` . Ndërkombëtarizimi i luftës civile - TV-SHENJA

Ndërkombëtarizimi i luftës civile

Rezoluta 1973 e Këshillit të Sigurimit, miratuar në vitin 2011, i hapi rrugë ndërhyrjes ushtarake, në të cilën komandën e operacionit e mori përsipër aleanca e NATO-s, me ç’rast praktikisht solli fundin 42-vjeçar të liderit të dikurshëm të Xhemahirijes, Muamer el-Gadafi. Rënia e tij u pasua me një varg luftimesh nga formacionet e ndryshme luftarake, me çka u pamundësua tranzicioni paqësor!

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Luftërat civile pashmangshmërisht u nënshtrohen prekjeve nga jashtë, ashtu që në të tilla luftëra nuk qëndrojnë thjesht çështje të brendshme të territorit ku ato zhvillohen. Ky është një rregull që nga antikiteti e deri në ditët e sotme! Helenët, luftimet e këtij lloji, i quanin Stasis. Zhvillimet të cilat morën hov me Pranverën Arabe në Lindjen e Mesme janë shembulli tipik i ndërkombëtarizimit të luftës civile. Shembujt e luftimeve në Siri, Jemen, por edhe në Libi, janë dëshmi konkrete e kësaj.

Ndërkombëtarizimi i luftërave civile vjen në shprehje atëherë kur në konfliktin e armatosur ndërmjet qeverisë së shtetit dhe një grupi / grupeve opozitare ndërhyjnë shtetet të tjera në njërën ose në të dyja palët. Në vitin 1991 4% e konflikteve ishin të internacionalizuara, sipas definicionit në fjalë, kurse në vitin 2015 ky numër arriti shifrën deri në 40%.

Ndonëse real-politika si doktrinë e politikës botërore tradicionalisht kuptohet në raportet e mbështetura në fuqinë ndërmjet shteteve, megjithatë lufta për të vendosur drejtësinë dhe rendin brenda shteteve, në të shumtën e rasteve është më e përgjakshme sesa luftëra ndërmjet tyre. (KenethWaltz).

Pasi udhëheqësit arabë e kishin personalizuar shtetin, rënia e tyre nga froni solli shembjen e shtetit bashkë me ta. Mospasja e një autoriteti qendror ose duke e kontestuar atë, Libinë e shndërroi si dikur Iraku i pas 2003-tës, kurse luftimet ndërmjet grupeve rivale dhe përfshirja e aktorëve të tjerë e shndërruan Libinë simotër të Jemenit!

*          *          *

Rezoluta 1973 e Këshillit të Sigurimit, miratuar në vitin 2011, i hapi rrugë ndërhyrjes ushtarake, në të cilën komandën e operacionit e mori përsipër aleanca e NATO-s, me ç’rast praktikisht solli fundin 42-vjeçar të liderit të dikurshëm të Xhemahirijes, Muamerel-Gadafi. Rënia e tij u pasua me një varg luftimesh nga formacionet e ndryshme luftarake, me çka u pamundësua tranzicioni paqësor! Pas përfundimit të luftës, Këshilli Nacional Kalimtar ishte autoriteti i cili në fakt e ushtronte qeverisjen në vend. Mirëpo, ai nuk ishte në gjendje t’i çarmatosë dhe t’i demobilizojë shumë prej milicive dhe grupeve të ndryshme luftarake, të cilat kishin marrë pjesë në rrëzimin e Gadafit. Kjo situatë kaotike nënkuptonte që sfida kryesore për Libinë tanimë ishteformimi i një qeverie unifikuese.

Ky këshill organizoi zgjedhjet e para demokratike dhe në vitin 2012 ia kaloi pushtetin Kongresit të Përgjithshëm Nacional (GNC), që në fakt përbënte autoritetin legjislativ të Libisë me 200 anëtarë. Forcat dominuese në këtë Kongres ishin Aleanca e Forcave Kombëtare, e cila për nga profili ideologjik ishte parti liberale dhe bënte thirrje për një shtet demokratik e qytetar dhe me një formë të “moderuar të Islamit” (Al-Jazeera), kurse forca e dytë politike ishte Partia për Drejtësi dhe Ndërtim, e cila i ngjasonte Partisë për Liri dhe Drejtësi të Egjiptit!

