` . Muzika u troket në derë, e marrin... - TV-SHENJA

Muzika u troket në derë, e marrin…

I krijuar para nëntë viteve grupi i veçantë, “Duo Skupi” i sjell publikut tingujt e muzikës popullore, të përpunuara në një stil modern. Emrin e grupit e ka zgjedh Ermali, pasi edhe Jeta edhe Ermali janë shkupjanë dhe që të dyve u ka pëlqyer emri i vjetër i këtij qyteti, i cili ka një traditë dhe kulturë të lashtë.

Shkruan: Anila LIMANI

Kujt do t’i shkonte ndërmend që një flaut dhe një violinë, dy instrumente të regjistrit të lartë, të mund të kombinoheshin në atë mënyrë sa të arrinin të sillnin melodi që do të kënaqnin çdo dëgjues! Askujt, madje edhe vetë pjesëtarët e grupit grupit “Duo Skupi”, Jeta Starova dhe Ermal Memeti, dyshonin në një kombinim të tillë. Por, si ndodhi që këto të dy instrumente, vetëm, pa shoqërimin e ndonjë instrumenti tjetër të bashkohen dhe të sjellin melodi, të cilat çdokush ia ka zilinë. Shkas është bërë një ish ambasadore e Francës në Maqedoni, e cila 10-të vjet më parë ka kërkuar nga Jeta dhe Ermali, si dy ish studentë të Parisit të performojnë diçka për ambasadën, të shoqëruar me një instrument tjetër.

“Morëm një partiturë dhe, meqë donim të merrnim edhe një pianiste, thamë t’i studiojmë ne këto partitura sa të vijë pianistja. Por, kur u lidhën këto dy instrumente, në atë moment më lindi ideja se këto dy instrumente munden edhe vetë. Dhe, me këto fjalë iu drejtova Jetës: “Ndoshta s’ka nevojë të vijë pianistja”, kujton Ermali.

Një eksperiment që pati shumë sukses

Së pari ata kanë nisur me përpunimin e pjesëve të famshme të muzikës klasike, por duke menduar, ata kanë arritur në përfundim se muzika klasike i takon Evropës Perëndimore dhe ata s’kanë çfarë t’i bëjmë më tepër asaj dhe u ka lindur ideja ta përpunojnë muzikën e vjetër popullore dhe atë ta sjellin në një tingull modern.

Eksperimenti i parë ka dalë i suksesshëm. Në mbrëmjen e ambasadorëve ata kanë shtuar edhe 2-3 pjesë të muzikës popullore shqiptare të përpunuar prej tyre, gjë që u ka lënë shumë përshtypje të pranishmëve.

Grupi muzikor “Duo Skupi”, nisi me aktivitetin e tij në vitin 2006. Në një recital të mbajtur në Shkup, përveç pjesëve të përpunuara të muzikës klasike, ata i ofruan publikut edhe mjaft pjesë të muzikës popullore të përpunuara. “Ky koncert ishte testi i fundit që ne na lejoi të merremi me këtë lloj muzike”, thotë Jeta. Dhe, menjëherë pas këtij koncerti grupi “Duo Skupi” e regjistroi edhe albumin e parë dhe, përfundimisht, kanë vendosur që të merren me përpunimin e muzikës së vjetër popullore.

Emri i grupit e mban emrin e vjetër të qytetit

Emrin e grupit e ka zgjedh Ermali, pasi edhe Jeta edhe Ermali janë shkupjanë dhe që të dyve u ka pëlqyer emri i vjetër i këtij qyteti, i cili ka një traditë dhe kulturë të lashtë.

Grupi “Duo Skupi”, në të ardhmen mund të zgjerohet dhe të paraqitet edhe në forma të tjera.

“Ne duam të prekim edhe vlera të tjera, mund të përdorim edhe tinguj vizualë, pasi duam të ecim në hap me kohën. Inspirimi vjen prej dy vetave, por edhe nëse në skenë dalin 8 veta, emri i grupit është ‘Duo Skupi’“, thotë Ermali. Të gjitha kompozimet e pjesëve muzikore i bën Ermali, ndërsa Jeta vetëm i hedh në letër tingujt. Dhe, për grupin “Duo Skupi”, ka punë sa të duash, pasi këngët popullore janë një burim i pashtershëm. Ermali punon ngadalë, por saktë, pasi nuk e durojnë dot gabimin në muzikë. Dhe meqë publiku për ta është shumë i rëndësishëm ata maten shumë se çfarë do të nxjerrim para atij.

“Është një fat i joni që i takojmë një populli që ka histori të lashtë dhe ka një kulturë muzikore ndër shekuj, që na lejon të shërbehemi me atë lashtësi dhe ta sjellim në një mënyrë moderne, ashtu siç bën e gjithë bota”, thotë Jeta. Megjithatë jo çdo këngë popullore mund të përpunohet. Së pari ata shohin si do të tingëllojë ajo, cila temë ka hije që kur të gërshetohen këto dy instrumente të dalë bukur.

Muzikën ma dërgon Zoti!

