` . Nga “ëndërr amerikane” në “ankth rajonal” – TV-SHENJA

Nga “ëndërr amerikane” në “ankth rajonal”

Shikuar në tërësi, temat me të cilat merret filozofia janë të njëjta me temat që janë lëndë e të menduarit të religjionit. Edhe tek filozofia edhe tek religjioni lëndë është e Vërteta, në kuptimin më të lartë të fjalës, ku e Vërteta është Zot dhe vetëm Zot.”      

(G.W.F. Hegel, Enciklopedia e shkencave filozofike, Hyrje, fq.1)

Shkruan: Ferid MUHIQ, Shkup

Sokrati në Agorë

Të gjithë e kanë të njohur fatin e Sokratit. Është përballur me zgjedhjen: të heqë dorë nga bindjet e veta ose ta pijë helmin!? Sokrati kishte zgjedhur helmin.

Megjithatë, shumë pak e kishin kuptuar se çka, në të vërtetë, e solli Sokratin në këtë derexhe. Me dekada Sokrati rrinte gjithë ditën në Agorën (sheshin) athinase dhe të gjithë kalimtarët i qortonte me fjalët: “Qëndroni pak, ndaluni, më dëgjoni! Vetëm për punë, për pare dhe kënaqësi mendoni, ndërsa për të Vërtetën, për Shpirtin dhe për Zotin as që pyetni!“

Pasi u kishte ardhur mbi kokë që një leckaman, mbi të gjitha një filozof i thjeshtë, publikisht t’ua kripte mendjen, një grup qytetarësh me autoritet e të fortë kishin ngritur padi kundër Sokratit, duke kërkuar, nën kërcënimin e dënimit me vdekje, që përgjithmonë të hiqte dorë nga praktika e përmendur. Ai nuk kishte dashur të ndalej, ndërsa ata kishin qëndruar në të veten. Tjetrën e dimë.

Sokrati, mbase, ka qenë njeriu i parë ose njëri ndër të ,parët të cilët janë përpjekur që boshllëkun dhe marrëzinë e jetës kuturu ta ndryshojnë në jetën e drejtuar kah e Vërteta, Bukuria dhe Virtyti.

Nga njëra anë, thirrja e Sokratit rezultoi me fryt. Falë pasuesve më besnikë, në rend të parë Platonit e, përmes tij, edhe Aristotelit, kjo ide ishte bërë inspirim i përjetshëm i të gjitha projeksioneve filozofike të jetës, të denjë për gjininë njerëzore. Në pajtim me vizionin e këtillë eskatologjik shoqëria dhe shteti ishin kuptuar si bashkësi të cilat synojnë drejt së Vërtetës dhe të cilat udhëhiqen sipas parimeve të bamirësisë, drejtësisë dhe bukurisë.

Nga ana tjetër, thirrja e Sokratit ishte e pafrytshme. Gjinia njerëzore, përveç disa përpjekjeve episodike, mbeti e shurdhër ndaj paralajmërimeve të tij filozofike.

Ndërkohë, ëndrra për jetën e individit dhe të shoqërisë, gjithkund në botë, mbase definitivisht, ishte demensionuar nga ambicia që të udhëhiqet nga e Vërteta ose nga cilido qoftë ideal tjetër filozofik!

Sot tashmë është e qartë: Povera e nuda vai filosofia! – E mjerë dhe lakuriqe ec filozofia. (Petrarka)

E në Ballkan…

Si qëndrojnë punët në këtë pikëpamje në rajon, në këtë peninsulën (gadishullin) tonë të lavdishme – Ballkan! – ku, të kujtojmë! – për herë të parë ishte formuluar ideja filozofike për shtetin si bashkësi, e cila aksiologjikisht qartë e ka definuar ëndrrën dhe që udhëhiqet sipas asaj ëndrre!?

