` . Në Kosovë nuk fituan partitë politike, por sovrani!? - TV-SHENJA

Në Kosovë nuk fituan partitë politike, por sovrani!?

Shkruan: Fadil MALOKU, Prishtinë

1.“Shpikja”Ahtisariane

“Shpikjes” ahtisariane (ku një qytetar voton pesë kandidatë për deputet dhe vetëm një parti politike!), duket se duhet t’i vijë fundi?! “Shpikja” është thjesht: një absurd, sepse këtë e dëshmoi situata kundërthënëse në procesin zgjedhor. Ajo është unike, sepse askund në gjithë rruzullin nuk mund ta hasësh të njëjtin me të gjitha këto elemente të diskriminimit pozitiv, jokoherent, sepse nuk është krahasues e as kompatibil me asnjë proces ose zhvillim politik të asnjë vendi në botë!

“Shpikja” ahtisariane është edhe realitet edhe metafore për ta ilustruar një proces të tejkaluar: politik (superdiskriminon serbët); social (pengon emancipim të lirë dhe kompatibil me nivelin e zhvillimit ekonomik ne Kosove); juridik (me një Kushtetute të vjetruar dhe aspak fleksibile me zhvillimet dinamike ne shoqërinë kosovare).

Në fakt, as institucionet, e as ligjet e derivuara nga kjo kushtetutë ligjërisht e “shpikur” dhe e arkivuar nga “arkitektët dhe sponsorët” e pavarësisë së Kosovës, nuk e kanë pandanin e tyre! Edhe kjo, ashtu si “shtetësia dhe pavarësia”, janë “sui generis” dhe të pakrahasueshme me asnjë rast tjetër!

Kur është në pyetje procedimi i zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale, nuk mund të gjesh asnjë vend ku legjitimiteti dhe legaliteti i përfaqësimit të sovranit të bëhet në mënyrë kaq të margjinalizuar dhe jocilësore, sa në Kosovë! Bile as në demokracitë e reja nuk do mund të gjesh një diskriminim dhe degradim kaq “të avancuar” të emancipimit të një vendi dhe publiku, kur janë në pyetje procedimet zgjedhore dhe Ligji Zgjedhor, pastaj superdiskriminimi i minoriteteve, si edhe legjislacioni social, siç është rasti ynë kosovar!? Ai ishte i nevojshëm edhe i dobishëm vetëm në fazën e parë të procesit të kornizimit të zhvillimeve demokratike në vend, kurse tani është bërë pengesë serioze në ndërtimin e demokracisë. Ai duhet gjithsesi të ndryshohet, por ndryshimin e kësaj procedure s’duhet pritur që do ta bëjë e njëjta kastë politike që është duke i shijuar të gjitha beneficionet e kësaj “shpikjeje”! Arsyeja e vetme është mburrja e tyre për numrin e madh të votave nga votuesit! “Shpikësit” e kësaj mënyre të votimit e kanë ditur që do të vijë një moment kur do reduktohet dukshëm dalja dhe interesimi për të votuar sipas këtij sistemi! Ekspertët ligjorë dhe ata politikë duhet urgjentisht, së bashku me shoqërinë civile e mediat e pavarura, të fillojnë ushtrimin e presionit publik mbi institucionet relevante, qoftë edhe me demonstrim civilizues. Sepse, vazhdimi i procedimit të legjitimitetit dhe legalitetit të zgjedhjeve do të prodhojë gjithnjë marioneta, kuislingë, mashtrues dhe elita të shantazhuara nga faktorët e jashtëm dhe të brendshëm! Nëse i analizojmë zgjedhjet e qershorit 2017 në Kosovë, vërejmë se të gjitha partitë politike kosovare kane shënuar rënie, me përjashtim të VV-së, e cila e ka dyfishuar elektoratin e vetë. Por, çfarë ndodhi me LDK-në dhe PDK-në?!