“Mua vetë muzika më troket në derë, ajo më thërret mua dhe jo unë atë. Mënyra e kompozimit nuk shkon që unë ta urdhërojë muzikën, por muzika më urdhëron mua dhe tingujt vijnë vetë. Shpeshherë them se muzikën ma dërgon Zoti, unë vetëm e shkruaj. Njerëzit sot shërbehen me muzikë, ndërsa për mua muzika vjen nga Zoti dhe diçka që vjen nga Zoti duhet respektuar në maksimum”, thotë Ermali. Muzika vjen tek unë, thotë ai, unë nuk shkoj tek ajo dhe muzika ka momente kur vjen shumë shpejt, por ka edhe momente kur nuk vjen.

Në albumin e parë këngët ishin pak a shumë origjinale me idenë, që të marrin leje për punën e tyre të mëtejshme që të krijojnë një muzikë shumë më të re, duke u bazuar mbi temat e muzikës popullore. “Ajo që do të mund ta dëgjojë publiku në të ardhmen do të jetë një formë tjetër dhe nuk do të ketë mundësi që temën popullore ta dëgjojë nga fillimi deri në fund, po do ta dëgjojë një këngë, brenda së cilës do të paraqitet edhe ajo këngë popullore. Në këtë segment po përpiqemi që të punojmë”, sqaron Ermali.

“Duo Skupi” po punon për albumin e radhës, i cili do të jetë diçka e re, krejt ndryshe nga dy albumet e para dhe për publikun ky album do të vijë shumë shpejt.

Publikut i pëlqen ky lloj i ri i muzikës

Publiku gjithmonë i jep përkrahje grupit “Duo Skupi”, ndërsa institucionet shtetërore asnjëherë nuk e përkrahin. “Asnjëherë s’kemi pasur probleme me publikun e thjeshtë. Atmosfera në sallë është maksimale, por s’kemi përkrahje institucionale. Asnjëherë s’na kanë mbështetur, por kjo s’na pengon, madje na bën krenar se gjithçka e kemi arritur vetë me forcat tona”, thotë Jeta.

“Duo Skupi” nuk është pritur shumë mirë vetëm në hapësirat shqiptare, si Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në të gjithë Evropën ku kanë pasur koncerte.

“Përpos duartrokitjeve të pafundme në sallë, numri i CD që shitet është maksimal dhe kjo është dëshmia më e madhe se si e presin ata muzikën tonë. I marrin dhe kënaqen me të, ndërsa plot prej tyre na shkruajnë. U pëlqen shumë, pasi ata janë lodhur nga muzika e tyre dhe ne nuk mund t’ua prezantojmë atë, ne duam t’ia prezantojmë muzikën tonë, ndërsa ata janë të etshëm të dëgjojnë diçka të re dhe kjo është ajo e reja për ta. Ne jemi ndoshta artistët e radhës që shpërndajmë në botë kulturën dhe traditën tonë, në njëfarë mënyre është një mision”, thotë Ermali.

Qëllimi i Ermalit dhe Jetës është dashuria dhe ata dashurinë e japim në skenë dhe prandaj edhe e marrim atë. “Ne dalim para publikut me sinqeritet, ne nuk duam ta sundojmë publikun, ne kur ngjitemi në skenë, hyjmë në mesin e publikut, ndjehemi sikur ta kemi publikun anëtarë të familjes, ne jemi të qeshur, jemi të lirë. Këtë që e japim edhe e marrim nga publiku kudo që shkojmë. Kujdesemi shumë se çfarë do të japim për publikun, të cilin e respektojmë shumë, por edhe ata na respektojnë dhe kjo vërehet”, thonë ata.

Dëshira për të ndihmuar

“Për dallim prej politikanëve, ne muzikantët mund ta bëjmë bashkimin e popujve, sepse shekulli XXI është shekulli i bashkimit”, thotë Ermali. Një rast i tillë ka qenë me koncertin e mbajtur në Serbi para katër vjetësh, ku salla është mbushur plot me spektatorë, të cilët janë ndarë shumë të kënaqur nga muzika shqipe që e kanë dëgjuar.

Ermali thotë se grupi i tij nuk interesohet vetëm për muzikën shqiptare, gjë që e kanë dëshmuar edhe me albumin e dytë, i cili ka edhe muzikë maqedonase. Tani ata kanë kërkesa edhe nga shtetet e tjera, gjë që do ta bëjnë në të ardhmen dhe me këtë, siç thotë Ermali, me çka do të pasurohet diskografia shqiptare dhe vetë populli, njeriu si njeri. “Do të kemi një shumëngjyrshmëri të muzikës. Në përgjithësi edhe muzikën ballkanike do ta sjellim nëpër albumet tona. Publiku ynë gjithmonë ka qenë i llojllojshëm, andaj edhe muzika mund të jetë e tillë, pse jo!”, thotë ai.

Lloji i muzikës që bën “Duo Skupi” është muzikë botërore, andaj edhe kanë dëshirë që atë muzikë ta dëgjojë e gjithë bota.

Postime të Ngjajshme