` . Në kërkim të pro-amerikanizmit shqiptar – TV-SHENJA

Në kërkim të pro-amerikanizmit shqiptar

Pro-amerikanizmi jonë ka edhe një dimension psikologjik e social, që do ta definoja si kompleksi kolektiv i inferioritetit. Me ketë nënkuptoj përpjekjen, si latente ashtu edhe manifestuese, që të duken sa më të civilizuar, më modern e më mondan duke e artikuluar dhe imituar kulturën e tjetrit, në këtë rast atë amerikan.

Shkruan: Bekim BALIQI, Prishtinë

Matjet e hulumtimeve të opinionit nëpër botë flasin se në shumë raste qëndrimet pro-amerikane ose anti-amerikane dallojnë shumë nga vendi në vend, si për nga kursi i politikës së jashtme, ashtu edhe për nga imazhi i presidentit që është në pushtet. Në një analizë të shkëlqyeshme në revistën prestigjioze “Foreign Policy”, të bërë shumë vite më parë, kolumnistja Anne Applebaum, bazuar në gjetjet e sondazheve shqyrtonte shtetet që janë më pëlqyeshëm karshi ShBA-ve dhe mundohej t’i kuptonte arsyet e këtyre qëndrimeve. Në kulmin e anti-amerikanizmit global, gjatë presidencës së dytë të presidentit Xhorxh Bush junior, ajo konstaton se, me gjithë qëndrimet e ndryshme sipas vendeve, shtresave sociale dhe grupeve fetare dhe etnike, opinioni për Amerikën ndikohej shumë edhe nga shembujt frymëzues, që vijnë si nga ekonomia, politika ose kultura amerikane. Matjet e fundit të opinionit botëror nga qendra hulumtuese PEW (Global Attitudesand Trends) japin indikacione se që nga ardhja e presidentit Trump në pushtet, imazhi i Amerikës ka pësuar rënie drastike krahasuar me periudhën gjate presidencës së Barak Obamës.

Në të gjitha këto lëkundje të opinioneve dhe bindjeve, sipas të gjitha anketave, qëndrimi pozitiv i shqiptareve karshi Amerikës mbetet një konstantë e vazhdueshme. Kjo na shpie te pyetja thelbësore: çka e konstituon këtë pro-amerikanizëm aq të theksuar? A është ky qëndrim i vërtetë apo bindje verbër apo ka edhe arsyeje të tjera për ketë? Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve është e domosdoshme t’i kuptojmë shkaqet dhe burimin se nga vjen pro-amerikanizmi i shquar shqiptar. Konsideroj se janë tre faktorë thelbësorë që duhet të merren parasysh: së pari konteksti historik; së dyti, pozita gjeopolitike e popullit shqiptar dhe, së treti, faktori psikologjik e kulturor. Po fillojmë nga e para, nga e kaluara historike e politike e shqiptarëve në vitet dhe dekadat e fundit, sidomos pas rënies së komunizmit dhe me tranzicionin demokratik. Derisa Shqipëria komuniste e portretizonte Amerikën si burim të imperializmit dhe kishte kultivuar me vite propagandë anti-amerikane, shqiptarët në ish-Jugosllavi i kishin varur shpresat e tyre tek amerikanët. Ata besonin se pozitën e tyre mund ta përmirësonin vetëm në saje të përkrahjes ndërkombëtare, e që nënkuptonte në rend të parë mbështetjen amerikane për kërkesat dhe të drejtat e tyre legjitime. Në ketë kontekst, përpjeka e shqiptarëve që t’i mbrojnë të drejtat e tyre elementare dhe që çështjen e Kosovës ta ndërkombëtarizojnë fillon pikërisht me dëgjimin para Kongresit amerikan për rastin e Kosovës në mesin e viteve të ‘80-ta. Ndërkaq, kërcënimi i presidentit Xhorxh Bush senior, në fund të vitit 1992, ndaj regjimit të Millosheviqit, me atë së nëse forcat serbe shkaktojnë konflikt në Kosovë, SHBA-të do të ndërmarrin masa ndëshkuese dhe do të ndërhyjnë ushtarakisht ndaj Serbisë, ishte një dritë në fund të tunelit për popullin e Kosovës. Ngjashëm edhe presidenti Bill Klinton e përsëriti këtë qëndrim një vit më vonë, kur edhe kongresistët amerikan Joseph Diogardi, Bob Dole dhe Eliot Engel e vizituan Prishtinën për t’i dhënë mbështetje lidershipit politik të atëhershëm nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pasuan vizitat e delegacionit të Kosovës në SHBA dhe raportimi para Komitetit për Politikë të Jashtme i kryeministrit në ekzil Bujar Bukoshi, i cili kërkoi ndihmën amerikane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës përmes krijimit të një protektorati ndërkombëtar në Kosovë.

