` . NATO në shërbim të Atdheut tim, Kosovës - TV-SHENJA

NATO në shërbim të Atdheut tim, Kosovës

Kur erdhi koha e intervenimit dhe Kosova po zbrazej, më kaploi droja se analiza ime mund të ketë qenë subjektive dhe, rrjedhimisht, parashikimi im mund të mos jetë i saktë. Sado që unë kur bëjë analizë, e zhvesh veten time nga subjektivizmi, droja se subjektivja mund ta ketë mundur objektiven, përkatësisht se parashikimi im se NATO do të kryejë punë, të ketë buruar nga dëshira ime e jo nga logjika e ngjarjeve

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

U bënë 20 vite nga intervenimi i NATO-s në Kosovë. Në 20 vitet pasuese NATO e mbrojti Kosovën. Që Beogradi do të bombardohet nga NATO-s këtë e kam thënë në një shkrim timin të majit 1992 me titull: “Çka humbë e çka fiton Serbia?” të botuar në revistën “Republika” të Lubjanës.

*          *          *

 Çka humb e çka fiton Serbia?

 Serbia humbi Slloveninë, dy të tretat e Kroacisë e me gjasë do ta humbë edhe Bosnjën, Maqedoninë, Kosovën, Sanxhakun, Vojvodinën e Malin e Zi. D.m.th., humbja maksimale e Serbisë është humbja e territoreve që, edhe ashtu, nuk janë të saj. Valevën, Kralevën Kragujevcin e Beogradin askush nuk po i konteston se janë të Serbisë.

Asnjë shtet, madje asnjë parti politike ose individ, nuk po sheh ëndërr se Beogradi, Valeva ose Kragujevci mund t’i takojë Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë, Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjës, Gjermanisë ose Honolulusë.

Madje, shqiptarët janë të gatshëm jo vetëm t’ia dhurojnë Leposaviqin (e kush e ka Leposaviqin si pikë strategjike e ka edhe Trepçën dhe Mitrovicën), por edhe trevat etnike shqiptare Preshevën, Bujanovcin e Medvegjën, të cilat janë “të kënaqur” edhe me autonomi.

Serbisë nuk po i kanoset rreziku që të humbë ndonjë territor të vetin. Për më tepër, ka gjasë që pas bombardimit të Beogradit dhe rënies së domosdoshme të Millosheviqit, Serbia të vazhdojë të mbajë ndonjë territor nën okupim. (Ndonjë Presheve e ndonjë Sanxhak, të cilat mund “të kënaqen” me ndonjë farë autonomie, shkolla në gjuhën amtare e “flamuj kombëtarë”). Vërtet, Serbia me ndonjë politikë tjetër ka munduar ta mbajë Jugosllavinë edhe për disa vite, por objektivisht më gjatë Jugosllavia nuk mund të qëndronte. Strategjia serbe ka konsistuar në atë që para se të humben territoret e pushtuara, ato maksimalisht të shfrytëzohen.  

Ajo që Serbia e ka plaçkitur Kosovën, Bosnjën e Kroacinë është vetëm një grimë e plaçkitjes së madhe që Serbia mendon ta bëjë dekadave të ardhshme e ndoshta edhe shekujve të ardhshëm. Fitimi më i madh i Serbisë është ajo që Serbia po arrin të bëjë luftë duke mos i rrezikuar territoret e veta.

Llogaria Serbe është kjo: Për një komb 10-milionësh, sa thonë se ka serbë, nuk është asgjë po u pakësuan për një milion veta (si nëntë si dhjetë gati njësoj është kuantitivisht) me qëllim të forcimit kualitativ të kombit serb. Serbët, pra, e ndjekin shembullin gjerman.

Gjermanët, prej një populli të ndarë e të përçarë, dembel e jo punëtorë, çfarë ishin para një shekulli, përmes disa luftërave që i bënë radhazi e të cilat shumicën i humbën, arritën ë bëhen populli më punëtor dhe kombi numër një në Evropë. E vërtetë është se Berlini qe rrafshuar me tokë, por çka i mungon sot Berlinit në krahasim me metropolet e tjera të Evropës?! Serbët e dinë se nuk mund të maten me gjermanët, por sado kudo në takatin e tyre përpiqen ta ndjekin shembullin e tyre. Ndoshta dikur, pas 50 vjetëve, ndonjë popull që ende do të jetë i robëruar do të këndojë “Hvala Serbijo” sikur që sot këndojnë kroatët “Tanke Deutscheland”.

