` . Nesër në Bruksel takohen kryediplomatët e vendeve anëtare të NATO-s - TV-SHENJA

Nesër në Bruksel takohen kryediplomatët e vendeve anëtare të NATO-s

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s nesër do të takohen në Bruksel për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë përgatitjen e takimit të liderëve në muajin dhjetor, politikën mbi hapësirën, ndarjen e barrave dhe çështjet strategjike, raporton AA.

Në një konferencë për media në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO vazhdon të adaptohet për t’u përballur me sfidat strategjike.

“Dhe nesër, ne do të bëjmë një hap tjetër të rëndësishëm. Pres që ministrat të bien dakord në njohjen e hapësirës si një fushë operative, së bashku me atë ajrore, tokësore, detare dhe kibernetike. Hapësira është thelbësore për mbrojtjen e aleancës, për paralajmërimin e hershëm, komunikimin dhe navigimin”, theksoi Stoltenberg.

Stoltenberg tha se pas Brexit-it, 80 për qind e shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s do të vijnë nga aleatët që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se, “Pas Brexit-it, BE nuk do të mund të mbrojë Evropën”.

Më herët këtë muaj, presidenti francez, Emmanuel Macron, e quajti NATO-n “të vdekur në tru”.

Stoltenberg tha se përpjekjet evropiane për mbrojtjen nuk mund të jenë alternativë ndaj NATO-s dhe se ai do ta takojë presidentin Macron javën e ardhshme.

Shefi i NATO-s po ashtu tha se Turqia është aleati që strehon shumicën e refugjatëve.

“Turqia ka pësuar shumë sulme terroriste dhe për këtë arsye Turqia ka disa shqetësime të ligjshme të sigurisë”, tha Stoltenberg.