` . Në kërkim të autentikes dhe autoktones - TV-SHENJA

Në kërkim të autentikes dhe autoktones

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Kur merresh me analizën e 25-vjeçarit të shkuar politik në Maqedoni dhe përpiqesh të analizosh se ku ka çaluar ndërtimi i shqiptarisë së dëshiruar këtu, përveç shumë fakteve që janë tronditëse dhe që kanë të bëjnë me politikanë të caktuar, të paditur, të korruptuar, të zhvatur ose të kapur, që më shumë janë objekt i kriminalistikës sesa i analizës socio-politike, detyrimisht duhet që, përmes analizës së përfaqësimit, të arrihet në tipizimin e lëvizjeve politike që i kanë përfaqësuar shqiptarët e Maqedonisë në këtë çerekshekulli.

PPD – institucionalistët

Tipi i parë i lëvizjes politike shqiptare në Maqedoni mund të konsiderohet si një simbiozë ndërmjet LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) dhe PKJ-së (Partisë Komuniste të Jugosllavisë). Kur në Kosovë u krijua LDK-ja (nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës), kjo ishte një frymëzim edhe për disa intelektualë antikomunistë shqiptarë të Maqedonisë që ta ndërtojnë një subjekt të atij tipi edhe në Maqedoni. Madje, themeluesit e PPD-së atëbotë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me themeluesit e LDK-së në Kosovë (bile, është diskutuar edhe që PPD-ja të jetë degë e LDK-së) për ta trupëzuar ashtu edhe PPD-në e atëhershme. Por, fati i keq i PPD-së ishte se në të shumë shpejt do të inkuadrohet edhe një pjesë e ish nomenklaturës së Partisë Komuniste të Jugosllavisë (Maqedonisë) dhe prandaj kjo parti do të lëngojë gjithnjë pa identitetin e saj autentik: antikomunistët synonin ta imitojnë LDK-në, si parti e djathtë nacionaliste, ndërsa – në anën tjetër – grupi i ish komunistëve shqiptarë të Maqedonisë insistonin që “beteja për të drejta të zhvillohet vetëm brenda institucioneve”.

Duke qenë as mish as peshk, PPD-ja mbeti parti që mund të tipizohet si “institucionaliste”. Ndonëse nuk e votoi kushtetutën e re të Maqedonisë, as referendumin për pavarësinë e shtetit, madje organizoi referendum për autonomi të shqiptarëve – për këtë e shtyrë nga fryma nacionaliste në PPD-së – nga ana tjetër – e shtyrë nga fryma komuniste, ajo shkoi aq larg sa, kur Maqedonia u pranua në OKB, eksponentë të lartë të PPD-së iu bashkëngjitën delegacionit maqedonas në Nju-Jork, duke dëshmuar se janë brenda asaj që e projektonte Gligorovi. Ashtu si jugosllavët e devotshëm, që besonin se serbët ishin problemi, ndërsa Jugosllavia ishte shtet i së drejtës dhe se, në saje të Jugosllavisë, kombi shqiptar mund të vetërealizohej, edhe institucionalistët shqiptarë të pluralizmit në Maqedoni mendonin se LSDM-ja jo që ishte më e mira, porse për shkak të “VMRO-së ekstremiste” dhe diskursit të saj radikal, shqiptarët do të mund të realizoheshin me më pak dhimbje në bashkëpunim institucional me LSDM-në. Kjo i bie që suksesi të mos projektohej brenda vetes, por të kërkohej te të tjerët. Prandaj ata mbetën të lidhur për LSDM-në gjatë gjithë kohës (edhe kur ndodhën ngjarjet e vrasjeve si ato të Bit-Pazarit e “Universitetit”, madje edhe ato të ’97-tës në Tetovë e Gostivar), duke u arsyetuar se me VMRO-në nuk mund të bashkëpunohej, ndërsa – në nënvetëdijen e tyre – mbase fshihej edhe admirimi për të majtën maqedonase, me të cilën shumicën e institucionalistëve i lidhte e kaluara.

