` . Ndarja administrative pas bashkimit – TV-SHENJA

Ndarja administrative pas bashkimit

Nukë duam të ndahemi, po duamë të bashkohemi sa të muntmë më teprë.  Sami Frashëri

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Shumë prej atyre që thonë se bashkimi politik i Shqipërisë me Kosovën është një ide utopike, duan që shqiptarët mos ta mendojnë bashkimin, mos ta përfytyrojnë atë në një të ardhme të afërt, në mënyrë që të mos përgatiten për të. Në të vërtetë, ata duan ta zhbëjnë vetë funksionin e mendimit utopik, i cili sa më shumë i largohet realitetit, aq më shumë të grish për ta ndërprerë rrjedhën e realitetit e për t’i dhënë atij një kah tjetër, sipas vizionit të projektuar në të ardhmen ose në një botë tjetër. Para se të ekzistonte shteti shqiptar, rilindësit e përfytyronin atë në një trajtë ideale, sepse përndryshe nuk do të kishte kuptim veprimtaria e tyre për themelimin e Shqipërisë. Te vepra e Samiut Shqipëria: Ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, dy pjesët e para – e shkuara dhe e tashmja – janë në funksion të projektit të Shqipërisë së ardhme, të lirë e të pavarur. Edhe sot, sa herë që flasim për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, nuk duhet të mjaftohemi me radhitjen e arsyeve pse ai duhet bërë ose të mënyrave se si duhet bërë, por, ndërkohë, duhet të përfytyrojmë se si Shqipëria e nesërme të jetë një shtet që do të duan shqiptarët, për dallim prej republikave të dështuara të sotme. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, që të realizohet nga shqiptarët, duhet të dëshirohet dhe dëshirat janë pashmangshmërisht të lidhura me përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të kombit shqiptar. Lëvizja Vetëvendosje! si subjekti politik që ka në program bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e sheh këtë proces të pashkëputur prej emancipimit të përgjithshëm politik, ekonomik e social të kombit. Ky është thelbi i idesë së “Republikës së Tretë” të Kosovës, për të cilën flet Albin Kurti. Republika e parë u shpall në Kuvendin e Kaçanikut, si ideal i qëndresës shqiptare, republika e dytë, kjo e tanishmja, u formua si fryt i kompromiseve të dëmshme dhe koha po e tregon jofunksionalitetin e saj, prandaj Lëvizja angazhohet për projektin “një republikë e re demokratike, sociale, sovrane”, e orientuar për nga zhvillimi dhe realizimi i së drejtës së vetëvendosjes. Vizioni i Republikës së Tretë detyrimisht është një rikthim te idetë që motivuan shpalljen e së parës dhe që po mbesin të parealizuara në të dytën.

Një gabim tejet i rëndë, që ka ndodhur në Shqipëri pas rënies së komunizmit, ka qenë mospërpjekja sistematike e institucioneve shtetërore, shkencore, ekonomike e kulturore për të planifikuar skenarët e mundshëm të bashkimit të trojeve etnike shqiptare. Kufizimi i vizionit të së ardhmes së shqiptarëve vetëm në suazën e integrimit evropian, i ka lënë shqiptarët të papërgatitur për eventualitetin e ndryshimeve të tjera, që do të pësojnë kufijtë e Ballkanit në këtë shekull dhe, si të thuash, po i paaftëson intelektualisht e politikisht shqiptarët për të reaguar si komb në rast rreziku ose për të shfrytëzuar rikonfigurimet gjeopolitike, që ndikojnë mbi çështjen tonë kombëtare. Kjo mospërgatitje po vihet re pikërisht tani, kur po flitet për shkëmbime territoriale midis Serbisë e Kosovës. Shqiptarët janë kapur gafilë, sepse ata i kanë mësuar dhe tashme janë mësuar që të mos mendojnë skenarë për zgjidhjen e problemeve kombëtare dhe t’ua lënë këtë punë të tjerëve. Po shihet qartë se Thaçi, me mospërgjegjësinë dhe injorancën që e karakterizon, thjesht po luan pjesën e vet në rolin që ia ka caktuar Vuçiqi, i cili ka pas vetes vite të tëra përgatitjesh të ekipeve të specializuara të Serbisë dhe një angazhim të pandalshëm të shtetit serb për territoret që pretendon në Kosovë. Pa lejen e Vuçiqit, Thaçi nuk do të guxonte të fliste për përfshirjen e Luginës së Preshevës brenda kufijve të shtetit të Kosovës. Në IRJM referendumi për ndryshimet kushtetuese i ka kapur gafilë shqiptarët e atjeshëm, të cilët nuk janë të aftë të ngrenë njëzëri pretendimet e tyre për votën pro, thjesht për faktin se nuk kanë një vizion për pozitën institucionale që duhet të gëzojë kombi shqiptar në këtë republikë. Partitë shqiptare po kërkojnë nga qytetarët shqiptarë përkrahje për referendumin që më së shumti u nevojitet sllavomaqedonasve dhe e forcon pozitën e tyre edhe në raport me shqiptarët. Integrimi i pritshëm i IRJM-së (me emër të ndryshuar) në NATO mund të jetë pozitiv për shqiptarët kryesisht për shkak të largimit të ndikimit rus dhe për sa i përket stabilitetit afatgjatë të shtetit, por nuk ka asnjë garanci që në marrëdhëniet etnike brenda republikës anëtarësimi në NATO të sjellë më shumë të drejta për shqiptarët. Madje, është e pritshme që – në emër të sigurisë – NATO të ushtrojë trysni mbi politikanët shqiptarët për t’i shtyrë në kalendat greke edhe ato pak kërkesa të drejta, që ata kanë guximin t’i artikulojnë për pozitën institucionale të shqiptarëve në këtë shtet. Sikurse KFOR-i në Kosovë, që po pengon krijimin e ushtrisë për të mos i nxjerrë pengesa afrimit të Serbisë me Perëndimin).

