` . Nesër aktgjykimi i Mlladiqit, boshnjakët presin dënimin më të rreptë – TV-SHENJA

Nesër aktgjykimi i Mlladiqit, boshnjakët presin dënimin më të rreptë

Fokusi i shumë qytetarëve në Ballkanin Perëndimor këtë javë është zhvendosur në aktvendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) që pritet të shqiptohet nesër lidhur me ish-komandantin e Armatës së Republikës Sërbska, Ratko Mlladiç, i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte, raporton Anadolu Agency (AA).

Mlladiç, tani 74 vjeç, dikur ishte njeriu më i kërkuar i Evropës pas rolit të tij në Luftën e Bosnjës mes viteve 1992 dhe 1995.

Ai ishte komandanti i Armatës së Republikës Sërbska, e cila u themelua në Bosnjë dhe Hercegovinë në fillim të luftës brutale civile të vendit gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Gjykimi 523 ditësh i së mërkurës mund të përfundojë me dënimin e Mlladiçit për një sërë akuzash për krime lufte.

Vetë gjykata do të përfundojë më 31 dhjetor, duke i dhënë fund një kapitulli të dhimbshëm dhe të përgjakshëm në historinë e Evropës së pasluftës.

Ai dhe forcat nën komandën e tij akuzohen për gjenocidin e kryer në Bosnjë, veçanërisht në Srebrenicë, që përshkruhet si mizoria më e keqe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, ku më shumë se tetë mijë burra dhe djem muslimanë boshnjakë u vranë gjatë disa ditëve në vitin 1995 nga forcat serbe.

Megjithatë, Mlladiç njihet gjithashtu për rrethimin e përgjakshëm të Sarajevës nga ana e forcave të tij që zgjati një mijë e 425 ditë, që është rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në historinë e luftës moderne.

Rreth 14 mijë njerëz u vranë gjatë rrethimit, ndërsa gati pesë mijë e 500 prej tyre ishin civilë.

Kërkimi 15-vjeçar përfundoi në vitin 2011, kur Mlladiç u gjet dhe u dorëzua në gjykatën e Hagës për gjykim më 31 maj të vitit 2011.

Mlladiç të mërkurën do të përballet me 11 akuza individuale dhe kolektive, siç janë kryerje e gjenocidit, krime kundër njerëzimit dhe shkelje e ligjeve të luftës.

Ai ka shprehur keqardhje për viktimat e pafajshëm, por i ka mohuar akuzat. Shfaqjet e tij në sallën gjyqësore janë shënuar me kundërshtim, përfshirë refuzimin e tij për të dëshmuar kundër të dyshuarit serb të Bosnjës për krime lufte, Radovan Karaxhiç.

Së bashku me ish-presidentin serb Sllobodan Millosheviç, Mlladiç dhe Karaxhiç përfaqësojnë tri figurat më të larta serbe që janë përballur me akuza për krime lufte gjatë shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Mlladiç, në mënyrë kontroverse, mbetet hero për disa serbë.

Viktimat

Gjyqi ka dëgjuar dëshmi të tmerrshme nga shumë njerëz që humbën të dashurit e tyre në luftë. Shumë të afërm të viktimave boshnjake presin që Mlladiç të marrë dënimin më të lartë.

Senida Karoviç, e cila humbi një këmbë në një sulm me mortajë gjatë rrethimit të Sarajevës, tha për AA se kryeqyteti boshnjak gjatë luftës u bë “kampi më i madh i përqendrimit në historinë moderne”.

Karoviç shtoi se ata që mbijetuan jetojnë sot në kushte të vështira për shkak të traumave të luftës. “Unë dua të besoj se gjykatësit kanë fuqi dhe kurajo të mjaftueshme për ta siguruar drejtësinë”, tha Karoviç, duke shprehur bindje se Mlladiç do të marrë dënimin e merituar.

Gjatë rrethimit të Sarajevës, ushtarët e komanduar nga Mlladiç ndërmorën dy sulme me mortaja në një treg në qendër të qytetit. E njohur si Masakra e Markales, në sulmin e parë u vranë 105 civilë, ndërsa 234 u plagosën.

Abid Kovaçeviç, i cili u plagos në sulmin e parë, tha se i kujton mizoritë çdo herë që kalon pranë tregut.

“Më kujtohet Mlladiç në radio dhe televizion me fjalët: ‘Gjuajini vendet ku nuk ka serbë’. Kurrë nuk mendoja se ai do ta bombardonte tregun”, tha Kovaçeviç.

Kovaçeviç është midis shumë të tjerëve që presin që Mlladiç të marrë dënimin më të rëndë, burgim të përjetshëm.

“Ratko Mlladiç duhet të marrë dënimin më të rëndë, sepse ai kreu krimet më serioze, ushtarët serbë që vranë njerëz, zbatuan urdhrat e tij”, thekson ai.

Ndërkohë, aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, tha për AA se Mlladiç duhet të dënohet me burgim të përjetshëm, në përputhje me dënimet e rënda që u janë dhënë oficerëve të tjerë.