` . Në kërkim të një Thukididi shqiptar… – TV-SHENJA

Në kërkim të një Thukididi shqiptar…

Shqiptarët po kalojnë nëpër një periudhë të çuditshme të historisë dhe zhvillimit të tyre. Sot kanë nivelin më të ulët të përfaqësuesve të popullit dhe pozicionohen në nivelin më të lartë që kishin ndonjëherë karshi armiqve! Nuk kemi ndërgjegje kombëtare?! Me këtë ndërgjegje kombëtare nuk kemi të ardhme që varet nga ne, sepse jemi “shitur”?! Jo! Thjesht, na mungon një Thukidid shqiptar…

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Nga viti 1912, çuditërisht, shqiptarëve iu reflektua zhvillimi i keq, si politik ashtu edhe ekonomik, nga toka mëmë që mbeti e copëtuar, jo me fajin e tyre. Dhe, gjithçka që ndodhi brenda kufijve zyrtarë, si me politikën dhe ekonominë, vazhdoi edhe me zhvillimin intelektual të shqiptarëve jashtë kufijve zyrtarë.

Sot, çuditërisht, shqiptarët kanë nivelin më të ulët të përfaqësuesve të popullit në parlamentet përkatëse dhe pozicionin më të mirë ndërkombëtar karshi atyre që e kanë luftuar që nga krijimi i shtetit shqiptar. Ky fenomen, në masë të madhe, arsyetohet me mungesën e ndërgjegjes kombëtare dhe shtetformuese dhe “shitjen” e liderëve tanë tek të huajt.

Në rrethana të ndryshme kjo edhe mund të qëndronte. Por, jo, neve shqiptarëve, thjesht, na mungon një Thukidid shqiptar për të kuptuar se ku ishim, si erdhëm deri këtu dhe çobanët që kemi në Parlament do të zhduken si me magji.

“Herodotizmi” shqiptar…

Historia e shkruar shqiptare është shumë “herodotiste”. Breza të tërë janë rritur dhe po rriten duke mos e mësuar të vërtetën zyrtare të lindjes së kombit dhe shtetit shqiptar. E hidhur apo jo, pak rëndësi ka, por kjo e vërtetë nuk do të lejonte që sot, pas 106 vjetësh të ekzistimit të shtetit shqiptar, përfaqësuesit e popullit në parlamentet përkatëse, kudo ku jetojnë shqiptarët, të jenë niveli më mizerabël të kombit tonë.

Askush nuk pyet pse parlamenti i parë i Shqipërisë e kishte nivelin shumë më të lartë intelektual sesa që ai është sot, madje mbetet i pakrahasueshëm. Dhe, niveli i protagonistëve politik ishte në nivelin shumë më të lartë sesa që ai është sot!

Askush nuk pyet se pse kjo ndodhi edhe me partitë dhe përfaqësuesit e popullit në Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindore dhe Mal të Zi, duke harruar nivelin e lartë intelektual të partive politike në ditët e para të krijimit të shtetit shqiptar, të pushtimit komunist ose ditët e para të rënies së komunizmit.

Askush nuk pyet ku shkuan të gjithë ata patriotë shqiptarë, që e krijuan shtetin shqiptar dhe atë të Kosovës e që u flijuan për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, në Kosovën Lindore dhe Mal të Zi, ndërsa sot u është hapur krahu batakçinjve, “çlirimtarëve” dhe nivelit më të ulët intelektual që e ka njohur kombi jonë! Por, edhe sikur të pyesë dikush, përgjigjen nuk e gjen tek ato që servirin “herodotët shqiptarë”, duke luajtur me ndjenjat dhe ndërgjegjen shqiptare për më shumë se 100 vjet.

Po, po, janë po ata shqiptarë, që e njohin Skënderbeun i cili luftoi me një perandori si ajo Osmane, nga e cila i dridheshin këllçet gjithë botës së krishtere dhe Austro-Hungarisë. Shqiptarët e njohin Ismail Qemalin, që nuk çante kokën po për këtë Perandori Osmane, por shkon në Vlorë dhe e ngre flamurin kombëtar shqiptar, ndërsa kjo shoqërohet edhe me prezencën e Isa Boletinit në Vlorë. Por, zhduket ky Ismail Qemal dhe hap krahun e atyre që “e duan pushtetin”. Pastaj vjen një oficer si Ahmet Zogu dhe i hapin krahun të gjithë ata intelektual shqiptarë që kishin kryer shkollime të shkëlqyeshme nëpër botë, shkollime që nuk kryhen as sot. Na shfaqet një çoban si Enver Hoxha dhe i bën zero të gjitha ata që e krijuan shtetin shqiptar, ca i degdis nëpër burgje e ca ikin nëpër botë. Dhe, vjen pluralizmi i shumëpritur, që e mobilizon kombin shqiptar, por jo edhe mendësinë shqiptare, që do të griste broçkullat e “herodotëve shqiptarë” ose të kërkojnë, nëse është shkruar të paktën, një histori si ajo e Peloponezit, nga një “Thukidid shqiptar”!