 Pse Serbisë i leverdisë lufta?

 Serbia nuk po i dërgon në fronte intelektualët, studentët, mjeshtërit etj., por kryesisht vagabondët, rrugaçët, alkoolistët, përdoruesit e drogës etj. dhe armiqtë e vet të brendshëm: hungarezët, boshnjakët dhe shqiptarët. Aq i bën Serbisë nëse këto kategori njerëzish vriten në fronte. Vagabondi kur shkon në luftë, ose vritet ose bëhet njeri.

Në anën tjetër, Serbia gjatë kësaj lufte po krijon kuadro të cilat në paqe nuk do të mund t’i krijonte me dekada. Ndërkaq kundërshtarët e Serbisë, që janë kundër luftës (shqiptarët, boshnjakët etj.), i dëmton shumëfish. Yndyrën shqiptare ajo e vret, e kalb nëpër burgje etj., kurse vagabondët e hajdutët i lëshon nëpër Evropë si kundër-propagandë shqiptare. Kështu Serbët fitojnë dyfish, kurse shqiptarët humbin katërfish.

Madje, edhe kur Beogradi të bombardohet (sepse pa u bombarduar Beogradi luftërat në Ballkan nuk përfundojnë) e edhe nëse Prishtina mbetet e paprekur, pas 2-3 dekadave Beogradi do të jetë metropol i vërtetë, ndërsa Prishtina do të jetë Prishtinë me rrugët me baltë. Ja që Serbia derisa të vijë te bombardimi i Beogradit nuk është duke i lënë keq as Sarajevën, as Dubrovnikun e Vukovarin e, sigurisht, se s’do ta lërë “keq” as Prishtinën.

 Ku është fati i kundërshtarëve të Serbisë?

 Fati i kundërshtarëve të Serbisë qëndron në faktin se shtetet e zhvilluara e kanë të njohur strategjinë kombëtare serbe. Gjermanët, të cilët e kanë kaluar tashmë këtë rrugë, nuk dëshirojnë që serbët ta ndjekin rrugën e tyre. Dhe, pikërisht këtu serbët u gabuan në llogaritë e veta. U gabuan sepse besuan në pacenueshmërinë e normave ndërkombëtare dhe parimeve të veprimit të deritanishëm politik ndërkombëtar. Ata nuk e besuan se shtetet e zhvilluara mund edhe t’i shkelin normat ndërkombëtare dhe parimet e sjelljes. Njësoj sikur që edhe shqiptarët, që besuan në pacenueshmërinë e kushtetutës federative dhe ligjeve ndërkombëtare, u mashtruan, sepse Serbia i shkeli ato.

Përndryshe ka qenë jashtë çdo logjike që SHBA ta njohin Bosnjën e Hercegovinën, e cila as për së afërmi nuk i ka plotësuar kushtet për njohje, (Asnjë territor të çliruar, pa monedhë të vet, pa ushtri të vet, me polici të përgjysmuar etj). Shtrohet pyetja: pse atëherë SHBA-të nuk e pranuan Republikën e Kosovës, e cila po aq sa Bosnja (nuk) i plotëson kushtet për njohje? Përgjigja qëndron në faktin se lufta do të shpërthente edhe në Kosovë dhe SHBA-të janë të interesuara që konfliktet rajonale të mos dalin jashtë kontrollit. Kjo nuk do të thotë se Kosova nuk do të njihet si shtet më vonë dhe se nuk do të ketë luftë më vonë.

 Çka duhet të bëjnë shqiptarët?