2.Shkaqet e rënies së LDK-së

Shkaqet e rënies së LDK-së duhet kërkuar në disa rrafshe:

Në rrafshin ideologjik që prej kohës së Rugovës ajo asnjëherë në programin e saj nuk arriti t’i artikulojë vlerat ose kauzat nacionale të djathtizmit social, politik e sidomos ekonomik…! Në vend të kësaj u mor vetëm me improvizime dhe me “lakminë” për të qenë në pushtet me çdo kusht(!), me çka e irritoi kauzën dhe perceptimin mbi lirinë e zgjedhjes, mendimit dhe gjykimit, si dhe elektoratin e emancipuar, sidomos atë militant!

Në rrafshi politik ajo bëri koalicion me antipodin e vetë vleror, social, e juridike, ndërkaq voli vota qytetare duke sharë, kundërshtuar dhe anatemuar PDK-në! Ky ishte një gabim katastrofik dhe shumë domethënës, që u identifikua në zgjedhjet e 11 qershorit. Qytetarët e kuptuan lojën e lidershipit që intenca nuk është qëndrimi anti PDK-e, por marrja e votës dhe shfrytëzimi i saj për të krijuar benificione te reja: klanore e partiake, në vend të atyre shtetërore dhe kombëtare.

Në rrafshin emancipues elektorati i LDK-ës duhet kuptuar që “ofertën, strategjinë dhe perceptimin” e kohës së Rugovës nuk e pranon më si ekuivalencë adekuate! Edhe për shkakun se gjeneratat e reja tashmë kanë kërkesa, synime, nevoja dhe benefite, shumë më konkrete e më pragmatike, sesa idealet për çlirimin e vendit, ndërtimin e shtetësisë, sigurimin e demokracisë, etj.

Në rrafshin e krizës së lidershipit kjo manifestohet me liderin e tanishëm, i cili nuk arriti t’i fuzionojë (lexo: rehatojë me tenderë!) sa dhe si duhet klanet dhe grupet e ndryshme të interesave me nevojat dhe kërkesat e kontingjenteve të reja që u futën në fuqinë elektorale! Kjo i bie se analizat (nëse fare kush ka bërë në këtë subjekt analiza; unë nuk besoje fare, sepse të njëjtit ishin në egzaltimin e pushtetmbajtjes!) për nevojat dhe preokupimet e reja të kohës logjikisht duhej të ishin në koherence sociale e sidomos sosh politike të të rinjve që hynë në “tregun votues”, e që në realitet nuk u bënë fare!

Në rrafshin e inercionit dhe frustrimit, menaxhmenti politik i LDK-ës gjatë gjithë mandatit qeverisës ishte i hendikepuar me frustrimin që e kishte “ndërtuar” ndaj PDK-ës, gjatë periudhës sa ishte në opozitë! Pra, u hetua dhe u kuptua hipoteka e “varësisë dhe e frikës”, nga, siç thoshin vetë ata, pas mocionit të “SHIK-ut” dhe kryevartësit te saj z. K.Veseli!

Në rrafshin e mosguximit në vendimmarrje për temat kruciale (demarkacioni, asociacioni, ushtria, gjykata speciale etj.) ajo u dëshmua e dobët, ndërsa kjo u mor si “alibi” e fuqishme dje për ta prishur koalicionin me PDK-ën.

Në rrafshin e vazhdimit të “lojës së viktimizimit” në rrethanat e reja ishte absurde të kërkosh shpjegime për “vrasjet” e paraluftës, e ndërkohë të udhëheqësh me koalicionin qeverisës.

