` . Në Tiranë po luhet diçka e madhe - TV-SHENJA

Në Tiranë po luhet diçka e madhe

Pasi përmbylli organizimin e brendshëm dhe pasi për gati dy vjet qeveria u përmbyt me skandale, opozita – e bindur se mekanizmi i sofistikuar që blen zgjedhjet është i fortë dhe kontrollohet nga qeveria – vendosi të hyjë në luftë ballore me qeverinë. Koha ishte e studiuar – vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale

Shkruan: Fitim ZEKTHI, Tiranë

Gjithkush e dinte se gjendja politike në Shqipëri në vjeshtën e vitit 2017, kur u formua qeveria e re pas zgjedhjeve të përgjithshme, kishte hyrë në një status quo jashtëzakonisht të paqëndrueshme, e cila prodhohej nga pamundësia e plotë e qeverisë Rama për të ndërtuar një narrativë, për t’i bërë njerëzit të besonin se mandati i saj i dytë do të ndryshonte gjërat, se ekonomia do të kishte një dinamikë të re, se ikjet masive në perëndim do të ndaleshin dhe se do të ngjallej një shpresë në vend. Veç mosbesimit të njerëzve, status quo-ja ishte krejtësisht e paqëndrueshme edhe për shkak të vetë ndryshimit që kishte pësuar konfigurimi politik në Shqipëri pas zgjedhjeve. Deri para zgjedhjeve, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama ishte në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, të drejtuar nga Ilir Meta, dhe me Partinë për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, të drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Pas zgjedhjeve, Partia Socialiste qeveriste e vetme dhe opozitë tashmë ishin dy parti të koalicionit të dikurshëm qeveritar. Tashmë opozita kishte në anën e saj të gjitha partitë e rëndësishme. Në bllokun e qeverisë nuk gjendej më asnjë parti që të kishte ndonjë lloj roli, zëri ose ndikimi sado të vogël në jetën e vendit.

Arsyeja themelore se pse qeveria Rama nuk prodhonte dot një narrativë, nuk ngjallte asnjë shpresë me masat e saj dhe nuk kishte fuqi të ndryshonte asgjë në dinamikën ekonomike të vendit, por – përkundrazi – bëheshin gjithnjë e më të thekshme varfëria, papunësia dhe dëshira për të ikur, kishte të bënte me mënyrën se si Rama e konceptonte qeverisjen dhe me mënyrën se si ai fitoi mandatin e dytë. Që në krye të herës, në vitin 2013, kryeministri Rama kishte folur për Rilindje, pra për një projekt që do ta bënte Shqipërinë për herë të parë një demokraci funksionuese, ku zbatimi i ligjit do të ishte i padiskutueshëm, ku kontrolli mbi territorin, ndërtimet, pyjet e ujërat do t’i nënshtroheshin vetëm sundimit të ligjit, ku arsimi dhe shëndetësia do të bëheshin për herë të parë shërbime model për njerëzit, ku ekonomia do të prodhonte punë etj. Për Rilindjen do të vinte një Shqipëri e “gjeneratës së re”, ku do të përmbysej çdo paradigmë e vjetër 23-vjeçare tranzicioni ose çdo qasje e vjetër, e cila e kishte bërë Shqipërinë të ishte si “një i sëmurë që kullon gjak kudo”. Këtë të sëmurë, që kullonte gjak, Rilindja, pra Rama, do ta vendoste në tavolinën e operacionit dhe do ta shëronte. Kjo qasje delirante nuk e merrte parasysh fare gjendjen e vendit, nuk udhëhiqej nga asnjë dije e akumuluar ose nga ndonjë studim i kujdesshëm. Qasja e tillë delirante ishte vetëm nevojë për ta ushqyer narcizimin dhe nevojë për t’i ofruar publikut një narrativë. Kjo qasje delirante bëri që “vendosja e shtetit” ose “ndërtimi i shtetit” jo vetëm të shihej si qëllim në vetvete, por edhe të kuptohej si rregullim policor. Kështu slogani “ne bëjmë shtet” qëndronte gjithnjë vetëm në tryezën ose poltronin e ministrit të Brendshëm: nisi fushatë me polici, për t’i mbledhur pagesat e energjisë elektrike, për të rregulluar kontrollin mbi ndërtimet, për t’i prishur ndërtimet, për ta ndalur gjuetinë dhe për t’i mbrojtur pyjet, për ta vendosur rripin e sigurimit të shoferëve etj.