 Nëse ekziston interesi i SHBA-ve që Kosova të jetë shtet, kjo nuk do të thotë se ndokush është i interesuar t’i mbrojë shqiptarët prej masakrës, as serbët, as kundërshtarët e saj (SHBA, Gjermania etj). Për shqiptarët çdo moment i humbur kohe, do të thotë një shqiptar më pak. Shqiptarët duhet të përgatiten pa shpresuar asnjë moment se lufta nuk do të ndodhë. Sa më shumë të përgatiten, aq më pak do të kenë viktima, aq më parë do të vijnë në ndihmë aleatët.

Ajo që thotë Ibrahim Rugova, se jemi për zgjidhjen e çështjes me dialog e në mënyrë paqësore, është gjë normale se çdo diplomat duhet të deklarohet ashtu.

Madje edhe Millosheviqi thotë se është për dialog (e madje ai edhe ka bërë dialogë e marrëveshje paqësore sa të duash) dhe sot e kësaj dite nuk e pranon se është në luftë. Mirëpo, është jologjikë të pritet që të zgjidhet çështja e Kosovës pa luftë kur kemi të bëjmë me nacizmin serb (si çdo nacizëm në përgjithësi), të cilit më shumë i duhet lufta sesa vetë Kosova. Për shqiptarët ka ardhur shansi historik, sepse ndodhen para rrezikut më të madh në histori. E vetëm rreziqet e mëdha sjellin fitore të mëdha.

Tani, kur Serbia mund të ndodhet si Gjermania para 50 vjetësh, kundërshtarët e Serbisë (Amerika, Gjermania etj.) janë të interesuara t’i këpusin asaj sa më shumë territore. Gjermania, Amerika etj. nuk koriten për pak. Njësoj sikur të nxjerrin nga kthetrat e saj vetëm Rrafshin e Dukagjinit, si t’ia marrin tërë Kosovën (me Preshevë, Medvegjë e Bujanovc,) Sanxhakun e Vojvodinën, tërë kjo punë një emër e ka: çlirimi i territoreve të okupuara (ndokush mund ta quajë edhe copëtim të Serbisë, por kjo njësoj është).

Prandaj është në interes të shqiptarëve që ta shpallin: – Bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës e Sanxhakut Republikës së Kosovës dhe të veprojnë konform me këtë akt.; – Të përcaktohen saktësisht kufijtë dhe të publikohen sa më parë; – Të nxirret Kushtetuta e re (ajo e Kaçanikut është vjetruar); – Të plotësohen organet e Republikës me përfaqësues të këtyre trevave etj., etj. Në këtë mënyrë shumë më mirë korrespondojmë me aleatët tanë, sepse kështu mund të na llogarisin si faktor. Tek e fundit, më mirë të vendosen është helmet-kaltrit mbi Priboj e Sjenicë sesa në Vushtrri e Skënderaj?(“Republika”, Lubjanë, Maj 1992)

*          *          *

 Besimin se NATO do të bombardojë Beogradin e kam shprehur edhe në 6 vjetët në vijim. Në mars të vitit 1998, në një intervistë të gjatë në TV KOHA të Tetovës e kam shpjeguar më hollësisht se kur dhe në çfarë rrethanash do të ndodhë bombardimi i NATO-s. (https://www.youtube.com/ëatch?v=JTU7OP93jOQ&feature=youtu.be&fbclid=IëAR1aËKË3fSiyoLImpI9K2GAsp07ghukiKKAëdLcRVvnqnsQEsNbSS-ISCug).

Por, kur erdhi koha e intervenimit dhe Kosova po zbrazej, më kaploi droja se analiza ime mund të ketë qenë subjektive dhe, rrjedhimisht, parashikimi im mund të mos jetë i saktë. Sado që unë kur bëjë analizë, e zhvesh veten time nga subjektivizmi, droja se subjektivja mund ta ketë mundur objektiven, përkatësisht se parashikimi im se NATO do të kryejë punë, të ketë buruar nga dëshira ime e jo nga logjika e ngjarjeve. Në këtë panik, unë më 30 mars 1998 e shkrova në gjuhen angleze shkrimin e mëposhtëm “Vonesa fatale e NATO-s në Kosovë”, i cili që të nesërmen u botua në shumë nga gazetat që unë e adresova dhe në ditët në vijim u botua edhe në shumë gjuhë të botës, përfshirë edhe në Japoninë e largët.

