` . Ndryshimi i mbarë, por i pamjaftueshëm - TV-SHENJA

Ndryshimi i mbarë, por i pamjaftueshëm

Përmasat kohore nuk janë problemi kryesor i këtij procesi, por problem është vëllimi i “përmirësimit”, në këtë rast, prej më pak se 2%! Meqë numrat e shumicës parlamentare janë në kufij të vendimbërjes, u desh një korrigjim dhe rishikim më i thellë se efekti prej vetëm rreth 50 milionë eurosh në të dy krahët e buxhetit – si në të ardhurat, ashtu edhe në shpenzimet publike.

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Nëse do t’i përjashtojmë dy vitet e para të qeverisjes normale të DPMNE-së (2006-2008), nga viti 2009 e deri në momentet e rishikimit të buxhetit të vitit 2017, pothuajsë në vazhdimësi, për gati një dekadë të tërë kemi pasur buxhete paradoksale me përmasa të fantazive irracionale. Bile disa prej tyre janë sjellë në “euforinë Manilove” (shprehje kjo e krijuar nga personazhi Manilov në romanin “Shpirtrat e vdekur” të Gogoljevit).

Buxheti dhe politikat fiskale, në vazhdimësi dhe me argumente të pakontestueshme, janë kritikuar përgjatë gjithë kohës, bile duke dhënë sugjerime dhe zgjidhje konkrete në ngritjen cilësore të meanxhimit të financave publike në të gjitha aspektet, që nga ato ekonomike, sociale, politike, etnike e deri te ato administrative. Megjithatë, përgjimet treguan se “kritikët e brendshëm” të qeverisë (vet ministri i Financave më i zëshëm!) kanë qenë edhe më rigorozë se zërat tanë të oponencës fiskale nga jashtë.

Buxheti u shndërrua në instrumentin kryesor të qeverisjes së keqe. Studiuesi eminent amerikan Larry Diamond, i cili i trajton shkencërisht demokracitë në botë, në vitin 2014, në një studim të tij të njohur, e konstaton fenomenin e “recesionit demokratik” dhe për këtë e përdor termin e “regjimeve hibride” për sistemet me diktaturë elektorale! Edhe në këto sisteme votohet, por brenda vet sistemit votues përdoren mekanizma të ndryshëm të “vjedhjes masive të votës”! S’di sa herë kemi tërhequr vërejtjen (jo vetëm në shtjellimet tona në këtë revistë) për qeverisjet e DPMNE-së dhe BDI-së, me të a.q. inxhiniering elektoral përmes mekanizmave buxhetorë. Buxheti dhe politikat fiskale, në të dy krahët e tij, si te të ardhurat ashtu edhe te shpenzimet publike, ishin kryekëput në funksion të cikleve politike në vend të atyre ekonomike.

Demagogjia dhe marketingu politik i DPMNE-së shkoi aq larg, sa edhe në këtë ribalanc të buxhetit të “tyre” provuan që “alkiminë e tyre fiskale” ta përdorin për kritikë parlamentare. Sikur harruan se po kjo “mostër fiskale” ishte produkt i vet atyre tetë muaj më parë. Është për t’u habitur përmasa e publikut naiv që akoma u besojnë atyre. Këtu i përjashtoj partizanët e tyre, që me vetëdije veprojnë ashtu. Facebook-partizanët e partnerëve strategjikë në qeverisjen e dekadës së fundit gjithnjë janë në gatishmëri që me “jashtëqitje dhe baltosje” t’i dekurajojnë kritikët!

Buxheti, si dokumenti më kapital i vendit, ku krahas aspekteve ekonomike pasqyrohen edhe politikat sociale, etnike dhe zhvillimore, meriton një shtjellim më të kujdesshëm. Në fakt, duke qenë se kishte opinione akademike (bile nga një ish nënkryetar i vetë LSDM-së), që mendonin se është i përshpejtuar, unë sërish mendoj se bile ishte i vonuar, krejt kjo duke e ditur sa e dëmshme është edhe vetëm një ditë vazhdimësie e jetës fiskale e një qeverisjeje të papërgjegjshme, siç ishte ajo që e miratoi si të tillë. Realisht, qeverisja aktuale besoj se ka dashur që sa më shpejt ta miratojë atë, por “ekuacioni” politik i saj aq i ka mundësuar. Thjesht ai u miratua pak më shumë se dy muaj pas marrjes së qeverisjes.