Ëndrra ende vegjeton, por tani si inkarnacion grotesk i ndërmarrjes epigonale të ëndrrës më me ndikim në botë – SHBA. Në fillim, joshja fascinuese, hipnotike, e ndikimit, e kishte imponuar atë ëndërr si paradigmë të tërë Ballkanit! Në mbrojtje të Ballkanit, duhet pasur parasysh se, pas Luftës së Dytë Botërore, “ëndrra amerikane” (“American dream”), pothuajse në tërë planetin filloi të identifikohej jo vetëm si më me ndikim, por pa konkurrencë dhe si model, yrnek, matricë përgjithësisht e pranuar e jetës. Kështu ndodhi që, për herë të parë në histori, në vend se me vlerat tradicionale imanente për secilën kulturë nacionale veç e veç, vizioni i jetës më të mirë, në një numër gjithnjë e më të madh vendesh, të inspirohet me vlerat e vetëm një modeli kulturor, atij të SHBA-ve, i cili, për nga dominimi i vet, tashmë krejtësisht e realisht kërcënohet që t’i pengojë dhe t’i çrrënjosë projeksionet e ëndrrat e të gjitha kulturave të tjera.

Metamorfozat e “ëndrrës amerikane“

Në vend të çështjeve aksiologjikisht të shënuara për të Vërtetën, pas Luftës së Dytë Botërore SHBA-të zgjodhën përkushtimin për të realizuar ëndrrën e fuqisë. “Ta bëjmë SHBA-në shtet të madh! Shtetin më të fuqishëm!“ – ishte motoja e cila e përcaktoi rolin strategjikisht të projektuar në botë. Por, të theksojmë menjëherë: madhësia është kategori neutrale vlere, ndërsa fuqia është po aq nocion irracional, si substrat i racionalitetit, diametralisht i përkundërt i së Vërtetës. Dhe ,kështu, modeli udhëheqës bashkëkohor u bë ëndërr e jetës pa të Vërtetën!

Nëse ëndrra për fuqinë absolute dhe rolin udhëheqës në botë mbeti konstantë në politikën e jashtme të SHBA-ve, në skenën e tyre vendore kjo ëndërr kaloi nëpër disa metamorfoza dramatike. Që nga vetë fillimi, pothuajse 90 vjet të plota, “ëndrra amerikane” ka ndikim të madh ndaj aspiratave dhe shpresave të gjeneratave të qytetarëve të këtij shteti. Në rrethanat e Krizës së Madhe, kjo “ëndërr amerikane” ishte mbështetur mbi nevojat e jetës së përditshme: të drejtën për punë që do të sigurojë jetë të pranueshme për familjen; fitim solid; shtëpi modeste; punë të sigurt; siguri ekonomike, stabilitet social. Nëse tërë kjo realizohet, është realizuar edhe Ëndrra! Kujt i bëhet vonë për do farë idealesh filozofike!?

Në këtë konotacion strikt pragmatik, sintagma “ëndërr amerikane” u bë formulë kulti, mantra me fuqi dehëse, në mesin e viteve 1930-të. Pas Depresionit të Madh, kjo ëndërr – që u prit, por jo edhe të arsyetohej – fokusohej në sigurimin e mbijetesës së familjes tradicionale, e cila, në atë kohë, ende ishte element bartës në armaturën shoqërore, që konkretisht do të thotë se detyra e burrit është të punojë që të fitojë të holla të mjaftueshme, ndërsa e gruas të kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ku SHBA-të dhanë kontribut të madh për arritjen e fitores dhe për herë të parë e instaluan statusin e tyre të superfuqisë udhëheqëse botërore, “ëndrra amerikane” me futjen e dy risive të rëndësishme, e ruajti, madje e forcoi, fuqinë e vet magjepse. Risia e re i referohej përmbajtjes, ndërsa ishte rezultat i rritjes së fuqishme të industrisë, kështu që ekonomia nacionale mori nxitje që s’mbahet mend, duke kërkuar praktikisht prurje të pakufizuar të fuqisë re punëtore.