 

*          *          *

 

Vonesa fatale e NATO-s në Kosovë

 

Ofensiva Serbe për pastrimin etnik të Kosovës ka filluar para sulmeve të NATO-s. Sulmet e NATO-s as nuk e kanë nxitur as nuk e kanë përshpejtuar gjenocidin serb mbi kosovarët, por këto sulme nuk po janë aq serioze sa ta pengojnë atë. Njohja e pavarësisë së Kosovës e lehtëson daljen nga kriza e tanishme.

Duket e pabesueshme por është e vërtetë se as pas ditës së pestë të sulmeve nga ajri NATO nuk arriti ta gjunjëzojë Jugosllavinë e Millosheviqit. Ndërkohë forcat serbe kanë ndërmarrë një ofensivë të gjerë spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë. Nëse ky avaz do të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera, atëherë Kosova do të mbetet pa kosovarë dhe aksionet e NATO-s do ta humbin kuptimin.

Duke lënë mënjanë këto parashikime të kobshme për një paqe varresh në Kosovë, duhet pranuar se edhe nëse Serbia gjunjëzohet që nesër, me bilancet e deritashme, NATO ka vënë në dyshim aftësitë e saj në mbrojtje të vlerave morale universale të planetit tonë. Nga ky fakt mund të konkludojmë se ose NATO është ushtarakisht dhe politikisht e paaftë të gjunjëzojë regjime terroriste gjenocidale, siç është regjimi i Millosheviqit në Serbi, ose NATO nuk do që ta gjunjëzojë Millosheviqin, por do që ta lejojë atë që ta kryejë spastrimin etnik në Kosovë dhe, së këndejmi, aksioni i saj është vetëm farsë.

Sido që të jetë e vërteta, kjo përbën një rrezik të madh për paqen dhe sigurinë globale. Në planetin tonë kemi aktualisht 185 shtete dhe më se 8000 grupe etnike. Shembulli serb do t’i inkurajonte shtetet e tjera totalitare dhe jototalitare që problemet e tyre ndëretnike t’i zgjidhnin sipas modelit serb. Kjo do të thoshte që nga faqja e dheut të fshiheshin tri të katërtat e numrit të përgjithshëm të popujve në botë e, ndoshta, edhe i gjithë planeti, pasi që shtetet që më së shumti kanë probleme etnike në botë si Kina, India, Pakistani etj. posedojnë edhe armë nukleare.

Në fakt ofensiva e fundit serbe filloi pak ditë para sulmeve të NATO-s nga ajri, kështu që nuk mund të thuhet se ajo u provokua nga sulmet e NATO-s. Përkundrazi, po mos të ishin goditjet e NATO-s spastrimi etnik i Kosovës tanimë ndoshta do të kishte përfunduar. Ajo që i frenon serbët e Millosheviqit në këtë rast nuk është asnjë skrupull moral, por rezistenca e UÇK-së dhe sulmet e herëpashershme të avionëve të NATO-s.

Nëse faktin që NATO akoma nuk e ka gjunjëzuar Millosheviqin do ta quanim dështim, atëherë shkaqet e këtij dështimi janë këto:

E para. NATO nuk e ka studiuar mirë faktorin psikologjik dhe ideologjinë nacionale serbe. Serbët janë komb që kanë bërthamë në kuptimin regjional. Kjo bërthamë është Beogradi dhe rrethina e tij, aty ku ka lindur shteti modern serb. Kombet me pjesët bërthamë e periferi, zakonisht të mirat i ndajnë kështu: bërthama merr frytet, kurse periferisë i takojnë mitet. Në rastin serb kemi mitet për Maqedoninë e sotme, të cilën Serbet e quajnë “Serbi e Vjetër”, për Kosovën “djep të serbizmit” etj.

