` . Nderimi i xhelatëve të diktaturës - TV SHENJA

Nderimi i xhelatëve të diktaturës

Shkruan: Çelo Hoxha, Tiranë

Kryeministri Edi Rama kërkoi falje publike gjatë një vizite në Shkodër, më 15 dhjetor 2015, në një takim me socialistët e këtij qyteti. “Kërkoj falje për dekorimin e persekutorëve, [ky] ishte një lajm i befasishëm për mua.” tha ai. Historia që çoi te kjo falje është kjo:  Me rastin e 70-vjetorit të të ashtuquajturës luftë nacionalçlirimtare, më 2014, që gjoja e çliroi Shqipërinë nga nazizmi, qeveria e z. Rama dekoroi një numër personash të klasifikuar si veteranë dhe kjo u bë publike një vit më vonë, në fundin e nëntorit të kaluar, kur nisi debati i përvitshëm, për datën e çlirimit të Shqipërisë (e djathta thotë më 28 nëntor, ndërsa e  majta më 29, që ishte edhe festa kombëtare e Jugosllavisë së Titos).

Sapo dikush zbuloi se mes të dekoruar ishte emri i një ish-hetuesi që kishte torturuar At Zef Pllumin, autor i njërit prej librave më të njohur që përshkruan persekutimin komunist dhe vuajtjet e të persekutarve në burgje, nisi një reagim i gjerë publik, fillimisht në rrjete sociale, medie dhe pastaj edhe te partitë politike të opozitës. Ky ishte lajmi që kryeministri e quajti të “befasishëm për mua”, ndërkohë që për të tjerë mund të jetë i befasishëm fakti që qeveria i mbajti të fshehta një vit këto dekorime.

  1. Rama u shpreh se nuk kishte pasur dijeni për krimet që ishin përgjegjës personat e dekoruar dhe kjo mund të jetë e besueshme, sepse krimet ende nuk janë zbardhur tërësisht, andaj dhe njohja e tyre është e kufizuar edhe për drejtuesit e vendit. Megjithatë, edhe kësaj radhe z. Rama nxitoi të mbrohej, duke ia kaluar përgjegjësinë kundërshtarit të tij politik, z. Sali Berisha, me argumentin që qeveria e PD-së u kishte dhënë njerëzve të dekoruar nga Rama, statusin e veteranit të luftës më 1994.

Ky lloj argumenti e komprometon ndjesën e kërkuar. Z. Rama s’ka pse të gjejë justifikim te kundërshtari politik për kësogjërash, kur ai dhe partia e tij duhet të kenë qëndrimin e tyre ndaj diktaturës dhe krimeve të saj. Z. Rama mund të mos ketë njohje të mirë të krimeve të diktaturës, por për luftën ai është ndër të parët që ka folur për anën e errët të saj. Në fillim të viteve të ’90-ta, menjëherë pas rënies së komunizmit, ai e ka quajtur luftën partizane një luftë civile dhe si e tillë ajo s’kishte asgjë për ta lavdëruar ose për t’u dekoruar. Mendimet e tij për këtë çështje janë të shkruara, të botuara e të njohura publikisht. Ai, madje, ka folur pa respekt për veteranët e luftës në artikujt e tij, që më vonë u botuan dhe libër. Mirëpo, ai ndryshoi mendim gjatë përpjekjeve për të marrë kryesimin e Partisë Socialiste (Partia e Punës ndërroi emër) dhe u soll me luftën dhe veteranët si gjithë socialistët: filloi ta nderonte atë. Për këtë lloj sjellje nuk mund të thotë kush që është përgjegjësi e Sali Berishës ose e Partisë Demokratike, që ai e ka kryesuar për më shumë se dy dekada.

Drejtuesit e luftës, në fakt Enver Hoxha, Mehmet Shehu, etj., Qeveria nuk guxon t’i nderojë, sepse ata janë të njohur si personat përgjegjës edhe për diktaturën dhe krimet e saj. Ata që janë dekoruar më 2014 mund të kenë qenë partizanë, por pa ndonjë veprimtari të spikatur gjatë luftës. Unë jam marrë gjerësisht me studimin e luftës, kam botuar një libër për krimet e komunistëve gjatë kësaj lufte (“Krimet e komunistëve gjatë luftës”, 2014), aty kam botuar edhe një listë të gjatë me njerëzit kryesorë të saj, por personat e dekoruar së fundmi nuk shfaqen gjëkundi, qoftë dhe si drejtues formacionesh të vogla partizane: skuadra ose kompani. Dy emrat më të njohur në listë, jo për bëma gjatë luftës, ishin Vito Kapo dhe Liri Belishova, e para e njohur si bashkëshortja e Hysni Kapos dhe e dyta si bashkëshortja e Nako Spirut, e dënuar më vonë nga regjimi. Asnjëra prej tyre s’ka qenë e dalluar në luftë. Kapo ka qenë veç sekretare pranë Shtabit të Përgjithshëm në malet e Mokrës, ku ai qëndronte i fshehur. Megjithatë, pjesa më e madhe e 36 të dekoruarve kanë CV të pasur në shërbim të diktaturës, në organin e saj më kriminal: Sigurimin e Shtetit. Hetuesi që u bë shkas për reagimin publik qëlloi të kishte qenë torturues i At Zef Pllumit, por lista e njerëzve të hetuar prej tij është e gjatë, 92 gjithsej. Ja si e kujton Pllumi hetuesin e tij:

“Shyqyri Çoku. Ai kje hetuesi që më pyeti:

Më njef ti mue?…

Po të njof që në vjetin 1947, kur ishe polic. Ti je nipi i Qamil Gavoçit, prandej ke vazhdue…

Ti nuk më njef mue. Unë jam urrjetja klasore. – Dhe më kapi në jakën e gjoksit e ma shkepi kryet për mur. Jo vetëm nji herë, por njiqind herë. Ndërkaq thirrte me të madhe:

Tadhtar!… Katolik!… Borgjez!…Reaksionar!

