` . Në tren për Pr… | TV SHENJA
001_224455773

Në tren për Pr…

Me vonesë vetëm prej disa minutave arrin treni për Prishtinë. Me dukje të një dragoi të vjetër, të dalë nga vallet ceremoniale kineze, lokomotiva e Hekurudhave të Maqedonisë (Maqedonase) së bashku me përcjelljen e një lokomotive të vetme të dekoruar me grafitë laramanë i afrohet stacionit „Veri“ në Shkup. „Vallja“ sapo fillonte…

Shkruan: Rromir IMAMI, Shkup 

Shumë pak gjëra kanë ndryshuar prej kohës kur si fëmijë shkoja të vizitoj me tren dajallarët në Kosovë. Ky rrugëtim i ilustruar përmes fotografive jep përshtypjen e një teleportimi në periudhën e viteve ’80-ta dhe ’90-ta: me lokomotivë, ma merr mendja të njëjtë, por vetëm të ribrenduar prej “ЈЖ“ (Југословенске Железнице – Hekurudhat e Jugosllavisë) në “МЖ“ (Македонски Железници – Hekurudhat e Maqedonisë), me kalim kufijsh që më së miri portretizojnë gjendjen politike mes dy shteteve dhe me shpejtësi të trenit që korrespondon me shpejtësinë e (mos)zhvillimit të gjithë asaj pjese nga kalonte ky tren tejkohor. Që i tërë rrugëtimi të marrë edhe më tepër dimensionin e një udhëtimi në të kaluarën, preferohet dëgjimi i këngës së Gjurmëve: “Në tren për Prizeren”. Megjithëse tren për Prizren nuk do të gjeni, ka gjasa të mëdha të hasni në ndonjë plak, i cili do t’ju këshillojë se “kënga halleve u bën lak” dhe se “jeta nuk është kajmak, o nuk është kajmak”!!!

Ora 16:31. Me vonesë vetëm prej disa minutave arrin treni për Prishtinë. Me dukje të një dragoi të vjetër të dalë nga vallet ceremoniale kineze, lokomotiva e Hekurudhave të Maqedonisë (Maqedonase) së bashku me përcjelljen e një lokomotive të vetme të dekoruar me grafitë laramanë, i afrohet stacionit „Veri“ në Shkup. „Vallja“ sapo fillonte… Nuk pagova shumë për të hyrë në këtë „valle“. Do të shoh se sa do të më duhet të paguaj për të dalë prej saj. Edhe pse i vetëm, vagoni ka kupe të mjaftueshme pothuajse për të gjithë: studentë, miq dhe mikesha, po bile edhe turistë të huaj, të cilët këtë rrugëtim e përjetojnë si atraksion kulturor. Me vendosje të pasqyrave përballë njëra-tjetrës, kupeja fiton iluzionin e hapësirës edhe pafundësisë. Megjithëse, gjithçka ka fund. Bile edhe ky udhëtim.

Sapo kaluam kontrollin e parë në kufirin Maqedoni- Kosovë. Gjatë kohë nuk kisha përjetuar kontroll të kufirit duke qenë në tren. Disi sikletshëm, pa nevojë… Kontrolli dhe regjistrimi i udhëtarëve është ilustrim i mirëfilltë i floskulave boshe parazgjedhore të politikanëve të të dyja anëve të kufirit mbi bashkëpunimin ndërshtetërorë dhe mbi  lirinë e lëvizjes. Që punët të jenë edhe më të komplikuara, duhej ta ndërrojmë edhe  trenin. Më lanë përshtypje disa nxënës, të cilët, ndoshta të inspiruar nga vendndodhja e tyre afër hekurudhës, ishin në kërkim të një transporti hekurudhor paksa më alternativ dhe pa kufij e kontroll pasaportash.

Mbërrimë në Kaçanikun legjendar. E vetmja pikë e cila i „ra“ Kaçanikut sot ishte ajo e shiut. Madje, jo vetëm një, por më tepër. Me flamujt e Kosovës dhe të Shqipërisë në prapavijë, doli nëpunësi prej godinës së stacionit të vjetër dhe të zbukuruar sipërfaqësisht me një fasadë të verdhë. Kur zbritën e hipën të gjithë, nëpunësi kapuçkuq, fishkëlleu për të fundtën herë për atë ditë dhe treni dalëngadalë u nis që ta arrijë shpejtësinë maksimale prej 50 km në orë. Udhëtarët vazhdimisht ndërroheshin. Më buzëqeshnin edhe më ngrinin dy gishta. E kisha vështirë ta kuptoj porosinë e tyre. Kureshtja më bëri të ulem edhe të bisedoj me ta, që ta qartësoj këtë dilemë. Kur e kuptova hallin e tyre të skamjes, papunësisë edhe vështirësive të tjera, nuk do të më habiste nëse ma tregonin edhe vetëm gishtin e mesëm. Treni i afrohej Prishtinës dhe zbrazej gjithnjë e më tepër, saqë mbeta pothuajse vetëm, por jo i vetmuar.

Postime të Ngjajshme