` . Ne jetojmë në një shkretëtirë morale - TV-SHENJA

Ne jetojmë në një shkretëtirë morale

Nganjëherë na mjafton një ditë që ta kuptojmë një jetë. Kjo ditë, vërtet, e tillë ishte, sepse ma sqaroi edhe më hollë që ne si njerëz dhe si shoqëri jemi duke u sjellë në mënyrë shpërdoruese ndaj jetës, ndaj mundësive që i kemi, ndaj vetes e ndaj të tjerëve

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Kur del në terren dhe takon njerëz të ndryshëm, në vende të ndryshme, e kupton më hollësisht edhe gjendjen në shoqëri. I kupton hallet e njerëzve, idetë e tyre, ëndrrat e tyre, budallakitë e tyre, si edhe hipokrizinë dhe tinëzinë e institucioneve. Dhe, ashtu e kupton edhe veten më mirë, e kupton se detyra jote është të përpiqesh, brenda mundësive tua, që të ndihmosh në përmirësimin e gjendjes në shoqëri, po edhe në zgjidhjen e halleve, zbutjen e dhimbjeve të njerëzve ose në sqarimin e gjerave të cilat disa nuk i kanë të qarta. Nëse angazhohesh ditë pas dite, pas një kohe posedon më shumë informata dhe e ke më të qartë gjendjen në shoqëri dhe cilat janë mundësitë potenciale për përmirësimin e saj.

Brenda mundësive të mia, krahas kohës që e kaloj me punë e studime, bëj përpjekje, ndonëse jo çdo ditë, që të bëj diçka në këtë drejtim, pra për ta kuptuar gjendjen dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e ndonjë halli ose për të sqaruar ndonjë paqartësi. Bile edhe postimet e mia të shpeshta në rrjete sociale dhe tekstet autoriale e intervistat në medie, po këtë synim e kanë. Megjithatë, jeta konkrete e njerëzve konkretë mbetet miniera nga e cila mund të mësojmë shumë. Këtu po skicoj disa rrëfime të vërteta nga jeta e disa njerëzve, të cilat i kam dëgjuar vetëm brenda një ditë dhe një nate, në njërën nga fundjavat e këtij muaji.

I varrosur në shkretëtirë, një shkretëtirë më të madhe ka lënë në familje

Një burrë shqiptar në moshë, i ardhur nga Shkupi për derman në Prevallë, si duket në një fazë të avancuar të kancerit, më tregoi për më shumë se një orë historinë e tmerrshme dhe të dhimbshme të familjes së vet, pas shkuarjes në Siri të djalit të tij të madh. Ata kishin jetuar me vite në Gjermani: ky burri rrobaqepës, ndërsa i biri imam në një xhami. Kishin pasur jetë të mirë e të qetë. I biri e kishte pasur rrogën mujore 5600 euro, priste fëmijën e parë, kur papritur kishte vendosur t’i linte të gjitha të mirat dhe të merrte rrugën e vdekjes në tokën e huaj, në tokën e përgjakur siriane. Ishe rreshtuar në radhët e Al-Nusrës. Pas njëfarë kohe, babai i mërzitur, me një udhëtim plot peripeci, kishte shkuar në Siri, e kishte takuar të birin dhe e kishte lutur të kthehej, i kishte dërguar lajmin e gëzueshëm për lindjen e vajzës, por ai nuk kishte dashur as të dëgjojë. Kishte vazhduar të merrte pjesë në atë luftë të huaj, në atë tokë të huaj, për një kauzë të huaj, duke e injoruar familjen e vet. Ishte vrarë, siç thotë ky burri, “në një ditë të shenjtë”. Babai nuk ia dinte varrin, vajza nuk e kishte parë kurrë babanë e vet, ndërsa e shoqja kishte mbetur e vejë në moshë shumë të re. Pas një heshtjeje varri, ai burri më lëshoi një video nga celulari, ku i ndjeri, për gjallje e kishte thirrë ezanin në xhami. Celulari filloi t’i dridhej në dorë, pastaj m’u duk se dridhej i tëri. Mandej filluan t’i rridhnin lot…. lotët i dilnin çurga, ndërsa ai rrinte i heshtur si gur. Lotët e tij vërtet më prekën në shpirt. Pasi e kaloi atë gjendje, më tregoi se e mbesa po rritej në Gjermani, me të ëmën, ndërsa ky me të shoqen shkonin herë pas herësh në vizita. “Sociali” ia kishte dhënë nuses e fëmijës një banesë më modeste nga ajo që e kishin pasur më herët. Vajzës ia kishin zbukuruar dhomën me lloj-lloj lodrash dhe kujdeseshin për të e për të venë e re. Burri i sëmurë fliste në mënyrë apatike, dyshimtare, disi si njeriu që nuk e kupton tërësisht atë që flet. Vërtet, në shikim të parë duket pak a shumë e pakuptueshme: shteti gjerman kujdeset për familjen e një personi që është vrarë duke qenë pjesëtar i një organizate të shpallur terroriste. Plaku është i dyzuar, i hutuar: në njërën anë “shehidllëku” i të birit në një tokë të huaj, në një luftë ndërmjet vetë myslimanëve, e që ishte varrosur dikund në shkretëtirë, ndërsa në anë tjetër, një shtet i huaj që kujdeset për familjen e tij edhe në detajet e dhomës së një vogëlusheje.

