` . Namazxhaja e Prizrenit, dëmtohet qëllimshëm xhamia e parë në Kosovë (FOTO) - TV-SHENJA

Namazxhaja e Prizrenit, dëmtohet qëllimshëm xhamia e parë në Kosovë (FOTO)

Në qytetin historik të Prizrenit është dëmtuar xhamia e ‘Namazxhahut’, e njohur ndryshe edhe si “Kërëk Xhamia” që konsiderohet si një prej të parave të ndërtuara në Kosovë.

Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit ka reaguar, duke shprehur shqetësime për dëmtimin e kësaj xhamie. Ky institucion fetar i ka kërkuar Policisë së Kosovës që t’i arrestojë personat që kanë dëmtuar këtë objekt fetar.

“Pas vërtetimit në vend, ekziston dyshimi i bazuar se persona të pandërgjegjshëm qëllimisht i kanë dëmtuar dy shtyllat e kurorës së hytbes në objektin e Namazxhahut, duke synuar rrëzimin e saj.

Me këtë rast, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit kërkon nga Policia e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e duhura për gjetjen dhe marrjen në përgjegjësi të personave, që e kanë shkaktuar këtë dëm të madh ndaj xhamisë së Namazxhahut, si një objekt i rëndësisë së veçantë për trashëgiminë kulturore e historike të Kosovës”, thuhet në reagimin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren.

Xhamia e Namazxhahut është ndërtuar në vitin 1455 nga ushtarët osmanë, dhe i është ekspozuar sulmeve qysh në vitin 1912 me rastin e pushtimit të Prizrenit nga ushtria serbe, ajo u renovua dhe u funksionalizua pas luftës nga ana e KFOR-it turk. /tesheshi/