Zgjidhja u gjet aty ku askujt s’i kishte shkuar mendja që të kërkojë: aktivizimi i grave! Në praktikë, kjo donte të thoshte dyfishim i fuqisë potenciale të punës! Përfshirja e grave në të gjitha sferat e jetës, kuptohet, e kishte çmimin e vet, ndërsa transferimi radikal i tërheqjes së përhershme të grave prej shtëpive dhe dislokimi i tyre në hallat e fabrikave dhe zyrat administrative, kërkonte arsyetimin e vet të bindshëm.

Ëndrra e gjeratëhershme, ku familja tradicionale ishte motivi kryesor, u braktis tërësisht; konceptet e “gruas-nënë” dhe “gruas-amvisë” u bënë tema kryesore e shpotive të organizuara, sinonim i mentalitetit primitiv, i shovinizmit mashkullor, një lloj relikti retrograd nga koha e eksploatimit dhe margjinalizimit të gruas nga ana e burrit. Nën ndikimin e kësaj propagande, nën parullën e heqjes së pabarazisë që ishte gjer atëherë dhe nevojës nga barazia e gjinive, familjes, në të ardhmen familja jo vetëm që s’ishte më masë lumturie, duke e humbur edhe rolin e vet tradicional të shtyllës së familjes edhe të gurit themeltar të lumturisë individuale, por ajo praktikisht ishte stigmatizuar si masë themelore në realizimin e versionit të ri të “ëndrrës amerikane”.

Rënia e familjes u paraqit si fitore e të drejtës së grave dhe çlirim i tyre nga diktatura mijëvjeçare dhe eksploatimi i gruas nga ana e burrit. Slogan i ri u bë thirrja për “Çlirimin e gruas” (Women’s Liberation Movement).

Risia e dytë doli nga braktisja e premisës për përbashkësi imanente të burrit dhe të gruas dhe sforcimi i konceptit për kundërtinë e tyre historike. Megjithatë, sado që të ishte shokuese për nga përmbajtja e vet dhe kataklizmatike për nga pasojat e veta, kjo “risi” edhe nuk ishte krejtësisht e re. Në të vërtetë, te pohimi për luftën historike ndërmjet burrit dhe gruas fshihet, kushedi se me sa shkathtësi të mbulohet, jehona e fjalive të para të Manifestit të partisë komuniste: “Historia e të gjitha shoqërive të gjertanishme është histori e luftës së klasave: e patricëve dhe plebenjve, e zotërisë dhe robit…“. Mjafton që, duke e shfrytëzuar formulimin e njëjtë, të zëvendësohen kategoritë, që të bindemi se këtu bëhet fjalë për plagjiat konceptual klasik:“ Historia e të gjitha shoqërive të gjertanishme është histori e luftës së gjinive (gender, farë): burrit dhe gruas!“

Të kuptuarit e historisë si fushëbetejë ballafaqimi ndërmjet burrit dhe gruas, me ç’rast gruaja është paraqitur si viktimë e eksploatimit brutal nga ana e burrit, shkakton çrregullime të thella dhe ireversibile të tektonikës së përgjithshme sociale. Jo vetëm që familja e humbi statusin tradicional të proto-nukleusit më të rëndësishëm shoqëror, por edhe lidhja esenciale e burrit dhe e gruas, e ngjeshur me detyrimet e përbashkëta për familje, ishte denoncuar si një lloj perfid i eksploatimit. Që ta kapërcejë abisin e hapur ndërmjet burrit dhe gruas, “ëndrra amerikane” brenda natës ngriti urë lartësish të idealit rishtas të formuluar të individit egoistik dhe promovimit të psikologjisë së konsumerizmit si fatin më të madh jetësor dhe arritjen civilizuese të rangut më të lartë.