Sukseset luftarake të serbëve kanë qenë produkt i asaj se serbët e bërthamës gjithmonë kanë qenë të gatshëm t’i sakrifikojnë serbët e periferisë. Ky është rasti me luftërat ballkanike, me dy luftërat botërore dhe, së fundi, rasti më i freskët, është ai i Kroacisë. Beogradi i manipuloi serbët e Kroacisë, në emër të rrezikimit të të drejtave te tyre dhe i cyti ata të bëjnë dhunime, djegie e masakra mbi kroatët derisa kroatët ishin të pafuqishëm. Për këtë gjë ndihma nga Beogradi nuk u mungoi. Në momentin kur kroatët u bënë të fuqishëm dhe i sulmuan serbët e Kroacisë, kur pra i rrezikuan ata seriozisht, Beogradi nuk lëvizi fare, nuk i mbrojti, sepse nuk deshi të rrezikojë asgjë përballë Kroacisë tanimë të fuqishme ushtarakisht e politikisht.

Sulmi i NATO-s mbi Serbinë nuk e gjunjëzoi Serbinë, të paktën për këto 5 ditë, për faktin se Serbia po goditet në periferinë e saj dhe jo në bërthamë. NATO po godet magazinat e zbrazëta dhe natyrisht kjo përbën objekt humori. Objektet që përbëjnë bërthamën e regjimit të Millosheviqit nuk janë cenuar akoma. Radiotelevizioni i Beogradit, arma kryesore e tij, nuk është sulmuar, fabrika për prodhimin e armëve në Kragujevc po ashtu, ministritë e Mbrojtjes, të Punëve të Brendëhme akoma nuk janë bërë targete për bombat e NATO-s. Liderit të Libisë Moamer El Khadafi që më sulmin e parë amerikanë i është vrarë vajza, kurse vajza e Sllobodan Millosheviqit mund të dalë edhe në shesh të Beogradit në koncert rocku me parullën “NATO, Sorry We Are Singing”.

Në fakt, Millosheviqi u trimërua tek pas natës së parë të sulmeve të avionëve të NATO-s, kur pa se aksioni nuk ishte goditje e mbrehtë, por goditje qortuese. Këtu ai e pa se deri të qortimet e fundit ka kohë që ta vazhdojë spastrimin etnik në Kosovë. Natën e parë ai ishte vërtetë i hutuar dhe i frikësuar, aq sa i shpëtoi një deklaratë e tillë përmes Radio Beogradit: “Këtu nuk është në pyetje vetëm Kosova, por edhe Serbia. Ta lëmë Kosovën, por këtu është edhe çështja e Serbisë”. Këtu, Millosheviqi, i hutuar dhe i frikësuar nga sulmet e NATO-s, natën e parë harroi se Kosova është “djepi” i Serbisë, por kjo i ra ndër mend natën tjetër kur pa se sulmet e NATO-s nuk ishin aq serioze.

Që NATO të mos dështojë në duelin me Millosheviqin, gjëja e parë që duhet ta bëjë është ta paaftësojë radiotelevizionin e Beogradit, që është çerdhja e kryekriminelëve jo vetëm të luftës në Kosovë, por edhe atyre në Bosnjë, Kroaci e Slloveni, në mënyrë që opinioni serb të jetë i detyruar të ndjekë kanalet e jashtme televizive, ku Millosheviqi do të ketë qasje të kufizuar dhe ku do të promovoheshin politikanë serbë që do të ofronin alternativa më njerëzore sesa gjenocidi dhe spastrimi etnik. Serbet duhet të mësohen të protestojnë kundër bashkatdhetarëve të tyre, që vrasin gra, fëmijë e pleq.

E dyta, të joshet Mali i Zi që ta shpallë pavarësinë dhe të njihet menjëherë pavarësia e tij.

E treta dhe më kryesorja do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës. Me njohjen e pavarësisë e Kosovës, spastrimi etnik i saj për serbët nuk do të kishte më kuptim. Tekefundit, kjo është zgjidhja e vetme logjike. Si do t’u thuhet kosovarëve tani jetoni nën Serbi, kur në memorien e serbëve është fiksuar ideja se janë bombarduar për shkakun e kosovarëve? Kjo tani nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Fundja, kjo do të duhej të ishte pjesë e dënimit për Serbinë për shkak të gjenocidit. Sidoqoftë, më e lehtë për bashkësinë ndërkombëtare është ta mbrojë pakicën e vogël serbe në Kosovë sesa ta mbrojë pakicën e madhe shqiptare në Serbi.  