Në anën tjetër, në Shqipëri ndërrimi i sistemit politik solli në pushtet Partinë Demokratike, e cila synonte që lojalitetin ndaj amerikanëve ta njëjtësojë me përkushtimin për demokratizimin e vendit. Ndërkaq, shqiptarët në Maqedoni dhe viset e tjera mbeten pak a shumë nën hijen e krizës politike në Shqipëri, si dhe çështjes së Kosovës, por edhe rrezikut që i kanosej popullit shqiptar atje. Në krahasim me kakofoninë e Bashkimit Evropian, e cila nuk arriti ta parandalonte agresionin dhe krimet serbe, ishte politika e SHBA-së ajo që me Marrëveshjen e Dejtonit i dha fund luftës në Bosnjë dhe kështu e vulosi bindjen e udhëheqësve shqiptarë se pa rolin aktiv amerikan çështja e tyre do të mbetej e pazgjidhur. Prapë vendosmëria politike dhe forca ushtarake amerikane ishin ato që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë, në Luginë të Preshevës dhe asaj në Maqedoni. Siç ndikuan dukshëm në arritjen e marrëveshjeve, si të Rambujesë e Vjenës për Kosovën, ashtu ndikuan edhe për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit për Maqedoninë, me çka u krijuan premisat për zgjidhje diplomatike të problemeve të thella politike.

Parë nga këndvështrimi historik, rrethanat politike të shqiptareve nuk kanë qenë asnjëherë më të favorshme, si në gëzimin e lirive, ashtu edhe në zhvillimin e tyre institucional, ekonomik e demokratik, kjo pikërisht në saj të përkrahjes nga politika e SHBA-ve. Kështu roli i SHBA-ve në historinë e re të popullit shqiptar është i pakontestueshëm.

Gjithashtu, edhe pozita gjeopolitike e shqiptareve në Ballkan e determinon aleancën me një superfuqi globale, si garantuese e paqes dhe stabilitetit në rajon. Duke pasur përvojë të hidhur nga e kaluara, kur Shqipëria komuniste iu nënshtrua diktatit rus e kinez, për çka mbeti e izoluar dhe e prapambetur, por edhe afërsisë së vendeve fqinje me Rusinë, aleat i natyrshëm i shqiptareve doli të jetë SHBA-ja, e cila ka kapacitetin e vetëm politikëbërës, ushtarak dhe ekonomik, që mund t’u kundërvihet politikave ekspansioniste pansllave. Rrjedhimisht, pro-amerikanizmi politik i shqiptareve vjen si rezultat i kujtesës kolektive si “shpëtimtar” nga krimet dhe ekspansioni i huaj. Popujt e vegjël dhe me trauma historike kanë krijuar njëlloj instinkti politik e shoqëror, që mos t’u kundërvihen fuqive botërore, pasi që kjo mund të ketë pasoja fatale. Prandaj pro-amerikanizmi te shqiptaret është më shumë pragmatizëm politik sesa bindje e thellë ndaj vlerave demokratike të traditës amerikane. Kështu lidershipi shqiptar, mungesën e përkushtimit ndaj rendit e ligjit, zhvillimit ekonomik dhe demokratik, zakonisht mundohen ta kompensojë me përafrimin dhe simpatinë e manifestuar ndaj ShBA-ve.

Mirëpo, pro-amerikanizmi jonë ka edhe një dimension tjetër, atë psikologjik e social, që do ta definoja si kompleksi kolektiv i inferioritetit. Me këtë nënkuptoj përpjekjen,si latente ashtu edhe manifestuese, që të duken sa më të civilizuar, më modernë e më mondanë, duke e artikuluar dhe imituar kulturën e tjetrit, në këtë rast atë amerikan. Kështu, bie fjala, çfarë arsye kanë institucionet private të shquhen si çerdhe amerikane, shkolla amerikane, universitete amerikane, spitale amerikane, bare amerikane etj., ndërkohë që, si pronarët ashtu edhe punëtorët, por edhe klientët ose studentët, janë shumicë dërrmuese shqiptarë. A është kjo një Mcdonaldizim i shijes, një përpjekje konsumeriste e marketingut apo thjesht një ekspozim banal i kompleksit të inferioritetit? Ndoshta, të gjitha nga pak, por çka është e veçanta këtu është se vet tejtheksimi i tjetrës, të huajës, aludon në më të mirën, në atë që sipërfaqësisht shkëlqen dhe na thërret në dije, shërbim e shije më cilësore, pra amerikane, por edhe evropiane, turke etj. Kështu edhe në rrafshin kulturor, artistik e intelektual, dikush që ka njohuri e vlera të shtuara presupozohet të jetëai/ajo që ka sjell risi të stilit hollywoodian, që ka kaluar nëpër universitete amerikane, çfarëdo niveli e cilësie qofshin ato. Imazhi është parësor, sepse është aparente, ndërsapërmbajtja e vlera kanë pak rëndësi – ato, tekefundit, nuk duken e as gjykohen! Prandaj, ngjashëm si me faktorët e lartcekur, pro-amerikanizmi në këtë kuptim nuk vjen aq shumë si kuptim, përpunim dhe reflektim i mirëfilltë nga ana e shoqërisë ose elitave. Qoftë ndaj shkencës, dijes, teknologjisë ose vlerave artistike amerikane, por më shumë si paraqitje dalluese karshi tjetrit, me qëllim që simbolika të jetë përcaktuese për nga forma e jo përmbajtja. Së këndejmi, pro-amerikanizmi më i duhur i shqiptarëve do të ishte që qëndrimet e përkushtimin ta kthejnë në veprime e vlera të mirëfillta për vendin e shoqërinë, të barasvlershme me ato që sollën zhvillimin dhe demokracinë e gjithmbarshme në Amerikë. Por,kurrsesi që qëndrimet e bindja të jenë vetëm pasojë e varësisë ndaj të huajit dhe paaftësisë imanente për t’i zgjidhur problemet e veta drejt dhe si duhet.