Pa dashur të bëjmë përgjithësime, sepse aty kishte edhe disidentë të ish sistemit dhe nacionalistë të dëshmuar shqiptarë, politika e kësaj partie, në përgjithësi, përshkruhet me nota të forta të mendësisë jugosllave, që e shikonte suksesin e saj detyrimisht në institucione dhe që nuk arrinte të projektojë aksion politik jashtë atij sistemi diskriminues për shqiptarët. Por, meqë nuk arritën të shtyjnë gati asgjë të madhe për shqiptarët brenda institucioneve, ndodhi rrënimi i këtij subjekti. Kështu, në vend që të ishin një LDK për shqiptarët e Maqedonisë, që do të bënte një prerje pingule të skenës politike në Maqedoni, duke kërkuar një qasje krejt ndryshe për shqiptarët e Maqedonisë, një fillim të ri për shqiptarët në kushte pluralizmi, PPD-ja më shumë filloi t’i ngjajë një ish partie komuniste jugosllave sesa një parti shqiptare.

Nëse e sintetizojmë këtë, i bie të themi se ashtu siç ishin të organizuar politikisht shqiptarët e Kosovës në Jugosllavi, afërsisht e tillë mbeti edhe PPD-ja në Maqedoni. Por, fundi i kësaj politike erdhi me tri momente: së pari, ndërhyrja e Shqipërisë më 1993 për ta formuar PPDSH-në, duke e përçarë PPD-në; së dyti, pamundësia që të hapet Fakulteti Pedagogjik në gjuhën shqipe më 1997 (derisa në anën tjetër qëndronte pezull Universiteti i Tetovës – atëbotë ilegal); dhe, momenti i tretë, ndalimi i përdorimit të flamurit kombëtar në Tetovë dhe Gostivar, që kulminuan me ngjarjet makabre të korrikut të vitit 1997 në Gostivar. Këtu ia filloi rënia e PPD-së (që zgjati deri në vitin 2002), që u ndihmua edhe nga fitorja e së djathtës maqedonase (VMRO-DPMNE) në vitin 1998, që ndërtoi partneritet strategjik me Partinë Demokratike Shqiptare.

Fundi i këtij projekti erdhi edhe për faktin se, edhe pse ajo ishte nisur si lëvizje e popullit, me trajta autoktone, klasa politike që e udhëhoqi dhe zhvilloi atë shumë shpejt u akomodua në pushtet dhe u shkëput nga populli, duke krijuar distancë nga baza dhe duke mbetur gati se një mish i huaj në trupin shqiptar. Në vend që të jetë një antipod i së majtës maqedonase, ajo gati u njësua me të dhe kjo prodhoi efektin e reaksionit ose prodhimin e një fryme kundër së majtës, që do të vinte në skenë me PDSH-në. Shprehur në dy fjalë, mossuksesi i veprimtarisë institucionale dhe shkëputja nga populli ishin dy momentet që e shënuan rënien e PPD-së.

Në të vërtetë, për shkak se shqiptarët e Maqedonisë janë vonuar thuaja në të gjitha proceset politike, atë që shqiptarët e Kosovës e kaluan në fundin e viteve të ’80-ta dhe fillimin e të ’90-tave, shqiptarët e Maqedonisë e kaluan me PPD-në në vitet 1990-1998.

PDSH – demo-versioni i nacionalizmit shqiptar

Projekti vijues i shqiptarëve të Maqedonisë ishte një përpjekje për të ndërtuar një projekt politik njëmend nacionalist. PDSH-ja, asokohe, e kishte vënë interesin shqiptar në qendër, kërkonte “marrëveshje historike maqedonaso-shqiptare”, fliste për vullnetin shqiptar e për gjuhën shqipe, ishte një përpjekje më serioze për ndërtimin e identitetit politik shqiptar në Maqedoni, por realizimi praktik nuk arriti të mbetet në këto binarë. Ndonëse i filluar si projekt me “marrëveshje historike shqiptaro-maqedonase”, ai përfundoi me “partneritet strategjik” me VMRO-DPMNE-në, që ashtu të arsyetohej fakti që më 1998 – PDSH-ja, edhe pse nuk i fitoi zgjedhjet, ajo u fut në qeveri me VMRO-në.
I ardhur në Maqedoni përmes mendimit të Arbër Xhaferit (intelektual tetovar i shkolluar në Beograd dhe i ndërtuar në qarqet intelektuale kosovare – ideologjikisht i frymës antiserbe të eksponentëve të liberalizmit jugosllav), ky projekt kërkonte që Maqedonia të ndërtohej në një marrëveshje historike mes dy etniteteve: maqedonasve dhe shqiptarëve.

