqedonia e ka nënshkruar në vitin 1994, por që ende deri më sot nuk e ka ratifikuar, duhej të ishim konstituivë, apo shtetformues, sepse sipas kësaj Karte thesar të Unionit Evropian, nëse në një territor politik, një popullatë e caktuar përfaqësohet me 20%, është konstituive, pra shtetformuese.

Me gjithë këta kuaj-trojanë në mesin tonë, vazhduan fuqishëm hapërimet drejt realizimit të aspiratave kombëtare, por që në çdo segment të historisë rezulton të kthehemi në pikën zero.

3 Për çfarë na shërbeu lufta e vitit 2001?!

Ata të rinj dhe të reja i kapën pushkët për realizimin e platformës mbarëkombëtare të Lidhjes së Prizrenit, e cila parashihte një gjuhë, një komb, një flamur dhe një shtet shqiptar. Nëse dikush do t’u thoshte se po luftojnë për një shtet multietnik, siç po promovohet sot, jam i bindur se askush nuk do t’i kishte rrokur armët, as do ta kishte dhënë jetën në moshë të njomë dhe as do të mbeste invalid dhe i nëpërkëmbur si mos më keq. Askush nuk e kuptoi këtë kthesë kaq radikale, por të lë të hamendësosh se ishte një skenar i vjetër, me aktorë të rinj dhe i kamufluar për bukuri.

Arritja e vetme ishte trasimi i rrugës së shtetit multietnik, por që për 2 dekada nuk u jetësua në praktikë. Elitat politike maqedonase, duke i rënë në të konceptit tonë politik të Cosa Nostra-s, i frenuan proceset drejt avancimit të shkallëshkallshëm të të drejtave tona themelore dhe ia dolën ta ruanin karakterin mono-etnik të shtetit.

Lufta më shumë u shërbeu individëve të caktuar se sa shqiptarëve, në emër dhe me mbështetjen e të cilëve ishte bërë ajo. Skenari i vjetër, me aktorë të rinj, u zhvillua për mrekulli, madje në kohë dhe hapësirë u pengua edhe avancimi i të drejtave tona kombëtare. Maqedonia e Veriut, ndonëse proklamohet shtet multietnik, në të vërtetë, ajo juridikisht ende është një shtet unitar dhe mono-etnik.

4 Përse koalicioni parazgjedhor mes LSDM-së dhe BESËS?

Sado që të proklamohet sot e gjithë ditën, se ky koalicion është bërë vetëm e vetëm për ta mposhtur BDI-në, pikërisht kjo e fundit është ideatori kryesor i këtij koalicionimi “historik”. Duke bartur nga njëra anë petkun patriotik, përmes të cilit kjo parti ka arritur dominimin në skenën tonë politike, nuk ia mban fytyra të dalë publikisht për ta çuar përpara projektin e nisur multietnik nga viti 2001 e këndej (por që ky projekt rezultoi i dështuar në vazhdimësi), dhe i lëshon eksponentët e vet, të trajnuar dhe përgatitur enkas për këtë çështje, që nga njëra anë ta legjitimojnë politikën e saj, kurse nga ana e tjetër, të shuhet përfundimisht çdo lëvizje kombëtare për jetësimin e të drejtave natyrore në Maqedoninë e Veriut.

5 Është e vështirë ta udhëzosh atë që rritet dhe jeton në liri

Fill pas mëvetësimit të Maqedonisë në vitin 1991, banorët e fshatit Baçisht të Kërçovës, të cilët gjatë komunizmit gjuhë amtare e kishin pasur maqedonishten, kërkuan të kthehen te rrënja e tyre përmes hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe. Nijazi Limanoski, i cili e ka shpikur kombin “makedonski muslimani” dhe ka marrë çmime të ndryshme nga sistemi komunist për luftën e tij kundër shqiptarëve, u dërgua si emisar për t’i bindur banorët e këtij fshati që të hiqnin dorë nga gjuha shqipe dhe rrënja e tyre, por u gjuajt me vezë dhe këmba e tij nuk guxoi më të shkelë në atë fshat.

Për mua fshati Baçisht është dhe do të mbetet simboli i rezistencës tonë kombëtare, banorët e këtij fshati, në kohët më të egra të represionit shtetëror, bënë atë, që ne nuk e bëjmë dot sot të gjithë së bashku në liri.