` . Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi për linjën hekurudhore dhe autostradën - TV-SHENJA

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi për linjën hekurudhore dhe autostradën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiq kanë nënshkruar sot marrëveshjen për shprehjen e interesit për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd dhe për autostradën.

Marrëveshja është nënshkruar me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Të pranishëm ishin ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, Ramë Qupeva, nga Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve i Ministrisë së Infrastrukturës dhe udhëheqësi i ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ndryshe, para një muaji, palët kanë nënshkruar edhe nga një Letër të shprehjes së interesit për hapjen e korridorit ajror në mes t ë Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit të së enjtes me ambasadorin Richard Grenell në Mynih të Gjermanisë tha se pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, do të ketë në marrëveshje të reja.

“Ishte një takim jashtëzakonisht efektiv, ne do të lëvizim në marrëveshje të reja pas arritjes së marrëveshjes së linjës Prishtinë-Beograd. Do të kemi angazhime tjera për linjën hekurudhore. Do të punojmë si institucione që të arrijmë marrëveshjen finale si dy vende të pavarura”, ka shtuar Thaçi duke theksuar se Kosova do të ndërmarrë veprime që e lehtësojnë dialogun. /Telegrafi/