` . Nesër tentativa e tretë për Ligjin e Gjuhëve (Video) – TV-SHENJA

Nesër tentativa e tretë për Ligjin e Gjuhëve (Video)

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nesër do të ballafaqohet edhe me një tentativë për t’u votuar në lexim të tretë. Këtë për gazetarët sot e konfirmojnë përfaqësues të grupeve parlamentare të cilët kanë marrë pjesë në koordinim me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Sipas burimeve të TV SHENJA, vazhdimi i seancës së 32-të do të duhet të fillojë në orën 13:00. Por, në koordinim kryeparlamentari nuk  ka folur për strategjinë e cila do të përdoret në seancë, nëse ligji do të votohet direkt, ose do të votohen mbi 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së, të cilat janë dorëzuar për bllokimin e ligjit. Në këtë takim koordinues me kryeparlamentarin Xhaferi, kanë marrë pjesë koordinatorë dhe deputetë të partive parlamentare por edhe nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa vazhdon bojkotimi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-në në koordinimet javore me kryeparlamentarin Xhaferri.

Në komunikim me kabinetin e kryetarit të Kuvendit, thonë se nuk mund ta konfirmojnë mbajtjen e seancës dhe orën, por mbesin në qëndrimin se për gjithçka mediat do të njoftohen në kohë dhe përmes ueb-faqes së Kuvendit. Në bisedë telefonike me koordinatorin e VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev ai tha se do të marrin pjesë në seancë, dhe se nuk ka asnjë marrëveshje politike për këtë ligj.

DRAGAN DANEV, VMRO-DPMNE
“Nuk ka asnjë marrëveshje për Ligjin për Gjugjet. Ne mbesim në qëndrimin e njëjtë për këtë ligj, dhe nëse mbahet nesër seanca ne do të marrin pjesë në atë seancë”.

Po ashtu, nuk ka asnjë informatë edhe nëse është arritur marrëveshje mes deputetëve të BDI-së dhe të LSDM-së në lidhje me atë nëse amendamentet do të shqyrtohen ose do të votohet drejtpërdrejt për ligjin. Nga LSDM kanë qenë të pakapshëm për të kontaktuar nëse do të mbështesin Ligjin e Gjuhëve pa u votuar amendamentet. Seanca e 32-të në të cilin është Ligji për Gjuhët, u caktua edhe të martën e javës së kaluar, por ajo nuk filloi fare.

Shkak i mosfillimit të saj rezultoi të ketë qenë mungesa e një marrëveshje mes deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së, ku siç u fol edhe në media, LSDM ka insistuar që amendamentet të refuzohen por të votohen, ndërsa një gjë të tillë e kanë kundërshtuar nga BDI. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është në lexim të tretë në Kuvend, prej se ai nuk u nënshkrua nga presidenti Gjorge Ivanov, i cili e ktheu ligjin në Kuvend me një sërë vërejtjesh, të cilat VMRO-DPMNE i shfrytëzoi për të propozuar mbi 35 mijë amendamente. Mefail Ismaili /SHENJA/