` . Në arenën e luftës për të vendosur paqen - TV-SHENJA

Në arenën e luftës për të vendosur paqen

Gjatë ditëve kur filloi operacioni sondazhet e realizuara nga AREDA dëshmuan se opinioni publik në Turqi, në mënyrë të jashtëzakonshme, e mbështeti operacionin. Kështu 76% e të anketuarve ishin “Për”, 77% e tyre deklaruan që operacioni do të jetë i suksesshëm, ndërsa 73% deklaruan që operacionin e konsiderojnë si “luftë kundër terrorizmit”

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Sa me tepër që kalonte koha dhe mosdhënia fund e luftës civile në Siri, aq më tepër iu hap rruga organizatave të ndryshme terroriste dhe, si rrjedhojë, territori sirian u nda në linja etnike dhe ideologjike. Kjo solli një situatë të tillë që diplomacia ndërkombëtare e hoqi nga rendi i ditës largimin e Asadit nga pushteti! Andaj, ndërhyrja ushtarake e aktorëve shtetërorë ishte pikërisht kundër organizatave terroriste që operonin në terrenin sirian!

Operacionet e Turqisë, fillimisht me “Mburojën e Eufratit” (gusht 2016), më pas me “Dega e Ullirit”(janar 2018), por edhe kjo e tanishmja, kanë për qëllim eliminimin e çfarëdo lloj kërcënimi nga formacionet ushtarake, siç janë Forcat Siriane Demokratike (SDF), që vlerësohet të jenë me rreth 60.000 pjesëtarë dhe Njësia për Mbrojtjen Popullore (YPG), e cila një është zgjatje e organizatës terroriste PKK!

Në fakt, operacioni i cili tanimë quhet “Burimi i Paqes”, nga eprorët e shtetit turk u paralajmërua që në dhjetor të vitit 2018 dhe, si i tillë, ka për qëllim vënien nën kontroll të pjesës veriore të Sirisë me një gjatësi prej 444 km dhe thellësi prej 32 km. Kontrolli i forcave turke, por edhe i ushtrisë së lirë siriane mbi këtë brez tokësor, bën të mundur, pra, jo vetëm shkëputjen gjeografike të territorit turk nga elementet terroriste brenda Sirisë, por edhe krijimin e një tampon zone të sigurisë, që kohëve të fundit zuri vend tejmase në komunikimet e diplomacisë turke me atë amerikane! Siç duket, që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri te fillimi zyrtar i operacionit, përveç përgatitjes logjistike të ushtrisë, Turqia iu desh të koordinojë hapat, qoftë me administratën amerikane, por edhe me qeverinë ruse!

Rajoni në të cilin janë të pranishme strukturat e YPG-së, përveç burimeve të pasura natyrore e ujore, ka edhe një rëndësi ekonomike, nga fakti se aty gjenden rreth 90% të naftës së Sirisë dhe 45% e prodhimit të gazit! (BBC Arabic).

Ndonëse erdhi drita e gjelbër nga Shtëpia e Bardhë për fillimin e operacionit, duket se përsëri institucionet kryesore në SHBA nuk ishin të njëzëshme. Mbështetja e Pentagonit për trupat SDF me arsyetimin se këto të fundit luftuan kundër DEASH-it, si dhe zërat nga Kongresi për vendosjen e sanksioneve kundër Turqinë, përbëjnë një shembull të kësaj.

Me gjasë, kjo është arsyeja që ushtria turke në mënyrë të shpejtë përparoi drejt zonave që synonte dhe kësisoj krijoi një realitet të ri në terren, madje edhe në rast të tërheqjes amerikane (lexo: presidentit Trump) nga mbështetja e operacionit! Që në ditën e katërt të fillimit të operacionit Ministria e Mbrojtjes së Turqisë njoftoi se forcat turke kishin arritur të hyjnë në korridorin M4, që lidh pjesët veriore të Sirisë!

Operacioni “Burimi i Paqes” filloi nga qytetet Tel Ebjed dhe Re’sel’Ajn, ndërsa Instituti i Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Mesme vë në dukje se ka dy arsye se pse ofensiva ushtarake turke u nis pikërisht në këto dy qytete;

Një ofensive e tillë është e mirëpritur për banorët lokalë arabë, të cilët assesi nuk e pranonin sundimin autoritar të grupeve terroriste si YPG, për shkak se këto të fundit viteve të fundit kishin filluar një inxhiniering politik e kulturor mbi popullsinë vendase (nuk duhet harruar fakti që nëpër programet arsimore pjesëtaret e YPG-së e SDF-së kishin imponuar mësimet marksiste, si dhe mësime mbi liderin e PKK-së terroriste, Abdullah Ocalan). Kësisoj, operacioni gjeti mbështetje dhe u mirëprit tek popullsia e këtyre vendeve.

Synimi i Turqisë me këtë operacion është që të transferojë refugjatët sirianë arabë në zonat që ishin të zaptuara nga YPG. Përveç çështjeve të sigurisë dhe eliminimit të kërcënimit terrorist nga kufijtë jugor të Turqisë, përmes operacionit “Burim i Paqes” ndër objektivat e Turqisë mund të radhisim edhe këto:

  • Zvogëlimi i presionit të brendshëm publik në Turqi ndaj qeverisë për shkak të numrit gjithnjë e më të madh të refugjatëve sirianë. Vlen të përmendët se gjatë ditëve kur filloi operacioni sondazhet – realizuar nga AREDA – treguan që opinioni publik në Turqi në mënyrë të jashtëzakonshme e mbështeti operacionin. Kështu 76% e të anketuarve ishin “Për”, 77% e tyre deklaruan se operacioni do të jetë i suksesshëm, ndërsa 73% deklaruan se operacionin e konsiderojnë si “luftë kundër terrorizmit” (NTV). Kjo jep të kuptosh se ky hap i Turqisë u mirëprit jo vetëm nga subjekte të ndryshme në Turqi, por edhe nga opinioni publik!
  • Krijimi i një pengese demografike, gjeografike, por edhe ushtarake midis Turqisë dhe organizatave terroriste;
  • Zgjerimi i zonës për ushtrinë opozitare ndaj regjimit, pra aleaten e Turqisë; (Qendra arabe për Hulumtime dhe Studime Politike);
  • Prishja e çfarëdolloj tendence për separatizmin kurd në Siri.

*          *          *

Operacioni i Turqisë në veriun e Sirisë i ndryshoi dinamikat e luftës siriane. (Al Jezeera). Lufta civile në Siri viteve të fundit ka kaluar në një fazë të re. Tanimë është temë diskutimi çështja e largimit të Asadit nga pushteti nuk! Përkundrazi, regjimi është në një gjendje të atillë thuajse identike me fillimin e luftës. Ajo, me ndihmën e aktorëve të tjerë, i ka kthyer qytetet e rëndësishme nën kontroll të saj. Madje, me fillimin e operacionit, pushteti në Damask arriti marrëveshje edhe me YPG-në, me qëllim që rajonet të cilat ishin nën kontroll të saj (YPG-së) t’i kthejë nën dominim të Asadit, siç është rasti me qytetin e Munbixhit! Një situatë e tillë pa dyshim që është e pranuar edhe për palën ruse, nga fakti se këto formacione (YPG e SDF) i kthen në krah të regjimit sirian! Megjithëse të gjitha palët e involvuara në Siri konsiderojnë se çfarë mund të fitohet nga e ardhmja politike e Sirisë, s’do mend se humbësit më të mëdhenj të luftës civile në Siri janë populli sirian!