` . NBA/LeBron e Davis vendosin derbin e Kalifornisë, Bucks bien pa Antetokounmpon - TV-SHENJA

NBA/LeBron e Davis vendosin derbin e Kalifornisë, Bucks bien pa Antetokounmpon

Një mbrëmje e pasur me ndeshje në NBA, por pa dyshim sfida “headline” ishte derbi i Kalifornisë mes Los Angeles Clippers dhe Los Angeles Lakers. Një përballje plot intensitet, me 13 ndryshime të kryesimit dhe 10 momente baraspeshe në rezultat, por në fund festa ishte për LeBron James me shokë, që triumfuan 103-112. Përcaktuese trioja e Lakers LeBron James-Anthony Davis-Avery Bradley, respektivisht me 28, 30 dhe 24 pikë. Për Clippers nuk mjaftuan 31 pikët Paul George, 27 të Kawhi Leonard dhe 20 të Montrezl Harrell.

Fitore bindëse 107-120 e New Orleans Pelicans në parketin e Minnesota Timberwolves, ku spitaki me plot 37 pikë i pandalshmi Jrue Holiday, ndërsa Zion Williamson shtoi 23 pikë të tjera.

Një tjetër takim interesant u luajt në “TD Garden” të Bostonit, ku Celtics u mposhtën me vetëm një pikë diferencë 104-105 nga Oklahoma City Thunder. Vendësit shpërdoruan një epërsi prej 11 pikësh në minutat e fundit, duke humbur një sfidë që praktikisht e kishin të fituar. Spikatën për Thunder Chris Paul dhe Dennis Schroder respektivisht me 28 dhe 27 pikë, ndërsa për Celtics shënuesi më i mirë rezultoi Gordon Hayward me 24 pikë.

Mungesa e “The Greek Freak” (Giannis Antetokounmpo) u dha mundësinë Phoenix Suns të triumfonin 140-131 ndaj Milwaukee Bucks, që e bënë diferencën në periodën e parë me një rezultat të pjesshëm 47-28. Spikati me 36 pikë për Suns Devin Booker si dhe Ricky Rubio me “triple-double” (25 pikë, 13 “rebound” dhe 13 asiste). Në radhët e Bucks më të mirët ishin Khris Middleton me 39 pikë dhe Eric Bledsoe me 28.

Humbje e papritur e Houston Rockets 106-126 ndaj Orlando Magic. Teksanët zhvilluan një pjesë të parë shumë të dobët, që u mbyll me 25 pikë diferencë, 46-71, mjaft e thellë për ta përmbysur në dy periodat e fundit, aq më tepër që James Harden nuk ishte në formën e zakonshme, duke shënuar në total vetëm 23 pikë, ndërsa Westbrook një pikë më shumë (24). Për miqtë u dallua me 24 pikë D.J. Augustin, një nga gjashtë basketbollistët e Magic me numër dyshifror pikësh.

Rezultatet:

Los Angeles Clippers-Los Angeles Lakers 103-112

Minnesota Timberwolves-New Orleans Pelicans 107-120

Brooklyn Nets-Chicago Bulls 110-107

Boston Celtics-Oklahoma City Thunder 104-105

Phoenix Suns-Milwaukee Bucks 140-131

Washington Wizards-Miami Heat 89-100

Dallas Mavericks-Indiana Pacers 109-112

Houston Rockets-Orlando Magic 106-126

Cleveland Cavaliers-San Antonio Spurs 132-129

New York Knicks-Detroit Pistons 96-84

Sacramento Kings-Toronto Raptors 113-118
/SS/