` . Ndryshimi i kufijve në Ballkan – TV-SHENJA

Ndryshimi i kufijve në Ballkan

Nuk duhet të harrojmë se në politikën evropiane, qoftë në politikën e brendshme të shteteve të mëdha, qoftë në qasjen e tyre ndaj politikës së jashtme, dominon fryma neoliberale me idetë dhe konceptet e saj për shoqëritë multietnike, për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve të ndryshme pakice.

Shkruan: Anton PANÇEV, Sofje

Negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të hyjnë në fazën e tyre vendimtare gjatë vjeshtës së këtij viti. Ndërkohë, me rifillimin e negociatave janë paraqitur ide për ndarje ose këmbime të territoreve ndërmjet këtyre shteteve. Këto ide shkaktuan shumë shqetësime dhe komentime jo vetëm në Kosovë dhe në Serbi, por edhe më gjerë, sepse çështja e ndryshimit të kufijve ka dimensione të ndryshme – ndërkombëtare dhe rajonale, madje jo vetëm dypalëshe.

Ndarja e Kosovës apo këmbime territoriale?

A u konvenon Kosovës dhe Serbisë ndarja apo këmbimi i territoreve? Argumentet kundër veprimeve të tilla edhe në të dyja shtetet janë të shumta dhe me peshë të madhe. Kosova nuk mund të humbë territore jo vetëm sepse do të dëmtohej rëndë vetë shteti i Kosovës dhe procesi i shtetndërtimit, por edhe interesat e shumë qytetarëve joserbë, të cilët jetojnë në pjesët veriore të vendit. Serbia, gjithashtu, do të humbte në një periudhë afatgjate, sepse jo pak serbë jetojnë në komuna të tjera në pjesët lindore dhe jugore të Kosovës. Këta njerëz do të ndiheshin të tradhtuar nga Beogradi dhe ka gjasa të ikin nga Kosova me ritme të shpejta. Përveç kësaj, monumentet kryesore të trashëgimisë kulturore dhe fetare, të cilat pretendohen nga Beogradi, do të mbesin në territorin e Kosovës. Në një situatë të tillë do të ishte normale përfaqësuesit politikë të shumicës absolute shqiptare të kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe riformatimin e shtetit multietnik.

Edhe këmbimi i territoreve do të sillte probleme të shumta, por është i pamundshëm, sepse Serbia në asnjë rast nuk do të hiqte dorë në mënyrë vullnetare nga territore të saj. Është e kuptueshme dëshira e shqiptarëve, të cilët jetojnë në trevat e tyre në Serbinë e sotme Juglindore, t’i bashkohen Kosovës që të gjejnë shpëtim nga politika e Beogradit për zvogëlimin e numrit të tyre, por ky rajon ka rëndësi të veçantë për Serbinë dhe për korridorin drejt Maqedonisë dhe Greqisë. Të gjitha faktet tregojnë se strategjia e Serbisë bazohet mbi shpërnguljen e shqiptarëve dhe Beogradi nuk ka ndërmend humbjen e kësaj zone në favor të Kosovës. Përveç kësaj, çdo humbje territoriale do t’i përforconte prirjet centrifugale te komunitete të tjera në Serbi, të cilat janë të pakënaqura me gjendjen dhe me nivelin e të drejtave të tyre në këtë shtet.

 Korrigjimi i kufijve

Një opsion tjetër, i cili përmendet, është “korrigjimi i kufijve”. Ky është një proces normal dhe mund të realizohet pa pengesë në mënyrë paqësore nëse palët pajtohen për një zhvillim të tillë. Mirëpo, kjo terminologji duhet të përdoret në mënyrë të përpiktë sipas kuptimit legal dhe formal të së drejtës publike ndërkombëtare dhe jo si eufemizëm për këmbime të territoreve. Korrigjimi i kufijve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet në procesin e përcaktimit dhe të demarkimit të kufirit midis tyre. Ky proces mund të dakordohet dhe të realizohet edhe gjatë këtyre negociatave për normalizimin e marrëdhënieve ose, më vonë, me negociata dhe marrëveshje konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