Dhe, së fundi, kur flitet për pavarësinë e Kosovës, zakonisht kjo gjë refuzohet me motive gjeopolitike të sigurisë në rajon. Në fakt, pikërisht pavarësia e Kosovës do t’i siguronte ekuilibrat gjeopolitikë në rajon. Të gjitha grupet etnike në Ballkanin lindor kanë nga dy shtete: romunët kanë Rumaninë dhe Moldavinë, grekët kanë Greqinë e Qipron, turqit kanë Turqinë dhe Qipron Veriore, bullgarët kanë Bullgarinë dhe Maqedoninë, serbët kanë Serbinë dhe Malin e Zi, dhe të vetmit janë shqiptarët që e kanë Shqipërinë, por nuk mund ta kenë edhe Kosovën. Pse jo? ( 31.03.1999)

 

*          *          *

 

Lufta mbaroi dhe trupat e NATO-s u futën në Kosovë. Kontakti im i parë me trupat e NATO-s, që vepronin nën emrin KFOR, ndodhi kur menjëherë pas luftës, më 1999, po e themelonim Radio Televizionin e Mitrovicës. Ushtarakët francezë na ndihmuan që të vëmë në punë Radio Mitrovicën, kurse ushtarakët belgë na ndihmuan të vëmë në punë TV Mitrovicën.

Ishte kohë kur njerëzit sapo kishin zbritur nga malet dhe kërcënimet me vdekje dhe lista tradhtarësh qarkullonin kudo. Sado që unë nuk mbaja asnjë post partiak, se poste publike nuk kishte atëherë, KFOR-i e pa të arsyeshme që të më bëhej truprojë për muaj të tërë. Më shumë kisha unë ushtarakë, që më bënin eksportë, sesa vetë komandanti rajonal.

Biseda e Skender Sadikut me ushtarakët e KFOR-it qe bërë virale në të gjithë bisedat e ushtarakëve anembanë Kosovës dhe këtë e pata dëgjuar edhe në selinë e NATO-s në Bruksel, kur e pata vizituar atë në shtator të vitit 2000. Cila ishte biseda e famshme?

Në jug të Mitrovicës u pat hedhur në erë një objekt i sapondërtuar. Natyrisht, atëherë akoma nuk kishte as polici të UNMIK-ut, as polici vendore, prokurori e gjykata dhe me çështjen duhej të merrej KFOR-i. Komandanti rajonal erdhi në RTV Mitrovica dhe na pyeti se kush mund ta ketë bërë minimin e objektit që konsiderohej si akt terrorist. Skender Sadiku, që kishte qenë luftëtar i UÇK-së, pa një pa dy u përgjigj: “UÇK, nuk ka kush tjetër!”. Komandanti rajonal i KFOR-it komentoi: “Është bërë në mënyrë shumë profesionale”. Atëherë Skender Sadiku brofi e tha: “Atëherë e paska bërë KFOR-i, sepse UÇK-ja nuk mund të bëjë asgjë në mënyrë profesionale”. Kur po ma tregonin këtë në selinë e NATO-s në Bruksel, nuk e dinin se kjo kishte ndodhur në praninë time dhe se personazhi i tregimit viral ishte shoku im Skender Sadiku.

KFOR-i luajti rol aktiv edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjatë vitit 2008 TV Mitrovicës iu mor licenca dhe iu konfiskuan pajisjet me arsyetimin se mbulon më tepër territor seç i është lejuar me licencë. Për më tepër, marrja e licencës dhe konfiskimi u bënë me procedurë të kundërligjshme. Ky akt i institucioneve të shtetit të saposhpallur i pavarur tmerroi organizmat ndërkombëtarë akoma të pranishëm në Kosovë, në mesin e tyre edhe KFOR-in. Kur në trazirat e marsit 2004 të gjitha televizionet kosovare kishin rënë nga provimi për ndikim negativ në situatën e krijuar, TV Mitrovica kishte marrë lavdatë publike nga KFOR-i dhe OSBE-ja. Dha, tani shih ironinë: kur Kosova po e shpallte pavarësinë, i vetmi televizion që po mbyllej ishte pikërisht TV Mitrovica. Pas një viti përpjekjesh e gjyqesh, me vendim të Panelit të OKB-së, TV Mitrovicës i kthehet licenca dhe pajisjet dhe autoritetet detyrohen të kërkojnë falje publike.