Projekti në fjalë, ndonëse e avanconte çështjen shqiptare në Maqedoni, përsëri nuk arriti ta përkapë indin e vërtetë shqiptar, ta tipizojë nacionalizmin e vërtetë shqiptar në Maqedoni dhe ta ndërtojë e kanalizojë saktë interesin shqiptar në Maqedoni. Në fakt, ky projekt politik më shumë do të mbetet një demo-version i nacionalizmit shqiptar, një përpjekje për instalim të një nacionalizmi të Kosovës në rrethanat shqiptare të Maqedonisë, sesa një artikulim i njëmendtë i nacionalizmit të shqiptarëve të Maqedonisë.

Në të vërtetë, Arbër Xhaferi tezën e “socializmit liberal” e zëvendësoi me “nacionalizmin evropian të shqiptarëve” (që përkon me atë që sot e promovon edhe Kadareja). Duke e sforcuar këtë ide, tezën komuniste se “rrezik për socializmin liberal janë imperializmi dhe stalinizmi”, ai e zëvendësoi me tezën se “rrezik për nacionalizmin shqiptar janë komunizmi dhe orienti”. Një ndërrim i termave, që megjithatë e ruante matricën e formimit të tij ideologjik.

Në fakt, kur ranë dy shtyllat themelore të PDSH-së (“marrëveshja historike”, që u zëvendësua me “partneritet strategjik”, dhe kur “nacionalizmi i importuar” – në vend të nacionalizmit autokton – nuk ngjiti te shqiptarët e Maqedonisë), u shter edhe ky projekt politik. Madje, jemi të bindur, se për shkak se nuk u përpoq ta kapë frymën nacionaliste të shqiptarëve të Maqedonisë, por u mundua të sjellë një nacionalizëm nga Kosova, edhe projekti politik i Arbër Xhaferit nuk arriti të mishërohet me popullin shqiptar të Maqedonisë dhe të ndërtojë identitet autentik politik, që do të përqafohej në mënyrë masive, siç ndodhi – fjala bie – me projektin e LDK-së në Kosovë. Ç’është e vërteta, PDSH-ja duhej të ishte LDK-ja e Maqedonisë, por për shkak të gjendjes intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë, e aq më shumë për shkak se ideatorët nuk e kishin njohur mirë shqiptarin ordiner të Maqedonisë dhe për shkak se një pjesë e lidershipit të saj politik aq shpejt u komprometua e u korruptua, projekti ishte i destinuar me dështim. Natyrisht, me vdekjen e Arbër Xhaferit përfundoi edhe ky projekt, aq më tepër që lufta e vitit 2001 e ndali atë dhe solli një projekt tjetër.

BDI – enverizmi integrist

Dhe, kur dështoi projekti institucionalit dhe kur dështoi projekti i demo-nacionalizmit të marrëveshjes mes kombeve, i erdhi radha revolucionit. Presioni serb në Kosovë e shkaktoi dhe e ndihmoi zhvillimin e enverizmit (versioni më radikal i komunizmit – përtej stalinizmit), që erdhi në trajtë të idesë marksist-leniniste se liria arrihet përmes revolucionit të popullit. Kjo ide u mishërua në lëvizjet e majta shqiptare, që ishin ilegale dhe rëndom vepronin në Perëndim. Dhe, ndonëse në vitin 1990 enverizmi doli se ka qenë ideologji antinacionaliste, sepse ishte frymë internacionaliste, fryma revolucionare mbeti akoma aktive dhe ajo solli vitet e luftës në kapërcyell të shekullit XXI. Enveristët, si revolucionarë që ishin, ata ishin materiali më i mirë për realizimin e projektit të luftërave në Kosovë, në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni. Meqë ideologjia e tyre tashmë kishte dështuar, ndërsa ata nuk kishin mundur të jenë imunë ndaj vlerave evropiane – ku vepronin në ilegalitet, ata ishin bërë substancë amorfe dhe e gatshme të përqafojë secilën ideologji tjetër që ua plotësonte edhe pasionin për pushtet. Në këtë drejtim ata e ruajtën ideologjinë enveriste, por atë e ridizajnuan me integrimin evropian, duke shpjeguar se ashtu do të bashkohej kombi.