Nisur nga sa më sipër, më duket e gjetur ftesa e revistës Shenja për të shkruar mbi “Shqipërinë që do të bëhet”. Brenda hapësirës së lejuar dëshiroj të ndaj me lexuesit e revistës konceptimin e ndarjes administrative të shtetit pas bashkimit politik të Kosovës me Shqipërinë, duke pasur besimin se kjo është një çështje me të cilën duhet të merremi seriozisht, ngaqë sot për sot ekzistojnë mundësi reale që këto dy shtete të shkrihen në një. Vetë imponimi i një neni të posaçëm në kushtetutën ahtisariane të Republikës së Kosovës për ta penguar bashkimin politik me Shqipërinë flet zëshëm për gjasat e mëdha të realizimit të tij. Me shënimet e mëposhtme nuk aspiroj të zë vendin e specialistëve të administratës publike dhe ata i ftoj që të kenë vullnetin për ta trajtuar këtë çështje më studime të mirëfillta, duke shfrytëzuar kapacitetet e tyre intelektuale dhe dijen më të përparuar që zotërojnë.

Çështja e ndarjes administrative të Shqipërisë është trajtuar nga rilindësit më përpara se të krijohej shteti dhe në këtë pikë përplaseshin vizionet përqendruese me ato qendërikëse. Përballë idesë së një Shqipërie unitare, të bazuar te ideja e kombit që flet një gjuhë (edhe pse përmes një shumice dialektesh), vendoseshin projekte me frymëzim krahinarist ose fetar, të cilat ose kërkonin krijimin e njësive sovrane më të tkurrura sesa territori etnik i shqiptarëve ose kërkonin një ndarje administrative që do t’u njihte autonomi ose privilegje krahinave të caktuara. Jeronim de Rada nuk ishte i vetmi që kërkonte një ndarje administrative që do të mbante parasysh përbërjen fetare të shqiptarëve. Idesë së De Radës për një konfederatë të shqiptarëve, të përbërë nga tri njësi politike, një për secilën nga fetë kryesore, Sami Frashëri i kundërvihej me forcë, jo vetëm duke nxjerrë në pah pamundësinë konkrete të realizimit të saj, për shkak të përzierjes fetare në territoret etnike shqiptare, por edhe për shkakun se ajo do të institucionalizonte një përçarje politike të kombit. Në letrën që i dërgonte De Radës, Samiu, lidhur me këtë çështje, shkruante se “nukë duam të ndahemi, por duamë të bashkohemi sa të muntmë më teprë”. Vizionin e tij për ndarjen administrative të Shqipërisë që do të vinte, Samiu e shprehu te pjesa e tretë e manifestit Shqipëria: Ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Shqipëria do të ndahej në 15 “gastra” (ngastra), të cilat do të kishin si qendra këto qytete: Shkodra, Peja, Prizreni, Prishtina, Shkupi, Manastiri, Dibra, Elbasani, Tirana, Berati, Korça, Kosturi, Janina, Gjirokastra e Preveza. Secila prej tyre do të ndahej në 3-4 “nënëgastra”. Siç shihet, bëhet fjalë për një ndarje administrative me bazë territoriale, ku secila njësi do të kishte kompetenca identike me të tjerat. Përjashtim do të përbënte vetëm kryeqyteti, Skënderbegasi, që do të krijohej nga fillimi në qendër të Shqipërisë dhe që do të përbënte një nënëgastrë të veçantë, të pavarur prej gastrave të tjera. Me gjasë, Samiu kishte në mendje si model të kryeqytetit të SHBA-së. Nga secila gastrë do të zgjidhet një person dhe të 15 të zgjedhurit do ta formojnë Pleqësinë, organin me të lartë të shtetit. Nga secila nënëgastrë do të zgjidhen dy persona, që do të formojnë Këshillin e Përgjithshëm, që do të qëndrojë i mbledhur në kryeqytet. Duke i dhënë peshë të njëjtë secilës ndarje në përfaqësimin politik, Samiu kërkonte t’i harmonizonte interesat krahinore me interesin e përgjithshëm. Delegatët në Pleqësi dhe Këshill do të përfaqësonin gastrat përkatëse, por vendimet për plotësimin e nevojave në secilën gastrë do të merreshin bashkarisht. Përveç përfaqësimit politik në dy prej organeve më të larta të shtetit, Samiu nuk i detajon kompetencat e këtyre njësive administrative, sepse zhvillimin e qytetërimin e vendit e sheh si detyrë të qeverisë qendrore.