Përmasat kohore nuk janë problemi kryesor i këtij procesi, por problem është vëllimi i “përmirësimit”, në këtë rast, prej më pak se 2%! Meqë numrat e shumicës parlamentare janë në kufij të vendimbërjes, u desh një korrigjim dhe rishikim më i thellë se efekti prej vetëm rreth 50 milionë eurosh në të dy krahët e buxhetit – si në të ardhurat, ashtu edhe në shpenzimet publike. Arsyet janë këto: vetë analizat preliminare të qeverisë së re dëshmuan për parregullsitë e qeverisjes me financat publike. Ministri paralajmëroi gjysmë miliardi euro borxh të paevidentuar, ndërkohë që kryeministri edhe më shumë se kaq. Edhe sipas teorisë ekonomike shkencore roli më primar i qeverisë është parandalimi i grabitshmërisë së pronës dhe parave publike (Predatation). Këtë më së miri duhet ta dijë profesori i ekonomisë, në këtë rast ministri i Financave ose, me fjalor më popullor, “rrobaqepësi i buxhetit”!

Pjesa e të ardhurave publike edhe mund të jetë projektuar drejt (zvogëlim prej 1,5%), përpjestimisht me korrigjimin e normës së rritjes ekonomike! Edhe pse norma e rritjes akoma projektohet në 2,2%, realisht vetë zvogëlimi i të ardhurave prej 1,5% nga rritja paraprake prej 3% nënkupton se rritja ekonomike e projektuar për këtë vit mbetet rreth 1-1,5%. Duke pasur parasysh rritjen ekonomike zero për tremujorin e parë dhe, me gjasë, po aq edhe në të dytin, me gjithë optimizmin ekonomik të krijuar në gjysmën e dytë të vitit, një rritje reale mund të shkojë në përmasat 1,5%. Meqë nuk u dihet mundësive për një rishikim të ri të buxhetit për 2017-ën, duke pasur parasysh edhe agjendën elektorale lokale dhe limitin kohor (se nuk mund të bëhet ribalnac buxhetor pas 15 nëntorit të vitit vijues), them se u desh të bëhet një ribalanc më i thellë se përmasat e realizuara. Kjo është mungesë tipike e guximit (lexo: kërcimit) fiskal, gati tradicionalisht i dëshmuar si dobësi e qeverisjeve majtiste jo vetëm te ne.

Pjesa e korrigjuar (e zvogëluar) e shpenzimeve publike nuk duhej të projektohet në funksion të reduktimit të deficitit, në rreth 2,9% të PBB-së, sa është parashikuar me këtë ribalanc. Duke qenë një qeverisje e re, me përplot të panjohura në dubiozat jo vetëm fiskale, nuk duhej që aq restriktivisht t’i qasen këtij rishikimi, qoftë edhe të rritej deficiti për 0,5 apo 1%! Me rëndësi është që ekonomia të impaktohet duke infuzuar “një dozë” ekspansioni, për të filluar kështu këndelljen gjithaq të pritur. Aq më tepër që edhe vlerësimet për potencialin ekonomik të Bankës Botërore për Maqedoninë shkojnë nga 5,2% deri 6% rritje ekonomike vjetore. LSDM-ja duhej të ketë “mësuar nga pësimet” e veta prej vitit fiskal 2006-të kur e la buxhetin me teprica të panevojshme fiskale, por me dehidrime reale të ekonomisë.

Statistikat zyrtare fiskale, për gjysmën e parë të vitit, tregojnë se shpenzimet janë realizuar me 38% (ose 12% më pak), kurse të ardhurat me 46% (ose 4% më pak). Nëse analizohet struktura e shpenzimeve, duket se “janë forcuar” shpenzimet për shëndetësi, pensione dhe transferta sociale, në nivel prej 42% ose rreth 4% mbi nivelin mesatar të tyre. Sjellje tipike socialdemokrate dhe politikisht tipike për periudhën kohore parazgjedhore, edhe pse ekonomikisht është alokim joefiçient!