Kjo ishte pritja e tij aty mbas dere. Nuk mund jem i saktë në se thom ky veprim vazhdoi për nji orë. Ishte nji shekull i gjatë. Shyqyri Çoku thërriste i tërbuem ndërsa më shkrepte kokën time për mur.” (Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue, III,” f. 34).

Njëri prej të dekoruarve nga qeveria vitin e kaluar, Anastas Koroveshi, ka marrë pjesë në 620 procese politike gjatë regjimit komunist, që do të thotë se ka dënuar mbi një mijë vetë, po të kemi parasysh që në një proces zakonisht dënoheshin më shumë një person, sipas një raporti në Gazetën 55 (29 nëntor 2014). Kjo mund të jetë një statistikë e pashembullt në gjithë vendet ish-komuniste europiane. Një tjetër i dekoruar, Rakip Beqaj, pasi torturoi me dhjetëra klerikë katolikë, një pjesë e të cilëve u pushkatuan dhe pjesa tjetër u dënuan me burgime të ndryshme, më 1969 e vazhdoi shërbimin e tij ndaj diktaturës duke shkruar një libër propagandistik kundër klerit katolik, ku ia atribuonte klerit gjithë akuzat që ai dhe shokë e tij kishin sajuar në proceset hetimore. Më 1973 ai e ribotoi dhe më të zgjeruar atë libër. Dhe, pak a shumë, e tillë është CV-ja e të gjithë të dekoruarve.

Historia e të ashtuquajturës luftë nacional-çlirimtare është një nyjë gordiane në historinë e Shqipërisë, e cila hap debat sa herë që dikush rreket ta zgjidhë. Mendimet janë të ndara, njëra palë e konsideron atë si luftë civile (e nisur me nxitjen e jugosllavëve) dhe pala tjetër, kryesisht pjesëmarrësit në ushtrinë partizane dhe trashëgimtarët e tyre, e konsiderojnë luftë çlirimtare.

Dhe, debati do të vazhdojë për një kohë të gjatë, sepse politika në Shqipëri s’duket se bie në një mendim për ndonjë. Çështja e luftës duhet të zgjidhet: ajo ishte ose luftë e dobishme ose padobishme, rrugë të mesme s’ka. Disa pyetje që mund të bëhen janë: Me largimin e gjermanëve nga Shqipëria dhe marrjen e pushtetit nga komunistët, a kaloi në gjendje më të mirë apo më të keqe Shqipëria? Para lufte e gjatë lufte, krahasuar me periudhën e pushtetit komunist, a ishin më të pasur apo më të varfër qytetarët shqiptarë?

Përgjigjet e këtyre pyetje janë dhënë gjatë 25 viteve të fundit. Ku regjimi komunist në Shqipëri ende s’kishte rënë, qytetarët shpërthyen dyert e ambasadave ose iu sulën kufijve. Sapo u lanë kufijtë të pambrojtur nga ushtria, më 1991 shqiptarët u larguan në mënyrë masive nga sytë këmbët, në kërkim të një jetë më të mirë. Një arratisje e tillë nuk ndodhi nga Shqipëria as gjatë Luftës së Parë Botërore, as gjatë periudhës mes dy luftërave, as gjatë Luftës së Dytë. Shpjegimi: sepse asnjëherë më parë shqiptarët nuk ishin ndjerë aq të varfër, të shtypur e të pashpresë sesa gjatë regjimit komunist.

Por, nuk është veç varfëria. Gjatë diktaturës u kryen krime, autorët e tyre kanë emra të përveçëm, dhe ata nuk duhet të lihen të zbulohen rastësisht, si rasti i dekorimit në fjalë. Duke refuzuar të ndahen me të kaluarën, politikanët shqiptarë po e diskreditojnë vendin, sepse dhe rastet e nderimit të qytetarëve të tyre po i kthejnë në një maskaradë.

  1. Rama premtoi se dekoratat e dhëna personave të përmendur do të tërhiqen, por nuk specifikoi nëse do të tërhiqen në masë ose vetëm për emrat që u ndez debati. Çfarëdo që të ndodhë, kjo nuk i mbyll plagët e shoqërisë. Në Kuvendin e Shqipërisë ka deputetë që kanë qenë zyrtarë të Sigurimit dhe, edhe pese ky është një fakt i njohur e i denoncuar publikisht, z. Rama dhe gjithë politikanët nuk kanë reaguar. Por, fakti që Kuvendi miratoi në dhjetorin e kaluar një ligj për dekriminalizimin e institucioneve – nga kriminelët ordinerë me të cilët i ka mbushur politika – tregon se politikës shqiptare nuk i ka ngelur kurrfarë cipe në faqe. Dhe, ajo ka nevojë për një operacion shumë-shumë më të thellë.

Postime të Ngjajshme