  1. Shkaqet e rënies së PDK-së

Shkaqet e rënies së PDK-së duhet kërkuar në këto rrafshe:

Në rrafshi ideologjik dosido, që është njëra nder pistat më të rëndësishme për ta kuptuar rrudhjen e ndikimit të këtij subjekti politik, edhe pas gati dy dekadash ky subjekt nuk arriti ta profilizoj e as dizajnoj profilin e vet ideologjik. Themi kështu, ngase origjina sociale e këtij subjekti ishte tipike majtiste (disa thonë tipike “kuqaloshe”!), ndërkaq me mbarimin e luftës, ka pasur shumë ide e iniciativa publike dhe të brendshme që “të ecet” kah qendra e djathtë (edhe shkaku se pas lufte idetë majtiste, sidomos në Kosovë, identifikoheshin me stereotipe tejet negative!) dhe kah ngjyrat “bly”!

Në rrafshim politik, si një subjekt antipod i LDK-së, në vazhdimësi e ka synuar dhe dëshiruar metodologjinë e njohur makiaveliste për ta marrë, mbajtur dhe ushtruar pushtetin. Në këtë drejtim PDK-ja thuhet edhe me “dreqin” do bënte koalicion, vetëm e vetëm të mbahej në pushtet.! Disa të tjerë thonë që gjithë ky “insistim” për ta ushtruar qeverisjen ka të bëjë edhe me “kapjen” e shtetit! Por, shtrohet pyetja: nëse nuk ka shtet, atëherë çka mund të kapet!?

Në rrafshin emancipues, që është elementi qe më së shumti lë përshtypje tek përfaqësuesit e këtij subjekti, në fakt shumica e lidershipit të PDK-ë, thuhet që veshjet e tyre i kanë “Armano”, që nënkupton një firme prestigjioze dhe me një status të lartë social e ekonomik në botën e politikës globale!

Në rrafshin e krizës së lidershipit, që manifestohet me liderin e tanishëm K. Veselin, i cili nga një njeri i papërfillshëm në “jashtësinë” e PDK-së, arriti të ngjitet në “brendësinë” e majave të saja, duke arritur ta zëvendësoje edhe liderin e saj karizmatik, z.Hashim Thaçin, por nuk arriti ta ndalë “teposhtëzen” e rënies së PDK-së, ani pse premtimet e tija ishin të kundërta! Por, këtu unë nuk e shoh “fajësinë” kryesore të fillimit të rrudhjes së PDK-së.

Në rrafshin e inercionit dhe frustrimit ose vetëkënaqësisë me aktin dhe faktin e qeverisjes me vendin për tri mandate rresht, beri që edhe publiku i gjerë, por edhe strukturat udhëheqëse, mobilizuese, që nga kryesie e organet tjera politike të PDK-së, të fillojnë të atrofohen! Dhe, natyrisht, gjithë këtij atrofimi duhet shtuar edhe gabimet ne qeverisje, sidomos fillimin e emancipimit të sovranit, madje jo vetëm në raport me këtë subjekt politik, por edhe – fjala bie – me LDK-në!

Në rrafshin e (pa)mundësisë për vendimmarrje për temat kruciale (demarkacioni, asociacioni, ushtria, gjykata speciale etj.), aty duket që shumicën e vendimeve i ka marrë lidershipi i LDK-së, edhe atë jo si pasojë e ndonjë karizme naive, por shkaku i frikës që PDK-ja do të mund të bënte problem të natyrës ekzekutive për proceset e lartpërmendura.

Në rrafshin e “lojës” së pseudokomandantëve, që detyrimisht edhe si hipotekë edhe si perceptim, lidershipit të PDK-së kjo i kushtoi si me stigmatizime, ashtu edhe me paragjykime të gjitha llojeve gjatë mandateve qeverisëse. Kjo, sidomos, në mandatin e tretë, të fundit, qeverisës me LDK-n, kur “kupa” e shqetësimit arriti majat e nënvlerësimit!

  1. STOP

A duhet dhe kush duhet t’u thotë STOP, gjithë këtyre deformiteteve? Tash për tash po më duket që i vetmi virtyt social që po mundohet ta kundërshtojë fuqishëm dhe stoikisht natyrën devijuese të injorancës dhe marrëzisë sonë politike, ka mbetur ai i guximit intelektual!