Ekonomia, vendet e punës, varfëria, cilësia e kujdesit shëndetësor, klima e biznesit etj., nuk ishin shqetësime të para. Në përpjekjen për “të bërë shtet” qeveria kishte nevojë për pushtet gjithnjë e më të madh, sepse rrugës i “dilnin pengesa”. Kështu ajo e zgjeroi pushtetin e saj në dëm të autonomisë vendore, në dëm të kompetencave të presidentit dhe të gjykatave etj. Në një rast këshilltarja për ligjin e kryeministrit tha se “ata besonin se mund të ndryshonin me akte normative (vendim qeverie me fuqi të përkohshme ligjore) edhe kushtetutën”, duke tejkaluar kështu edhe qëndrimet regjimeve fashiste për ligjin.

Paralelisht me këto, qeveria u përfshi në një luftë të egër propagandistike kundër opozitës. Tërë mandati i parë kaloi përmes demonstrimit të forcës për “të bërë shtet” me polici dhe me burgime, përmes uzurpimit të pushtetit me ligje, me akte normative dhe përmes propagandës kundër opozitës.

Ekonomia ishte keq. Ajo sa vinte e përkeqësohej, varfëria thellohej, ndërsa shpresa bëhej gjithnjë e më zbehtë. Trafiku i drogës dhe mbjellja e kanabisit u rrit. Kishte dhe ka zëra dhe akuza se kjo u bë me miratimin e qeverisë dhe të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Qeveria u përmbyt nga akuza se po favorizonte mbjelljen masive të kanabisit, nga akuza se kishte future në parlament dhe në krye të bashkive njerëz, që vinin nga trafiku dhe nga bota e krimit.

Në zgjedhjet e vitit 2017 Partia Socialiste e kryeministrit Rama arriti ta tejkalojë një krizë të shkaktuar nga protestat e opozitës, e cila për muaj me radhë protestoi në bulevard, duke kërkuar largimin e Ramës dhe duke kërcënuar me bojkot të zgjedhjeve. Opozita thoshte se mbjellja masive e kanabisit dhe njerëzit e botës së krimit të futur në politikë nga Rama do t’i blinin zgjedhjet. Megjithatë, Rama nënshkroi një marrëveshje me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, e cila e ndau përgjysmë qeverinë dhe e futi opozitën në zgjedhje. Në një farë mënyre Rama u detyrua të futet në zgjedhje i vetëm për shkak se marrëveshja me Bashën, me kërkesë të Bashës, nuk lejonte koalicion të Ramës me Metën dhe me Idrizin. Rama e pranoi në fushatë se qeveria kishte pasur probleme, se ekonomia kishte ecur keq, se kishte pasur korrupsion dhe klientelizëm. Për këtë ai i fajësoi partitë e koalicionit, të cilat e kishin konsideruar qeverisjen si një tepsi dhe kishin marrë pjesën e tyre, duke e dëmtuar qeverinë. Ai (Rama) tashmë e kërkonte i vetëm timonin e qeverisë, që të mos kishte tepsi për ta penguar. Pas zgjedhjeve u prodhua status quo-ja e paqëndrueshme dhe mungesa e plotë e besimit të njerëzve te qeveria dhe mungesa e plotë e narrativës dhe e besimit te vetë qeveria. Vërtet Rama e mori i vetëm timonin, por tashmë ai pa se qeverisja kishte ngecur keq. Problem nuk ishte as timoni dhe as tepsia, por qasja e tij e të “të bërit shtet” dhe lidhjet e qeverisë me krimin, drogën, si dhe futja e personave të tillë në parlament etj. Kjo lidhje dhe ky problem kishte bërë që zgjedhjet të ishin të dyshimta.

Opozita doli e shokuar nga zgjedhjet. Ajo akuzoi për blerje të tyre. Ndonëse nuk kishte fuqi të vepronte fort kundër qeverisë, për shkak të tronditjes nga rezultati dhe për shkak të luftës së brendshme, opozita ishte e bindur në blerjen e zgjedhjeve.

A kishin vlerë zgjedhjet vërtet? Provat empirike ishin të pakta, por nuk mungonin dëshmitë. Megjithatë, ajo që e bënte të padiskutueshëm blerjen ishte vetë rezultati. Sistemi proporcional nuk ka prodhuar kurrë qeveri të një partie. Bingam Powell i universitetit të Yale-it thotë në një studim të tijin se nga 150 palë zgjedhje të zhvilluara me këtë sistem në 20 vende, gjithmonë dalin qeveri nga koalicione dhe asnjëherë asnjë parti nuk fiton e vetme. Ndërkohë që në Shqipëri zgjedhjet e vitit 2017 prodhuan fituese vetëm Partinë Socialiste. Ka edhe një rast tjetër kur një parti e fiton e vetme shumicën me sistemin proporcional. Ky është rasti i Gruevskit, kur mori disa vite më parë 61 mandate. Është e qartë se rasti i Ramës dhe i Gruevskit janë manipulime. Gjithashtu në zgjedhjet e vitit 2017 tre partitë e koalicionit qeverisës, të cilat hynë të ndara në zgjedhje, zhvilluan një fushatë me akuza të ashpra ndaj njëra-tjetrës. Ato, megjithatë, u rritën secila krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, ndërkohë që opozita u zvogëlua. Çfarë ndodhi? Pra, pati blerje të votave.

