` . Ndershmëria intelektuale - TV-SHENJA

Ndershmëria intelektuale

Libra të huaj, të përkthyer dhe prezantuar si punime personale, duke ndryshuar emrin e autorit. Detyra kursi të realizuara ose të përkthyera nga studentë që bashkëngjiten në format libri dhe prezantohet si punë individuale. Marrje temash të gatshme nga vende të ndryshme të botës dhe prezantim i tyre si hulumtim personal. Pjesë të tëra punimesh të pacituara nga burimet prej ku është marrë materiali. Kjo sjellje, krejt e padrejtë, është tregues i krizës së vlerave të pjesës që mëton intelektualizmin

Shkruan: Nuredin NAZARKO

Ambicia është një nga tiparet shquese të qenies njerëzore. Shërben si nxitëse e dëshirës për punë. Lufton dembelizmin. Pandjeshmërinë ndaj punës në rrugën drejt përmirësimit. Zgjerimit të diturive. Çliron energji. Dërrmon dobësi. Shkul vendit përgjumjen. Fuqizon vullnetin.

Shteg. Dhiare. Ambica nuk duhet të kalojë kurrsesi. Duhet të mbesë në gjendjen pozitive. Nëse kalon shtegun, shndërrohet. Për shkak të metamorfozës, humbet elanin. Kthehet në eshkë, që ndez verbërinë në shpirt. I jep hov arrogancës. Superioritetit. Egoizmit. Përçmimit. Ironisë dhe sarkazmës tallëse me synim të qartë ofendues. Shkërmoq vlera. Godet njerëzoren. Nuk i lejon rrënjët e së mirës të rriten. Të japin fryte. Metamorfozë e përbindshme. Çliron nga vargonjtë bishën e errët. Shqyen çdo gjë të bukur. Përgjak çdo virtyt. Fundos çdo ftillim. Mban peng çdo grishje. Nuk duhet kaluar shtegu mbi të cilin padukshëm shkruhet: Etja për lavdi njerëzore.

Jo të gjithë e hetojnë shkrimin mbi shteg. Ka që e lexojnë, por nuk e marrin seriozisht paralajmërimin. Të tjerë tallen me atë që vendos tabela të kësisojshme; pa asnjë lloj shkrimi mbi të. Pa asnjë shenjë. Të tjerë gajasen me këtë art fëmijësh. Stigmatizojnë me thumba therës abstraksionin. E quajnë art të çmendurish. Të pakuptueshëm. Ç’na qenka kjo tabelë pa mbishkrime të dukshme? Pavetëdija, shërbestare e tërheqjes osh drejt shtegut.

Dilemë. Të kalohet? Të mos kalohet? Gjendje pezull. Ambicia në udhëkryq. Të rezistosh ndaj joshjes për përfitime të padrejta? Të jepesh, dhe me një kërcim mbi kokat e të tjerëve të katapultohesh në radhët e sipërme të piramidës?

Përfitimet e padrejta janë një realitet i pamohueshëm. Prekin çdo sferë ku ndihet aroma e parasë. Prekin domenin më esencial të shoqërisë. Sferën intelektuale. Njerëzit, të cilët mëtojnë të jenë pjesë e kësaj sfere, nuk duhet ta kthejnë përkatësinë në vrimën e zezë të virtyteve. A nuk kemi mjaftueshëm individë që supozohen për intelektualë, të cilët titujt shkencorë i kanë fituar jo ndershmërisht?

Libra të huaj, të përkthyer dhe prezantuar si punime personale, duke ndryshuar emrin e autorit. Detyra kursi të realizuara ose të përkthyera nga studentë që bashkëngjiten në format libri dhe prezantohet si punë individuale. Marrje temash të gatshme nga vende të ndryshme të botës dhe prezantim i tyre si hulumtim personal. Pjesë të tëra punimesh të pacituara nga burimet prej ku është marrë materiali. Kjo sjellje, krejt e padrejtë, është tregues i krizës së vlerave të pjesës që mëton intelektualizmin.

Humbja e ndjeshmërisë ndaj ndershmërisë intelektuale zymtëson tempullin e dijes. Errëson misionin që duhet ta ketë intelektuali në shoqëri. Intelektuali i mirëfilltë është i përveçuar në shoqëri prej diturisë. Nuk mund të jenë të barabartë ata që dinë me të paditurit. Pjesa që e nderon dhe e ngre në piedestal është ndershmëria. Si mund të merret seriozisht një intelektual nëse puna e tij del vjedhje e qartë e mundit, sakrificës së dikujt tjetër? A mund të ndihet i qetë, kur krejt vetëdijshëm grabit djersën dhe netët pa gjumë të tjetërkujt? Si mund të deklamojnë erudicionin dhe poliedricitetin me një finesë, vetëdijshëm të rreme? Përse duhet të jenë kaq gjakftohtë në mashtrimet ndaj opinionit publik? Përse duhet të blejnë atë që nuk e arrijnë dot me punë hulumtuese? Nëse nuk janë të prerë për punë intelektuale, nuk janë. Nuk mund të ndërtohet me zor intelektualiteti. Nuk mund të tjetërsosh pronën intelektuale të tjetërkujt. Nuk mund të blesh tituj shkencorë, sepse kështu fiton më tepër kredenciale në sytë e atyre që kërkon t’u transmetosh dituri ose në sytë e shoqërisë. Përdorimi i titujve më pas, për të manifestuar erudicionin, është histori më vete.

Përse kemi kaq shumë manifestime të pandershmërisë intelektuale? Përse kaq të akullt ndaj rrënimit të vlerave? Hajdutëri nuk kemi vetëm kur grabitet kapitali fizik ose financiar. Hajdutëria ndaj vlerave është lloji më i rëndë. Ajo e kapitalit fizik dhe financiar është vetëm pasojë. Pasojë e frymës kundërnjerëzore, e cila dominon ndaj njerëzores në brendinë e intelektualëve pa piedestal të merituar.

Ndershmëria intelektuale, ashtu si edhe shumë virtyte, duhet edukuar qysh në vogëli. Duhet përçuar fryma e ndershmërisë intelektuale. Nëse s’ka frymë, s’ka as jetë. Nxënës, studentë, mësimdhënës në të gjitha nivelet arsimore duhet ta dënojnë vesin e hajdutërisë intelektuale. Të mbajnë qëndrime kritike ndaj fenomenit masiv të të kopjuarit, që nga testimet lëndore, provimet shtetërore, blerjen e temave të studimeve bachelor, master e të doktoratave. Të edukohen që çfarë synojnë të arrijnë, arrihet me sakrificë, lodhje, zemër të çliruar nga veset. Nuk mund të bashkëndajnë zemrën intelektualizmi i njëmendtë me intelektualizmin e blerë nga fuqia e parasë dhe hajdutërisë.

Vështirësitë janë konkrete. Nëse realizimi i së drejtës do të ishte kaq i thjeshtë, as njeriu nuk do të ishte ky që është. Po as shoqëria. Fryma e ndershmërisë intelektuale le të rrezatohet prej atyre që e kanë ontologjike. Kush ndriçohet, ndriçohet! Kush do të nxihet, nxihet! Secili e bën zgjedhjen e vet. Nëse ndonjë çast kuturisim të bjerrim ndershmërinë intelektuale, le të kthjellemi! Ta përkujtojmë vetveten se drejtësia vlen mbi gjithçka. Konvencionet dhe hajnitë le “t’i gëzojnë” “eruditët” dhe “poliedrikët”. Nothing will not last forever.