Pak para mesnate e vërejta që ishte lodhur shumë, dukej i dërrmuar, ndonëse ndiente nevojë ta vazhdonte rrëfimin e vet. Në një moment e gjeta një mundësi ta mbyll atë bisedë/rrëfim të tij të rëndë e të dhimbshëm. Por, më mbeti në kujtesë si i gravuar: në ditët e fundit të jetës së vet, ky burrë është më shumë i preokupuar me dilemat për të birin e vrarë në atë luftë të huaj sesa me sëmundjen e vet. Po ashtu është shumë i mërzitur për mbesën, të cilën tashmë nuk ka mundësi ta vizitojë e t’i jetë pranë. Kësodore më është edhe më e qartë se po ta kishte përgjegjësinë ndaj prindërve e ndaj familjes, e të mos fantaksej ndaj një ideje të marrë, ai djalë nuk do të shkonte në atë luftë të huaj. Do të vdiste po në atë moshë, por pa e lënë prapa atë shkretëtirë të pamatur dhimbje në shpirtin e babait e të gjithë familjes së vet. 

Shkretëtira morale e atyre që duhet ta ngrenë moralin në shoqëri

Po atë natë e në po të njëjtin vend, një aktivist humanitar, m’i tregoi vështirësitë e punës së tij për grumbullimin e ndihmave për jetimët në një komunë të Kosovës. Ajo që më tronditi në rrëfimin e tij është se pengesat nuk i kishte pasur nga shteti, po nga Bashkësia Islame e Kosovës. Zyrtarë të saj kishin bërë presione te bamirësit, tek donatorët, që t’ua jepnin ndihmat atyre, BIK-ut, e jo asaj shoqate. Disi kishin lënë të nënkuptohej se kjo duhej të bëhej në emër të “institucionalizmit” e të eliminimit të “ekstremizmit”. Ashtu e kishin prishur rrjetin e ndihmave dhe ashtu ishte ndërprerë një mundësi e ndihmës ndaj jetimëve në atë komunë. Sado që e gjitha duhet të verifikohet, shija e hidhur e këtyre ndërhyrjeve tinëzare mbetet.