Sapo u themelua Shqipëria londineze, u shfaqën projektet për ta “kantonizuar” atë sipas përkatësive fetare ose krahinave, gjithnjë të nxitura dhe të mbështetura nga shtetet fqinje. Këto projekte vijonin procesin e copëtimit të trojeve etnike shqiptare të nisur në vendimet e Konferencës së Londrës. Në kohë të ndryshme u shpallën autonomia e “Vorio Epirit”, “Republika e Mirditës” etj., e përbashkëta e të cilave ishte ideja se disa krahina duhet të kishin privilegje vetëqeverisëse në raport me pjesën tjetër të vendit. Këto lëvizje “autonomiste” udhëhiqeshin nga persona që nuk donin ta kufizonin ambicien vetjake për të qenë “i pari i vendit” në kohën kur po bëheshin përpjekje për forcimin dhe stabilizimin e shtetit shqiptar. Ata e shfrytëzonin, për qëllimet e veta, mendjengushtësinë lokaliste dhe fanatizmin fetar, duke mbjellë pakënaqësi dhe armiqësi midis krahinave të shtetit. Gjithnjë ka pasur dhe do të ketë persona me pushtet e pasuri që përfitojnë nga situata e copëtimit të trojeve shqiptare dhe që për ruajtjen e sundimit ose të privilegjeve të tyre ngrenë dhe do të ngrenë justifikime se gjoja bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të sjellë dominimin e një pjese të atdheut mbi pjesën tjetër. Sot në Prishtinë dëgjon zëra që kërkojnë ruajtjen e pavarësisë së Kosovës përballë Shqipërisë, kjo në emër të mbrojtjes nga “imperializmi shqiptar”, që kërcënuaka “identitetin kosovar” dhe që gjoja do ta kthejë Prishtinën në një provincë të Tiranës. Ndërkaq, në anën tjetër të kufirit dëgjohen herë pas here zëra se bashkimi me Kosovën gjoja do ta prishë “balancën” fetare, krahinore ose perëndimore të Shqipërisë. Meqenëse ideja e bashkimit politik midis Shqipërisë dhe Kosovës po fiton përditë terren në mesin e shqiptarëve në dy krahët e kufirit dhe ajo do të realizohet edhe për “inatin” e disa shqiptarëve, siç do të mund të thoshte Faik Konica, këta “autonomistë” të kohëve të reja fshihen pas idesë së kantonizimit ose të federalizimit të Shqipërisë së nesërme, duke cituar modele bashkëkohore evropiane. Qëllimi pas këtyre ideve është që Kosova dhe Shqipëria e sotme të vijojnë të funksionojnë më vete edhe pas bashkimit politik, në mënyrë që të ruhen artificialisht privilegjet, pushteti dhe rrjetet e patronazhit, që disa persona kanë akumuluar sot në të dyja shtetet.