Por, trupi legjislativ në fjalë, pra GNC-ja, edhe pse ringjalli mbështetje popullore, nuk arriti që të prodhojë një kushtetutë që do ta pengonte rënien e sigurisë dhe do ta unifikonte Libinë. Pamundësia e hartimit të një kushtetute të re, në të cilën do të ndahet pushteti, bëri Libia të dezintegrohet në shumë fraksione dhe kështu në vitin 2014 erdhi lufta e dytë civile!

Gjatë kësaj periudhe një figure i cili vinte nga radhët e ushtrisë e që dikur ishte oficer i Gadafit, ndërsa sot konsiderohet ndër aktorët kryesor në Afrikën Veriore, pra pikërisht Halifa Haftar, kërkoi që të shpërndahet kjo përbërje e GNC-së, me qëllim që të organizohen zgjedhjet e reja! Pasi që GNC-ja, me vendndodhje në Tripoli, e refuzoi këtë kërkesë të Haftarit, ky i fundit ndërmori një operacion kundër tyre.

Në vitin 2014 në lindje të Libisë u formua Dhoma e Përfaqësuesve (House of Representatives – HoR), e cila përbëhej nga forca të ndryshme laike e nacionaliste libiane, të mbështetura ushtarakisht nga forcat e Haftarit.

Në këto rrethana, pasi që tanimë Libia funksiononte me dy qeveri paralele, njëra në Tripoli, pra GNC-ja, dhe tjetra me vendndodhje në qytetin kufitar me Egjiptin, Toubruk, OKB-ja filloi bisedimet paqësore me qëllim që të formohet qeveria e unitetit kombëtar.

Kështu, në vitin dhjetor të vitit 2015, si rezultat i Marrëveshjes Politike për Libinë (LPA), të ndërmjetësuar nga OKB-ja, u formua Qeveria e Marrëveshjes Nacionale (GNA), e cila duhej të fillojë me punë nga janari i vitit 2016, kurse në mars të po të njëjtit vit u formua Këshilli Presidencial , i kryesuar nga Fajez Saraxhi. Institucionet libiane, në bazë të kësaj marrëveshjeje, ishin; Këshilli Presidencial; GNA-ja (ekzekutivi); HoR (organi legjislativ) dhe Këshilli Shtetëror. Qeveria legjitime, që sot njihet nga OKB-ja, por edhe nga Turqia e Katari, është pikërisht GNA-ja.

Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes, HoR nuk u pajtua me disa nga pikat e saj, andaj vazhduan përleshjet ushtarake me GNA-në, pra me qeverinë e cila është e njohur nga Kombet e Bashkuara. Vlen të përmendim që, përskaj dy qeverive, në Libi operojnë edhe dy ushtri paralele: ajo e Armatës Nacionale Libiane në krye me Haftarin, dhe Ushtria Libiane, e cila mbështete nga GNA-ja.

*          *          *

Në këtë konfiguracion forcash në Libi, ashtu sikurse në Jemen e Siri, janë të involvuar edhe aktorët e rëndësishëm të botës arabe. Disa nga vendet e Gadishullit Arabik, por edhe Egjipti, ushtarakisht e financiarisht e mbështesin Halifa Haftarin, pasi që sipas tyre ai zhvillon betejë kundër terrorizmit. Madje, në një artikull në Foreing Policy thuhej se “Mbështetja e Trumpit për Haftarin nuk e ndihmon Libinë”.

Libia është vendi prej aty fillojnë gjakderdhjet dhe luftërat civile të botës arabe, për të vazhduar deri në Jemen. Sot bota arabe, e fragmentuar politikisht, duket se ka ngelur vetëm si nocion gjeografik. Në anën tjetër, popujt të cilët kërkonin liri e demokraci, ngjashëm si dikur qytetarët e Evropës Lindore dhe të Amerikës Latine, u sabotuan duke mos u mbështetur kërkesat e tyre nga bota e qytetëruar, duke u devijuar kësisoj qëllimet sublime të Pranverës Arabe!