Por, orvatjet e pushtetit për ta penguar TV Mitrovicën nuk përfundojnë me kaq. Derisa po mbaja ligjërata para studentëve në Ferizaj, më lajmëruan se një grumbull qytetarësh të organizuar nga pushteti kanë shkuar dhe e kanë lidhur me zinxhirë të trashë derën e blinduar të studiove të RTV Mitrovicës dhe kësisoj e kanë ngujuar stafin e RTV Mitrovicës që po zhvillonte programin, përfshirë këtu edhe fëmijë. E thirra në telefon komandantin e stacionit policor të Policisë së Kosovës dhe kërkova që të dërgojë policë që t’i zhbllokojnë njerëzit e ngujuar e të tmerruar. Komandanti i policisë më pyeti se a kemi licencë. I thash “Po, por kjo punë nuk është temë për momentin, pasi urgjenca është të zhbllokohen njerëzit”. Më tha: “Ma sjell licencën e pastaj shohim e bëjmë”. Kot fillova ta ngre zërin se duhen 2 orë që të arrij nga Ferizaji dhe se gjatë kësaj kohe nuk bënë që njerëzit të ngelin të ngujuar. Komandanti i policisë nuk donte t’ia dinte, por po më thoshte: “Eja, silli dokumentet e pastaj shohim!. Edhe durimi im me nerva kali me sjellje njerëzore e diplomatike mori fund dhe u detyrova t’i them: “O unë kur të vij, t’i q.. 9000 nana, bre pis”. Në atë moment e thirra në telefon komandantin e përgjithshëm të KFOR-it (i 14-ti me radhë), gjeneralin Markus Bentler. Që nga komandanti i dytë i KFOR-it, gjenerali Klaus Reinhardt, unë kisha numrin telefonit celular të komandantit, por asnjëherë nuk e kisha përdorë, me përjashtim të ndonjë sms-je për të uruar festat fetare. Tani po provoja për herë të parë ta merrja në telefon dhe nga ana tjetër gjenerali Bentler në shërbim të Atdheut, por kësaj radhe në shërbim të Atdheut tim Kosovës. Ia shpjegova problemin dhe reagimin e policisë dhe ai menjëherë tha se po i dërgonte dy autoblinda të KFOR-it austriak. Kur unë arrita prej Ferizaji në Mitrovicë, në të njëjtën kohë arritën autoblindat e KFOR-it austriak. U prezantova dhe u nisëm shkallëve përpjetë për në studio. Që në katin e tretë një djalë i zhvilluar e kishte zënë rrugën dhe nuk linte të kalonim. Kur ushtaraku vërejti se po zinte rrugën me qëllim, e hodhi përtokë banditin dhe në vazhduam lartë. Qytetarët tjerë u zhdukën nëpër banesa dhe darët gjigante u përdorën për t’i prerë zinxhirët për stafin e ngujuar të RTV Mitrovicës.

Për 3 muaj rresht 2 ushtarë të KFOR-it bënin roje në studion e RTV Mitrovicës dhe një autoblindë qëndronte poshtë studiove, derisa KFOR-i vlerësoi se rreziku ka kaluar.

Më këtë desha të them se KFOR-i po na ruan jo vetëm prej agresionit eventual të Serbisë, po edhe prej vetës sonë. Për më tepër, KFOR-i është i vetmi institucion në Kosovë, që gjeneron edukatë patriotike. Këtë e bënë përmes spoteve televizive në televizionet kryesore të Kosovës.

Kosova ka ëndërruar më se një shekull ta ketë ushtrinë e vet, por KFOR-i vazhdoi t’i shërbejë shumë më shumë se ç’mund t’i shërbente ushtria e saj.