Modele të ndarjes administrative në Evropën demokratike ka shumë dhe secili i ka përparësitë e veta, mirëpo asnjëherë nuk duhet harruar se krijimi i sistemeve të ndarjes territoriale, vetëqeverisjes, autonomisë etj. në secilin shtet evropian ka pas vetes histori shekullore të dallimeve kulturore dhe të përplasjeve politike. Bie fjala, nuk ka sesi modeli i landeve të jetë i mirë vetëm për Gjermaninë dhe jo për Francën ose modeli i prefekturave të jetë funksional vetëm në Francë dhe jo në Gjermani. Mëvetësia administrative e landeve gjermane nuk e pengoi aspak Hitlerin që ta përmbyste demokracinë dhe të krijonte një sistem politik totalitar e gjenocidal, sikurse sistemi i përqendruar republikan francez nuk e bën Francën e sotme më pak demokratike sa Gjermania. Me këtë duam të themi se sistemi federativ/kantonial nuk ka në vetvete ndonjë përparësi ndaj sistemeve të tjera administrative dhe çështja nëse duam apo jo që ta zbatojmë atë në Shqipërinë e bashkuar varet nga synimi që duam ta arrijmë përmes tij.

Meqenëse “nukë duam të ndahemi, po duamë të bashkohemi sa të muntmë më teprë”, nuk mund të jemi në favor të një shteti federativ shqiptar. Një federatë midis dy shteteve do të ishte ndoshta një rregullim institucional i përkohshëm, që do të zgjaste më e shumta katër ose pesë vjet, derisa të stabilizohej administrata e njësuar. Modeli federativ nuk do të ishte aspak një mburojë për “imperializmin” e supozuar kulturor e ekonomik shqiptar në Kosovë, sikurse modeli i përqendruar i qeverisjes nga Tirana nuk do të krijojë pabarazi më të mëdha nga ato që tashmë janë formuar midis rajoneve të ndryshme të dy shteteve. Po i shpjegoj shkurtimisht këto dy pika. Studiuesit e imperializmit, lindjen e kësaj dukurie, e shpjegojnë me marrëdhënien qendër-periferi, që krijohet midis dy njësive politike, që formalisht janë të pavarura. Imperializmi mund të rezultojë me humbjen e pavarësisë politike të shtetit periferik ose me mbetjen e tij si satelit në orbitën e shtetit qendror. Pra, po ta pranojmë, për hir të argumentit se ekziston “imperializmi shqiptar”, teorikisht Shqipëria mund ta dominojë Kosovën (pse jo anasjellas?) edhe kur kjo e fundit është e pavarur. Prandaj modeli federativ nuk do ta mbrojë aspak Kosovën nga imperializmi fantazmagorik shqiptar, por ndoshta vetëm ofiqet e disave që bërtasin sot për “imperializmin shqiptar”, ndërkohë që projekti “Kosova Republikë” ka qenë dhe është kundërshtimi i imperializmit real serb dikur në Jugosllavi e sot në Ballkanin Perëndimor.

Për sa i përket pikës së dytë, mbi pabarazitë strukturore dhe dallimet kulturore, brenda Shqipërisë së sotme dhe Kosovës së sotme kemi krijimin e zonave ekonomike dominuese dhe të atyre periferike. Sot për sot, zhvillimi në të dyja republikat është i përqendruar në dy kryeqytetet, pas së cilave vijnë qytetet mesatare të Durrësit e Prizrenit, të ndjekura nga qytete me zhvillim më të paktë, si Shkodra, Peja, Vlora, të ndjekura nga qytete e hapësira rurale që kanë mbetur pa ndonjë shpresë për zhvillim dhe, për pasojë, po humbasin popullatat e tyre. Kjo strukturë e zhvillimit të pabarabartë, me gjasë, do të vijojë edhe pas bashkimit politik. Jo vetëm që nuk bëhet fjalë që Prishtina ta humbasë rëndësinë si qendër ekonomike, kulturore dhe e shërbimeve publike cilësore në raport me Tiranën, por duhet të na shqetësojë hendeku i madh që po i ndan zonat e Prishtinës dhe të Tiranës prej qyteteve të tjera shqiptare, si edhe problemet e rënda që vijnë nga dendësia e madhe urbane. Shqipëria e nesërme duhet të jetë një shtet social që t’u japë shanse zhvillimi e jetese dinjitoze qytetarëve kudo ku ata janë, që do të thotë vëmendje më e madhe me politika publike për fshatin dhe zonat urbane të mbetura pas.

