` . Në emër të të bërit shtet - TV-SHENJA

Në emër të të bërit shtet

Shkruan: Nuredin Nazarko

Tashmë është më se e njohur se zhvillimi dhe thellimi i zhvillimit të shoqërisë njerëzore lindi nevojën për një organizim ndryshe të shoqërisë njerëzore nga bashkësia e hershme fisnore. Rritja demografike, nevoja për më tepër hapësirë jete, kompleksiteti i veprimtarive ekonomike, nevoja e ruajtjes dhe mbrojtjes së jetës, nderit, pasurisë, familjes, nevojave shpirtërore, dinjitetit njerëzor, i shtyn njerëzit drejt organizimeve të tilla, që kërkonin medoemos rregullim të këtyre veprimtarive nën hijen e një emëruesi të përbashkët. Kësisoj lindën organizimet shtetërore, të manifestuara nëpërmjet formave të caktuara të regjimeve politike.

Qeverisja e një mase të caktuar njerëzish, është sfiduese, megjithatë nga vetë rendi natyror i gjërave, shoqëria njerëzore e ka të nevojshme qeverisjen nëpërmjet dikujt. Edhe njerëzit janë më se të ndërgjegjshëm se shoqëria njerëzore ka nevojë për një qeverisje, ku një grup i caktuar njerëzish do të drejtojnë dhe qeverisin të tjerët. Kjo është e pashmangshme, duam apo nuk duam ne. Rrjedhimisht, zgjidhja nuk është në dorën tonë, por zgjedhja po. Ne nuk mund të zgjidhim nëse do të ketë apo jo qeverisje nëpërmjet formave të caktuara të regjimeve politike, sepse nuk jemi ne përcaktuesit e rendit natyror të gjërave, por ne mund të zgjedhim, formën e regjimit politik dhe, për më tepër, grupin drejtues dhe qeverisës. Po ashtu mund të zgjedhim t’i besatohemi ose jo një udhëheqësi ose një force politike të caktuar, që merr në dorë drejtimin dhe qeverisjen e një shoqërie të caktuar, nën emëruesin shtet.

Është e sigurt që jo të gjithë do të ndajnë të njëjtin mendim, do të mbajnë të njëjtin qëndrim ndaj grupimit që merr në dorë frenat e një shteti, pasi që është më se e kuptueshme se pas çdo figure udhëheqëse qëndron një grupim i caktuar, që shërben si mbështetës i udhëheqësit, pavarësisht se qëndrojnë në hije. Në këtë mënyrë, organizimi dhe qeverisja bëhet shprehëse e interesave që mbron grupimi që arrin të shtjerë në dorë pushtetin. Kështu, mbetet që shteti të jetë shprehës i interesave të grupit sundues në shoqëri. Si rrjedhim i kësaj, shteti kthehet në manifestim interesash të grupimeve të caktuara shoqërore, që rivalizojnë mes njëri- tjetrit për të shtënë në dorë pushtetin me pretendimin se marrja e pushtetit nga një grup është në të mirën e shtetit dhe marrja e pushtetit nga grupi tjetër rival është i rrezikshëm për shtetin. E njëjta frymë, i njëjti perceptim tejçohet në drejtim të shoqërisë, e cila reflekton këtë rivalitet interesash, duke e lidhur edhe me realizimin e interesave vetjake nëpërmjet njërit ose tjetrit grupim.

Secili grupim që synon të shtjerë në dorë pushtetin, propagandon se e bën këtë vetëm e vetëm duke menduar për të mirën e përgjithshme, për të çuar zhvillimet drejt progresit, për të rritur nivelin e standardit të të jetuarit dhe, si përfundim, për të treguar që kemi arritur të ngremë një shtet për të qenë. Pra, në emër të të bërit shtet, lufton për të marrë në dorë drejtimin e shtetit. Dikush patjetër që do të marrë në dorë drejtimin e qeverisjes, organizimin dhe drejtimin e shtetit. Ajo që është thelbësore në këtë çështje tepër të rëndësishme dhe që përbën realisht shqetësim lidhet me personalitetin e personave që janë interpretues të interesave, të grupimeve që i mbështetin për të shtënë në dorë drejtimin e shtetit.

A janë këta persona njerëz me vlera etike, morale, të pajisur me virtyte apo janë njerëz që janë përfundur nga shtjellat e humnerave të fundbotshme?

A janë këta të duhurit apo shfaqen si të tillë nën petkun e tam-tameve propagandistike?

A janë këta që do të shpëtojnë masën nga problemet apo janë po të njëjtit që nuk kontrollojnë dot vetvetet dhe familjet e tyre?

A do të jenë këta që do ta kthejnë shtetin në shërbestar të nënshtetasve apo shërbimin ndaj nënshtetasve do ta përdorin si recetë me gjethe mëllage për të treguar dashurinë ndaj zhvillimit të vendit?

A janë këta realisht njerëz që e meritojnë të qeverisin një vend, të marrin në dorë të ardhmen e shoqërisë apo jo?

Këto janë pyetje që duhen shtruar çdoherë kur të gjendemi përballë zgjedhjes dhe jo zgjidhjes. Është jashtëzakonisht e rëndësishme ndërlidhja mes moralit dhe individit ose grupimit që kërkon të marrë pushtet, pasi që në rast të mungesës së kësaj ndërlidhjeje, gjendemi përballë një rreziku, që mund të kthehet në një metastazë torturuese për të qeverisurit. Në rast se pushteti përfundon në duart e një grupimi të caktuar, që nuk reflekton as një grimë moral, si mund të mendojmë se do të ketë bereqet nga qeverisja e këtij grupimi?

Ky grupim, në emër të të bërit shtet, do të maskohet si dashamirës i nënshtetasve. Madje, në vende që kanë edhe probleme me standardet e të jetuarit pranueshëm, do të kenë dhe një aleat të rëndësishëm (varfërinë), për të legjitimuar realizmin e interesave të tyre sadisto-egoiste. Në emër të të bërit shtet grupimi që ka shtënë në dorë pushtetin mund të legjitimojë çdo lloj nisme që e mbron ligjërisht nga reagimi i masës, në rast se do të ketë, dhe do të shfaqet përballë të qeverisurve si shtetbërës që mendon e punon për të mirën e përgjithshme. Në emër të të bërit shtet spastrohet çdo gjë që rrezikon shtetin. Në emër të të bërit shtet kufizohen liritë e njeriut, goditet dhe nëpërkëmbet dinjiteti njerëzor, trysnohet dhe shkelet i moralshmi dhe morali, i drejti dhe drejtësia, i miri dhe mirësia, i bukuri dhe bukuria, fisniku dhe fisnikëria, sepse grupimi që ka marrë pushtetin është në antitezë me moralin dhe gjithë çfarë rrjedh prej tij, është antipod i moralit dhe rrjedhimisht antipod i atyre që jetojnë moralshëm, të cilët janë sfida më serioze e një pushteti që mbijeton me receta me gjethe mëllage.

Në emër të të bërit shtet jo çdokujt mund t’i besohet detyra e qeverisjes, sepse kjo është një detyrë thelbësore dhe për thelbet nuk mund të përkujdesen ata që kurojnë të tjerët me gjethe mëllage dhe supë me barishte të rritura në farishtet e demagogjisë politike.

Postime të Ngjajshme