` . Në pritje të shpresës së re! - TV-SHENJA

Në pritje të shpresës së re!

Shkruan: Latif MUSTAFA

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë. Edhe pse me një diferencë të ngushtë votash, Lëvizja Vetëvendosje! konsiderohet fituesja e këtyre zgjedhjeve. Ajo nuk konsiderohet tashmë veçse një fituese aritmetikore, por edhe një fituese konceptuale dhe etike. Qytetarët e Kosovës, për herë të parë, vendosin për një subjekt politik që në skenën politike të Kosovës solli një koncept të ri politik, një formë dhe metodologji të re të artikulimit të problemit dhe, për më tepër, një reflektim përpjekjeje të lartë morale në arritjen e qëllimeve të veta politike.

Për më tepër se kaq, Lëvizja Vetëvendosje!, që nga ardhja e PAN-it në pushtet e zhvendosi kursin e Lëvizjes duke bërë një hap prapa, me qëllim që të shpikë ose zbulojë një faktor tjetër të rëndësishëm opozitar, gjegjësisht atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja njihet si parti konstitucionaliste dhe me një përvojë të madhe në administratën e shtetit. Kjo parti dhe lideri i saj historik ka shënuar dhe ka lënë gjurmët e themelimit të shtetit të Kosovës. Si parti e djathtë e qendrës ajo konsiderohet si partia më e madhe tradicionale, që ka një numër të madh votuesish jorepulsiv, jorevoltues dhe të arsyeshëm kalkulativisht, por që në vete akoma mbërthejnë dhe kultivojnë mitin e liderit të tyre historik, Ibrahim Rugovës. Në zgjedhjet e fundit lokale, ato të vitit 2018,  ajo mori 210 mijë vota dhe u shpall si partia e parë në Kosovë, duke e lënë pas PDK-në me 140 mijë vota dhe LVV-në me 130 mijë vota. Pikërisht duke u bazuar edhe në këtë potencial, LVV-ja zhvilloi një koncept tjetër bashkëpunimi me LDK-në, duke e distancuar atë nga “mëkatet” e hershme dhe duke ia “njohur” asaj pozicionin legjitim të një partie opozitare.

Gjithë ky legjitimim nga LVV-ja, për t’ia njohur pozicionin e një partie opozitare, bazohet në idenë ose thelbin e veprimit dhe të trajektores politike të vetë LDK-së. Meqë LDK-ja njihej si parti e rezistencës paqësore dhe LVV-ja njihet si subjekt politik i rezistencës aktive qytetare, nyja e përbashkët e tyre ishte rezistenca si formë e veprimit politik, gjegjësisht nacionalizmi si parim mobilizues, por paqësor, tek LDK-ja dhe nacionalizmi si parim politik dhe aktiv tek LVV-ja. Baza ideore e një bashkëpunimi të tillë bazohet në këtë pikë teorike, të paktën vetëshpjegues dhe bindës për vetë LVV-në. Aspekti pragmatik i zgjerimit opozitar janë votat masive dhe garanti ndërkombëtar dhe pajtues me forcat hegjemone ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim të fuqishëm në dikastere dhe dispozitivë të ndryshëm të nomenklaturës së shtetit.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar pjekuri të lartë qytetare, paçka se nuk kemi një lëvizje të madhe tektonike votash nga njëri kamp në tjetrin. Por, fitorja e një koncepti politik, qoftë edhe me numër të vogël të votave, dëshmon për këndelljen dhe progresin e qytetarit të Kosovës, i cili ka ditur të bëjë zgjedhjen e tij të lirë, zgjedhje kjo që shpesh ka çuar në dëm, zhgënjim dhe mosrealizim të pritshmërisë të tij, zakonisht në situatën paszgjedhore. Shpresat janë kthyer shpesh në zhgënjim, ndërsa zhgënjimi i përshkallëzuar në revoltë dhe revolta në dënim elektoral për partitë tradicionale.

Mbi 60% e Kuvendit të Kosovës është rinuar me deputetë të rinj, kjo falë listave të hapura dhe ofrimit të kandidatëve të rinj për deputetë. Vjen, po ashtu, një qeveri me kuadro të reja, gjegjësisht me një kryeministër të ri, i cili është pjesë e pandashme dhe, mbase, hallka e fundit e kryeministrave që vijnë nga plejada e Luftës së Kosovës, por në momentin më të duhur dhe të nevojshëm. Kosova është para një sfidë të madhe ndërkombëtare kur pritet të nënshkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe reciprokisht e vlefshme midis Kosovës dhe Serbisë. Sfidë tjetër e brendshme është forcimi i ushtrisë së Kosovës në kuadër të garës ballkanike për armatim, ndërsa nuk mbetet anash as gjyqësori dhe sistemi i korruptuar. Por, të gjitha këto realizohen me dije, përvojë të thellë dhe energji të furishme, elemente këto që gërshetohen në koalicionin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.