` . Nesër mbahet seanca për shkarkimin e Katica Janevës - TV-SHENJA

Nesër mbahet seanca për shkarkimin e Katica Janevës

Seanca për shkarkimin e prokurores Katica Janeva është caktuar për nesër në ora 13:00. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e ka nënshkruar vendimin, njoftuan nga kabineti i tij pak minuta më parë.

“Kryetari i Kuvendit sapo e nënshkroi vendinin për thirrje të seancës për nesër në ora 13:00 me të vetmen pikë të rendit të ditës – shkarkimin e prokurorit publik për ndjekjen e veprave penale që lidjen dhe të cilat burojnë nga përmbajtja e ndjekjes joligjore të komunikimeve”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Xhaferit.

Deputetët në këtë seancë do të shqyrtojnë raportin e komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve ku u miratua kërkesa e këshillit të prokurorëve për shkarkimin e Janevës, e paraburgosur si e dyshuar në rastin “Zhvatja”.

Raporti i këshillit të prokurorëve nuk do të hapet në seancën e nesërme pasi materiali është klasifikuar si i besueshëm. Shkarkimi i Janevës duhet të bëhet me dy të tretat e votave dhe me Badenter, por pritet që për këtë vendim të votojnë deputetët e të gjitha partive, siç ndodhi edhe në komisionin amë ku vendimi u soll njëzëri. /SHENJA/