Ndonëse përmes revolucionit (luftës së UÇK-së) arritën ta marrin pushtetin, ata kurrë nuk arritën ta ndërtojnë identitetin e shqiptarit tipik të Maqedonisë. Duke mos e marrë parasysh substratin dhe traditën e historinë e këtij kombi, ndërsa të preokupuar me pasionin për pushtet, ky opsion enveriste – i trajtësuara në parti politike integriste – mbeti pezull mbi atë që ishte populli shqiptar në Maqedoni.

Meqë enverizmi nuk është ideologji që ngjet më, aq më pak me shqiptarin e Maqedonisë, rrëfimi i kësaj partie u ndërtua mbi integrimin evropian. Por, kur – edhe pas kaq vitesh në pushtet dhe duke e udhëhequr dikasterin e euro-integrimeve – ata nuk arritën aspak ta lëvizin hapin drejt BE-së, por bile kohëve të fundit – të kapur nga VMRO-DMNE-ja – vendi ka bërë hapa drejt Rusisë, lë të kuptohet se këtu ka përfunduar edhe rrëfimi i tyre. Dështimi për integrimin evropian, si dhe energjia e konsumuar e suksesit të UÇK-së, që po ashtu është shpenzuar krejt, janë shenja se kjo parti qëndron në skenë vetëm falë klientelizmit, lidhjeve biznesore dhe afariste, andaj në çastin që nuk do të ketë pushtet, as ajo nuk do të mbetet si strukturë politike. Këtë, veç tjerash, e dëshmuan edhe zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016. Paraqitja e një opozite serioze e përgjysmoi këtë parti, ndërsa projeksionet janë se në zgjedhjet ardhme ajo mund të mbetet parti minore.

Kjo parti i ngjan një shigjete që ka dalë nga harku: shigjeta (partia) ka shkuar përpjetë derisa e ka mbajtur fuqia e shtytjes nga harku (UÇK-ja) dhe ka shkuar aq larg sa e ka mbajtur rrëfimi për euro-integrimin, ndërsa kur kjo shtytje tashmë ka rënë (UÇK-ja është harxhuar, ndërsa integrimi nuk po ndodhë, kjo edhe për shkak të zhvillimeve në BE, si BREX-it etj.), që nënkupton se ajo ka mbetur pa rrëfimin e saj, është vetëm çështje kohe se kur ajo do të bie në tokë.

Kërkesa për ridefinim autentik dhe autokton

Kur kemi ardhur në këtë pikë, kur ka dështuar “institucionalizmi”, që po e tipizojmë me Partinë për Prosperitet Demokratik, kur ka dështuar demo-nacionalizmi, i personifikuar në Partinë Demokratike Shqiptare dhe kur ka dështuar enverizmi integrist, i personifikuar në Bashkimin Demokratik për Integrim, përfundimisht ka ardhur koha të kërkohet opsioni autentik dhe autokton i shqiptarëve të Maqedonisë. Këtu duhet theksuar se të gjitha këto tri opsione, në të vërtetë, kanë qenë importime dhe imponime dhe ato asnjëherë nuk kanë arritur të jenë komplementare dhe kompatibile me natyrën e shqiptarëve të Maqedonisë. Andaj, në mungesë të autoktonisë, janë destinuar të dështojnë.