Nëse bëhet një analizë pak më përmbajtjesore për zërat buxhetorë të shtuar dhe të shkurtuar, mund të vërehen këto tendenca. Së pari, sforcimi i transfertave sociale, duke filluar nga pensionet, rreth 20 milionë euro më shumë, paraqesin efektin prej 40% të gjithë ribalancit buxhetor. Sigurisht se ky destinim s’ka alternativë momentale, por kjo nuk është zgjidhja. Nevojitet të rishikohet sistemi pensional i paqëndrueshëm dhe në tendencë permanente të përkeqësimit! Aktualisht, përfshirë edhe ribalancin e fundit, rreth 50% të nevojave për pensione financohen nga tatimet dhe subvencionet e buxhetit. Një çekuilibrimi tillë në burime të financimit është alarmant. Një distorzim tatimor i këtyre përmasave thjesht nuk mund të lejohet. Në aspekt ekonomik ky është solidaritet i tepruar, që nuk e durojnë (gjatë) rregullat e ekonomisë së tregut. Kjo i bie që pensionet financohen nga tatimet, që nuk është ekonomikisht e arsyeshme dhe, aq më pak, politikisht e në aspekt social e drejtë. Përveç rishikimeve të keqmenaxhimit (numri i pensioneve invalidore, pensionet maksimale ushtarake, fondet e shtyllës së dytë… etj.), do të nevojitet një rishikim urgjent i normës së kontributeve pensionale dhe invalidore. Për këtë më detajisht në një moment tjetër. Së dyti, nëse përmblidhen shpenzimet e rritura për mbrojtje sociale (rreth 3 milionë euro shtesë), zgjidhje fiskale për rreth 3.000 punëtorë të likuidimit (bankrotimit), si dhe subvencionimet e të “pagës minimale” prej 12.000 denarë që nga fillimi i shtatorit (për mbi 70 mijë punëtorë),… të gjitha si nomenklaturë bien në kosto sociale, rezulton që brenga e sforcuar sociale, edhe pse tejet legjitime dhe legale për këtë qeverisje, nuk mund të jetë e qëndrueshme në afat të mesëm e, aq më pak, në afat të gjatë. Së treti, zërat për politika aktive të punësimeve të reja (rreth 9 milionë euro) dhe rreth 2 milionë euro për përkrahje të NVM-së, si dhe investimeve fillestare (greenfield), mund të konsiderohen si nomenklaturë mikse – sa ekonomike, po aq sociale. Gjithashtu efektet e tyre ekonomike, posaçërisht në periudha të tranzicionit të qeverisjes së institucioneve, pritet të jenë të ngadalshme dhe të pamjaftueshme për të gjeneruar një nxitje të rritjes ekonomike më të qëndrueshme. Së katërti, që konsideroj se ishte më e rëndësishme, edhe pse e pamjaftueshme në përfshirje horizontale institucionale, ishte shkurtimi i “buxhetit të kryeministrisë” me një shumë prej mbi 7 milionë euro. Si përcaktim, pa dyshim vlen për t’u përshëndetur. Ky vullnet dhe mentalitet i përgjegjshëm duhej të bëhet edhe më radikal te të gjitha institucionet buxhetore dhe publike, pa harruar edhe entet jashtëbuxhetore, agjencitë qeveritare dhe ndërmarrjet publike: të shkurtohen të gjitha shpenzimet joproduktive, para së gjithash ato administrative, të udhëtimeve të panevojshme dhe të reprezentacionit në të gjitha nivelet. Nuk paralizohet shteti nëse reduktohen këto shpenzime. Përkundrazi, do të përforcohet ai. Janë paradoksale mbulimet e kostove të “mishit të kalit” dhe aventurat e tjera të truprojeve të funksionarëve të lartë në një shteti kaq të vobektë dhe me deficite të gjërave elementare. Kjo sferë duhet të rregullohet në mënyrë rigoroze. Sa për inkurajim, bile edhe shpenzimet e ahengjeve, qofshin edhe gjysmë zyrtare, të familjes së parë në Shtëpinë e Bardhë (familjes presidenciale) në shtetin më të fuqishëm në botë (SHBA), paguhen privatisht nga paga e Presidentit dhe kjo është e rregulluar detajisht. Mungesa e llogaridhënies publike për shpenzimet e parave tona e bën këtë fenomen të natyrshëm dhe normal. Shumë më shumë financiarisht ka kushtuar performimi i ansamblit shqiptar me vallen e Shotes në Krushevën e Ilindenit (për efekte politike ditore dhe lokale) sesa të performonte vetëm 5 minuta në stadiumin qendror, ku ka pasur shikueshmëri globale prej rreth 1 miliard njerëz. Interesi publik është kriteri fondamental i vendimbërjes së mirë në menaxhimin e parave publike. Këto shpenzime duhen matur me efekte publike dhe jo me “planifikime” teknike e burokratike.