Përderisa për përkrahjen e bashkimit politik Shqipëri-Kosovë motivohemi nga parimi “nukë duam të ndahemi, po duamë të bashkohemi sa të muntmë më teprë”, atëherë në Shqipërinë që do të vijë nuk do të duhet të ketë vend për shprehje “në shqiptarët e ata kosovarët” ose “ne kosovarët dhe ata shqiptarët”. Ndarja administrative do të bëjë të mundur zhdukjen e kufirit të tanishëm midis dy republikave; një njësi e pushtetit vendor do të kenë juridiksion mbi krahina që sot gjenden në të dyja anët e kufirit, Kukësi do ta ketë qendër Prizrenin dhe Tropoja do ta ketë qendër Gjakovën. Kosova e sotme do të ndahet në tri-katër rajone me qendër në Prishtinë, Prizren, Pejë e Mitrovicë, ndërsa Shqipëria e sotme do të ndahet në nëntë rajone me qendër Gjirokastrën, Beratin, Dibrën, Durrësin, Elbasanin, Korçën, Shkodrën, Tiranën dhe Vlorën. Pra, do të ndiqet ideja e Samiut për “gastrat”, pak a shumë do të ringjallet ndarja së prefekturave gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, kohë kur “tokat e lirueme” në Jugosllavi dhe Greqi iu bashkëngjitën shtetit shqiptar. Pavarësisht nëse do të quhen “rajone”, “prefektura”, “qarqe”, “komuna”, “rrethe” etj. Sigurisht që kompetencat mund t’i kenë të ndryshme nga ato “prefekturave”, për t’iu përshtatur më mirë nevojave të kohës dhe sigurisht që drejtuesit e tyre do të jenë të zgjedhur nga banorët e secilës njësi. Këto rajone nuk do ta kenë natyrën e kantoneve ose landeve në modelin federativ, por do të jenë detyrimisht më të mëdha se sa komunat/bashkitë e tanishme dhe, në aspektin kulturor, do ta kenë hapësirën e nevojshme për mbështetjen e tipareve të veçanta historike e etnografike që ka trashëguar secili rajon, përfshirë këtu edhe trajtimin e pakicave etnike që do të gjenden në juridiksionin e tyre. Kompetencat që do të kenë rajonet do të rregullohen në bashkëpunim me pushtetin qendror, por gjithnjë sipas parimit që populli ia beson sovranitetin organeve të qeverisjes qendrore, e cila delegon kompetenca te pushteti lokal (procesi i decentralizimit), kur mendohet se kjo është në shërbim të qytetarëve. Rajoni do të ndahet në njësi më të vogla urbane ose rurale me ndarje të qartë të detyrave për secilin nivel. Drejtpeshimi i kompetencave të organeve qendrore me ato rajonale ka për të qenë një proces i vazhdueshëm, që do t’u përshtatet nevojave që do të kenë qytetarët, me përjashtim të fushës së sigurisë, financave dhe arsimit, që do të jenë ekskluzivitet i pushtetit qendror. Nuk do të ketë rajone ose nënrajone autonome për pakicat etnike, por vetëm zbatim të standardeve të njohura ndërkombëtare, që do t’u lejojnë atyre ta ruajnë identitetin dhe do t’u ofrojnë shanse për t’u integruar në shoqëri e për të marrë pjesë në jetën publike me të drejta e detyrime të njëjta si qytetarët që i përkasin kombit shqiptar. Në kohën e tashme, për sa kohë që do të ekzistojnë dy shtete, duhet shkuar drejt unifikimit të sistemeve, shtrirjes territoriale dhe kompetencave të pushtetit vendor. Nuk ka rëndësi nëse këndej kufirit i quajmë “bashki” dhe andej kufirit i quajmë “komuna”, por ka rëndësi të madhe që ato të ngjajnë sa më shumë me njëra-tjetrën. Për këtë qëllim, çdo reformë e ndarjes administrative e pushtetit vendor, që do të ndërmerret në secilin shtet, duhet konsultuar me shtetin tjetër dhe duhet të priret nga ideja se në të ardhmen e afërt do të ndodhë shkrirja e tyre në një.