Ndryshe, injoranca politike do ta vazhdojë pafundësisht “misionin” e saj të shndërrimit në palaço, trafikant, oborrtar e certifikues social, edhe të shtresave tjera sociale, që mbetën ende pa u “arratisur” për ndonjë (pa)arsye logjike, nga liria e tyre personale!

Tani intelektuali i sotëm, kryesisht mbetet të rropatet me disa dilema “hamletiane”:

  1. të bashkëjetoj me ndjenjën e të qenit i margjinalizuar dhe i pafuqishëm për ta ushtruar ndikimin e tij në luftimin e krimit dhe korrupsionit në shoqëri;
  2. t’u bashkëngjitet institucioneve të korruptuara shoqërore, duke u bërë kështu agjent i “industrisë” makabre politike, që mendoj se nuk është ndonjë zgjidhje e duhur: apo
  3. të shndërrohet në tellall dhe prokuror të së vërtetës faktike publike për çfarëdo problemi madhor!
  1. Bilanci:

Kush pësoi me se shumti ne këto zgjedhje? Nga LDK-ja duket se më së shumti kanë pësuar gjenerata e vjetër, si Akademik Sabri Hamiti e Skender Hyseni, dhe kjo është mirë për shumë arsye që ka ndodhur kështu. Pikësëpari largimi i tyre nga Parlamenti dhe nga mekanizmi vendimmarrës i Qeverise, është bere përmes mekanizmit të votës, e jo ndonjë rivaliteti klanor ose komploti brenda vetë subjektit në fjalë. Së dyti, largimi i tyre hap mundësinë e inkorporimit të gjeneratës së “republikës”, një gjenerate që dosido s’do bartë me vete hipoteka të së kaluarës, por vetëm të së ardhmes. Së treti, ka shumë gjasa që kjo gjeneratë të bëjë transformime edhe brenda LDK-së, pra një lloj rikonfigurimi, në mënyrë që LDK-ja të ecën me partitë e tjera simotra në Europë.

Nga PDK-ja, përmes mekanizmit te votës, nga Parlamenti i Kosovës janë larguar nënkryetari i saj prof. Hajredin Kuçi dhe Arsim Bajrami, qe është një sinjal i qartë për këtë subjekt politik që ka nevojë të ndryshojë diçka në qeverisjen e vet gati dydekadëshe.

Nëse e shohim nivelin e pjesëmarrjes se qytetarëve në zgjedhje, hetojmë se ajo është në trend të rënies. Nëse do shprehemi me gjuhën e numrave, mund të themi se 60% nuk kanë dalë, ndërkaq 40% prej tyre kanë votuar ndonjërin nga subjektet politike. Nëse bëjmë një “biopsi” tjetër sociale, kuptojmë që nga ky kulaç, kur 40% pjesëtohet me përqindjet e dy koalicioneve dhe të VV-së, i bie që përfaqësimi është provizor, e deri-diku edhe optik, jodemokratik, dhe jo bash legjitim!

Përgjigja në të gjitha këto dilema (që nuk janë objekt i analizës sonë sociologjike) të ngritura këtu, padyshim se duhet kërkuar edhe tek e drejta e votimit qytetar për pesë kandidatë dhe vetëm për një subjekt politik!? “E drejtë” kjo që prodhoi 52.500 vota të dëmtuara, të “prishura” ose të pavlefshme!?! Gjithsesi ky fenomen i “prishjes” (së qëllimshme!) nuk besoj fare se mund të shpjegohet si pasojë e mosdijes ose edhe mosemancipimit qytetar, siç po pretendojnë ca parti!? Por, ky duhet të jetë kryekëput si pasojë e një lloj emancipimi të ri politik për rolin që qytetaret e patën në procesin zgjedhor! Apo, siç më tha një mik i imi pak para daljes në zgjedhje, “Njerëzit kanë dalë ‘me votu’ dhe me qëllim i kanë”prishë” (lexo; ndëshkuar!) fletëvotimet e tyre!”

Postime të Ngjajshme