` . Në Kosovë po votohet në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale – TV-SHENJA

Në Kosovë po votohet në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Në 614 qendra të votimit në 19 komuna të Kosovës po votohet në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Janë 1 milion e 353.613 persona me të drejtë vote që do ta kenë mundësinë të votojnë për ta zgjedhur kryetarin e tyre të komunës.

Në 1.777 vendvotime, KQZ ka angazhuar më shumë se 14 mijë komisionerë.

Kurse, janë më shumë se 12 mijë vëzhgues të akredituar, të cilët do ta përcjellin nga afër procesin zgjedhor në 19 komuna, si dhe rivotimin në komunën e Parteshit, ku janë tri qendra të votimit me gjithsejtë shtatë vendvotime, në të cilat kanë të drejt vote 4.694 persona.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka në konferencën e parë për media, ka bërë të ditur se janë hapur me kohë të gjitha vendvotimet për raundin e dytë të zgjedhjeve që po zhvillohen në 19 komuna të Republikës e Kosovës.

“Në bazë të të dhënave të dërguara nga qendrat e votimit për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës ku mbahen zgjedhjet, në orën 07:00 janë hapur me rregull të gjitha qendrat dhe votimit dhe vendvotimit”, ka thënë Daka.