Duke qenë se opozita ishte e bindur në blerjen e votave, ajo nga vjeshta e kishte ndarë mendjen se nuk do të hynte në zgjedhje pa e shkatërruar këtë mekanizëm. Status quo-ja ishte çështje kohe. Opozita, thjesht, po i rigruponte forcat, po e organizonte veten, po zgjidhte çështjet e brendshme. Gjatë kësaj periudhe, nga vjeshta e 2017-tës e deri në fund të vjeshtës së 2018-ës, qeveria u përmbyt nga skandale. Ish ministri i Brendshëm, Tahiri, u akuzua për trafik droge dhe për organizim të një grupi kriminal, ish ministri i Brendshëm, Xhafaj, u akuzua se e përkrahu të vëllamë, po ashtu të dyshuar si trafikant droge dhe i dënuar për trafik. Një skandal korrupsioni shpërtheu në një tender rruge në Tiranë, ku ministria e Infrastrukturës kishte pranuar një dokument të falsifikuar. Dolën edhe përgjime ku flitej për blerje votash në Durrës dhe Lezhë, në të cilat dëgjohen trafikantë dhe politikanë të PS-së.

Pasi përmbylli organizimin e brendshëm dhe pasi për gati dy vjet qeveria u përmbyt me skandale, opozita – e bindur se mekanizmi i sofistikuar që blen zgjedhjet është i fortë dhe kontrollohet nga qeveria – vendosi të hyjë në luftë ballore me qeverinë. Koha ishte e studiuar – vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale.

Qeveria, ndërkohë, ishte dërrmuar jo vetëm nga skandalet, jo vetëm nga dështimi kudo, por edhe nga protestat e studentëve, të cilët bënë që tetë ministra kyçë të shkarkohen. Aktualisht, opozita mund të konsiderohet një makinë së cilës shoferi ia ka hequr timonin dhe nuk ka mundësi ta kthejë. Kjo makinë, pra opozita, është e drejtuar mbi qeverinë dhe kryeministrin Rama. Timoni i hequr duket dhe shihet nga qeveria dhe kryeministri dhe ai ka vetëm një shpëtim – ai duhet të hapë rrugën. Ndryshe makina pa timon do të përplaset me të.

Braktisja e mandateve të deputetëve ose djegia e tyre dhe protestat e vazhdueshme, dëshmojnë për shkuljen e timonit nga makina e opozitës. Ndërkombëtarët, ambasadorët e huaj etj., janë të befasuar dhe nuk e pranojnë këtë sjellje të opozitës. Ata i tremben precedentit. Një veprim të tillë mund ta bëjë opozita edhe në Maqedoni, Mal të Zi ose Serbi e Bullgari. Prandaj ata duan ta dekurajojnë. Ata janë kundër kësaj sjelljeje. Megjithatë, ndërkombëtarët – duke qenë skematikë – do të veprojnë patjetër në mënyrën që po veprojnë. Me kalimin e kohës, në qoftë se opozita do ta ketë mbështetjen e njerëzve, ndërkombëtarët do të flasin për negociata dhe për marrëveshje.

Lëvizja e opozitës fiton vetëm nëse një nga dy faktorët është me të: populli ose ndërkombëtarët. Aktualisht ndërkombëtarët janë kundër, por populli jo. Populli nuk po e shpreh mbështetjen për opozitën plotësisht, por është me opozitën. Ka pakënaqësi të madhe, ka mjerim, ka papunësi, ka braktisje të vendit, ka dëshpërim. Të gjitha këto bien mbi qeverinë.

Veprimi i opozitës nuk është jo demokratik. Braktisja e mandateve ose djegia e tyre nuk është jodemokratike, pavarësisht gjuhës dekurajuese të ndërkombëtarëve. Veprimi i opozitës mund të ndryshojë një epokë, andaj mund ta ndryshojë gjithë politikën tonë. Kjo gjendje ose kjo status quo e re do të zgjasë edhe disa kohë, ndoshta disa javë, dhe do të prishet sërish. Kjo është një status quo edhe më e paqëndrueshme se ajo e mëparshmja. Në Tiranë po luhet një gjë e madhe – mund t’i jepet fund një mekanizmi që është bërë vetë sistemi.