` . Në Kosovë mbahet gjysmëmaratona "Prishtina 2017" - TV-SHENJA

Në Kosovë mbahet gjysmëmaratona “Prishtina 2017”

Fituesi i Gjysmëmaratonës së 17-të Ndërkombëtare “Prishtina 2017” këtë vit është keniani, Benard Muinde Matheka, i cili shtegun prej 21 kilometra e vrapoi për 1 orë e 5 minuta dhe 53 sekonda. Finalistja e parë nga femrat ishte Betty Chepleting po ashtu nga Kenia, e cila shtegun prej 21 kilometra e përfundoi për 1 orë e 16 minuta dhe 24 sekonda, raporton AA.

Ky aktivitet i cili është ndër ngjarjet më të mëdha sportive në Kosovë, këtë vit ka mbledhur 1020 atletë vendor dhe ndërkombëtarë nga Amerika, Evropa dhe Afrika në disa kategori, si kategoria për të moshuarit dhe veteranët, gara deri në 5 km, si dhe 2 kilometra për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët.

Fituesi i Gjysmëmaratonës “Prishtina 2017” tek kategoria e seniorëve për meshkuj Benard Muinde Matheka nga Kenia tha se ai është krenar që e mori vendin e parë, pasi nuk ishte edhe aq lehtë. “Është hera e parë që garoj në Prishtinë dhe mendoj se njerëzit këtu janë shumë të shoqërueshëm. Moti na ka sjellë vështirësi sepse ka qenë vapë, por ia dola dhe çdo gjë është në rregull”, u shpreh Matheka.

Kurse, kampioni i Kampionatit Ballkanik të Maratonës atleti Serkan Kaya nga Turqia për AA theksoi se ka kaluar barazhin vitin e kaluar në garat olimpike të mbajtura në Rio dhe këtë vit është hera e parë që garon në Kampionatin Ballkanik të Maratonës.

“Ishte një organizim shumë i mirë dhe interesimi i njerëzve ishte në nivel. Në renditjen e përgjithshme kam dalur i katërt, por në garat e kampionatit Ballkanik dola i pari dhe mendoj se është një ndjenjë e veçantë”, tha Kaya.

Ndërsa, fituesja e garës tek kategoria e seniorëve te femrave Betty Chepleting tha se edhe pse ka qenë një garë e vështirë ka bërë atë që është e mundur. Edhe fituesja e Kampionatit Ballkanik të Maratonës në kategorinë e femrave ishte një tjetër atlete nga Turqia. Şeyma Yıldız, shtegun prej 21 kilometra e vrapoi për 1 orë e 18 minuta dhe 32 sekonda.

Kryetari i Federatës së Atletikës të Kosovës, Halil Sylejmani theksoi se kjo garë do të mbahet mend për shkak se këtë vit kjo gjysmëmaratonë në Kosovë është organizuar në mënyrë zyrtare nga një federatë e pranuar ndërkombëtarisht, nga Federata Ballkanike e Atletikës.

Ai bëri të ditur se të gjithë vrapuesit janë paraqitur së bashku për Kampionatin Ballkanik në Maratonë dhe Gjysmëmaratonën “Prishtina 2017” nga federatat e tjera simotra të Kosovës nga shtetet ballkanike si Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Greqia.

“Krahas maratonës ‘Prishtina 2017’, organizimi i Kampionatit Ballkanik në Maratonë është një risi e jashtëzakonshme ku ne fillojmë me një garë në mënyrë zyrtare. Të gjithë jemi të përkushtuar që ky kampionat të jetë sipas rregullave të federatave ballkanike, evropiane dhe botërore”, tha Sylejmani.

Vlera totale që do t’iu dhurohet garuesve është 13.000 euro. Në mesin e garuesve kishte figura të njohura nga skena politike, si lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e Haradinajt Anita Muçaj.

Ndryshe, ky aktivitet u organizua nga Federata Atletike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Drejtorinë për Sport dhe Rini e Komunës së Prishtinës.

Postime të Ngjajshme