` . BE ndan fond prej 100 miliardë eurosh për të konkurruar me SHBA-në dhe Kinën - TV-SHENJA

BE ndan fond prej 100 miliardë eurosh për të konkurruar me SHBA-në dhe Kinën

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë hartuar një plan për krijimin e një fondi sovran, që do të shërbejë për të investuar në kompanitë evropiane, të cilat do të konkurrojnë me gjigantët amerikanë dhe kinezë të teknologjisë

Sipas Financial Times që citon një dokument të brendshëm, thotë se zyrtarët evropianë kanë hartuar një dokument për krijimin e “Fondit Evropian të së Ardhmes”, i cili do të investojë rreth 100 miliardë euro tek kompanitë evropianë me potencial të lartë.
Ky propozim do të shënojë një hap drastik nga Bashkimi Evropian, në përpjekje për të inkurajuar kompanitë brenda kontinentit të konkurrojnë me rivalët nga SHBA dhe Kina.

Dokumenti në mënyrë specifike përmend kërcënime nga kompanitë amerikane si, Google, Apple, Facebook dhe Amazon dhe nga ato kineze si Baidu, Alibaba dhe Tencent.

“Evropa nuk ka kompani të tilla dhe kjo përbën një rrezik për rritjen ekonomike, punësimin dhe influencën e Evropës në sektorët strategjikë”, shkruhet në dokument.

Por, është ende e paqartë nëse dokumenti do të marrë mbështetjen e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva, deklaroi të premten se plani nuk është parë ende nga presidentja e zgjedhur e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Analistët presin që drejtuesit e rinj të Bashkimit Evropian të mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj gjigantëve të teknologjisë, kur bëhet fjalë për çështje si privatësia, antitrusti dhe taksimi. /Telegrafi/