` . Në Maqedoni nuk ka “ethe të Nilit perëndimor” – TV-SHENJA

Në Maqedoni nuk ka “ethe të Nilit perëndimor”

Ministria e Shëndetësisë e përgënjeshtron informacionin e publikuar në disa media se në Maqedoni ka “ethe të Nilit perëndimor” dhe se rasti i tillë gjoja është zbuluar në repartin infektiv të spitalit “8 Shtatori”.

Tek asnjë pacient, siç thekson Ministria, nuk është vërtetuar prania e virusit të etheve të Nilit perëndimor.

“Ministria e Shëndetësisë i hedh poshtë spekulimet dhe insinuatat e dhëna në tekstin e 1TV prej 27.10.2018 në orën 20:21 – “1TV mëson: Ethet e Nilit perëndimor mbërrijnë në vend” dhe një pjesë e mediave që e ndërmorën, se një rast i etheve të Nilit perëndimor është zbuluar në repartin infektiv në spitalin “8 Shtatori”. Pacienti i cili paraqitet në kronikën e 1TV, është pranuar në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” me simptoma të gripit dhe temperaturë të lartë. Por, analizat kanë treguar se nuk bëhet fjalë për ethet e Nilit perëndimor. Theksojmë se ky rast është i vjetër tri javë dhe pacienti në ndërkohë është lëshuar në shtëpi, pa komplikime për shëndetin e tij”, qëndron në kumtesën e MSH, transmeton MIA.

Ministria e Shëndetësisë nënvizon se në asnjë moment nuk ka pasur për qëllim të fshehë çfarëdo lloj informacione dhe se në vazhdimësi e ndjek gjendjen lidhur me virusin dhe paraqitjen e tij eventuale.