Ndërkaq një menaxher i një mediumi po më rrëfente, po atë ditë, një përvojë të tijën të çuditshme: krerët e të njëjtit asociacion nuk donin që në emisionet që i sponsorizojnë ata, të përfshihen disa dijetarë të moderuar, tolerantë e të dijshëm, të cilët publiku i pëlqen fort. Nëse në rastin e asaj shoqatës mund të jetë spekuluar se mbyllja duhej të bëhej si “luftë kundër ekstremizmit” (buka e jetimëve nuk mund të jetë ekstremizëm), në këtë rastin e dytë fjala është për xhelozi, për paaftësi për të konkurruar me dije, me vlera. Dhe, në këtë rast kërkohet t’u mbyllet goja të moderuarve, të diturve, që të mos ua prishin terezinë mediokërve. Fatkeqësisht, nuk është vetëm një rast, nuk është vetëm përjashtimi i Elvis Naçit, fjala vjen. Kjo tendencë për të ekskomunikuar të diturit, të ndershmit, të suksesshmit, të pashantazhuarit, është shndërruar në program. Jo vetëm në BIK (aty po e po), por në të gjitha institucionet, në të gjitha asociacionet, kudo ku ka një gram pushtet. Shkretëtirë e pamatur morale, vërtet! Pyetja më e dhimbshme është: pse edhe në BIK?! Nga ata do të duhej të pritej përpjekja për afirmimin e vlerave dhe të ngritjes së moralit në shoqëri, e jo lufta kundër vlerave.

 Oaza e nëpërkëmbur

Një student i studimeve master po më tregonte se në programin ku ai studionte, shumica e mësimdhënësve imponojnë të mësuarit përmendësh, nga disa libra e “skripta” të tyre të vjetruara. Studenti i shkëlqyeshëm po më thoshte se të mësuarit përmendësh të atyre leksioneve ishte një torturë dhe një punë krejt e padobishme. Por, vetëm ashtu mund të kaloheshin provimet. M’u kujtua thënia e Umberto Ekos, cili thoshte se universitete janë të vetmet oaza ku ka mbetur pak mundësi të kultivohet mendimi i lirë. Por, në këtë rastin tonë, mësimdhënës mediokër e profiterë, oazën e kanë shndërruar në shkretëtirë.

Si për sherr, po këtë ditë, një gazetar i ri më shpjegonte se në portalet ku kishte punuar, një gjë nuk arrinte ta kuptonte tamam: tekstet që trajtonin tema politike e ekonomike praktikisht nuk merrnin kurrfarë vëmendjeje nga ana e lexuesve, ndërsa në storiet me elemente pornografike, me thashetheme dhe me kotsihane, pëlqimet e lexuesve ishin të mëdha. Pra, shumica duan antivlera. Eh, po edhe kjo tingëllon si një shkretëtirë morale.

M’u mbyll ajo ditë e ajo natë me këto përvoja e rrëfime të hidhura. Nganjëherë na mjafton një ditë që ta kuptojmë një jetë. Kjo ditë, vërtet, e tillë ishte, sepse ma sqaroi edhe më hollë që ne si njerëz dhe si shoqëri jemi duke u sjellë në mënyrë shpërdoruese ndaj jetës, ndaj mundësive që i kemi, ndaj vetes e ndaj të tjerëve. Jemi një shoqëri e shndërruar në shkretëtirë morale, në rend të parë.

Por, edhe me këtë prospekt, mundësia e përmirësimit ekziston. Si fillim duhet t’i dëgjojmë rrëfimet e njerëzve, të përpiqemi t’i mirëkuptojmë, t’i korrigjojmë ku e kanë gabim dhe pastaj të japim ide konkrete e, mbi të gjitha, të përpiqemi me ngulm e me guxim që të dalim nga shkretëtira e të ecim bashkërisht drejt oazës së jetës. Dhe, ta themi të vërtetën, sado e hidhur që të jetë, edhe kur është fjala për njerëzit tanë.

Një gjë është e sigurt: aty ku nuk ka përpjekje, ama përpjekje guximtare, që të mposhtet e keqja dhe të triumfojë e mira, nuk mund të ketë ndryshim, nuk mund të ketë përmirësim. Aty ka llafe, llomotitje, laskuchane, llumë. Si brenda një dite, si brenda tërë jetës.