` . Muslimanët Rohingya protestojnë në SHBA – TV-SHENJA

Muslimanët Rohingya protestojnë në SHBA

Muslimanët Rohingya të cilët jetojnë në qytetin Chicago të SHBA-ve, protestuan kundër masakrave të qeverisë së Mianmarit ndaj muslimanëve në Arakan, raporton Anadolu Agency (AA).

Në protestën e organizuar në lagjen Michigan morën pjesë persona të shumtë në mesin e të cilëve ndodheshin edhe konsulli i Turqisë në Chicago Umut Acar, kryetari i Fondacionit Zekat në SHBA Halil Demir, anëtari i Asamblesë Përfaqësuese të SHBA-ve Jan Schakowsky dhe menaxheri i qendrës kulturore të Rohingyas, Nasir Bin Zakaria.

Protesta ku shumica e pjesëmarrësve përbëheshin nga Rohingyat të cilët jetojnë në SHBA, nisi me faljen e namazit, ku më pas u protestua kundër masakrave të qeverisë së Mianmarit ndaj muslimanëve të Arakanit me slogane, pankarta dhe fjalime.

Folësit gjatë protestës i bënë thirrje opinionit publik ndërkombëtar që t’i thonë “ndal” masakrës në Mianmar.

Konsulli i përgjithshëm, Acar gjatë fjalimit të tij në protestë tha se “Këtu erdha për të pyetur opinionin publik ndërkombëtar se kur do të përfundojnë vuajtjet e muslimanëve Rohingya por për fat të keq ende nuk po gjendet ndonjë përgjigje për këtë pyetje”.

Duke rikujtuar se reagimin e parë për “tragjedinë” e përjetuar në Mianmar ka dhënë populli dhe qeveria turke, Acar tha se Turqia ka dërguar në rajon delegacione të nivelit të lartë dhe ndihma humanitare dhe se do të vazhdojë t’i dërgojë ato.

“Turqia nuk do t’ju lë të vetëm (Rohingyat) deri sa do të keni një shtëpi ku do t’i rrisni fëmijët tuaj në mënyrë të sigurtë”, thotë Acar duke vënë në dukje se Turqia do të bëjë çdo përpjekje që Bangladeshi t’i hap dyert për Rohingyat.

Në protestë pati slogane si “Liri për Rohingyat”, “Fund masakrës ndaj Rohingyave” dhe “Kërkojmë drejtësi për Rohingyat”. Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime “Drejtësi për Rohingyat” dhe “Fund vrasjeve të fëmijëve në Arakan”.

Protestuesve të cilët shpërndanin njoftime për njerëzit të cilët kalonin në rrugë, iu bashkuan amerikanë dhe turistë të shumtë.