` . Në këtë derexhe, robër të Gruevskit dhe skllevër të Zaevit - TV-SHENJA

Në këtë derexhe, robër të Gruevskit dhe skllevër të Zaevit

Shkruan: Mefail Ismaili

E gjithë beteja politike e LSDM-së së Zoran Zaevit kundër pushtetit të Nikolla Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij si BDI e të tjerë duke filluar nga “E vërteta për Maqedoninë”, Protesta e Majit, ‘Përzhino 1’, Rekomandimet e Pribes, ‘Përzhino 2’, etj… etj… etj… me pretekstin se bëhet fjalë për të luftuar krimin e familjes në pushtet dhe për të ndërtuar “Maqedoninë miltietnike”, për të hequr kthetrat e partive në pushtet nga institucionet e shtetit, për lirinë e mediave, E SIDOMOS, SIDOMOS PËR PASTRIMIN E LISTËS ZGJEDHORE, po na del se aspak nuk paska qenë e sinqertë dhe ashtu siç socialdemokratet po na i shitnin!

Pse? Sepse hilet na filluan që në fillim.

U tha se gjatë shpalosjes së ‘bombave’ nuk do të kursehet askush, asnjë funksionar. Po u bë mashtrim i madh! Nuk u publikuan ‘Bombat’ e partnerëve të VMRO-së të cilët ca vite ishin edhe partner të LSDM-së.

U tha se do të publikohen bisedat për rastin e montuar “Monstra”, e do të zbuloheshin monstruozët e vërtetë, ndërsa do të lirohen shqiptarët e pafajshëm. Kjo u premtua disa herë, por nuk u publikua.

Premtuan se PSP do të shqyrtojë rastin “Monstra”. As kjo nuk ndodhi.

Thanë se do të punojnë në interes të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike dhe fetare, kësaj si vjen era askund.

Dhe pas më shumë se një vit e gjysmë, nuk ka asnjë rezultat.

Ndërsa rezultati i vetëm është që LSDM, ja arriti qëllimit të saj, që në bashkëpunim me VMRO-në, nënshkrimin e BDI-së dhe aminin e PDSH-së të fshijë 30 mijë shqiptarë nga lista zgjedhore.

Ata shqiptar që vazhdimisht investojnë mbi një miliardë euro në vit në Buxhetin e shtetit.

Ata shqiptarë, vota e të cilëve fitoi Komunën e Strugës, të Kërçovës por që nesër e do e rifitojnë edhe Dollnenin.

Ata shqiptarë të cilët BDI-në dhe PDSH-në kaq vite e mbajnë në pushtet dhe opozitë, ndërsa nuk kanë fituar asgjë më shumë se premtimet ‘nesër do të jetë më mirë’.

Po me këta 30 mijë votues më pakë, në çdo njësi zgjedhore rrezikohen të humben edhe nga një ose dy deputet shqiptarë.

Kështu e ‘fitoj’ betejën politike, dinake dhe dredharake LSDM, por edhe disa shqiptarë që e mbështetën pa rezerva.

Andaj po e përsëris edhe një herë

Shqiptarët duhet të luftojnë politikisht kundër burgosjes së padrejtë, kundër vrasjeve të shqiptarëve të cilët janë të padëshirueshëm për Gruevskin dhe që janë pengesë e asaj të keqe që e bejnë politikanët shqiptarë.

Ne duhet të zgjohemi nga gjumi dhe ta dëshmojmë se ekzistojmë, se jemi zot të vetvetes, dhe se nuk e ndajmë mëngjesin me Zaevin dhe as nuk festojmë në darkë me Gruevskin.

Shqiptarët duhet të punojnë kundër atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën.

Shqiptarët duhet të zgjohen, ta ngrenë zërin dhe politikisht të luftojnë derisa të bëhen ata që në të vërtet janë – Shtetformues…!

E kundërta e këtyre na bën robër në pushtet të Gruevskit dhe skllevër në pushtetin e Zaevit…!

Postime të Ngjajshme