Në lidhje me fenomenin e fundit (rregullimin e kostove), vrojtuar nga një dioptri tjetër për pagat e ministrave dhe drejtuesve ekzekutivë, kush mendon se një ministër është i motivuar të punojë për 1.100 euro në muaj, bile ka prej atyre që kanë lënë vende pune më pagë dyfishin e kësaj shume për t’u bë ministër?! A mund të luftohet korrupsioni endogjen me këto paga?

Buxheti qendror i një shteti si Maqedonia shkon mbi 3,2 miliardë euro në vit dhe një rritje (bile deri pesëfish) të pagave të ministrave dhe drejtuesve ekzekutiv, le të themi të rreth 200 zyrtarëve të lartë në shtet  (përfshirë 20 ministra), do t’i kushtonte shtetit (qytetarëve) vetëm rreth 10 milionë euro shtesë në vit (200×5.000 E=12 milionë – 2 milionë kosto aktuale). Kontributet janë vetëm kosto përllogaritare! Kjo është më pak se 0,33% e buxhetit shtetit! Me pagat aktuale të ministrave dhe drejtuesve të tjerë ekzekutivë, për momentin, një herë më të ulëta se në Republikën e Kosovës, këta zyrtarë as që mund të financojnë veshmbathjen dhe “parfumet” e tyre, e lëre më ta ushqejnë standardin e një familje ministrore! Pse vallë, për shembull, një ministër i Financave ose një zëvendësministër do ta lërë pagën e tij universitare (mesatarisht mbi 1.500 euro në muaj) të pranojë këtë përgjegjësi publike me 30-50% pagë më të ulët! Të mos shesim demagogji dhe moral për drejtshmëri! Këtij koncepti duhet shtuar pagat e mjekëve specialistë (me 10-12 vite studimi për këtë kualifikim) ose edhe të mësuesve që na i edukojnë gjeneratat e reja. Përmasat e një shteti si Maqedonia, edhe sipas standardeve perëndimore, kërkojnë administratë shtetërore dhe publike të përgjysmuar (nga 165.000 në më pak se 80.000).

Pa shkuar më tej në fantazi euforike të Manilovit (siç e nisëm në fillim të tekstit), bile edhe sikur të mos e lidhim këtë raport të zhdrejtë të pagës me shkallën e korrupsionit, por vetëm me vendimet e përgjegjshme, sikur t’i bëjmë për veten ose familjen tonë, nuk do ta sillnim shtetin në shkallën e bankrotit me borxh publik. Nëse klikoni ne faqen e “borxhit publik” të Maqedonisë (www.javendolg.mk) do ta gjeni numëratoren fiskale ku do ta shihni se si në çdo minutë vetëm kamata e borxhit publik të shtetit rritet për 22 euro ose, llogaritur në ditë, saktësisht 31.680 euro! Për shkak të “kokërrotullimit” nuk vazhdoj me kalkulimin vjetor ose të dekadës! Rreth katër vite më parë, me rastin e ligjëratës së anëtarësimit në ASHAM, me dëshmi numerike paralajmërova për këtë skenar, që do të na ndodhë së shpejti. Por, pakkush e dëgjoi këtë zë asokohe. Ngjashëm është edhe tani me këto fenomene. Detyrimi ynë (profesional e moral) është t’i bëjmë, argumentojmë dhe tregojmë hesapet dhe Ju pastaj sërish votoni si të vlerësoni!

 

 

 

Postime të Ngjajshme