Mbi rrënojat e familjes, në fluksin e euforisë konsumatore, tashmë në vitet 1950-të, “ëndrra amerikane“ u ngrit (ose, siç preferojnë disa të thonë – u shemb!) në idealin e “perspektivave të pakufishme” dhe tek “ardhmëria e ndritur” – parimisht të arritshme tek secili individ. Zbërthimi i atomit në reaktorët e fizikanëve, tek e cila erdhi në atë kohë, u përputh me zbërthimin e familjes dhe me çarjen e ngjeshjes sociale të burrit dhe të gruas në reaktorët e konsumerizmit.

Me ndihmën e faktorit mediatik jashtëzakonisht të fortë, shteti e nxiti mentalitetin konsumator si vlerë e vetvetishme dhe si fatin më të madh në jetën e çdo njeriu. Për ngushëllimin e turmës së vetmuar (sintagmë e Dejvid Rizman-it), të krijuar me antagonizimin e burrit dhe të gruas, ishte promovuar koncepti i individit të suksesshëm!

Realizimi i karrierës spektakulare individuale, si vlera më e lartë, nëse jo edhe si e vetme, deri në fund i margjinalizonte të gjitha projeksionet eskatologjike të shoqërisë. Koncepti i “individit të suksesshëm” si fascinim kolektiv, totalisht e devalvonte edhe konceptin tradicional të raportit ndërmjet individit dhe shoqërisë, ndërsa në një realitet të tillë definicioni i njeriut si krijesë sociale imanente, e cila esencën e vet gjenerike autentike mund ta realizojë vetëm në bashkësi, tashmë nuk kishte kurrfarë rëndësie.

Sistemi i vlerave ishte shkundur deri në themele, ndërsa ndryshimet e mëdha në mënyrë më dramatike u reflektuan në sferën e artit. Skena muzikore regjistronte fenomene frenetike, të cilat kulminuan me rokenrollin e inkarnuar në fytyrën e Elvis Prisllit, Xheri Li Luisit, Roj Orbisonit dhe shumë tregimeve të tjera të mëvetësishme për suksese meteor dhe të lavdisë botërore. Me këtë muzika u bë njëri prej kanaleve më të rëndësishme për promovim social spektakular, ndërsa ideali i mundësive të pakufishme dhe të perspektivës së pafund e gjetën dëshmimin e vet edhe në letërsi, me lavdi botërore dhe sukses financiar të shkrimtarëve si Tenesi Uiliams dhe Xhek Keruak, Norman Majler, Ernest Heminguej, Xhon Stajnbek; më mbresëlënës ishte shembulli i filmit, i cili u dëshmua si medium me popullarizim të pakrahasueshëm dhe të patejkalueshëm, me rritje marramendëse dhe të padëgjuar, të epitomizuar në tërë plejadën e fytyrave të reja të filmit, të cilët fascinuan me miliona pjesëtarë të turmës së vetmuar, prej të cilave më mbresëlënëse ishte fytyra (dhe jo vetëm fytyra!) e Merilin Monrosë.

Kjo periudhë, me oscilime më të vogla dhe më të mëdha, vazhdoi deri në kapërcyellin e mijëvjeçarit të dytë dhe të tretë, që në vitet e para të mijëvjeçarit të tretë të rraset edhe në një krizë ekonomike, njësoj si “Titaniku” në majën e ajsbergut. Pas 80 vitesh, “ëndrra amerikane” sërish u kthye në kufijtë e kërkimit të jetës modeste, por stabile: sigurimi i të hollave të mjaftueshme për ditët e pensionit; punë e sigurt për ta shlyer hipotekën e shtëpisë ose të banesës së blerë; ambiciet e depërtimit të fëmijëve në shkallaren e stratifikimit social mbetën në listën e dëshirave vetëm të më të pasurve.

Sipas një hulumtimi bashkëkohor, “ëndrra amerikane” e tanishme i përfshin përmbajtjet vijuese si vlera themeltare të prosperitetit normal dhe të kontinuuar: shtëpinë për tërë familjen; shkollat praktike, të lira dhe efikase; eliminimin e urrejtjes klasore në ngritjen e besimit dhe të interesit të ndërsjellë midis shtresave të varfra, të mesme dhe më të pasura; reduktimin e mosdurimit racor dhe fetar; punësimin për të gjithë që e duan këtë; sigurinë ekonomike të mbështetur në punë.