Sipas nesh, që ta kuptojmë se cili duhet të jetë identiteti politik i shqiptarëve të Maqedonisë, duhet studiuar mirë se cili është tipi i këtij shqiptari dhe i kësaj shqiptarie. Nëse duam të prodhojmë shqiptar të suksesshëm në Maqedoni dhe ky të jetë lajtmotivi i identiteti politik të kësaj shqiptarie dhe këtij nacionalizmi, konsiderojmë se duhet marrë parasysh historia, së paku në shekullin, e fundit të shqiptarëve të Maqedonisë, organizimet politike, familja shqiptare e Maqedonisë, niveli arsimor, kulturor dhe urbanistik, identiteti religjioz dhe gjendja ekonomike, që kështu të mund ta tipizojmë profilin e subjektit politik përfaqësues të këtij kombi këtu. Sipas meje, ky është një shqiptar konservator, familjar, religjioz, rëndom i djathtë, i shtresës së varfër ose mesme dhe, mbi të gjitha, antikomunist. Dhe, nëse duam që ta ndërtojmë një nacionalizëm autentik shqiptar mbi këto parametra, kjo nënkupton se duhet projektuar edhe një shqiptari autentike, që megjithëse mund të dallojë nga “shqiptaria shtetërore dhe europiane” në Shqipëri dhe “shqiptaria kosovare a amerikane” në Kosovë, ajo do të jetë një shqiptari me vlerat e saj autoktone, që do të mundohet t’i ruajë ato, por nuk do të heqë dorë nga liria kombëtare dhe barazia në të gjitha nivelet me kombin maqedonas. Me këtë nuk shpiket uji i ngrohtë, duke zbuluar ndonjë shqiptari të paqenë, e as duke imponuar ndonjë standard, por thjesht afirmohen vlerat autoktone të kombit shqiptar në Maqedoni.

Shprehur ndryshe, i bie të themi se nëse ka dështuar projekti “institucionalist”, projekti “demo-nacionalist”, projekti “enverist-integrist”, e ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë duhet kërkuar në afirmimin e identitetit autentik dhe autokton shqiptar, një vlerë që është komplementare me tabanin kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ky nacionalizëm shqiptar do të kërkojë barazinë mbi bazë të autoktonisë shqiptare në këto troje, e jo për arsye të konventave e as për shkak të përqindjes së popullsisë. Ne kemi qenë dhe jemi shqiptarë në këto troje prej se mbahen mend këto gurë e ky dhè dhe ne askujt nuk mund t’ia lejojmë të na diskriminojë në asnjë bazë. Ky duhet të jetë modus vivendi i shqiptarit në Maqedoni dhe me këtë nuk ka pse dhe si të bëhet kompromis. Maqedonia duhet ta kuptojë përfundimisht se mund të jetë shtet i suksesshëm vetëm nëse shqiptarët në të i trajton si pronarë të barabartë të shtetit me kombin maqedonas. Në të kundërtën, ky shtet gjithnjë do të luhatet në ujëra të destabilizimit e krizës, siç po ndodhë edhe këto ditë.

Ndërkaq, që subjektet shqiptare të jenë të suksesshme në rrethana të Maqedonisë, do të duhej të dëshmojnë se janë subjekte autonome dhe të pavarura nga importimet dhe imponimet e modeleve që diku janë dëshmuar. Nëse diçka duam të jetë e suksesshme, ajo duhet të burojë nga fuqitë vendore. Dhe, së fundi, ideja e atyre subjekteve duhet të jetë autentike e komplementare ne nevojat, kërkesat dhe tipin e shqiptarit të Maqedonisë. Kjo i bie se 3 A-të (Autentik, Autokton dhe Autonom) do të duhej të ishin kompromisi ose garancia shqiptare ndaj maqedonasve për një ridefinim të mbarë të këtij vend. Ky nacionalizëm shqiptar, i ndërtuar mbi këto parime, do të duhet ta ruajë dhe kultivojë trashëgiminë historike e kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë, ndërsa do të synojë të prodhojë një shqiptar të realizuar në baza etnike, kulturore, ekonomike, arsimore, shkencore, religjioze etj.

Kjo nënkupton një ridefinim të gjithë sistemit të shtetbërjes, sepse kështu si është, ai është një shtet jofunksional dhe i frustruar: maqedonasit e shohin shtetin si pronë të tyre, ndërsa shqiptarët e shohin shtetin si mekanizëm që i diskriminon ata. Andaj, nëse qytetarët e këtij shteti duan të kenë mirëqenie, duhet të punojnë bashkërisht për t’i korrigjuar këto definicione të gabuara mbi shtetin, që shteti të normalizohet dhe të jetë i barabartë për të gjithë njësoj.

Postime të Ngjajshme