 

Konteksti rajonal dhe evropian

 

Në disa qarqe të shoqërive dhe të forcave të caktuara politike në vendet e Ballkanit Perëndimor ekzistojnë shumë pakënaqësi dhe pretendime të ndërsjella për korrigjimin e kufijve, për këmbimin e territoreve dhe për ndryshime territoriale. Më e rrezikuara nga trazira dhe kërkesa për ndryshime të kufijve është Bosnja dhe Hercegovina për shkak të irredentizmit serb, por vatra të tensionit ekzistojnë edhe në vende të tjera. Në realitet, negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk mund të ndikojnë drejtpërdrejt mbi kërkesat për ndarje në vende të ndryshme të rajonit, por situata e përgjithshme e sigurisë do të tensionohet dhe marrëdhëniet në rajon do të përkeqësohen me rritjen e dyshimeve ndaj komuniteteve joshumicë dhe qëllimeve të shteteve fqinje. Për këtë arsye, të gjitha vendet e rajonit kanë kundërshtuar idetë e ndarjes ose së paku nuk e kanë dhënë mbështetjen e tyre për një variant të tillë.

Shtetet e vogla të Ballkanit e kanë nevojën nga përkrahja e Fuqive të Mëdha ose së paku nga një pjesë prej tyre që të lejojnë ndryshim të kufijve. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet me ndërmjetësim të Federika Mogerinit, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimi Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, dhe ky fakt tregon në mënyrë të qartë sa fortë është e angazhuar BE-ja në përgjithësi dhe gjithashtu shtetet më të fuqishme në Evropë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve. Mund të flitet shumë për investimet e BE-së dhe të SHBA-ve në çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, por është e sigurt se as në Bruksel, as në Uashington, as në kryeqytete të tjera evropiane nuk do të lejohej degradimi i “projektit” dhe i “investimeve” të tyre. Dhe, për këtë mendim ka një sërë argumentesh nga natyra të ndryshme.

Nuk duhet të harrojmë se në politikën evropiane, qoftë në politikën e brendshme të shteteve të mëdha, qoftë në qasjen e tyre ndaj politikës së jashtme, dominon fryma neoliberale me idetë dhe konceptet e saj për shoqëritë multietnike, për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve të ndryshme pakice. A po pajtohemi apo jo me këtë frymë dhe pasojat e saj, në Evropë nuk tolerohen dhe nuk do të tolerohen dhe pranohen përpjekjet për krijimin e shteteve monoetnike ose etnikisht “të pastra”. Prandaj, idetë për këmbimin e territoreve në Ballkan dhe kudo në Evropë përplasen me këto parime baze të politikës evropiane.

Përveç kësaj, në Evropë ka mjaft shqetësime në lidhje me ndikimin eventual të ndarjeve dhe të këmbimeve territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi situatën gjeopolitike në kontinentin tonë. Natyrisht, rasti i Kosovës në të vërtetë është sui generis dhe pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës nuk mund të krahasohen me konflikte, pretendime territoriale dhe çështje të tjera të diskutueshme në Evropë. Gjithsesi, çdo këmbim territorial në rastin Kosova-Serbi ose ndërmjet vendeve të tjera në Ballkan, do t’i përforconte tendencat dhe forcat nacionaliste dhe separatiste në Evropë, sepse do t’u jepte “argumente” këtyre prirjeve. Fuqi të tjera, si Rusia, bëjnë dhe do të vazhdojnë të bëjnë përpjekje për ndryshimin e rendit gjeopolitik në kontinent dhe do ta motivojnë politikën e tyre për veprime kundër stabilitetit dhe sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë.