Për fat të keq, infektimi i “herodotizmit shqiptar” bëri të veten: çlirimtarët si në vitin 1912 dhe 1945, meqë nuk e kishin mësuar historinë e vërtetë se si u ndërtua dhe si u çlirua Shqipëria, nxituan të shpaguajnë sakrificën e tyre, ashtu siç bënë paraardhësit e tyre ose, më mirë të thuhet, ashtu siç e kishin mësuar se kanë bërë paraardhësit e tyre. Dhe, sërish, meqë jemi edhe dëshmitarë okularë të këtij zhvillimi ose, më mirë të themi, regresi kombëtar, intelektualët që u mobilizuan në vitin 1992 e hapën krahun dhe rrugaçët u nisën drejt majave të pushtetit. Sot janë aty ku janë. Dhe, jo vetëm kaq!

Kjo ndodhi edhe me Kosovën! Edhe ata vazhduan të flasin për luftërat e Skënderbeut të fuqishëm me Perandorinë Osmane, trimit Ismail Qemali që nuk çante kokën për Portën e Lartë, Enver Hoxhës “trim me fletë” e të keqen e Skënderbeut, me ca beteja partizane që të mbushej mendja se vërtetë armiku iku se partizanët luftuan. Dhe, nuk kishte se si të vinte puna ndryshe, vetëm se të na përsëriten ca përralla me partizanë, siç bënte Herodoti, e që normalisht quhej “babai i historisë”. Fatkeqësisht, të gjitha këto dromca nga historia e zhvillimit të kombit shqiptar ndodhën dhe po ndodhin në sy të protagonistëve që sakrifikuan dhe e ndërtuan kombin shqiptar!

Dhe, fatkeqësisht, duke u rritur me përrallat e “herodotistëve shqiptarë”, na përsëritet fakti që “çlirimtarët”, meqë kishin të drejtën ekskluzive në vitin 1912, 1945, 1992, 1999, e kanë edhe sot të drejtën ta përfaqësojnë dhe të vendosin për fatin e kombit, ta lënë të uritur e pse jo edhe ta degdisin në burg, mësuesin, infermierin, mjekun, juristin, ekonomistin, inxhinierin, artistin etj., edhe pse pa ata nuk ka zhvillim. Ashtu si nuk ka zhvillim, edhe pa u thënë nga një dorë e një “Thukididi shqiptar”, se kush ishte ai që e largoi Perandorinë Osmane, Austro-Hungarinë, Italinë, Gjermaninë, Enver Hoxhën, Serbinë dhe, së fundi, ushtrinë maqedonase nga toka shqiptare, apo duhet t’i përkulemi idesë së “herodotëve shqiptarë”, që vazhdojnë e thonë dhe edukojnë të ardhmen tonë, se “po, shqiptarët e çliruan vendin, por janë fuqitë e mëdha që nuk na lënë rahat”.

Në kërkim të një Thukididi shqiptar…

Sekreti i fatit është liria. Sekreti i lirisë është trimëria! Këtë e ka thënë historiani i parë i vërtetë, Thukididi /greqisht: Θουκυδίδης, Thoukydídēs/ që të vërtetën ia vulos “Historia e luftës së Peloponezit” dhe zhveshja e saj nga mitet, anekdotat e përrallat, ashtu siç bënte “babai i historisë”, Herodoti.

Pse është i besueshëm Thukididi?! Ai nuk shpik dhe nuk kërkon dëshmi, ndërsa pazëlli i tij plotësohet ndër vite. Thukididi mendon për shkaqet e ngjarjes dhe vjen në përfundimin se deri tek “Lufta e Peloponezit” erdhi për shkak të ambicieve të Athinës që të bëhet perandori botërore. Kështu dhe ngjizi pretendimin e historisë shkencore, që të kërkojë lëvizje më të thella prapa kaosit të historisë. Dhe, me evoluimin e kësaj historie shkencore, që vazhdoi Thukididi, Herodoti nga “babai i historisë” u shndërrua në “babai i gënjeshtrës”.

Kjo është ajo që i mungon kombit shqiptar, në mënyrë që ta kuptojmë se pse Skenderbeu nuk luftoi me Perandorinë Osmane, pse Italia nuk iku nga leckamanët e Enver Hoxhës, pse të kuqtë nuk janë ata që e larguan gjermanin e fundit, pse Millosheviqi nuk u tremb nga asnjë formacion tjetër ushtarak, përveç NATO-s, pse Lubço Gerogievski e pranoi kapitullimin nga shqiptarët dhe e firmosi Marrëveshjen e Ohrit, pse Gjingjiqi i pranoi të drejtat e shqiptarëve nuk ishte aspak properëndimor dhe pse Gjukanoviqi nuk është vizionar, por shqiptarët do t’i gëzojnë të drejtat e tyre në Mal të Zi dhe, në fund, cili ishte roli shqiptar në gjithë këtë histori.

Kur të gjitha këto do t’i sqarojë në mënyrë shkencore një “Thukidid shqiptar”, kombi do të çlirohet nga “fyerja” që një ambasador i një shteti të fuqishëm bëhet me raste edhe Zot në tokën shqiptare! Dhe, pse ai futet në Qeveri dhe pse dora shqiptare ngrihet në parlamente dhe kur koka mendon ndryshe!

E vërteta e pranuar nga ky “Thukidid shqiptar” do t’i rikthejë kokat e çmuara shqiptare në politikëbërje dhe projekte zhvillimore dhe jo vetëm që do ta rikthejë dinjitetin shqiptar, por do ta rikthejë edhe shpresën se si do të jetë shqiptari i së ardhmes, i gatuar nga dora shqiptare…