Nëse përmblidhen të gjitha elementet të cilat në mënyrë konstante ose periodike e kanë përcaktuar përmbajtjen e “ëndrrës amerikane”, mund të përfundohet se në të, nga fillimi e deri më sot, janë ndërruar motive të ndryshme pragmatike, ndërsa perspektiva eskatologjike tërësisht ka munguar. Të njëjtat përmbajtje për të cilat Sokrati i kishte qortuar bashkëqytetarët e vet – puna, paratë dhe kënaqësitë – gjatë tërë kësaj periudhe mbetën me prioritet, siç kishin qenë edhe në kohën e Sokratit. Si edhe atëherë, emërues i tyre i përbashkët dhe qëllim i fundit ishte dhe mbeti – profiti!

Në rrethana të tilla edhe përmbajtja për të cilën bëhet fjalë është e limituar në mënyrë strikte: me “punë” nënkuptohet obligimi i përditshëm i orarit të plotë të punës, e jo vetëdëshmimi kreativ; “paratë“ janë kuptuar rreptësisht si qëllim më vete dhe si mjet për ta kënaqur afshin konsumator, e jo si mundësi për të investuar në qëllime shkencore, artistike ose humanitare; “kënaqësia“ është definuar në kuadër të hedonizmit sensualist vulgar, e jo si kënaqje e kultivuar në krijime shpirtërore dhe kreativitet. Bile, edhe intelektualët dhe elita akademike e kanë humbur autonominë e tyre, si postulat i integritetit të tyre. Drejtpërdrejt ose tërthorazi, ata janë në shërbim të strukturave politike dhe ekonomike në pushtet, ku faktikisht përfaqësojnë personelin teknik, të angazhuar për t’i kryer detyrat që ua japin politikanët!

Nëse dikur qëndrimi themeltar i “ëndrrës amerikane” ishte “kufiri është qielli” (“skies the limit”), duket që sot ka diçka nuk shkon në vetë themelet, për shkak se ëndrra për t’i realizuar ato synime më të larta, të pakufishme për një numër gjithnjë e më të madh të qytetarëve, sot po bëhet gjithnjë e më joreale. (Fundamentally Frustrated From millennials saddled. / October 29, 2017)

“Ëndrra amerikane“ si ankth epigonësh

Edhe pse mënyra e jetesës ndikon fuqishëm si model shoqëror-politik në përmasa ndërkombëtare, strategjia e SHBA-ve, e drejtuar kah sigurimi i epërsisë globale, i dha momentum vendimtar “ëndrrës amerikane”, që të bëhet paradigmë planetare dominuese. Jeta e një numri të madh të shoqërive bashkëkohore në përmasa globale për një natë e humbi energjinë e vet të gravitacionit dhe i ktheu në aberracione epigonale të tij. Të kuptohemi: problemi nuk është te përmbajtja e “ëndrrës amerikane”. Edhe ëndrra e vendeve të tjera nuk qëndron aspak më lart. Në shumë shtete qytetarët prej moti edhe nuk kanë kurrfarë ëndrre të tyre, kurrfarë synimi më të lartë, përveçse ta mbijetojnë ditën e sotme. Problemi është aty që “ëndrra amerikane”, me fuqinë e vet të madhe tërheqëse, një pjesë të madhe të botës, si dhe qytetarët nga të gjitha shtetet e rajonit, i magjeps, sot edhe si imperativ, aq sa tashmë ata as që mendojnë për ndonjë farë ëndërr të tyre personale, por edhe atëherë kur ëndërrojnë, verbërisht, automatikisht, me inercie, e ëndërrojnë ëndrrën e huaj! E, nuk ka ankth më të madh prej asaj që ta ëndërrosh ëndrrën e huaj në vend se ëndrrën tënde!

Një ankth, nga i cili nuk ka rrugëdalje.