Është fakt i pahomueshëm se Bashkimi Evropian ka probleme serioze të brendshme – Brexiti, përpjekjet e reformimit të institucioneve dhe idetë për “shpejtësitë e ndryshme” dhe nivelet e ndryshme të integrimit, të cilat lansohen nga liderë të fuqishëm evropianë, por kjo situatë e komplikuar nuk do të ndikojë mbi angazhimin e Brukselit në proceset ballkanike dhe mbi mbrojtjen e parimeve të deritanishme për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Pra, këto probleme të brendshme në BE dhe vonesat në deklaratat dhe në shpalljen e qëndrimeve të zyrtarëve të BE-së ose të liderëve evropianë, nuk duhet trajtuar si shenja që Bashkimi e ka ulur interesimin ose do të bënte kompromise me këto parime.

Në këto negociata me Serbinë, Kosova duhet ta mbrojë pavarësinë, sovranitetin, tërësinë e saj territoriale dhe rendin kushtetues dhe të mos bëhen lëshime në lidhje me këto parime kushtetuese. Kjo është sjellja më e natyrshme dhe strategjia më e mirë për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të gjitha komuniteteve. Përveç kësaj, pala kosovare duhet të angazhohet në mënyrë të fuqishme në këto bisedime për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Politika e Serbisë për presion të vazhdueshëm politik, ekonomik e kulturor karshi komunitetit shqiptar në këtë vend (gjithashtu edhe kundrejt komunitetit bullgar në zonën e Serbisë Juglindore) ka për qëllim këto treva shqiptare të zbrazen nga popullata shqiptare. Kosova ka probleme të shumta ekonomike dhe sociale dhe ballafaqohet me presionin serb, por institucionet në Prishtinë duhet të angazhohen edhe më shumë me përkrahjen e bashkëkombësve të tyre dhe pikërisht negociatat me Serbinë japin mundësi të tilla. Reprocitet të plotë midis të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi nuk mund të ketë për arsye të lidhura me karakterin juridik dhe kushtetues të të dyja shteteve, por një përmirësim i dukshëm në këtë drejtim është i mundshëm. Çështja e komunitetit shqiptar dhe e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet është pjesë e politikës së përgjithshme ndaj pakicave në Serbi. Në rrugën e saj evropiane Serbia do të përballet me kërkesat dhe me presionin e fqinjëve të saj, të cilët janë anëtarë të BE-së. Hungaria, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria tashmë i kanë paraqitur parametrat e kërkesave të tyre ndaj Beogradit në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve të tyre në Serbi. Këto shtete do t’i vënë Serbisë kushte të qarta për respektimin e të drejtave të komuniteteve përkatëse dhe eurointegrimi i Serbisë do të varet edhe nga plotësimi i këtyre kushteve. Prandaj, Serbia nuk mund ta evitojë diskutimin për të drejtat e pakicave në këtë shtet dhe kërkesat e Kosovës për mbrojtjen e shqiptarëve janë plotësisht legjitime dhe pjesë e agjendës evropiane të këtyre dy shteteve.

 Përfundim

Negociatat midis Kosovës dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme jo vetëm për këto dy shtete dhe për rajonin, por edhe për Bashkimin Evropian, sepse me to janë të lidhura shumë nga shpresat për stabilizimin përfundimtar të Ballkanit dhe sigurimin e përparimit drejt BE-së të të gjitha vendeve të rajonit. Mosndryshimi i kufijve, respektimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë parimet kryesore në këto negociata dhe Prishtina duhet t’i ndjekë pa luhatje dhe hezitime. Në këtë proces Kosova mund të mbështetet mbi ndihmën e aleatëve të saj, por shoqëria kosovare duhet të veprojë në mënyrë aktive që të parandalojë provokime dhe kriza të shtetësisë së Kosovës. Idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan në çfarëdo forme mund të perceptohen si pjesë nga strategjia e negociatave dhe jo si një program real për shembjen e rendit rajonal dhe evropian.